Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj:Roli dhe vlerat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Shqiptare në Maqedoni

(Fjala e mbajtur në Akademinë përkujtimore në 15-vjetorin e rënies së dëshmorëve: Labinot Krasniqi, Elmi Hoti dhe Visar Krasniqi)

Luftrat Çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc  dhe në Maqedoni, në vitet 1998-2001, duke qenë një periudhë e vështirë për kombin tonë, kanë zbuluar me një forcë dhe me një paraqitje të veçantë para kombit dhe gjithë botës, gjithë madhështinë e cilësive shpirtërore të shqiptarit. Sepse në këto vite, pas thirrjes  së Lëvizjes Popullorë të Kosovës drejtuar jo vetëm popullsisë së këtyre trevave shqiptare por gjithë kombit shqiptar, ishin vitet kur lëvizja për çlirim kombëtar mori forma të reja, në raport me të gjitha luftrat e mëparshme të popullit tonë.

Popullsia shqiptare në këto tre treva kërkonte pa pushim forma dhe mjete efektive, për të shpëtuar një herë e mirë nga trajtimi si popull i kategorisë së dytë që u bënin serbët e më pas edhe maqedonët nacionalistë shovenë.

Por gjeneza e kësaj padrejtësie ndaj shqiptarëve duhet kërkuar në Kongresin e Berlinit dhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ngaqë edhe maqedonët, njësoj si serbët,  ato territore shqiptare që Fuqitë e Mëdha ua falën atyre, si dje edhe sot ata i konsiderojnë territore të tyre, dhe i mbrojnë me eufori dhe me mburrje, duke korruptuar përgjithësisht edhe politikanët shqiptarë, ngaqë ndërkombëtarët u kanë bërë dhe u bejnë preson këtyre tanëve të pranojnë jo vetëm kufijtë e deri djeshëm, por t’u heqin ende territore shqiptarëve.

Me një fjalë, lufta me armë në Kosovë, Preshevë e  Maqedoni, dhe ajo politike sot brenda shqiptare, u nxit dhe nxitet për këto arsye të vjetra.

Duke qenë se sllavët e jugut përkraheshin pak a shumë hapur nga Evropa, edhe maqedonët u bënë turfanda, të papërmbajtshëm dhe filluan t’i trajtonin shqiptarët si raja, duke mos u dhënë vendin që u takonte dhe duke ju imponuar në vijimësi vullnetin e tyre. Kjo lloj trajtese bëri që qeveritë maqedone të mos pranonin  të bënin kurfarë lëshimi, në të katër shtyullat kryesore që kërkonin shqiptarët:

Në shtetformësinë e shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo kërkesë vjen për faktin se shqiptarët përbëjnë 47% të popullsisë së saj. Madje, për këtë arsye Kuvendi i Maqedonisë, porsa u njoht pavarësia e saj, pat miratuar ligjin për zvogëlimin e natalitetit për shqiptarët;

Gjuha shqipe. Edhe maqedonët nuk pranuan që gjuha shqipe të ishte gjuhë e dytë zyrtare në kuadrin e kushtetutës së Maqedonisë. “Ndalimi i shkrimit të një gjuhe, pra të një gjuhe që ka arritur stadin e lartë të shkrimit, -sikundër thotë Kadare,- shoqëruar me ndalimin e shkollave shqipe, është dyfish dramatike në krahasim me ndalimin e një të folmeje”.

Shkolla shqipe. Qeveria Maqedone nuk pranonte që fëmijët e popullsisë shqiptare në Maqedoni të arsimohenshin në gjuhën amëtare në të gjitha nvelet, duke përfshitë këtu edhe arsimin e lartë, prandaj dhe nuk donin ta njihnin Universitetin e Tetovës;

Prania e shqiptarëve ne institucionet shtetërore. Gjithë institucionet ligjëvenëse dhe ekzekutive të Maqedonisë  pengonin me të gjitha mënyrat që shqiptarët të mos ishin të pranishëm në të gjitha strukturat shtetërorë, duke përfshirë administratën politike, ushtrinë, policinë, shërbimin informativ, pushtetin gjyqësor si dhe Ministrinë  Jashtme, konform raportit të popullsisë.

