Hajredin Kuçi: Dua të them që Kosova ka pasur nevojë që të ketë një ligj për amnisti

RKL: Zotëri ministër, zhvillimet e kohëve të fundit në Kosovë kanë bërë që të hapen shumë çështje, ndër to edhe të tilla që i përkasin Ministrisë të cilën ju e drejtoni. Për fillim të intervistës, na thoni për dëgjuesit e Radios Kosova e Lirë, çka përfshinë ligji shumë i pëfolur për amnistinë dhe cila është baza juridike e këtij ligji?

Hajredin Kuçi: Dua të them që Kosova ka pasur nevojë që të ketë një ligj për amnisti. Natyrisht në kohën kur jam emëruar ministër kam dhënë një premtim të tillë, si në takimin me të burgosurit ashtu edhe në Kuvend, dhe në objektivat e mia si ministër kam pasur disa arsye. Arsyeja e parë është: ajo është parakusht për vendet që kanë kaluar nëpër konflikte apo luftëra.  Çështja e dytë, Kosova nuk ka përdorur por as nuk ka pasur ligj për amnisti. Në kohën kur kam qenë kryetar i Komisionit për Kushtetutën e Kosovës, për shkak të faktit që faktori ndërkombëtar ka menaxhuar me Kosovën nuk na kanë lejuar që të vendosim këtë institut në Kushtetutën e Kosovës.  Edhe në kohën e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, ata e kanë mbajtur këtë si një të drejtë të tyre të rezervuar, meqë janë frikësuar gjithmonë se ne do ta keqpërdornim atë. Unë kam dërguar letër qysh në vitin 2011 te kryetari i Kuvendit, te  kryetari  i Republikës, te kryetari për amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës  ku kam kërkuar që të vëmë në Kushtetutë të drejtën për amnisti.  Dhe tanimë është në kushtetutë e drejta për amnisti në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu kam vënë si parakusht që ky ligj të miratohet me dy të tretat në Kuvendin e Kosovës, që nënkupton duhet ta ketë një konsensus të gjerë politik jo vetëm një mandat qeverisës. Dhe këto dy parakushte janë arritur. Pastaj ka qenë një qasje që kanë lindur bisedat me Serbinë, por në kohën kur e kemi menduar amnistinë nuk është menduar fare se mund të ketë amnisti vetëm për veriun. Unë kam prozuar Ligjin për amnisti që është si rezultat i bisedimeve në Bruksel. Kam dhënë edhe disa propozime që janë hequr e që kam menduar që t’i përfshijmë me një përqindje jo ti falim në tërësi jo të gjitha veprat se edhe Gjykata Kushtetuese ka treguar se nuk falen disa vepra penale. Por kam menduar që 20% edhe sot mendoj si minsitër i Drejtësisë por edhe si njeri që 10 % mund të falet. Kjo ndodhë për hirë që është shpallur Pavarësia e Kosovës, s’ka pasur amnisti, pra kurr nuk është falur. Kemi Panelin për lirim me kusht që falë, kemi Presidentin që falë dhe sikur të lexohej me kujdes Ligji për Amnistinë, në pjesën tjetër të Kosovës përjashto veriun,  nuk do të faleshin as 150 veta. Kemi raste kur me një vendim të presidentëve janë falë mbi 100 veta. Do të thotë  nuk ka qenë ky ligj i faljeve spektakulare, ky ligj nuk ka qenë kurrë i menduar për të falur kategori të veçanta të individëve, ose çështje të veprave penale që kanë të bëjnë me korrupsionim, krimin e organizuar dhe keqpërdorimin e votave, apo për krimet ordinere.  Po e marr një shembull ku janë tri kategori.  Unë ndihem keq në qendrat e korrektimit dhe paraburgimit në vend kemi një numër të madh të femrave që mbahen në qendrën e paraburgimit në Lipjan, më të madhën në historinë e Kosovës mbi 60. Kemi  të miturit dhe personat e moshuar mbi 60 vjet, dhe unë kam menduar që nga këto kategori të falen rreth 10 përqind. Arsyeja e parë është risocializimi i fëmijëve, meqë duhet të investojmë në edukimin e tyre.  Por ka edhe femra që mbahen në paraburgim e që janë nëna me fëmijë tre deri në gjashtë muaj. Nuk duhet të krijohet iluzion se të gjithë të burgosurit do të lirohen nuk e kam thënë dhe nuk e them asnjëherë sikur që nuk ka parti politike,  as deputet në këtë vend që nuk u kanë premtuar, por tani tentuan që përmes saj të na stigmatizojnë. Neve na fal populli çdo ditë për gabimet që bëjmë, e ne  falim një përqindje të vogël  ne na kushton 28 euro  një i burgosur për 24 orë. Ligji i miratuar tani ka të bëjë kryesisht për veriun e për veprat penale që janë kryer atje kundër rendit kushtetues dhe rezistenca e armatosur.

RKL: Serbia ka mirëpritur Ligjin për Amnistinë, por ajo nuk ka paralajmruar se do të aplikojë edhe vet një amnisti për shqiptarët, të cilët i konsideron kriminel lufte. Për më tepër Beogradi zyrtarë tërë luftën e UÇK-së e trajton si terroriste dhe nuk ka ndërruar asnjëher qëndrim prej kohës së regjimit të Millosheviçit. Si shpjegohet kjo?

Hajredin Kuçi: Një fakt duhet ta pranojmë. Serbia e ka nxjerrë një ligj për amnisti për shqiptarët në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Dhe në atë ligj, nëse lexohet me kujdes janë falur edhe veprat e terrorizmit. Ne kemi qenë të kujdesshëm dhe unë po them personalisht deri orën 6:00 të mëngjesit, kam negocuar me ministrin e Drejtësisë së Serbisë, me delegacion të BE-së dhe kemi ardhur në përfundim që vrasjet dhe lëndimet trupore të mos amnistojmë. Në rastet e tjera pas luftrave, amnistohen edhe këto raste. Shihni në Maqedoni, por edhe në Serbi. Në raport me Kosovën, ligji vepron në kohë dhe hapësirë. Serbia nuk e ka asnjë kompetencë për territorin e Kosovës dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ajo ka keqpërdorur anëtarsimin në INTERPOL, duke i dërguar emrat e njerëzve tanë për veprat penale që ajo supozon, por nuk janë kryer në territorin e saj. Kosova është territor i veçantë, njerzit nuk janë shtetas së saj dhe s’kemi nevojë të mërzitemi. Por ne kemi negocuar me Serbinë, që individët që janë dërguar në Interpol të hiqen. Ajo pjesë është bazament politik. Se nëse shkojmë me këtë logjikë edhe Kroacia i ka vënë 1600 serbë në Interpol. Edhe ne kur të jemi pjesë e Interpolit mund ta vëjmë krejt Serbinë. Domethënë logjika e tillë nuk shkon. Ligji për amnistinë tash është pjesë e dialogut. Ne kemi dashur ta integrojmë atë pjesë. Njerëzit për 14 vite kanë qenë jashtë ligjit. Kemi dashur t’ i integrojmë ata njerëz, jo t’i ndërrojmë në mënyrë demografike. Natyrisht kush ka bërë vrasje, lëndime trupore, kush e ka shkelur ligjin jashtë kompetencave të institucioneve paralele nuk do të amnistohet. Këto gjëra janë të definuara.

RKL: Deputeti Fatmir Limaj, Komandant i njohur i UCK-së, dhe nënkryetar i PDK-së, tri herë u akuzua për krime lufte dhe tri herë u shpall i pafajshëm, madje edhe nga Tribunali I Hagës. Çka do të thot kjo për drejtësinë në përgjithësi apo për drejtësinë e cila vepron në mënyrë selektive, sidomos në Kosovë?

