Brickos

Dilaver Goxhaj

Dilaver Goxhaj: Në sulm kundër Brigadës së Parë Partizane!

Në himnin e Brigadës Parë Sulmuese, midis të tjerave thuhet: “Në sulm, në sulm Brigad’ e parë / Sulmo armikun me tërbim!” Ndërsa, në 75 vjetorin e saj, në shumë media dhe botime  po këndohet inversi i atij teksti: Në sulm, në sulm mbi Brigadën e Parë / Sulmoni LANÇ-in me tërbim!

Një prej luftëtarëve të këtij sulmi mediatik kundër Brigadës së Parë është edhe Dr.Luftulla Peza. Në shkrimin e tij të dt.27 maj 2018, me titull: “Të pa thënat rreth vizitës së Brigadës së Parë në Pezë (janar 1944)”, botuar në portalin pashtriku.org, ku përpiqet të njollosi një nga formacionet më të shquara partizane të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, Br1S. Me sa duket, Dr. Luftulla Pezën e kanë nxitur t’i kundërpërgjigjet sa më shpejt botimit nga gazeta “Dita”, disa ditë më herët, po në muajin maj të këtij viti, të një pjese të kujtimeve të komandantit të asaj Brigade partizane, M Shehut. Qysh në titullin e shkrimit duket, se z. Luftulla nuk e njeh aspak historikun e asaj Brigade heroinë, prandaj dhe shkruar tërë kompetencë: “Kur erdhi Brigada e Parë në Pezë gjatë janarit të vitit 1944, me komandantin e saj ndodhën dy ngjarje, që është mirë të dihen. Këto ngjarje m’i ka treguar vetë miku im Avdi Kasalli”.

Mirëpo, është Historiku i Brigadës Parë, që nuk na lejon ta besojmë Dr.Shkencave, historianin Luftulla Peza. Nëse gjithkush do të marri në dorë këtë historik dhe të kërkoi se ku ka vepruar kjo Brigadë në muajin janar 1944, menjëherë do të konstatoi se doktori i shkencave nuk e di se Br1S në Dhjetorin e vitit 1943 dhe Janarin e vitit 1944 ka luftuar në qarkun e Gjirokastrës: në Dëshnicë të Përmetit, në Tendën e Qyit, në Qafën e Kiçokut afër Beratit, në Pogon, në Lunxhëri e në afërsi të Përmetit, (shih historikun Br1S,f.160-207), dhe se gjatë kësaj periudhe kohore nuk ka pas as edhe një partizan të saj në Shqipërinë e Mesme. Që z.Luftulla ta mësoi, se nuk e di, si dhe ata që e kanë besuar, në Pezë Brigada e Parë ka ardhur në fillim të muajit mars 1944, pasi ka kryer inkursionin e saj në Veri, në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm, duke arritur fillimisht në Skuterë në ora 21.00 të 7 marsit 1944, dhe në 8 mars 1944 mbriti në Pezë. Kësaj i thonë: “Të gënjesh ditën më drekë”, z.Luftulla, duke përdorur edhe autoritetin e doktorit të shkencave. Kështu që edhe tregimin e tij me Avdi Kasallën duket që e ka të sajuar, ndaj dhe s’është nevoja ta shtjellojmë.

Por më e bukura është se me shprehjen: “Gjatë vizitës në Pezë”, autori kërkon t’i thotë lexuesit se brigadat partizane kishin dalë për eskursion, duke bërë vizita kortezie nëpër krahna të ndryshme për të ngrënë e për të pirë! Ta thoshte këtë shprehje ndonjë gazetar nga ata që kanë mbaruar shkollat e tralalave, edhe mund ta falnim, por ta thotë një djalë dëshmori, i cili, po në këtë shkrim thotë, se “E kam jetuar luftën antifashiste si fëmijë, prindërit e mi kanë qenë që në fillim të vitit 1940, luftëtarë të Çetës Atdhetare të Pezës, babai ra dëshmorë dhe nëna luftoi si partizane deri në çlirimin e Shqipërisë“, madje edhe dokotror i shkencave historike, duket që duhet të ketë ngrënë ndonjë lugë çorbe të prishur.

