Dhurata Hamzai: Intervistë me gjuhëtarin, Rami Memushaj për librin e tij, “Gjuha shqipe në shtratin e Prokrustit”

Një histori e përpjekjeve për të bërë Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe, që nisi nga viti 1917 dhe u mbyll më 1972 me Kongresin e Drejtshkrimit dhe pastaj për ta zhbërë duke filluar nga viti 1991 e deri më 2013-n paraqitet në librin “Gjuha shqipe në shtratin e Prokrustit”, që ka autor prof. dr. Rami Memushaj. Ky libër polemik vjen në vijim të debateve të këtyre 20 vjetëve të fundit, të cilat kulmuan me debatin e madh, që nisi me krijimin e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, dhe me projektin e tij të qershorit 2012 dhe të prillit 2013 për ndryshimet e rregullave të drejtshkrimit, që jetësojnë “Orientimet” e Akademisë së Shkencave të dhe të Arteve të Kosovës për ndryshimin e drejtshkrimit dhe të konferencës së Durrësit, transmeton Shqiptarja. Prof.dr. Rami Memushaj e ka titulluar librin duke u bazuar në metaforën e Prokrustit, përbindëshit të mitologjisë greke, i cili udhëtarët që bunin në shtëpinë e tij i shtrinte në një shtrat hekuri dhe atyre që ishin më të gjatë ua priste këmbët dhe atyre më të shkurtërve u binte me çekiç derisa të holloheshin e zgjateshin. Kjo metaforë, sipas autorit, “ka si objekt vështrimin kritik të përpjekjeve për të ndryshuar me dhunë shqipen e shkruar”.

-Profesor Memushaj, cili është subjekti i këtij libri që sapo ka dalë nga shtypi?

Memushaj: Ky libër sjell në vëmendje ato që mund t’i quaj tri njolla të zeza në gjuhësinë shqiptare. Këtu janë tri pika kyçe që duhen vërejtur në periudhën e dytë. E para është platforma e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (qershor 2004); e dyta është konferenca e Durrësit e dhjetorit 2010, ku u bënë përpjekje për ta imponuar këtë platformë, por që nuk u pranua dhe rrjedhimisht nuk u miratua; e treta projekti i ndryshimeve të miratuara nga Këshilli Ndërakademik në mbledhjet e 2012-2013-s, që vuri në jetë këtë platformë, duke na kthyer tek “Ortografia” e Prishtinës e vitit 1957, e vitit kur gjuha shqipe filloi të përçahej me orientim nga Beogradi, që udhëzonte të krijohej një gjuhë shqipe tjetër për shqiptarët e Jugosllavisë. Pra, përfundimi është ky: pothuajse 80 për qind e rregullave të reja të propozuara nga Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe 2012-2013 janë ato që janë kërkuar nga grupi i Akademisë së Prishtinës dhe që përputhen me “Ortografinë” e‘57-s.

-Përkimi i orientimit të Këshillit Ndërakademik me orientimet e Drejtshkrimit nga Beogradi në 1957-n është një rastësi apo ka një orientim të fshehtë?

Memushaj: Po, ka një ndikim që është edhe me frymë politike, edhe me orientim të fshehtë klanor. Në fillim të viteve ’90 u nyjëtuan teza për një Kongres të tretë të drejtshkrimit dhe për standardizimin e gegërishtes. Por këta zëra u kundërshtuan me forcë nga gjuhëtarët shqiptarë. Duke e parë të pamundur realizimin e këtyre projekteve, u mendua një rrugë tjetër: ndryshimi i drejtshkrimit në atë masë sa shqipja e shkruar t’u ngjajë të folmeve krahinore. Kjo u arrit me anë të Këshillit Ndërakademik, në të cilin mungojnë specialistët e drejtshkrimit (madje edhe autori i “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, prof. E. Lafja)dhe ku vendimet merren me votë të manipuluar.

-Siç e vumë re pas gjithë këtij fronti të përbashkët gjuhëtarësh për të mbrojtur Drejtshkrimin nga teoritë kundër tij, siç keni qenë edhe ju, me krijimin e qeverisë së re u premtua që institucionet do të punësojnë redaktorë letrarë, si e komentoni ju këtë vëmendje ndaj Drejtshkrimit?

Memushaj: Fryma është shumë pozitive, sepse qeveria që erdhi veç problemeve të mëdha që ka, nuk harroi të kujdeset edhe për gjuhën. Është mirë që të vendosen në institucionet qendrore korrektorë letrarë, por kjo duhet shtrirë edhe nëpër bashkitë e rretheve, ku ka shumë dokumentacione. Mirëpo veç kësaj, kujdesi për gjuhën duhet shtuar edhe me tej. Duhet miratuar ligji për gjuhën jo vetëm nga qeveria e Shqipërisë, po edhe ajo e Kosovës. Të dy qeveritë për problemet e gjuhës shqipe duhet të konsultohen me institucionet që e kanë objekt studimin dhe mbrojtjen e saj, për të gjetur një platformë se si të zgjidhen problemet e shtruara me marrëveshje e bashkëpëlqim dhe jo me imponim nga një grup akademikësh.

-Çfarë ju detyroi të përdorni metaforën e Prokurstit për ata që kërkuan ndryshimet në drejtshkrim?