Hajredin Kuçi: Na vjen keq pse ka ndodhur një torturim i tillë, dhe sinqerisht e them edhe për zotin Limaj edhe gjithë të tjerët, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ka qenë e drejtë. Luftëtarët e saj kanë bërë luftë të drejtë dhe Kosova është rast i shquar, kur e ka fituar të drejtën me drejtësi. Për ata, për familjet e tyre, për shokët, por edhe për gjithë Kosovën është një sfidë e madhe, por përfundimi i mirë i ka dhënë një fuqizim dhe zotit Limaj për të drejtën e tij, por edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë them se i kanë dhënë një faqe të bardhë. Fat i madh është që në Hagë asnjë nga komandantët e UÇK-së nuk është dënuar. Dhe kjo për historinë e vendit do të jetë mirë jo vetëm për njerzit e atakuar, por ne do t’ i themi nipave tanë që ne kemi luftuar dhe është vërtetuar edhe në Hagë se njerzit tanë nuk kanë vepruar kundër të drejtës ndërkombëtare. Mundimi ka qenë i rëndë, por dua t’i them tri gjëra në këtë drejtim. E para ka qenë i rëndë atakimi në raport me luftën dhe ne e kemi një përceptim, e kam thënë edhe publikisht, reagimi i jonë për krimet e luftës, presupozimi për krimet e luftës është më sensitiv, më i ndjeshëm se tjerat. E dyta: ka qenë shumë e rëndë në raport me kolegialitetin, me njerëzit që punojmë bashkë, që jemi edhe në parti, edhe deputet dhe forma tjera. Ta zëmë unë me Fatmir Limajn që nga studimet njihemi, jemi shokë gjenerate në studime. Dhe e treta që ka qenë e rëndë për mua: është shumë rëndë të jesh ministër i Drejtësisë  dhe shoku i juaj të jetë i paraburgosur për krime lufte. Nuk mund ta imagjinoni sa rëndë e ndjeni vehten para tij, veçanërisht para fëmijvë të tij. Në cilindo rast, edhe ma rastin tani të zotit Selimi, Lushtaku dhe të tjerëve. U vërtetua që nuk ka pasur krime të luftës. Por çka po ndodhë?. Ky process po na lëndon shumë rëndë, ky proces po na stagnon zhvillimin dhe ky proces po na ndodhë po ashtu në kohën kur edhe  po bisedojmë  me Serbinë. Është zhvillimi rëndë, por autoriteti moral, mirëkuptimi i shokëve ka ndikuar që edhe këto situata të tejkalohen. Por unë jam i lumtur që përfundimi ka qenë i mirë.

RKL: A mendoni se EULEX-i është i ndikuar nga Ministria e Drejtësisë së Serbisë, përderisa, lidhur me akuzat kundër luftëtarëve të lirisë, mbështetet në dosjet e kësaj ministrie të kohës së regjimit të Millosheviqit, dosje të instruktuara, që gjenden kudo në faqet dhe portalet e internetit, madje edhe në Kosovë e në Shqipëri?

Hajredin Kuçi: Nuk dua të them se janë të ndikuar,  por natyrisht se çdo evidencë ata e marrin parasysh. Edhe ne, ne që e kemi një dyshim, po them për të gjithë shqiptarët, ne flasim për njerëz që kanë bërë krime në Kosovë dhe ju dërgojmë letra në prokurori dhe jemi dëshmitar, kjo është do të thotë. Por ajo çka dua të them, EULEX-i ka tentuar dhe i ka nxjerrë punë vetes. Qëndrimi i tyre në Kosovë është edhe të bëjnë punë. Unë e ftoj EULEX-in dhe cilindo tjetër, në politikë jetohet me perceptime, në drejtësi vetëm me fakte. Të mos veprojmë vetëm me perceptime por me fakte dhe ato duhet të jenë evidente, të forta dhe në veçanti kur kemi të bëjmë me krimet e luftës duhet të jenë fakte të pamohueshme, përndryshe nuk mund të mbijetojmë ne si shoqëri nëse sfidohemi me njerëz që kanë luftuar për vendin dhe mandej ato dëshmi dalin të rreme. Pra duhet të jemi të kujdesshëm. Ajo çka dua të them ka të bëjë edhe me media. Ne nuk jemi iluzionist kur kërkojmë përfundimin e mandatit të EULEX-it. Nuk jemi as të ndikuar nga raste konkrete edhe pse nuk dua të them se jemi imunë sidomos ndaj krimeve të luftës por duhet të na e japin mundësinë që ne të kemi qasje. Ne do ta bëjmë gjykimin vet, te cili do rast në Kosovës dhe unë e jap premtimin e plotë para BE-së, para qytetarëve tonë që jemi në gjendje ta bëjmë një verim të tillë. Pse po e them këtë, se ne do t’i bindemi prokurorëve dhe gjyqtarëve tonë po edhe qytetarëve, ne po zbatojmë ligjin. Domethënë veprimi ndaj secilit do individ do të jetë me zbatuar ligjin dhe ligji nënkupton se është miratuar nga Kuvendi dhe Kuvendi është prej deputetëve, pra ata po e bëjnë vullnetin e popullit. Por nëse ne nuk marrim pjesë sikur thoni Ju, atëherë e ndijë veten të anashkaluar dhe e ndijë veten sikur dikush po na bënë diçka pas shpine. Por cilin do rast, unë mendoj se raporti me krimet e luftës është i ndjeshëm  dhe ne jemi të kujdesshëm në trajtimin e tyre.