Të mbaronin me kaq “lapsuset” e doktorit të shkencave, kader’i dreqit, por më tej bën “lapsusin” tjetër, duke na thënë, se Brigada e Parë, me në krye Mehmet Shehun, pasi iku nga Peza, (mos harrojmë, shkruhet për në janarin e vitit 1944), na bëri masakrën në Golem të Lushnjës, duke shkruar: “Aty u ndesh me ballistët. Këta të fundit, të mërzitur nga politika e krerëve të tyre e bashkëpunimit me gjermanët, u dorëzuan masivisht tek partizanët e brigadës dhe donin të bëheshin partizanë. Por gabuan dhe shkuan si cjapi tek kasapi. Komandant Mehmeti dha urdhrin e prerë, të lidheshin të gjithë dhe dy ditë e dy netë i la jashtë në shi, pa asnjë ushqim. Ditën e tretë 69 ballistët u pushkatuan pa asnjë gjyq, siç qe bërë zakon në repartet partizane.”

O profesor!, së pari, nuk është e vërtetë që pushkatimet nga formacionet partizane janë bërë pa gjyq, por kjo varet se si e konceptoni ju gjyqin partizan. Së dyti, nuk është e vërtetë se ballistët “u dorëzuan masivisht tek partizanët e brigadës dhe donin të bëheshin partizanë.”, se nuk na lejon  një bashkësulmues i juaj, të cilin do ta citojmë më poshtë.

Ja se si thuhet në historkun e Brigadës: “Sulmi do të fillonte në orën 04.00, pas shenjës që do të jepej me anë të raketës shenjëdhënëse… Në kohën që pritej të vinte ora 4.00 një kompani e batalionit të 1-rë kapi një roje balliste dhe i mori parullën. Kjo ndihmoi të asgjësoheshin edhe roje të tjera përpara se të fillonte sulmi, gjë që siguroi afrimin e forcave tona fare pranë përqëndrimeve të armikut. Brenda 20 minutave pas sulmit qe kryer rrethimi i forcave kryesore balliste”. Dhe mësoje z.Luftulla, se ato 400 forcat balliste, të armatosura nga gjermanët, sikundër na e konfirmon edhe Sekretari i Përgjithshëm i BK, Faik Quku, “kishin mbi një muaj që kryenin shërbimin e ruajtjes së rrugës dhe terrorizonin popullsinë e fshatrave përqark. Kur shkoi brigada në Dumre komandës së saj i erdhën një varg ankimesh nga fshatarët e Lushnjës për mizoritë që kryenin aty ballistët tok me gjermanët.”, (historiku Br1S, f.93). Këtë gjë na e konfirmon edhe Xhelal Staravecka në f.293 të kujtimeve të tij.

Gjithashtu, i nderuar Dr.Luftulla, duke qenë se e keni shkrimin me porosi, herë tjetër korigjojeni datën e kësaj ngjarje, e cila ka ndodhur në tetorin e vitit 1943, dhe jo në janarin e vitit 1944.

Besoj se vetëm me kaq sa thamë më lartë kuptohet që zoti Luftulla nuk ka për qëllim për të na treguar historinë e vërtetë të asaj luftë, por për ta denigruar atë, për t’u thënë brezave të rinj, se partizanët ishin thjeshtë ca terroristë që “bënin vizita” eskursioniste nëpër katunde. Dhe për model të këtyre lloj “vizitave” na merr Brigadën e Parë!, e cila, me luftën e saj që bëri gjatë Operacionit Armik të Dmrit 1943-144, nën udhëheqjen e atij Mehmet Shehu, ajo shpëtoi gjithë Ushtrinë Nacional-Çlirimtare, të cilën e thekson edhe një dëshmitar okular, oficeri ndërlidhës britanik gjatë asaj lufte në Shqipëri, Reginald Hibbert: “Në rast se Brigada I nuk do të kishte ekzistuar në dimrin e vitit 1943-1944, kishte mundësi që LANÇ të ishte shkatërruar nga bashkërendimi i gjermanëve dhe ballistëve”. (“Fitoria e hidhur”, Tiranë,1993, f.365). Me këtë shprehje anglezi Reginald Hibbert kërkon të na thotë, se Mehmet Shehu dhe Brigad’ e Parë, ose më saktë: Mehmet Shehu dhe LANÇ-i u bënë një binom, dy nocione që nuk mund t’i ndaje njërin nga tjetri. Dhe, në kohën kur ne u munduam t’i ndanim, Shqipërinë e mori peropia.

