KEK
Fillimi / Kultura / Dr. Feti Mehdiu “Një vepër që nxit hulumtime të reja”

Dr. Feti Mehdiu “Një vepër që nxit hulumtime të reja”

(AHMET QERIQI, “FENOMENE SHQIPTARE”, Prishtinë, 2005, fq. 136) 

1. Halil Patrona – figurë e anashkaluar…
2. Dy kahe të përpjekjeve për idetentitet kombëtar
( Botoi Radio-Kosova e Lirë)


Ahmet Qeriqi, (i burgosur politik 1981-1988), tani më është bërë emër i njohur për lexuesit tonë me disa vepra. Deri tash ka botuar vepra letrare, hulumtuese shkencore, etj. Si për shembull: Në gjurmim të lashtësisë, Prishtinë, 2002, fq.128; Meditime në arrati, (roman) Prishtinë, 2002, fq.164; Milush Kopiliqi, serb apo shqiptar? Prishtinë, 2003, fq. 84; Burgu, (roman) Prishtinë, 2004, fq. 355; Luftëtarë të NDSH-s (1944-1950); Prishtinë, 2004, fq. 236; Fenomene shqiptare, Prishtinë, 2005, fq. 137.
Libri: Fenomene shqiptare i Ahmet Qeriqit, që përurohet sot, sikur ka lind nga një e metë e jona. Ajo e metë është se ne sikur tregojmë prirje për të lënë në harresë ndonjë pjesë të së kaluarës tonë. Thënë më ndryshe, ne qesim në harresë, ose anashkalojmë pjesë të trashëgimisë tonë kulturore e historike duke anashkaluar personalitete të shquara të historisë e të kulturës tonë, në tërësi ose në mënyrë selektive.
Ky libër, në vazhdën e aktivitetit botues të Radios “Kosova e lirë”, në pjesën e parë trajton një çështje të rëndësishme sa për historinë aq edhe për letërsinë shqipe dhe historinë e letërsisë. Për t iu qasur këtij problemi, Ahmet Qeriqi e zë fillin nga romani në gjuhën hungareze, i autorit Jokai Mõr, A feher rusza-“Lulja e bardhë”, një roman historik, i cili në gjuhën turke është përkthyer dhe botuar me titullin Kanli lale – Lulegjaku. Fjala është për personazhin kryesor të këtij romani, Halil Patrona, i cili është një shqiptar nga Hurpishti.
Burimet shqiptare mezi e përmendin, (krahaso Fjalori Enciklopedik SHq, etj…), kurse historiani i mirënjohur austriak, Hameri i ka kushtuar plot tetë faqe. Ndërkaq shkrimtari i njohur nga Turqia, Reshad Ekrem Koçu, ka botuar dy romane me personazhin kryesor Halil Patronën: “Forsa Halil” dhe “Patrona Halil”.
Autori Qeriqi, me të drejtë e ka filluar këtë kapitull me një titull shqetësues: Halil Patrona figurë e anashkaluar nga kujtesa e jonë.(fq.5-22).
Përmes burimeve që i ka pas në disponim në burgun e Suboticës, (*….J.Mor, Hammer…) në të cilin ka vuajtur pjesën më të madhe të burgut (1984-1988) për të larë “gjynahet” e kryengritjes së vitit 1981, dhe pas mbarimit të luftës së Kosovës, (* Fjalori Encikl.SHqiptar, tani si drejtor i radios Kosova e Lirë, një radio që i priu çlirimit të Kosovës nga data 4 janar 1999, i qaset figurës së heroit, Halil Patrona, dhe paraqet portretin e një kryengritësi shqiptar nga shekullin 18. Pikërisht në vitin 1730 Halili realizon një kryengritje me motive sociale dhe morale në Stamboll, nga e cila u trondit sulltanati Osman. Kjo kryengritje ia luajti truallin Sulltan Ahmetit të Tretë.
Në këtë pjesë e ka trajtuar këtë figurë si hero kryengritës të përmasave kombëtare dhe botërore. Ai e ka shtjelluar këtë problem me nënkapitujt: Halil Patrona në historinë e Perandorisë Osmane, hartuar nga Josef von Hammer, Kryengritja e jeniçerëve në Stamboll në krye me Halil Patronën në vitin 1730, Kërkest e Halil Patronës, Sulltan Ahmedi i Tretë pranon realizimin e kërkesave të kryengritësve, dhe Pasojat e kryengritjes së Halil Patronës në Stamboll dhe në krahinat e Shqipërisë.
Në vazhdim, autori, Qeriqi, prezanton artikujt: “Halil Patrona në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar’, “Halil Patrona në historinë dhe në literaturën turke”, “Halil Patrona në letërsinë dhe në Web-sajtet e historisë turke”, “Halil Patrona në letërsinë hungareze”, “Halil Patrona në literaturën botërore”, “Gjashtë tablotë e dy piktorëve më të mëdhenj të shekullit XVIII, Jean Baptiste Vanmour dhe Cornelis Calkoen”, për ta përmbyll këtë kapitull të librit të tij me një sikur në fillim, tekst, në të cilin edhe një herë shpreh shqetësimin e tij intelektual për indiferentizmin e studiuesve tanë, me titullin “Indolencë e pajustifikueshme, apo stërkeqje e kujtesës historike”.
Në këtë përmbyllje, si po shihet me një dozë nervozizëm, të teksteve që bëjnë fjalë për heroin Halil Patrona, Ahmet Qeriqi hap për studiuesit shqiptarë edhe një signal për të ecur drejt studimeve më të kompletuara, sidomos në fushë të folklorit, dhe duke shprehur një shqetësim legjitim për secilin intelektual shqiptar ai ua drejton studiuesve, veçanërisht historianëve, një kërkesë konkrete:
“Studiuesit dhe hulumtuesit e historisë së shekullit 18-të (thotë A.Qeriqi)e kanë për detyrë që ta ndriçojnë dhe t i thellojnë në të gjitha aspektet informatat e shumta për jetën dhe veprën e këtij kryengritësi mjaft të njohur në historinë e Perandorisë Osmane por gati fare i panjohur në tekstet e historisë e të popullit nga i cili doli.”
Në literaturën selektive mbi të cilën A.Qeriqi mbështet prezantimin e kësaj figure dhe qëndrimin e vet këmbëngulës për ta studiuar këtë figurë historike si pjesë të pandashme të historisë kombëtare, janë radhitur 76 burime (nga qindra sosh) në disa gjuhë të botës, si në gjuhën angleze, turke, shqipe, hungareze, serbe, italiane, japoneze, etj.
Në përmbyllje të këtij kapitulli të librit Fenomene shqiptare, autori Qeriqi ka sjellë disa piktura që u referohen personazheve dhe ngjarjeve të kryengritjes së Halil Patronës, të punuara nga piktori i mirënjohur botëror Jaen Baptist Vanmour (1671-1737), pikturat e të cilit, bashkë me ato të diplomatit-piktor gjerman, Cornelis Calkoen, mbushin galeritë botërore në Stamboll, në Romë, Berlin, Paris, në Vjenë dhe në qindra qytete të botës, por, do të përfundojë Qeriqi”…mjerisht mungojnë në galeritë shqiptare, sepse bota shqiptare ende nuk e njeh Halil Patronën, … sepse… ajo mbase nuk e njeh sa duhet as vetveten.”
Kjo Vepër e Ahmet Qeriqit, në të cilën është përfshirë edhe kapitulli për të cilin bëmë fjalë këtu, i jep dy porosi shumë të rëndësishme opinionit shqiptar. E para është që institucionet tona hulumtuese shkencore e kulturore të investojnë më shumë për të zbardhur fatin e figurave shqiptare që kanë vepruar në kohë të përparshme dhe në vende të ndryshme, qoftë edhe jashtë hapësirës së sotme shqiptare, sepse ato figura janë pjesë e këtij populli dhe me veprimtarinë e tyre kanë nderuar kulturën shqiptare qoftë nga aspekti historik, letrar, artistik etj.
E dyta është porosia që njeriu, me vullnet të fortë e dashuri për popullin e vet, siç është Ahmet Qeriqi, edhe në rrethanat më të pavolitshme gjen rrugën t’ i kontribuojë kulturës kombëtare.
Për këtë mendoj se me përkthimin e veprave të Reshad Ekrem Koçu, të cilat e kanë Halil Patronën personazhin kryesor, me përkthimin e veprave të shkrimtarit të madh hungarez Jokai Mor e vepra të tjera të shkruara për Halil Patronën, kultura shqiptare pasurohet nga aspekti historikisht edhe letrar.

Kontrolloni gjithashtu

Recak

Zymer Mehani: Kujtojmë një përvjetor të tmerrit- Masakrën e Reçakut

REÇAK-LUMËGJAK   Ujqër dhe hiena Të etura për gjak Me mëri e urrejtje Pa u ...