Përveç këtyre katër shtyllave kryesore që kërkonin e kërkojnë shqiptarët, ekzistuan edhe disa veprime të tjera politike antishqiptare, që nxitën konfliktin me armë në Maqedoni:

1.Me t’u njohur pavarësia e Maqedonisë, maqedonët hartuan dhe miratuan kushtetutën e saj pa u konsultuar aspak me përfaqësuesit e popullit shqiptar;

2.Nuk pranonin të njihnin diplomat e shqiptarëve që kishin kryer universitetin e Tetovës, por as edhe ato të universitetit të Prishtinës e të Tiranës;

 3.FYROM-i vendosi t’u njojte nënshtetësinë maqedone të gjithë ish banorëve të saj maqedonë, romë, serbë, turq e vëlleh, që kishin patur nënshtetësinë  e ish Jugosllavisë, pavarësisht se në cilën ish republikë të saj punonin e jetonin, ndërsa shqiptarëve jo; 4.Maqedonia nxorri ligjin që të mos njifeshin e të mos njifen si qytetarë të saj të gjithë ata banorë të Maqedonisë që kishin më shumë se një vit emigracion; dhe këtë, për faktin se vetëm shqiptarët detyroheshin të iknin në emigracion, pasi ata nuk i punësonte dhe nuk i favorizonte shteti që të zhvillonin aktivitet ekonomik në Maqedoni;

5.Djemtë shqiptarë që shkonin ushtarë në ushtrinë maqedone jo vetëm që nuk u jepej dhe nuk u mësoheshin armët, por përdoreshin vetëm për shërbime logjistike, duke i trajtuar thjeshtë si argatë;

6.Në të gjitha fshatrat dhe qytetet shqiptare në Maqedoni u inspirua nga shërbimet e nëndheshme funksionimi gjoja ilegal, i shtëpive publike, gjë që nuk e lejonin këtë gjë në asnjë vëndbanim maqedon, me qëllimin e vetëm: degjenerimin moral të shqiptarëve; 7.Dhe, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, u bë ratifikimi i kufijve të Kosovës midis Maqedonisë dhe Sërbisë, duke mos i pyetur fare as shqiptarët e Maqedonisë as ata të Kosovës, edhe pse u hiqeshin 1500 hektarë tokë.

Këto ishin dëshmi të pakontestueshme të ringjalljs së armiqësive të vjetra; plagë të pashërueshme, në sajë të politkës nacionaliste maqedone, në njërën anë, dhe të tolerancës që diplomacia ndërkombëtare u bënte sllavo-maqdonasve, ngaqë kjo diplomaci, në mungesë të guximit për t’u përballur realisht me pansllavizmin ortodoks ruso-serb, që ende ëndërrojnë Perandorinë Bizantine me kryqytet Stambollin, e shihnin  dhe ende e shohin zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan nëpërmjet procesit të integrimit europian, e cila është një utopi, një lloj strategji pa asnjë doktrinë filozofike, e cila nuk është as liberalizëm, as internacionalizëm, as kozmopilitizëm dhe as globalizëm, por thjesht një plan politik antishqiptar.

Faktorët politikë shqiptarë në Maqedoni deri atëherë pretendonin se do të bënin avancimin e çështies shqiptare, duke u siguruar atyre të gjitha të drejtat, por nuk e bënë. Dhe ajo që i detyroi shqiptarët të revoltoheshin edhe më shumë, ishte deklarata e shpeshtë e lidershipit të PDSH në Tetovë, me në krye Arbër Xhaferrin,  se “nuk duhet të angazhohemi për këto të drejta sepse bota nuk është duke na kuptuar dhe se të gjithë janë kundër!”

Të gjitha këto tregojnë se politikanët shqiptarë e kuptojnë politikën si zotësi për t’iu përshtatur diplomacisë evropiane dhe asaj rajonale, edhe pse e kanë më se të qartë që, përshtatja është forma më e rëndë e vetëshkatërrimit.

Këto shkaqe shpjegojnë edhe arsyen pse shqiptarët u shmangën nga bisedimet në Kumanovë, vetëm e vetëm për t’i dhënë luftës së shqiptarëve në Kosovë tiparet e një lufte civile midis serbëve dhe shqiptarëve dhe jo sikundër ishte në të vërtetë, luftë antikoloniale. Prandaj dhe paqja shqiptare nuk ishte afatgjatë, gjë që shpërtheu lufta e UÇPMB-së dhe ajo në Maqedoni, e më pas revolta e 17 dhe 18 Marsit e vitit 2004 në Kosovë, pasi pala shqiptare u shkel, u injorua.