Mirëpo, me sa po kuptohet, Dr.Luftulla Peza nuk është i vetëm në keqinterpretimin e disa ngjarjeve të asaj lufte çlirimtare, ka edhe shokë të tjerë, madje, si dhe ai, bij të familjeve të lidhura me LANÇ-in, të cilët, bashkë me ca pasardhës të bashkëpuntorëve me nazi-fashizmin nuk lënë gurë pa lëvizur, si e si ta njollosin atë binomin që përmendëm më lartë. Duket sikur secili vepron më vete; por jo, i kanë udhëzuar mirë ata që u kanë servirur çorbën e prishur.

Një tjetër intelektual sulmon me tërbim kundër Br së Parë, e që na ka befasuar, është edhe një mik tjetër i imi, Naun Kule! Ai kohët e fundit ka botuar “Antologjinë etnoulturore për Myzeqenë dhe myzeqarët”, të titulluar “NDRYSHE”.

Një nga kapitujt e këtij libri, Nauni e ka titulluar: “ “Vaterloja” e Myzeqesë”,(f.268-273), e cila flet po për atë “krimin makabër të komandantit M.Shehu me bashkëshorten(?!) Fiqireten, në fshatin Shegas të Lusnjës, më 23 tetor, 1943.”

Para se të analizojmë librin tuaj, për këtë ngjarje, i dashur Naun mësoje, se Mehmeti ende nuk ishte fejuar e jo martuar me Fiqireten kur ka ndodhur “Vaterloja” e juaj. Por interesante është krahasimi i z.Naun që i bën kësaj ngjarjeje në “Shegas të Lushnjës” me “Betëjën e përmasave të “Vaterlo”-s bonopartiste (1815)”, e cila, sipas Naunit ka zgjatur 7-8 orë, ndërsa kjo “Vaterloja” e tij ka zgjatur “në më pak se pesë minuta.”!, edhe pse na thotë se “më pas i vunë në rresht dhe ecën drejtë lindjes, kapërcyen fshatin Shkujkë e Matjan dhe… pa u dhënë as bukë, as ujë” për dy ditë, që do të thotë se nuk ka ndodhur “në më pak se pesë minuta”. Dhe  për burim informacioni Nauni ka marrë tregimin e Harun Greca, në Gjuzaj-Ballagat.

Duket që edhe z.Naun e ka me të thënë këtë histori, pasi na e përgjysmon numrin e ballisto-gjermanëve, duke thënë se ishin vetëm 200, ndërkohë që ishin 400. Që edhe z.Naun e ka me të thënë, na bind edhe fakti tjetër, kur na thotë se ngjarja ka ndodhr në 22 tetor, gjë që nuk është e vërtetë. Kjo ngjarje ka ndodhur në 24 tetor 1943. Të jetë vallë rastësi që të gabojnë në datë të dy këta “historianë”! Por nuk është faji i tyre, fajin duhet ta ketë instruktori.

Gjithashtu, i dashur Naun, Beteja e Vaterlosë  nuk zgjati 7-8 orë, por, sikundër e tregon vetë Napoleoni në ditarin e tij, filloi në ora 11.30 dhe mbaroi në ora 23.00, gati 12 orë. Po ashtu,  edhe beteja e “Vaterlosë” tënde nuk zgjati “më pak se pesë minuta”, por prej orës 01.00 deri kur ra mbrëmja e i mbyllën ngjeshur në dy dhoma të shtëpisë së fshatarit M.B.” Kështu që Harun Greca, (nëse me të vërtetë e ke nga ai), duket që e ka edhe ai me të dëgjuar, si puna juaj. Ashtu i kanë thënë, ashtu ta thotë dhe ai. Faji është i juaj që i merrni kallëp ato që u thonë. Shmë besim paskeni ndaj instruktorëve.

