leoni

Doli në dritë libri: “Shtigje jete” i autorit, Mehmet Bislimi

Doli në dritë libri: “Shtigje jete” i autorit, Mehmet Bislimi

Libri i Mehmet Bislimit,  “Shtigje jete” , është një vepër e veçantë, nga të gjitha veprat që ka shkruar dhe i  ka botuar deri tani. Në radhë të parë sepse,  libri ka ardhur si rezultat i një pjekurie solide krijuese  dhe veçmas lidhur me  përmbajtjen,  thellësisht realiste, dokumentare,  që përmban në çdo faqe. Pastaj libri karakterizohet për një materie shumë të gjerë, por të kondenzuar maksimalisht, ku në shumë rrëfime sjellë në kujtesë  dromca nga jeta e tij në familje, në Prekaz të Drenicës, në kështjellën e pamposhtur të kombit, në mesin e shokëve, në shkollë e në studime, në mesin e  protestuesve e demonstruesve, të vitit 1981,  bashkëveprimtarëve e bashkë-vuajtësve nëpër burgjet e Jugosllavisë, në mesin e Jasharëve legjendarë të Prekazit, në aktivitete të pandërprerë  pas lirimit nga burgu, kurdoherë në rrugën përplot thera e driza   drejt lirisë, pjesëmarrës aktiv i Lëvizjes atdhetare, luftëtar i lirisë, veteran nga radhët e para të lëvizjes e të luftës së UÇK-së…Libri ka  126 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi, Shkrola.

 

Libri, “Shtigje jete”, kronikë dokumentare letrare, e pasur me shumë rrëfime të përjetuara, realiste

Mehmet Bislimi është veprimtar, ish i burgosur politik, luftëtar i lirisë, anëtar i organizatave të caktuara atdhetare, veteran i luftës, poet, shkrimtar, publicist dhe autoritet me peshë në Lëvizjen tonë Kombëtare, së cilës ia ka kushtuar tërë jetën.

Mehmet Bislimin, për herë të parë e kam takuar në rrugën e lirisë,  më 26 mars të vitit 1981, në qendër të Prishtinës, në ditën kur nëpër rrugën kryesore të qytetit  me kordonë të shumta milicësh të ish RSFJ-së, po parakalonte zyrtarisht e me ceremoni shtetërore,  “Stafeta e Rinisë”, ende po u bërë një vit nga vdekja e Josip Broz Titos. Po atë ditë, mijëra studentë, nxënës, punëtorë, po protestonin dhe po bënin përpjekje ta pengonin defilimin e stafetës me moton: “Shoku Tito ne të betohemi, se nga rruga jote nuk do të largohemi”.

Atë ditë  në Sheshin e elektrizuar jo rastësisht të Prishtinës, ndodhesha me Imer Halilin e Prekazit, Zenun Gjocin dhe me dy shokë të Imerit, emrat e të cilëve nuk më kujtohen. Nga mesi i studentëve, tërë energji dhe  emocion na ishte drejtuar një student protestues, bashkëvendës i Imer Halilit. Ai ishte Mehmet Bislimi, i cili  donte të dinte se a ishim edhe ne me protestuesit.

Përkrahja e pa rezervë që i dhamë, e bëri tërë shend e verë, sa duhej sikur ishte mbushur edhe më me shumë energji dhe u hodh te barrikada, ku protestuesit po bënin përpjekje të çanin kordonët e milicisë duke u kacafytur me ta, trup me trup. Edhe pse pak kohë qëndruam bashkë, figura e tij prej revolucionari të kohës do të mbetej gjatë në kujtesë, si sinonimi më i vendosur i luftëtarit të barrikadave që i kishte kalitur dhe  prodhuar koha…

Herën e dytë me Mehmetin  jemi takuar  në Prekaz të Epërm, pasi isha liruar nga burgu, në fillim të viteve ‘9o-të, ndërsa herën e tretë pas luftës fitimtare të UÇK-së, kur kishte ardhur për të më vizuar mua dhe stafin e Radios- Kosova e Lirë, në Prishtinë.

Pastaj kanë vazhduar takimet, bisedat, bashkëpunimi…

Libri i Mehmet Bislimit,  “Shtigje jete” , është një vepër e veçantë, nga të gjitha veprat që ka shkruar dhe i  ka botuar deri tani. Në radhë të parë sepse,  libri ka ardhur si rezultat i një pjekurie solide krijuese  dhe veçmas lidhur me  përmbajtjen,  thellësisht realiste, dokumentare,  që përmban në çdo faqe. Pastaj libri karakterizohet për një materie shumë të gjerë, por të kondenzuar maksimalisht, ku në shumë rrëfime sjellë në kujtesë  dromca nga jeta e tij në familje, në Prekaz të Drenicës, në kështjellën e pamposhtur të kombit, në mesin e shokëve, në shkollë e në studime, në mesin e  protestuesve e demonstruesve, të vitit 1981,  bashkëveprimtarëve e bashkë-vuajtësve nëpër burgjet e Jugosllavisë, në mesin e Jasharëve legjendarë të Prekazit, në aktivitete të pandërprerë  pas lirimit nga burgu, kurdoherë në rrugën përplot thera e driza   drejt lirisë, pjesëmarrës aktiv i Lëvizjes atdhetare, luftëtar i lirisë, veteran nga radhët e para të lëvizjes e të luftës së UÇK-së.

Dhe jo vetëm kaq.

