Doli në dritë libri autobiografik me dy vëllime: “Kujtime të ndritura të kohëve të errëta”, i autorit, Nysret Hajdari

Doli në dritë libri autobiografik me dy vëllime: “Kujtime të ndritura të kohëve të errëta”, i autorit, Nysret Hajdari

Kohë më parë, botuar nga Prointegra, doli në dritë libri autobiografik, në dy vëllime: “Kujtime të ndritura të kohëve të errëta”, i autorit, Nysret Hajdari.

Veprimtari i palodhshëm i Çështjes Kombëtare, i burgosuri politik dhe mërgimtari i njohur, Nysret Hajdari është emër i njohur në Kosovë dhe në mërgatë, si një burrë tradite e zakoni, punëtor i zellshëm, familjar i dashur dhe përgjegjshëm, por  edhe njohës i thellë i rrjedhave politike e shoqërore, në Kosovë e më gjerë.

Në Librin  e tij voluminoz në dy vëllime, “Kujtime të ndritura të kohëve të errëta”, autori ka arritur që pas një pune të gjatë dhe sistematike të hartojë dhe ta shtjellojë një lëndë të begatshme të rrëfimeve familjare, të integruara në tërësinë e zhvillimeve shoqërore, në rrethana të caktuara të së kaluarës historike, me qëllim për të hulumtuar e për të ndriçuar rrëfime, të dhëna të ndryshme të përcjella nga brezi në brez, fakte e dëshmi familjare, të cilat përveç rëndësisë biografike  kanë edhe dimensionin shoqëror, meqë janë ngjarje që lidhen me mesin ku ka jetuar e ka vepruar, por edhe ku jeton e vepron, baca Nysret, gjithnjë në lëvizje, gjithnjë vital dhe i pandalshëm, duke i shpërfillur vitet dhe duke mos e përmendur madje as fjalën, “pleqëri”.

Dy vëllimet e këtij libri sjellin shumë fakte, dëshmi e argumente të së kaluarës, familjare e shoqërore, të kohës së robërisë, të kohës të mërgimit, të kohës që ka  kaluar  nëpër burgjet e Jugosllavisë, madje së bashku me djalin e tij, po ashtu veprimtar i njohur,  Skënder Hajdari, i cili ishte dënuar tre vjet burg, ndërsa babai i tij katër vjet, të dy të pandehur e më pas të dënuar sepse kishin kryer vepra penale, të cilat ish-regjimi jugosllav i trajtonte si veprimtari mbi baza të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptaro-madh.

Rrëfimet e këtij libri janë të shumta dhe të shtrira në kohë e hapësirë, që nga fëmijëria e autorit dhe brezat paraprakë familjarë,  pastaj duke u shtrirë e duke u zgjeruar  kronologjisht   në kohë dhe hapësirë, sidomos gjatë kohës  së kaluar nëpër burgje dhe jetës në mërgim, në Zvicër, ku ka kaluar  një kohë të gjatë, së bashku me djalin e tij, veprimtarin e të burgosurin politik Skënder Hajdari dhe ku endje jeton dhe vepron edhe tani.

Janë me interes, sidomos kujtimet nga jeta nëpër burgjet e ish-regjimit okupator, jugosllav, regjim  i njohur për keqtrajtimin  deri edhe mizor kundër  të gjithë  shqiptarëve liridashës, pastaj përshkime realiste e komunikimi me shokët e burgut, veprat e tyre, jeta e përditshme, kryesisht  nëpër burgjet hetuese, por edhe nëpër kazamatet e tjera, pastaj rrëfime nga jeta në mërgim, njohja dhe bashkëpunimi me veprimtarët më të njohur të Lëvizjes Kombëtare, sidomos në Zvicër, bashkërendimi i veprimeve, ndihma për fondet e tri luftërave tona çlirimtare dhe angazhimi i palodhshëm, kudo ku e kërkonte kombi e lufta për çlirim e bashkim.

Veprimtari, Nysret Hajdari me këtë libër lë në trashëgim e mos-harrim jetën e disa brezave familjarë, pastaj  të sa e sa veprimtarëve,  me të cilët është njohur dhe ka vepruar, pastaj komunikimi me  të afërmit, miqtë e dashamirët,  bisedat gjatë hetimeve me inspektorët e UDB edhe me milicët e gardianët,  e duke nxjerrë në dritë një histori të tërë rrëfimtare, familjare e shoqërore, si lëndë me karakter njohës, e stërmbushur me sa e sa rrëfime, të cilat i kanë ngelë në kujtesë për gjatë tërë jetës, dhe tani i ka grumbulluar në kuadrin e këtyre dy vëllimeve voluminoze të librit, “Kujtime të ndritura të kohëve të errëta”.

Ky libër  e pasuron fondin e librave me kujtime dhe rrëfime nga burgjet, që vazhdon të jetë temë e munguar në letërsinë e sotme,  kur merret parasysh numri aq i madh i të burgosurve politikë gjatë të gjitha kohëve të ish regjimeve okupatore.

Libri është i ilustruar edhe me foto të shumta familjarësh e bashkëpunëtorësh, me indeksin e emrave, me vështrime e recensione dhe me një rezyme në gjuhën angleze.

Kontrolloni gjithashtu

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe.

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në …