Që të vijojmë më tej, i dashur Naun, në Vaterlonë bonopartiste fitoi koalicioni dhe humbi Napoeleoni; ndërsa në “Vaterlonë” tënde humbi koalicioni gjermano-ballist dhe fitoi pala çlirimtare. Ja që është e kundërta. Në Vaterlonë bonopartiste u ndeshën  72 mijë francezë me 70 mijë anglezë e aleatë të tjerë; ndërsa në “Vaterlonë” tënde u ndeshën gati 400 partizanë me 400 ballistë e dhjetra gjermanë dhe jo 200 ballistë; në Vaterlonë bonopartiste u vranë gjithsej 25 mijë francezë dhe 22 mijë anglezë e aleatë, (gjithsej 47 mijë), ndërsa në “Vaterlonë” tënde gjatë luftimeve, sikundër thuhet në Historikun e BrIS, u vranë 10 reaksionarë e 2 gjermanë, përveç të pushkatuarve, e asnjë nga pala partizane. Ja që nk mund të krahasohet me Vaterlonë bonopartiste.

Në Vaterlonë bonopartiste  komandantët e të dy palëve nuk u trembën, por luftuan në ballë heroikisht; ndërsa në “Vaterlonë” tënde, “Pjesa më e madhe e tyre me komandantin Isa Manastirliu, vrapuan drejt Rrogozhinës të shpëtonin kokën”, sikundër e shkruani vetë ju. Por na befason fakti që  komandantin tjetër ballist, Hamit Matjanin, nuk na e keni përmendur fare, apo ngaqë me propozimin e të afërmve të atyre 69 të pushkatuarve, (ndoshta edhe ju), na e shpalli hero kombëtar President Nishani?! E që të jemi më të saktë, gjithsej u kapën 172 robër ballistë, prej të cilëve “28 shprehën dëshirën për të qëndruar vullnetarë në rreshtat partizane.” Dhe, për të mos të ngrënë hakun, në një pikë jeni shumë i saktë: në koalicionin gjermano-ballist kishte gjermanë, njësoj si në koalicionin aleat kundër Napoleonit.

Nëse do të citojmë atë çka tha Napoleoni një javë pas Vaterlosë mbi qëllimin e fshehtë të asaj beteje, sipas historianit Tarle:”Prusianët nuk luftojnë kundër meje, por kundër revolucionit.. Tek unë ata kanë parë gjithmonë përfaqësuesin e tij, njerinë e revolucionit.” Kjo na nxit të heqim një paralele: edhe ju të organizuarit kundër LANÇ-it, nuk luftoni kundër Mehmet Shehut dhe Br1S, por kundër atij revolucioni shoqëror të vitit 1939-1944. Te këto dy figura ju shihni përfaqësuesit e asaj lufte antifashiste çlirimtare.

Dhe po të kemi parasysh atë çka ka thënë Herceni, shumë vite më pas, kur ka parë tabllonë që paraqeste Velingtonin dhe Blyherin, duke uruar njeri-tjetrin me gëzim në fushën e betejës së Vaterlosë: “Dhe si të mos ishin të kënaqur? Ata sapo e kishin kthyer historinë nga rruga e madhe dhe e kishin futur gjer në mes në batak, nga i cili nuk do të dalë më përpara se të kalojë një gjysëm shekulli… Evropa flinte akoma, pa e ditur se fati i saj kishte ndryshuar”.

Edhe ne, duke lexuar ato çfarë janë shkruar e po shkruhen nga sëra juaj kundër LANÇ-it në përgjithësi, e veçanërisht kundër Br1S, nuk gabojmë të heqim paralelen tjetër, duke perifrazuar Hercenin: “Dhe si të mos jenë të kënaqur kjo kategori intelektualësh e gazetarësh që kanë 30 vjet që po e kthejnë me kokë poshtë Luftën Nacional-Çlirimtare dhe revolucionin shoqëror? Ata sapo e kanë kthyer historinë nga rruga e madhe dhe e kanë futur gjer në mes në batak, nga i cili nuk do të dalë më përpara se të kalojë një gjysëm shekulli… Shqipëria flen akoma, pa e ditur se fati i historisë së saj ka ndryshuar”.

Që të jetë i besueshëm, z.Naun flet përherë me gjysëm të vërteta. Po i marrim me rradhë. Një e tillë është ajo ku na thotë: “Këta robër i rreshtuan dhe njëri nga komandantët u bëri thirrjen e njohur të atyre viteve për tu bashkuar dhe luftuar me partizanët.” Së pari, thirrrjen nuk e bëri “njëri nga komandantët”, por atë thirrje ua bëri personalisht Mehmet Shehu, sikundër na kanë treguar të gjithë partizanët e atyre dy batalioneve që ne na ka rënë rasti t’i pyesnim, por edhe familjarët tanë pjestarë të atyre dy batalioneve partizane. Njërin prej atyre partizanëve e keni ende gjallë, ai është Ziqiri Mero, nënkryetari i Komitetit të Vetëranëve të Shqipërisë.