RKL: A ka dallim mes krimeve të luftës si nocion dhe krimeve të kryera gjatë luftës nga individ të caktuar, të cilat po trajtohen si të tilla, vetëm sepse kanë ndodhur gjatë kohës së luftës dhe nuk kanë të bëjnë me luftën, por me individ të caktuar të cilët, të paragjykojmë se kanë shfrytëzuar rastin dhe kanë kryer ndonjë  hakmarrje. A ka dallim mes këtyre qasjeve, krime lufte dhe krime të kryera gjatë luftës?

Hajredin Kuçi: Po, janë dallime të qarta, e drejta ndërkombëtare e përcakton edhe konventat të ndryshme ndërkombëtare, krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe krime kundër të drejtës ndërkombëtare, normalisht ato janë në shkallë tjetër, në gamën më të gjerë të definuar qartë edhe me kodin penal tonin e kemi përfshirë dhe nuk janë krime ordinere të tjerat janë ordinere, që ndodhin edhe sot edhe atëherë. Krimet e luftës e kanë një trajtim tjetër dhe zakonisht në Kosovë krimet e luftës i ka ndjek UNMIK-u, Tribunali i Hagës dhe tani EULEX-i me kompetenca të plota, krimet ordinere edhe gjyqtarët tjerë dhe prokurorët. Pra dallueshmëria është shumë e madhe edhe në kuptimin e përmbajtjes edhe veprimit. Çështje tjera individuale janë çështje që i takojnë trajtimit të institucioneve të brendshme dhe trajtim të krimit ordinerë, që kanë ndodhur gjatë luftës, para luftës, mund të marrim një shembull, një vjedhje, një hakmarrje që s’ka të bëjë me krimet e luftës.

RKL: Cilat janë angazhimet Tuaja me përparësi në Ministrinë të cilën ju e drejtoni?

Hajredin Kuçi: Unë kam vënë dy orientime. E para që të krijoj arkitekturën e drejtësisë dhe që të krijoj standarde. Dua të them që tanimë e kemi ndërtuar arkitekturën, në radhë të parë mendoj për ligjet. Në Kosovë ka infrastrukturë të mirë ligjore dhe më e mira në rajon, këtë e kemi bërë ne por edhe në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. E dyta ka të bëjë me infrastrukturën, me ndërtesa, me ambientet e punës dhe ju e keni vërejtur këtë, përfshirë pallatin e drejtësisë dhe anekënd Kosovës ka ndodhë kjo dhe e treta me investimet në kapitalin njerëzor. Tani më është bërë emërimi dhe riemërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, kanë kushte të mira, paga solide, të baras vlefshme me pagat e ministrit dhe kanë mandatë përjetshëm. Tani kërkohet që ky sistem të jetë funksional dhe të jep rezultate pozitive për qytetarët. Po ashtu kanë vend standardet janë të përafërta me ato të Bashkimit Evropian. Ligjet tona kanë standarde të tilla, kërkojnë edhe kushtet për punë të jenë të tilla por ne presim që edhe vendimet e drejtësisë në Kosovë të jenë të përafërta me ato të BE-së. Këto janë prioritete që unë besoj se kemi arritur me sukses t’i rrumbullakësojmë.

RKL: Sa keni arritur të realizoni premtimet që i keni dhënë zgjedhësve në nivel qeveritar, meqë ju jeni edhe zëvendës-kryeministër?

Hajredin Kuçi: Nëse marrim si ministër i drejtësisë, dhe unë e kam vëmë në faqe të internetit ditën e parë objektivat e mia se çka duhet të bërë. Unë them se mbi 100% i kam realizuar. E marrim datën, më 22 shkurt, dhe mund t’i merrni edhe sot, dhe mund të merrni listën një nga një dhe me mbështetje të Qeverisë por edhe të Kuvendit, i kam tejkaluar. Në anën tjetër besoj se edhe Qeveria i ka realizuar premtimet, premtimet e mëdha janë realizuar. Premtimi për shtet, për shtet funksional, për shtet ligjor, për infrastrukturë, për rritje të pagave, premtime të mëdha. Unë do ta citoj Medeline Olbright në një libër të saj “Memorie për Presidentin” në të cilin thotë se ata që i fitojnë zgjedhjet e kanë të vështirë t’i realizojnë gjitha premtimet e ata që humbin nuk mund të realizojnë asnjë premtim. Me fjalë të tjera ne i kemi realizuar shumicën e premtimeve që ua kemi bërë qytetarëve.

25 shtator 2013    

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …