Përpjekja e 28-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish, duke thelluar bllokadën institucionale që po zvarritet prej muajsh. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dorë nga kërkesa që kandidatja e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të votohet përmes një procesi të fshehtë. Në seancën e fundit të mbajtur të premten, propozimi për formimin e një komisioni ad-hoc që do të menaxhonte votimin e fshehtë mori mbështetjen e vetëm 48 deputetëve, ndërsa një deputet votoi kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Në mungesë të shumicës së nevojshme, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu mbledhjen, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të hënën, në orën 11:00. Që nga fillimi i muajit maj, Vetëvendosje ka propozuar disa herë votim të fshehtë si mënyrë për të tejkaluar bllokadën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Megjithatë, kundërshtimet nga partitë opozitare kanë qenë të fuqishme. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e përkrahur nga PDK dhe LDK, ka dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar interpretim mbi kushtetutshmërinë e një procedure të tillë.