Një gjysëm e vërtetë tjetër e z.Naun është kur na thotë se vetëm “njëri prej robërve thirri fortë: “Derra bëhemi dhe komunistë jo!”, dhe ky “ishte Rakip Xheka, (Kipi), bujk nga fshatrat e Çermës.” Mirëpo, partizanët prezentë tregojnë se ky Rakipi u përgjigj jo sikundër na e jep z.Naun, por ashtu sikundër edhe iu bë thirrja: “Derra bëhemi dhe partizanë jo!” Pse Nauni na e shtrembëron të vërtetën, duke i bërë të gjithë partizanët komunistë, kur de fakto në fund të luftës PKSH-ja kishte vetëm 4.000 anëtarë të saj? Mos vallë kërkon të justifikoi  udhëheqjen e lartë të Ballit, e cila i quante komunistë të gjithë partizanët?! Partizanët nuk kërkuan asnjë konditë për të luftuar në rradhët e UNÇSH, sikundër kërkonin ballistët; nuk u shtytën nga asnjë interes personal për të shkuar vullnearë në radhët partizane, edhe pse ishin me bindje të ndryshme politike dhe nuk ishin të gjithë komunistë sikundër këkon të na thotë z.Naun. Ishte ideali i tyre i përbashkët që i shtyti ata të shkonin vullnetarë në zjarrin e luftës, kurse ballistët u tregua që nuk kishin asnjë ideal.

Një gjysëm e vërtetë tjetër e z.Naun është ajo që nuk e tregon të plotë  çështjen pas asaj përgjigjeje të Rakip Xhekës. Kur ky Kipi dha këtë përgjigje, ishte po komandanti i Brigadës, Mehmeti, që iu drejtua të gjithëve: “Po ju, çfarë thoni?” Dhe të gjithë ata, njëzëri përsëritën përgjigjen e Rakipit. Gjë që, kjo përgjigje masive kërkon të thotë se nuk është ashtu sikundër kërkon të na mbushi mëndjen z.Naun, duke na thënë, se “ata bujq fshatarë të marrë me forcë, të cilët, prisnin rastin të shkëputeshin nga rreshtat balliste.”

Ajo shprehje në kor: “Derra bëhemi dhe partizanë jo!”, mos e harrojmë që fyejti dhe revoltoi të gjithë partizanët e dy batalioneve të Br1S, si dhe atyre vullnetare, dhe si rrjedhojë, shumë prej partizanëve, sikundër na e kanë treguar shumë prej atyre partizanëve, thirrën të rrevoltuar: “Të pushkatohen!” Mirëpo mos harrojmë se jemi në luftë, dhe në luftë nuk kemi gjykata klasike. Gjykata janë vetë masa e luftëtarëve, masa e partizanëve. Ai ishte gjyqi partizan; gjyq që prokurorë dhe gjykatës janë vetë partizanët (luftëtarët), dhe atje nuk ka prokura për avokatë mbrojtës.

Me këtë nuk dua të them se u bë mirë që u pushkatuan. Aspak. Por që ju nuk bëni mirë të mashtroni brezat me gjysëm të vërteta.

Gjithashtu nuk është plotësishtë e saktë edhe ajo që Nauni thotë: “Pas kësaj përgjigje të papritur, nxorrën mënjanë gjithë të njohurit, gjersa në anën e ballistit Kip Xheka mbetën 67 vetë.”

