Kadri Rexha

Doli në dritë libri, “Pushka e dy brezave”, i autorit, Kadri Rexha

Libri më i ri i veprimtarit, shkrimtarit dhe studiuesit, Kadri Rexha, “Pushka e dy brezave”, i kushtohet dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroit, Maxhun Berisha, luftëtar trim dhe i paepur i Zonës Operative të Dukagjinit.

Ashtu sikur edhe në gjashtë veprat e tjera, të botuara kohë pas kohe, Kadri Rexha, edhe kësaj radhe, ka sjellë në letërsi një libër-monografi, me një qasje të veçantë, në radhë të parë për  dëshmorin e UÇK-së, Maxhun Berisha,  për familjen e tij atdhetare nga brezi në brez, por duke e zgjeruar përmbajtjen edhe në segmente të tjera të jetës shqiptare në përgjithësi. Autori ka arritur që përmes një metodologjie tashmë origjinale, krijuese, të inkorporojë në vepër faktet, dokumentet, rrëfimin, intervistën, kujtimin, fotot, të cilat përbëjnë një tërësi rrëfimtare, ndërsa lexuesit i ofrohet një lëndë të begatshme për ta njohur më mirë jetën dhe veprën e dëshmorit, por thuajse në të gjitha këndet e vrojtimit, në raport me familjen e ngushtë e të gjerë, bashkëkohësit, bashkëluftëtarët, me të cilët i kishte dalë zot Atdheut dhe kishte rënë në altarin e lirisë, ashtu sikur shumë dëshmorë e martirë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Libri ka 228 faqe, shtypi “Shkrola”, në Prishtinë.

Studimet, veprat dhe publikimit e shkrimtarit, kritikut letrar dhe publicistit, Kadri Rexha i përkasin një periudhe mbi dyzet-vjeçare dhe datojnë qysh prej kohës kur kritiku i ardhshëm i letërsisë, shkrimtari e veprimtari, në rrugën e tij, jo vetëm të krijimit të identitetit krijues, ka  gjurmuar shtigje drejt lirisë së shprehjes, në rrugë drejt përparimit dhe emancipimit të çështjes kombëtare shqiptare.

Kadri Rexha, në të gjitha studimet e tij ka sintetizuar një përvojë të gjatë krijuese, vlerësuese e vrojtuese, për letërsinë shqipe në përgjithësi, edhe pse ajo deri vonë është përcjellë me fatin e keq të ngufatjes, ndarjes,  izolimit dhe zhvillimit jo harmonik, në kushte dhe rrethana të njohura, nëpër të cilat  ka kaluar edhe arti e kultura shqiptare në trojet e robëruara të Atdheut.

I vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për rolin që ka luajtur dhe luan libri, studimi, analiza, vështrimi, që kanë për qëllim krijimin e shtigjeve për një krijimtari sa më realiste dhe artistikisht më të arrirë, Kadri Rexha në studimet e tij ka aplikuar qasjen afirmative, pozitiviste, e cila ka shërbyer dhe i shërben lexuesit si mesazh, veprimtari në shërbim të edukimit e arsimimit atdhetar të brezave… (A.Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Adil FETAHU: LIBËR MONUMENT I FATEVE DHE  VUAJTJEVE TË FEMRAVE SHQIPTARE 

Adil FETAHU: LIBËR MONUMENT I FATEVE DHE  VUAJTJEVE TË FEMRAVE SHQIPTARE 

(Shukrije Rama: ‘MOS  PAÇ FATIN TIM – rrëfime të njëmendëta’, Prishtinë,2023) Vet titulli i librit …