Lufta në Maqedoni ishte në të njëjtat pozita si dhe ajo në Kosovë, një luftë e pabarabartë, krejt e ndryshme nga lufta e serbëve me sllovenët, si dhe me kroatët e boshnjakët, të cilat ishin luftra mes shtetesh sovrane; ndërsa lufta e Kosovës, ajo në Preshevë dhe e shqiptarëve në Maqedoni ishte shumë më e vështirë për shqiptarët, sepse në të dy rastet, si Serbia dhe Maqedoni bënin luftë me ushtri të rregullta kundër një populli të robëruar, luftë kundër një populli të një kombësie tjetër e të çarmatosur.

Nuk mund të lemë pa e theksuar se, si në radhët e UÇPMB-së edhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare pati shumë vullnetarë nga të gjitha trevat shqiptare, veçanërisht nga Kosova. Por pse shkuan nga Kosova vullnetarë në radhët e Ushtrisë Çlirimtar Kombtare, duke u flijuar 15 prej tyre, si dhe 5 nga Shqipëria?

Shqiptarët në Kosovë e dinin shumë mirë se nga Maqedonia jo vetëm që erdhën disa qindra vullnetarë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej të cilëve 18 e lanë me gjak tokën e Kosovës, por dhe gati 60% të të ardhurave financiare  në Fondin Vendlindja Thërret ishin nga shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës Lindore, ndërkohë që shqiptarët e Kosovës i derdhnin paratë në fondin e 3% të Qeverisë Bukoshi të LDK-së. Njëkohësishte nga mirënjoja që këto popullsi shqiptare kishin për Universitetin e Prishtinës, nga dyert e të cilit kishin dalë gati 1000 intelektualë shqiptarë të Maqedonisë dhe Kosovës Lindore.

Shqiptarët e Kosovës nuk mund ta horronin ndihmën humanitare që u dhanë shqiptarët në Maqdoni, në vitin 1990, kur shqiptarët në Kosovë u pushuan që të gjithë nga punët shtetërore, me bekimin edhe të LDK-së, ku vetëm nga RTK u pushuan 1300 punonjës, në një kohë kur ekonomia kosovare ishte duke u shkatërruar ditë për ditë. Në atë periudhë popullata shqiptare në Maqedoni dhe ajo në Kosovën Lindore, si rrjedhojë e emigracionit të madh të tyre më të hershëm, ishin në gjendje që ekonomikisht ta mbanin Kosovën, pavarësishtë se Këshilli Ekzekutiv i Maqedonisë atë ndihmë e quajti “aksion antishtetëror” dhe morën masa për ta ndalur atë ndihmë humanitare, duke burgosur me dhjetra shqiptarë.

Në këto kushte, çfarë ushtrie ishte Ushtria Çlirimtare Kombëtare? Ajo ishte një ushtri e tillë sikundër mori edhe emërtimin e vet: ushtri çlirimtare vullnetare kombëtare shqiptare, e cila kaloi në një sërë etapash. Etapa e parë: etapa e mobilizimit të popullit për luftë, e cila e ka fillesën në 22 janar 2001, në Tearcë, pranë Tetovës, kur një njësit vullnetarësh të armatosur shqiptarë, të mbështetur nga një grup vrojtimi, sulmoi me armë automatike dhe raketa dore stacionin policor sllavo-maqedonas, sikundër raportonte atë ditë Radio Kosova e Lirë. Dhe pas 22 ditësh, më 16 shkurt  2001, në Tanushë u konfrontua nje grup i të rinjve, për herë të parë edhe të uniformuar me uniformën dhe simbolikën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, direkt me forcat e ushtrisë së Republikës të Maqedonisë.