Përgënjeshtrimin e kësaj që shkruan z.Naun, e bën ish anëtari i shtabit të asaj brigade, Xhelal Staraveck, duke thënë: “Mehmeti kishte vendosur t’i pushkatonte të gjithë. Mirëpo, partizania e atëhershme, që më vonë u bë gruaja e Mehmetit, Fiqiret Sanxhaktari, për të hyrë në simpati të Dushanit, cërnogorasit ortodoks, i propozoi Mehmetit të hiqte nga pushkatimi 10 katundarë që ishin ortodoksë… Ai diskrim u bë vetëm për t’iu avitur një metër më afër satrapit ortodoks Dushan dhe Koçi Xoxes që i kishim bërë monarkët tanë absolutë.” (Përpara gjyqit të historisë”, Tiranë,2012, f.294-295). Dhe për ta bërë sa më të besueshme këtë gjë,  Xh. Staravecka thotë: Dhe unë në pak çaste do të ndodhem në Berat kur shkuam me Brigadën e Parë e atje gjemë Qarkorin e Beratit komunist, që e dirigjonte Gjin Marku, i cili kishte bërë një kompromis tradhëtie të lartë, pse në Berat gjetëm patrullat e qytetit të përziera, në mes dy partizanëve me yll të kuq në kapellë ndoshesh dhe një nazist gjerman me kryqin gamë të Hitlerit, e në vend që të merresh Gjin Marku e të pushkatohej, Dushanit iu shtrëngua dora, ngaqë Gjini ishte i krishterë. (f.2997-298).

Pushkatimi i 67 ballistëve në Golem të Lushnjës është dënuar ashpër jo vetëm nga SHP i Ushtrisë NÇSH, por edhe nga vetë historiku i Brigadës I, ku thuhet: “Ç’është e vërteta, disa nga robërit e pushkatuar gjyqi i brigadës mund të mos i ndëshkonte aq rëndë, por vetëm t’i paralajmëronte. Por gabimet e këtij lloji në luftrat e mëdha revolucionare, në përleshjet e ashpra klasore janë të pashmangshme.”, (f.96).

Këtë lloj gabimi në luftrat e mëdha revolucionare e pohon edhe historiani dhe teoricieni ushtarak amerikan Urs Shvarc, në librin e tij “Strategjia dje, sot nesër”, (Tiranë, 1995,f.85-87), i cili i referohet një shembulli të ngjashëm gjatë Luftës II Botërore. Midis të tjerave, ai thotë se: komandanti i Forcave Ajrore Amerikanë në Lindjen e Largët, gjenerali Kertis Lemej, vendosi të zbatonte një teknikë të re, duke iu kthyer shkatërrimit të qyteteve japoneze, dhe më i fuqishëm për veprim shkatërrues qe sulmi mbi Tokio, natën e 9-10 marsit 1945, ku mbi këtë qytet u hodhën 2000 ton bomba djegëse dhe u dogjën 250.000 shtëpi, 1 milionë njerëz mbetën pa strehim dhe rreth 85.000 njerëz humbën jetën. Kjo taktikë e re u tregua një strategji e re krejt ndryshe, ku gjenerali Lemej morri një vendim me rëndësi shumë të madhe dhe ky vendim i gjeneralit Lemej nuk është anulluar dhe saktësia e tij nuk është vënë në pikëpyetje. Sqarimi për këtë ishte i thjeshtë: Komanda e Përgjithshme ishte preokupuar tërësishtë me problemet ushtarake, nuk hynte në përgjithësi në situatat që të merrej më të. Por edhe Presidenti ato i mbante larg nga vetja sapo dukej se ishin në lidhje me operacionet ushtarake.

Megjithatë, jo për ta justifikuar Mehmet Shehun, por dihet që revolucioni është një operacion i thellë në shoqëri; mirëpo analizat që i bëjnë këta shkrimtarë dhe historianë  veprimtarisë luftarake të Br I S, bëjnë sikur e harrojnë këtë gjë, duke mos ia nënshtruar analizën e tyre ligjeve objektive të zhvillimit të historisë, por qëllimisht i mëshojnë veprimit të forcave abstrakte dhe koncepteve. Duke qenë një masë e madhe fshatarësh të pushkatuar, me të vërtetë që ata përbëjnë një popull, por kjo nuk do të thotë se po qe “popull” je “i mirë”, çfarëdo që të kesh bërë. Pse nuk na e thotë z.Naun se sa prej ballistëve të puahkatuar iu gjetën xhepat e tyre plot me xhevahire të vjedhura popullit, kur u zhvarrosën? Nuk duhet harruar se ajo ngjarje ishte me të vërtetë një tabllo tragjike, e cila përfaqësonte ndeshjen  midis lirisë dhe erësirës, popullit dhe nazi-fashizmit.