Memushaj: Pak a shumë njihet legjenda e Prokrustit, që i ftonte mysafirët për të bujtur në shtëpinë e tij në darkë dhe i çonte të flinin në një shtrat të hekurt. Atyre që ishin të shkurtër, u binte me varenë e farkëtarit që t’u holloheshin dhe t’u zgjateshin këmbët; atyre që ishin të gjatë, ua priste këmbët. Kjo është një metaforë që përdoret për dikë do t’i bëjë gjërat me dhunë. Kështu, unë tek ai grup që kërkojnë drejtshkrimin nuk shoh asgjë që të ketë një shpjegim me karakter shkencor. Janë ata që e shkatërrojnë drejtshkrimin dhe hapin shtegun për rrjedhje të tjera.

-Çfarë çështje të tjera keni trajtuar në këtë libër?

 Memushaj: Unë  e nisa këtë libër në fillim nga shqetësimi se gjuhës po i kanoseshin shumë ndryshime të rrezikshme dhe të panevojshme. Por duke konsultuar projektet e drejtshkrimit të hartuara në Tiranë dhe në Prishtinë nga viti 1948 e deri më 1967 fillova të kuptoja kahjen e këtyre përpjekjeve. Nga ortografia e Komisisë Letrare të Shkodrës më 1917-n e deri në vitin 1951 kemi njëfarë lëvizje përafrimi në praktikën e shkrimit këtu dhe në Kosovë. Por në projektin e drejtshkrimit të vitit 1952 të Prishtinës nis një përpjekje e nxitur nga Beogradi për “unifikimin e shqipes ndër Shqiptarët e Jugosllavís”, e cila arriti kulmin me ortografinë e Prishtinës të vitit 1957, me “sugjerimin për dallimin e supozuar midis gegnishtes së shqiptarëve në RFPJ, jo rrallë të quajtur “kosovarishte”, dhe gegërishtes së Shqipërisë.

Pra, duke i krahasuar këto projekte me rregullat e miratuara nga Këshilli Ndërakademik më 2012-2013, kam arritur në përfundimin se këto ndryshime e kthejnë drejtshkrimin e shqipes të ortografia “separate” (term i akad. Rexhep Ismajlit) e Prishtinës e vitit 1957. Po të jetësohet ky projekt ndërakademik, edhe ato pak dallime nga projekti i 1957-s do të zhduken, sepse është si puna e një muri, që, po hoqe një tullë, do të bien edhe të tjera dhe e gjithë godina.

-Sa rëndësi ka marrja parasysh e Drejtshkrimit për gjuhën në Kosovë?

Memushaj: Për trojet shqiptare në ish-Jugosllavi, vendimi i Konsultës së Prishtinës (prill 1968 që gjuha letrare e Kosovës të ishte gjuha zyrtare e trungut amë, pati rëndësi jetike, sepse kështu u ruajt njësia kombëtare e shqiptarëve, të cilën Beogradi u përpoq ta përçante. Por edhe tani që Kosova është shtet i pavarur rëndësia e këtij vendimi mbetet e njëjtë. Sigurisht, tani atje, si edhe këtu, ka shqetësime lidhur me përdorimin e gjuhës standarde, sidomos për të mënjanuar ndikimet e huaja në leksik dhe në sintaksë. Në punë  të leksikut ata janë më të vëmendshëm, atje gjen formime fjalësh të bukura shqipe, si p.sh. mishtore për kasap, fletishtë për stacion bletësh etj., etj., por në sintaksë kanë ndikime nga gjuha serbe. Kjo është pak e vështirë për t’u bërë. Vetëm shkolla mund ta shmangë dhe besoj se do të kapërcehet, pasi gjuha serbe nuk mësohet më në shkollat e Kosovës.

 -Teza kryesore juaja në këtë libër është se po u hoq zanorja ë, bie gjithë godina e drejtshkrimit. Cili është argumenti kyç i kësaj teze?

Memushaj: Po u hoq ë-ja, gjuha standarde e shkruar barazohet me të folme krahinore, me një labërishte të shkruar (që nuk ka ekzistuar), ose me një gegërishte të shkruar (as kjo nuk ka ekzistuar, sepse është shkruar në dy variante: i Shkodrës dhe i Elbasanit). Duke hequr ë-të, që përdoren saktë në ligjërimin letrar të folësve në radio e televizione, në konferenca e ligjërata sot, gjuha standarde kthehet në një ligjërim joletrar, në ligjërim krahinor. Emrin vërja si të duash, labërishte apo gegërishte, por është një ligjërim joletrar.

 -Profesor, ku mbeti çështja e mbledhjes së fundit të këshillit ndërakademik?

 Memushaj: Mbledhja fundit do të pasohej nga një tjetër që qe planifikuar të mbahej në Prishtinë në shtator të këtij viti. Kjo mbledhje kishte për të shqyrtuar emrat e tipit foshnjë, brashnjë, Lushnjë etj. për t’i shkruar jo me ë në fund po me e: foshnje, brashnje etj.; drejtshkrimin e toponimeve dhe të etnikave, thonë se do të diskutohej edhe futja e paskajores gege.

( Intervista u mor nga Shqiptarja. com)

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …