Altin Krasniqi, djali i ish-kreut të Kuvendit dhe njërit prej të akuzuarve në Hagë, Jakup Krasniqi, ka bërë një thirrje publike dhe emocionale për pjesëmarrje në protestën e së enjtes në Prishtinë, e cila është organizuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim nga Tribunali Special që nga viti 2020. Krasniqi thekson se protesta nuk është thjesht për individë, por për atë që ata përfaqësojnë – luftën çlirimtare të UÇK-së. Ai fton qytetarët të bashkohen në protestë për të kundërshtuar padrejtësinë, siç e cilëson ai, dhe për të dëshmuar unitet në mbrojtje të së vërtetës historike dhe drejtësisë për ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës. “Protestoni sot, kundër politikave të Beogradit që synojnë ta barazojnë viktimën me agresorin më të madh të Ballkanit,” shkruan ai, duke kujtuar se ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë ka vazhduar jetën, të akuzuarit po e jetojnë padrejtësinë më të rëndë, larg atdheut dhe familjeve të tyre. Ai përmend dhimbjet njerëzore të këtyre viteve, përfshirë humbjen e prindërve, rritjen e fëmijëve pa praninë e prindit dhe ndryshimet fizike e shpirtërore që kanë pësuar ish-krerët e UÇK-së gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim. “Ata kanë më shumë flokë të thinjura e më shumë rrudha në ballë, por janë më të bashkuar se kurrë – dhe më të bashkuar duhet të jemi edhe ne,” shkruan Altini. Ai e mbyll thirrjen me një mesazh të fuqishëm: “Nëse ka drejtësi, s’mund të gjykohet lufta e drejtë e një populli dhe heronjtë e saj, ndërsa të mbesin të lirë kriminelët serbë.”