Gjithashtu duhet të kemi parasysh se Mehmeti ishte një komunist radikal, i cili vinte nga Lufta Civile e Spanjës. Radikalizmin e tij ai e shpreh shumë qartë në poezinë e tij për Luftën e Spanjës: “Adelante kamaradas!-jeta neve na përket, / Kjo furtunë do të shkojë, do ta çajmë këtë det. / Prandaj jemi komunistë, që kur kthejmë kokën prapa / nga pasqyra e jetës sonë, kurrë të mos na skuqet faqja-asnjë cast!”

Te Mehmet Shehu gjithmonë kemi parë të mishëruar krahun e ekstremit të majtë të PKSH, atë më të paepëshmin e luftës çlirimtare dhe të revolucionit shoqëror, njeriun e zjarrtë ndaj çështjes së çlirimit të Atdheut. Si i tillë, për atë, fryma e tolerancës dhe e mëshirës ndaj armiqve të përkushtuar kundër partizanëve çlirimtarë i dukej se do ta çonte në qorrsokak, në tradhëti të idealeve për të cilët ishte angazhuar në luftë.

Në fjalën që ai i kishte dhënë revolucionit shoqëror dhe Shqipërisë, e shprehur kjo edhe në letrën e datës  14 tetor 1943 të udhëheqësit politik të asaj lufte: “Çështjen e Ballit duhet ta marrim seriozisht dhe të mos biem në grackën që kërkojnë të na ngrenë, duke na thënë se kjo merr formën e një polemike. Jo, kjo s’duhet të jetë polemikë, por luftë tamam, sikundër u bëhet agjentëve të Gestapos, se ata s’janë gjë tjetër.”, (E.Hoxha, vepra, v.I, 1983, f.594).

Nëse nuk i pushkatonte ata që u kishin kthyer pushkën e që i fyejtën rëndë  çlirimtarët partizanë, në kushtet e nxehta të një përleshjeje për jetë a vdekje, duke thënë “Derra bëhemi dhe partizanë jo!”, Mehmetit, këtij komunisti radikal, i dukej se tradhëtonte revolucionin po t’i falte ata robër që nuk kryen as edhe aktin më të vogël njerëzor, t’u kërkonin ndjesë atyre djeme që po sakrifikoheshin për Atdheun; por përkundrazi, edhe i fyen në mënyrën më të poshtër, madje masivisht, duke i quajtur më të liq se derrat. Vureni veten në ato kushte dhe do të shihni se edhe ju do të revoltoheni.

Unë nuk do ta justifikoja kurrë që në luftë të përdoren metoda kaq të rrepta si ajo në Golem të Lushnjës në tetorin e vitit 1943. Por, lufta është luftë. Ligji i luftës është ligj që nuk u ngjan ligjeve të kodeve penale. Nuk duhet të harrojmë se konfliktet shoqërore që shpërthejnë në luftrat çlirimtare si ajo e jona, janë fenomene objektivë, të cilët përmbajnë në vetëvete edhe dhunën ekstreme, nëse e gjykojmë në qetësi. Mehmet Shehu nuk mund të ishte në ato momente i mëshirshëm, sepse vetë revolucioni është një operacion i dhëmbshëm, por në të njëjtën kohë një operacion shoqëror objektiv, sepse vetë revolucioni dënon dhe flak tutje jo vetëm armiqtë e tij të hapët. Dhe këtë e kemi parë shumë herë gjatë gjithë periudhës për ndërtimin e socializmit në Shqipëri, ku edhe vetë vetëvrasja e Mehmetit ishte zgjidhja e një drame të lindur e të zhvilluar nën ndikimin e atij revolucioni utopik. Si i tillë, Mehmet Shehu, edhe pse ishte një njeri i paepur për triumfin e socializmit, nuk mundi ta kapërxente dotë atë epilog të tragjedisë së tij personale.

Gjithë kjo luftë kundër Br1S, në kuadër të 75 vjetorit të saj, ndoshta bëhet edhe që të mos përkujtohet ajo brigadë. Por të mos kenë merak, se as në 70 vjetorin e saj qeveria e koalicionit të rilindjes dhe asnjë udhëheqje e partive politike, qëndrore dhe lokale, nuk dëguan përfaqësues. Bëheni gjumin rehat në këtë drejtim.

Tiranë, 8.6.2016

 

Kontrolloni gjithashtu

Enigmat dhe të vërtetat shqiptare të 7 prillit 1939

Enigmat dhe të vërtetat shqiptare të 7 prillit 1939 -Flasin Astrit Miho, Kaztriot Bezati, Muharrem …