Pas kësaj, grupet e shpërndara luftarake shqiptare filluan të rriten e të shumohen nga skuadra, në toga e kompani, gjë që krijoi kushtet që në 5 Mars 2001, në Malësinë e Karadakut  të formohet Br.113. Kjo Brigadë të gjitha luftimet i zhvilloi në fshatrat: Sllupçan, Orizare, Hotël, Mateç, Likovë, Vaksincë, Llojan, Vishticë, Ropalicë e Nikushtak të krahinës së Karadakut, ku më tej do të fillonte të vepronte Br.114. Meqenëse Br.113 ishte njësia e parë më e madhe taktike luftarake, këtu erdhën me shpejtësi rrufe dhe u rreshtuan edhe ish-pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, midis të cilëve edhe tre dëshmorët Labinot Krasniqi, Visar Krasniqi dhe Elmi Hoti nga Malisheva, të cilët i nderojmë sot, në këtë akademi përkujtimore.

Si rrjedhojë e publikimit të këtij formacioni të madh luftarak, kësaj lufte çlirimtare filluan t’i bashkohen masat më të gjera të popullsisë shqiptare në Maqedoni, për të siguruar plotësimin intensivë të rradhëve të saj. Por ajo nuk do mund të kishte një vrull dhe një efekt sikundër pati, të pashembullt në historinë tonë kombëtare, në qoftë se nuk do të ishte kompletuar me vullnetarë nga Presheva, Kosova dhe Shqipëria. Që do të thotë, se Lufta Çlirimtare e shqiptarëve në Maqedoni u bë çështje e mbarë kombit shqiptar.

Si rrjedhojë, 10 ditë pasi qe krijuar Br.113, në 14 Mars 2001, krijohet Br.112, e cila vepronte në Tetovë, dhe shënon etapën e dytë të mobilizimit. Kjo. për vet faktin se në këtë datë zgjerohet lufta çlirimtare në luftë me forcat qeveritare të R.Maqedonisë  edhe në një krahinë tjetër të madhe, të populluar me shqiptarë, që është Malësia e Sharrit. Porsa u krijua, kjo brigadë zhvilloi luftime të pandërprera për 10 ditë rresht. Gjatë kohës që Br.112 zhvillonte luftime të suksesshme, Br.113, me urdhër të SHP, lëshoi kushtrimin për mobilizim të përgjithshëm, të cilës iu pergjigjën një numër i madh i të rinjve dhe të rejave nga fshtrat e rrafshit të Karadakut, të Kumanovës, të Shkupit dhe trevave të tjera etnike: Kosova, Shqiperia dhe Lugina e Preshevës. Kjo bëri të mundur që në fund të muajit prill 2001, Br.113 të rritet me tre bataljoneve. Bataljoni i parë në Sllupçan e Orizare; bataljoni i dytë në Vaksincë dhe Llojan; bataljoni i tretë në Hotël dhe Likovë, duke patur një kompani në Manastirin e Mateçit; që do të thotë se kjo brigadë, ku bënin pjesë edhe shumica dërmuese e vullnetarëve nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare jashtë Maqedonisë, kontrollonte tërë Malësinë e Karadakut, duke mbikqyrur edhe koridorin për furnizimin me armë.

Të gjitha këto veprime organizativo-luftarake përfundojnë në fund të muajit prill, e cila është edhe fundi i etapës së dytë dhe fillon etapa e tretë, në 2 Maj 2001, kur i gjithë territori i komunës së Likovës dhe i Malësisë së Karadakut shpallet zonë e lirë, dhe në këto rrethana, komanda e Br.113 lëshon urdhërin luftarak që, luftëtarët “të marrin pozicionet e veta në pikat me strategjike për të mbrojtur këto fshatra dhe tërë zonën e lirë”, sikundër pohon Hysni Shaqiri. Prandaj, “puna ime konkrete ishte përcaktimi i pozicioneve, hapja e istikameve, ndërtimi i bunkerëve.”, pohon ish komandanti tjetër i atyre formacioneve luftarake, Ibrahim Shaqiri.  Ai urdhër dhe këto pohime flasin edhe për strategjinë dhe taktikat e luftës të përzgjedhura nga udhëheqja e Ushtria Çlirimtare Kombëtare, që do të thotë të qëndronin në pritje të sulmeve nga ushtria shtetërore maqedone, por që nuk është vendi dhe rasti për ta trajtuar në këtë kumtesë.

Daljen në këtë përfundim na e japin faktet për të cilat do të flas më poshtë. “Më 3 Maj në pasdite,-sikundër tregon ish-komandantiHysni Shaqiri,- forcat qeveritare të R.Maqedonisë fillojnë sulmet e para nga ajri dhe toka, kundër të gjithë pozicioneve të Br.113, duke mos kursyer edhe caqet civile. Sulmohen fshatrat Sllupçan, Orizare, Hotël, Vaksincë dhe tërë Karadaku, por sulmet më të rënda ishin në Sllupçan sepse aty ishte shtabi i brigades 113.” Theksojmë, se luftimet në Sllupçan zgjatën dy muaj pa ndërprerje, duke pasur disa beteja. Por, edhe pse Sllupçani u shkatërrua tërësisht, populli heroik i tij, me besim absolut tek UÇK-ja, ia doli t´i mposhtte shumë herë forcat sllavo-maqedone.

Edhe pse sulmet e tyre ishte pa sukses, forcat qeveritare maqedone patën vendosur që të mos i ndërprisnin luftimet për të eleminuar forcat e UÇK-së që vepronin në Malësinë e Karadakut. Prandaj, në 18 maj 2001, Br.113 është sulmuar përsëri nga forcat maqedone, në zonën midis fshatit Llojan dhe Vaksincë, luftime që vijuan pandërprerë deri në orët e mengjesit të 24 Majit, kur ndodhi tragjedia më e madhe e Sllupçanit, ku dhjetë anëtarë të një familje humbasin jetën si rrjedhojë e bombardimeve pa kriter të artilerisë maqedone, edhe pse një ditë më parë ishte nënshkruar marrveshja e Prizërenit prej  Ali Ahmeti, Arben Xhaferi dhe Imer Imerit.

24 dhe 25 Maji janë data që nuk mund të harrohen prej popullsisë së Malësisë së Karadakut. Në orët e mbrëmjes së 24 Majit, Vaksinca, duke u sulmuar nga të gjitha anët u rrezikua që të depertojnë në të forcat e armatosura qeveritare maqedone, të ndihmuara edhe nga ekspertë të ushtrisë Serbe. Megjithatë nuk mundën të hynin në Vaksincë. Atëherë, në orët e mengjesit të 25 Majit, ushtria maqedone solli përforcime dhe me mbi 40 tanke e autoblinda sulmuan sërish fshatrat: Vaksincë e Llojan. Kjo ishte beteja më e përgjakshme midis dy ushtrive.  Në ato orë të atij mëngjezi, në një ballafaqim të afërt dhe të pabarabartë vritet komandanti i brigadës, Fadil Nimani-Tigri, duke qëndruar heroikisht deri në vdekje, në mbrojtje të Vaksincës.

Më 25 Maj, pasi morën Vaksincës, forcat maqedone morën kurajo dhe sulmuan Mateçin. Në luftën për mbrojtjen e Mateçit luftonte b3Br.113 i udhëhequr nga Muhamet Krasniqi–Malisheva, i ndihmuar nga njësia speciale dhe nënreparti me forcat vullnetare nga Shqipëria dhe Shkupi, të komandanduar nga Lefter Koxhaj, (komandant Teli).

Luftimet për mbrojtjen e Mateçit vijuan pandërprerje trembëdhjetë ditë e netë, deri më 6 qershor 2001. Në ditën e IX të këtyre luftimeve, më 2 Qershor, bie duke luftuar, heroi nga  Drenoci i Malishevës, Visar Krasniqi, ndërsa në ditën e fundit të atyre luftimeve, në 6 qershor, bie edhe heroi tjetër nga Caralluka e Malishevës, Labinot Krasniqi.

Trimat shqiptarë e shndërruan Mateçin në kështjellë, sa e detyruan ushtrinë shtetërore të blinduar maqedone të tërhiqet me turp në errësirën e datës 6 qershor 2001. Prej mbrëmjes së 6 Qershorit Mateçi përfundimisht është përsëri i lirë. Ky luftim karakterizohet si beteja më e ashpër e UÇK, pasi edhe pse ngadhnjeu UÇK-ja, në radhët e saj pati shumë të vrarë dhe të plagosur. Fitorja e Mateçit rriti moralin e tërë UÇK-së, e cila të nesërmen e asaj beteje vendosi nën kontroll fshatrat: Vishticë, Ropalc dhe Nikushtak dhe u krijuan kushtet për t’iu afruar Haraçinës dhe Shkupit. Kjo lëvizje e UÇK-së i trmeroi maqedonët, pasi paraqeste  rrezik për kryeqytetin.

Në këto rrethana të reja, faktori ndërkombëtar filloi ta ndërrojë mendimin për UÇK-në, duke e kuptuar se kishin të bënin me një popull dhe forcë ushtarake të cilët e kishin marrë seriozisht çështjen e të qenit popull shtetformues i Maqedonisë.

Forcat e armatosura maqedone nuk mund ta duronin turpin që i mbuloi në luftën dy javore për marrjen e Mateçit si dhe rrezikimin e kryeqytetit. Prandaj, pasi e morën veten, vendosën që në 22 qershor 2001, pikërisht në orën 4 të mëngjesit, të sulmonin me një batalion të këmbsorisë së mekanizuar, të mbështetur me aeroplanë, helikopterë dhe artileri të të gjithë kalibrave. Filluan ta grantojnë Haraçinën nga të gjitha anët. Fshati u mbulua me gazra toksikë. Forcat maqedone, duke sulmuar me tanke e autoblinda, tentuan me çdo kusht të hynin në fshat, mirëpo forcat e UÇK-së ishin fortifikuar mirë në pozicione dhe nuk lejuan depërtimin e forcave armike. Vlen të theksohet se në mbrojte të Haraqinës ishte një Batalion i Br.113 dhe nënreparti special i kësaj brigade.

Gjatë kësaj beteje të përgjakshme, e cila zgjati tri ditë, 22-24 qershor, ranë 7 (shtatë) dëshmorë nga radhët tona dhe u plagosën 26 të tjerë. Në këtë betejë vritet edhe heroi tjetër nga Malisheva, Elmi Hoti. Si rrjedhojë e atij hovi çlirimtar dhe trimërie të rrallë, pala e çlirimtarëve shqiptarë i dogji e kapi armikut 16 tanke e autoblinda, përveç automjeteve të tjera, si dhe i kapi edhe 128 robër; ndërsa raporti i të vrarëve ishte një me trembëdhjetë, në favor të çlirimtarëve, ndërkohë që luftëtarët shqiptarë kishin vetëm armë dore këmbsorie e kundërtanke. Kjo fitore shqiptare, e bindi Ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë që në 25 Qershor të deklaronte në Parlamentin Maqedon: “Ushtria Çlirimtare e Shqiptarëve është më e fortë se ushtria jonë”, edhe pse UÇK-ja ishte ushtri e re, duke mos mundur të krijonte ende kuadro si ato të ushtrisë kundërshtare. Por kjo forcë e UÇK-së rridhte nga që morali i saj ishte i fortë, sepse luftonte për një çështje të drejtë, duke pasur besim në çështjen e saj. Forca e UÇK-së rritej edhe për faktin se ajo ishte e zhveshur nga ndjenja e urrejtjes të popullit maqedonas, ngaqë ajo ushqehej dhe luftonte për të vendosur frymën e barazisë të të gjithë racave, dhe të respektimit të të drejtave të çdo pakice kombëtare në Maqedoni, të cilat e frymëzonin për heroizma. Pse luftonte me këtë frymë, ndaj dhe UÇK-ja pati përkrahjen e gjithë popujve në botë. Këtu qëndronte forca e saj.  Ndërsa ushtria maqedone e asaj kohe nuk besonte në drejtësinë e çështjes shqiptare, për të cilën luftonte UÇK-ja, prandaj nuk kish moralin e saj, prandaj ushtarët e saj nuk mund të lëviznin pa mbrojtjen e blindit.

Faktori ndërkombëtar i brengosur për këtë gjendje alaramante në Maqedoni, arriti marrëveshjen ndërmjet Shtabit të Përgjithshëm të Ushtisë Çlirimtare Kombëtare dhe Kryetarit të shtetit, ai dhe komandant suprem i forcave të armatosura të Maqedonisë, që lufta të nderpritet. Si rrjedhojë, më 6 Korrik shpallet armëpushim i dyanshëm, por nuk respektohet nga ana e forcave të armatosura qeveritare, të cilat vijuan të sulmonin forcat e UÇK-së. Si kundërveprim, riaktivizohet Br.112 « Mujdin Aliu » në Tetovë dhe në Malësinë e Sharrit. Kjo bëri që në Gusht të hapet  edhe fronti i Radushës, nga Br.115.

