Pas përfundimit të takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Alaska, presidenti amerikan Donald Trump ka përmendur sërish rolin e tij në ndërprerjen e disa konflikteve globale, përfshirë edhe atë mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për Fox News me gazetarin Sean Hannity, Trump deklaroi se kishte negociuar përfundimin e “pesë luftërave të ashpra”. Hannity, duke e ndërprerë Trumpin, përmendi konfliktet që ai ka pohuar më parë se ka ndikuar në ndaljen e tyre: Indi-Pakistan, Izrael-Iran, Ruanda-Kongo, Serbi-Kosovë, Kamboxhia-Tajlandë dhe Azerbajxhan-Armeni. “Ke luajtur një rol në të gjithë këto, apo jo?”, pyeti Hannity.
“Po”, u përgjigj Trump. “Ne bëmë diçka të jashtëzakonshme”. Deklaratat e Trump u pasuan edhe me konfirmime indirekte nga autoritetet kosovare. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte deklaruar në maj 2025 se kishte marrë “informacione specifike” mbi lëvizje të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, duke theksuar se institucionet e sigurisë janë mobilizuar për mbrojtjen e vendit. “Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve, kam pasur takime me institucionet e sigurisë që më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizim të duhur për mbrojtje të vendit,” kishte deklaruar Osmani në një konferencë për media në Prishtinë.