Mehmet Bislimi është edhe krijues i zellshëm, njohës i shkëlqyer i rrethanave shoqërore, historike e politike, duke qenë se edhe vetë ka qenë  pjesë e atyre rrjedhave. Edhe pse  i arsimuar në shkencat e natyrës, ai  është maturuar  me shumë dije të fituara  nëpër burgje,   duke lexuar literaturë të lloj-llojshme në fushën e shkencës, të arteve,  poezisë, letërsisë, filozofisë, publicistikës e të tjera, e të tjera…  “ “Po thuajse të gjithë të burgosurit politikë, gjatë vuajtjeve të dënimeve për çdo vit kanë kryer nga një fakultet, me veprat  e shumta që kanë lexuar atje”,    thoshte,  Baca i Madh, Adem Demaçi.

Libri, “Shtigje jete” është njëlloj kronike dokumentare letrare, në të cilën autori ka përmbledhur një lëndë të caktuar të përshkrimit  të rrjedhave të kohës, ku ai ka qenë, pjesëmarrës, në shumë raste edhe protagonist, në momente të caktuara edhe këshill-dhënës dhe ideator.

Veprimtaria e tij ka filluar në Prekaz, në një familje atdhetare, pastaj është zgjeruar në mesin shoqëror, fillimisht po në Prekaz,  në njërën prej bërthamave më të rëndësishme të qëndresës shekullore shqiptare, pastaj në Prishtinë, gjatë kohës së studimeve, në mesin e studentëve revolucionarë, pastaj nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë po me ata bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë,  por edhe me të tjerë. Pas lirimit nga burgu ka  zgjeruar veprimtarinë edhe me shumë e shumë kryengritës e liridashës të tjerë.

Pas leximit me kujdes të librit, lexuesi i vëmendshëm kupton se sa punë, sa mund e angazhim, mund të bëjë një idealist i këtij formati,  gjatë tërë një jete  në shërbim të kombit, për çlirimin nga robëria.   Ai ka shpalosur sidomos  aktivitetin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës, e cila për një kohë të gjatë, edhe pse në ilegalitet, në Kosovë dhe në trojet nën regjimin jugosllav,  ishte opozita më e fortë e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, veçmas e komunistëve të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës. Edhe pse LPK-ja nuk ishte e vetmja organizatë të vepronte në Kosovë, Shqipëri, troje e mërgatë, ajo kishte ruajtur kohezionin e veprimtarisë, për një kohë më të gjatë…

Mehmet Bislimi, në librin e tij, “Shtigje jete”,  ka rrëfyer në vetën e parë pjesë të zgjedhura të jetës dhe veprimtarisë së tij, duke mos lënë anash as edhe një bashkëveprimtar, me të cilin është takuar dhe ka bashkëvepruar, nëpër rrugët e lirisë. Dhe, ata kanë qenë e janë të shumtë, por qëllimi i tij është që të tregojë me gjuhën e fakteve e argumenteve se “bashkimi bën fuqinë”, se të gjithë shqiptarët vullnetmirë dhe të përcaktuar për rrugën e lirisë kanë dhënë aq sa kanë mundur dhe aq sa kanë ditur.

Po ashtu, duke qenë realist dhe njohës i rrethanave  e lëvizjeve shoqërore, ai ka përmendur edhe emra të tjerë, emrat e mbiemrat durimtarëve shqiptarë, të cilët i ka krijuar jeta e rëndë shumëshekullore  nën robëri, bashkatdhetarët e pritjes, durimit por  dhe shfrytëzimit të favoreve të caktuara, aq sa i ka lejuar pushtuesi,  duke iu përmbajtur me dinjitet maksimës së njohur: “Qengji i urtë dhe i butë i thith dy nëna  ( dy e më shumë dele) apo edhe asaj thënies së njohur: “As para pushkës, as prapa  mushkës”, sepse para pushkës të merr plumbi, pas ndonjë hamshori apo pas  mushkës, të godasin  shqelmat e saj.

Vlera e pakontestueshme e këtij libri është në paraqitjen me besnikëri e realizëm të rrjedhave, ngjarjeve, fakteve e argumenteve  të Lëvizjes  së përgjithshme kombëtare shqiptare në trojet e robëruara nën Jugosllavi, pavarësisht si janë emëruar ato: grupe, parti lëvizje, lidhje etj. Në këtë segment  Mehmet Bislimi, përveç sheshimit të fakteve, ka paraqitur edhe qëndrimin e tij në raport me mosmarrëveshjet, me bashkëkohësit e bashkëveprimtarët,  mendimet  e bindjet ndryshe, duke shprehur edhe respekt për to, por gjithnjë duke para vënë, argumentet mbështetur në parimet e njohura të çdo lufte për liri, i bindur thellësisht se liria asnjë populli në botë nuk iu ka dhuruar, por në ndonjë rast edhe nëse iu ka dhuruar, pastaj, në një moment të caktuar edhe  iu ka marrë, sikur ishte Kushtetuta e vitit 1974 që iu dha më shumë liri  Kosovës, por iu mor në vitin 1989.

Rruga jetësore e Mehmet Bislimit  drejt çlirimit dhe bashkimit kombëtar, e paraqitur në këtë libër, është pasqyruar në kundrim subjektiv të një realitetit objektiv, të ngadhënjimit të  atij realiteti, i cili shtrihet  në sinkroni e diakroni, në kohë e në hapësirën tonë, në të cilën ende po jetojmë me shumë probleme, të cilat nuk  janë zgjidhur përfundimisht, por kanë arritur në një nivel ku nuk mund të ketë, as mund të lejojmë kthimin prapa.

Ahmet Qeriqi

Krojmir

Shtator 2022

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit - këngëtari, Nikollë Nikprelaj

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit – këngëtari, Nikollë Nikprelaj

Këngëtari, i mirënjohur, Nikollë Nikprelaj, me origjinë nga Trieshi i Malësisë së Madhe, radhitet në mesin …