Këto veprime të pabesa të qeverisë maqedone bënë që të hidhen përsëri në sulm të gjitha forcat e UÇK-së. Si rrjedhojë, nënreparti, ose më mirë, skuadra e komanduar nga Lefter Koxhaj, duke qenë triumfonjës në luftën e pabarabartë në Haraçinë, të ekzaltuar së tepërmi nga shija e asaj fitoreje të madhe, dhe të rebeluar nga pabesia maqedone, të 6 (gjashtë) ata, në 7 Gusht ndërmorën aventurën e çmendur, duke hyrë ilegalisht në Shqkup, për të kapur peng Parlamentin, por tradhtia nuk i la.

Të gjitha këto bënë që ndërkombëtarët të ushtronin presion mbi qeverinë maqedone, dhe më 13 Gusht të vitit 2001 nënshkruhet Marrëveshjen e Ohrit, mbeshtetur nga NATO-ja, SHBA dhe Bashkimi Europian,  e cila na befasoi me mospjesëmarrjen në të e përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, duke u përfaqësuar kjo nga partia shqiptare pjestare e koalicionit qeveritar që luftonte kundër Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare! Dhe ky gabim fatal ndodhte ndërkohë që pas 7 muaj lufte qenë aftësuar kuadrot e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Rast unikal në historinë e gjithë luftrave botërore, që fituesi t’ia besoi fitoren kundërshtarit të tij!

*   * *

Tek ky gabim fatal i udhëheqjes së UÇK-së mendoj se qëndron arsyeja pse edhe sot e gjithë ditën, gjendja në Maqedoni mbetet ende kritike. Kjo gjendje kritike e politikës në Maqedoni, e intensifikuar sidomos vitin e fundit, ishte në qendër të debateve në kuadër të samitit të NATO-s, mbajtur para disa ditësh në Tiranë. Apeli i fuqishëm vjen nga raportuesja e NATO-s për Ballkanin dhe njëkohësisht zv/presidente në Bundestagun gjerman, zj.Ula Shmidt, e cila, në këtë samit, gjatë prezantimit të raportit për sfidat e vendeve të Ballkanit në proceset integruese Euro-Atlantike, theksoi nevojën e menaxhimit të tensioneve etnike dhe zgjidhjen e çështjes së statusit të Maqedonisë, duke thënë konkretisht: “Nëse e shikojmë situatën e përgjithshme në Ballkan, ka pasur shumë zhvillime këto vitet e fundit, por jo edhe në Maqedoni, ku në këto momente kemi një situatë kritike. I druhem konfliktit etnik që po vazhdon të rritet duke parë përshkallëzimin e situatës, kohët e fundit… As tani nuk është vonë për të gjetur zgjidhje.”

Për këtë rrezikshmëri flet edhe deklarata e para dy viteve, në 14 korrik të vitit 2014, e gjeneralit maqedonas, pjesmarrës në luftën e vitit 2001, Stojançe Angelov, në përgjigje ndaj një deklarate të veteranëve të lusftës së UÇK-së për të drejtat e tyre, konform Marrëveshjes së Ohrit, duke u thënë: “Ju jeni këtu, por edhe ne jemi këtu. Por këtë herë nuk do të jetë si në vitin 2001”. Kjo përgjigje, indirekt pranon edhe atë çka deklaroi Ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë në 25 Qershorin e vitit 2001 kur tha: “UÇK-ja është më e fortë se Ushtria e Maqedonisë”.

Dhe shkaku i kësaj krize mendoj se është për faktin se, edhe pse ekzistojnë parti politike shqiptare në Maqedoni, asnjëherë çështja shqiptare nuk është vënë në rend dite edhe në këto 15 vite pas asaj lufte 205 ditore, ku dhanë jetën rreth njëqind dëshmorë, një dëshmor në çdo 2 ditë. Nuk mbahet mend, nuk kemi dëgjuar e nuk kemi parë që edhe pse e fituam atë luftë, pas asaj të ketë filluar ndonjë seancë parlamentare në Maqedoni, apo të ketë filluar punën ndonjë komision parlamentar, në emër të kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar. Çdo lloj force politike, po nuk qe e udhëhequr nga njrëz të guximshëm dhe me karakter, nuk bëhet kurrë shqetësuese.

Prishtinë, 6 Qershor 2016

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …