Dikur Kurti, rritjen e pagave në kohë zgjedhjesh e quante “dëshirë për pushtet”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po përballet me kritika për vendimet e fundit që lidhen me rritjen e pagave, pensioneve dhe shtesave për fëmijë – masa që po interpretohen si lëvizje populiste në prag të zgjedhjeve të reja. Kjo situatë ka nxjerrë në pah edhe një kontrast të fortë me qëndrimet e dikurshme të vetë Kurtit. Para katër vjetësh, në vitin 2021, ai kishte akuzuar ish-qeveritë për “rritje pagash në kohë fushatash”, duke i quajtur ato “dëshira për pushtet” dhe jo politika të bazuara në produktivitet ekonomik. “Qeveritë e mëhershme i kanë rritur pagat me premtime elektorale, që mandej i kanë përmbushur pjesërisht ose aspak. Mirëpo ekonomia nuk funksionon ashtu – mund të funksionojnë dëshirat për pushtet, por jo ekonomia”, kishte deklaruar Kurti në vitin 2021 nga objekti i Qeverisë. Megjithatë, në tetor të vitit 2025, Kurti vetë ka miratuar masa të ngjashme: rritjen e pagave në sektorin publik për 55 euro, rritjen e pensionit bazë nga 120 në 150 euro dhe shtesat për fëmijë me 50%, duke nisur nga muaji nëntor. Qeveria në detyrë ka miratuar edhe projektbuxhetin për vitin 2026, me vlerë rreth 4 miliardë euro, ku përfshihet edhe rritja e pagës minimale nga 350 në 500 euro. Kështu, vendimet e fundit të Qeverisë Kurti janë parë si një kthesë e fortë nga deklaratat e dikurshme të kryeministrit, i cili dikur kritikonte rritjet parazgjedhore si “dëshira për pushtet”, ndërsa sot po ndjek të njëjtin shembull që dikur e denonconte.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Tahiri

Besnik Tahiri: Kurti dhe Vetëvendosje do të deklasohen në zgjedhjet e reja

Ish-zëvendëskryeministri dhe zyrtari i lartë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar …