Dr. Ina Arapi: Për Konferencën e Eposit të Kreshnikëve

Më datën 8 dhe 9 gusht u mbajt në Prishtinë konferenca e dytë shkencore ndërkombëtare “Gjendja e tashme e Eposit të Kreshnikëve në pesë vende të Ballkanit: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal i Zi”, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Qendra e Studimeve Albanologjike Tiranë nën drejtimin e prof. dr. Zymer Nezirit. Iu përgjigja me shumë dëshirë ftesës për të marrë pjesë në këtë konferencë, duke qenë se po më jepej edhe një herë mundësia për të parë Dardaninë e vjetër ose Kosovën moderne, si dhe miqtë e kolegët e mi. Me prof. Zymer Nezirin jam njohur për herë të parë në Vjenë në vitin 2006 dhe që atëhere jemi në kontakt të vazhdueshëm. Puna e tij për mbledhjen, studimin dhe njohjen e eposit shqiptar në botë është impresionuese. Pasioni i tij të bën për vete.

 

Në seancën e hapjes salla e madhe e Institutit Albanologjik të Prishtinës ishte mbushur plot. Kishte shumë pjesëmarrës nga të gjitha viset shqiptare, si dhe studiues të huaj që merren me eposin shqiptar. Mes tyre do të veçoja profesoreshën Minna Skafte Jensen (Danimarkë), prof. Karl Reichl (Gjermani), prof. Robert Elsie (Kanada, Gjermani). Shikoj mjaft miq e kolegë, çka është edhe një ndër të mirat e konferencave shkencore, ku të krijohet mundësia për t’u njohur e takuar me shumë vetë. Por mbi të gjitha më gëzon takimi me  bashkëshorten e prof. Nezirit, Xhevahiren. E them këtë, sepse rasti i familjes Neziri është i veçantë. Puna e jashtëzakonshme e profesorit nuk do të kishte qene e mundur pa ndihmën e vazhdueshme të familjes së tij. Prandaj nuk habitem aspak kur vërej se sa e shqetësuar është Xhevahirja dhe i biri, Batoni. E kam të qartë se organizimi i konferencës, në mungesë të mbështetjes institucionale, është më tepër një ndërmarrje e ideuar dhe e realizuar nga familja Neziri dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të profesorit. E papritur për mua është mungesa e përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, megjithëse të parashikuar në program, por edhe të Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës. Bëhet fjalë për një nga komponentët kulturorë më të rëndësishëm të popullit shqiptar, që përgatitet për të hyrë në UNESCO si pasuri e trashëgimisë kulturore botërore.     

 

Punimet e Konferencës u zhvilluan gjatë ditës së premte, më 8 gusht, në tre salla dhe 13 panele. U paraqiten rreth 60 kumtesa me materiale të reja e shumë interesante, si dhe një film dokumentar mbi përhapjen aktuale të eposit shqiptar në pesë vende ballkanike ku jetojnë shqiptarët. Shpresojmë që materialet t’i bëhen sa më shpejt të njohura botës akademike, sepse ato të konferencës së shkuar, megjithëse të bërë gati teknikisht nuk po arrijnë të botohen për shkak se mungojnë fondet.

 

Ekskursioni në krahinën e Rugovës, që u bë ditën e dytë të Konferencës, ka lënë pa dyshim përshtypje të pashlyeshme te pjesëmarrësit. Në radhë të parë natyra madhështore e Grykës së Rugovës dhe bjeshkët e larta të Alpeve shqiptare. Në momentin kur po i afroheshim Shtupeqit të Madh, gratë malësore me veshjet e tyre tradicionale po zbrisnin nëpër shpatin e kodrës. Ishte një pamje si në filma. Ansambli folklorik autokton “Rugova”, i krijuar në vitin 1947, na pret me Vallen e Shpatave të kërcyer nga anëtari 86-vjeçar  Malë Kapllan Nikçi dhe stërnipi i tij 12-vjeçar. Pasojnë valle të tjera të burrave e grave dhe pastaj një pushim i shkurtër,  i cili na vlen sidomos për t’u njohur e prezantuar me të zotët e shtëpisë. Pastaj koncerti zhvendoset në verandën para lokalit. Këngë me lahutë e çifteli, por edhe melodi të interpretuara me gjethe, si dhe valle të ndryshme u japin mundësi të pranishmëve që ta përjetojnë nga afër folklorin e këtyre anëve, në ambjentin natyror ku ai ka lindur. Dreka e servirur nga restoranti “Bjeshka” me prodhime origjinale të vendit, si fli, fli me miell misri apo leqenik, djathë të bardhë, qingj të pjekur dhe në fund mazë të zieme si ëmbëlsirë, s’ka të sharë. Por memorialet që vizitojmë më pas në kujtim të viktimave të progromeve serbo-malazeze të vitit 1912 dhe tregimet e grave malësore për luftën e fundit në Kosovë na rikujtojnë se jeta në këto male nuk ka qenë vetëm këngë dhe se vallet pasqyrojnë një pjesë të realitetit historik, pse jo edhe një përgatitje me anë të lojës, siç do të thuhej në pedagogjinë moderne, të malësorëve të vegjël për betejat e ardhshme. Prandaj edhe më i madh është gëzimi, kur pas shumë shekujsh përpjekjesh të përgjakshme mund të përjetojmë momente qetësie, gëzimi e kënaqësie estetike në këto treva të sprovuara.

 

Gjatë kthimit ndalemi për një vizitë në Patriarkanën e Pejës. Kemi nevojë për një listë emrash me numrat përkatës të pasaportave. Hyrja këtu nuk është e lirë, objekti aktualisht mbrohet nga KFOR-i. Patriarkana ka formën e një manastiri që dikur mund të vizitohej nga kushdo, ndërsa sot është e rrethuar nga mure të larta, megjithëse rreziku nuk shihet kurrkund. Duket krejt e huaj në ambjentin ku qëndron, për më tepër zhgënjyese. Një kishë e vetme, e përbërë nga tre të tjera më të vogla, të ndërtuara në periudha të ndryshme, me afreske të dëmtuara nga koha dhe të restauruara shpesh e pa kriter nuk e justifikon aspak famën që gëzon.

Darka e kësaj dite shënon dhe mbylljen e punimeve të Konferencës së Dytë Shkencore për Eposin shqiptar të Kreshnikëve. Jam shumë e gëzuar, sepse pak më vonë para meje shfaqet miku im i viteve të para të qëndrimit në Vjenë, Shkumbin Brestovci, të cilin nuk e kam parë prej kohësh. Një kafe te “Sinfonia” dhe biseda rrjedh e rrjedh për të shkuarën e të tashmen.

Novobërda dhe Janjeva, prej nga vinin Bogdanët e vjetër

Të nesërmen takohemi në orën 9. 30. Para nisjes për Tiranë dëshiroj të vizitoj edhe Novo Bërdon e Janjevën, dy vende me të cilat jam ndeshur shpesh gjatë studimeve të mia dhe të cilat mezi pres që më së fundi t’i shoh edhe në realitet.

 

Udhëtimi ynë nis në lindje të Prishtinës në rrënojat e Ulpianës antike. Është e shtunë, fund jave dhe arkeologët nuk janë aty, por duken çadrat e tyre, pra edhe fakti që po gërmojnë në dy vende. Në hapësirën e dytë ka dalë në pah edhe tempulli i lashtë, si dhe disa varre, dëshmi e qytetërimit të lashtë të këtyre trojeve.

 

Në qytezën e sotme të Novo Bërdos arrijmë shpejt, por rruga për në kështjellën e famshme është më e gjatë seç kemi menduar. Ajo duket që larg, mjaft tërheqëse, por ndodhet lart, në majë të një kodre. Sapo arrijmë na del përpara një grua shumë e sjellshme, e cila administron një tip bujtine. Shkumbini më shpjegon se ka një iniciativë për gjallërimin e turizmit në fshat. Një ide shumë e mirë, e cila duhet mbështetur e zgjeruar. Këtu ke mundësi jo vetëm të çlodhesh në gjirin e një natyre virgjine, por edhe të jetosh nga afër një pjesë të historisë së famshme të këtyre trojeve. Ngjitemi në kështjellë, e cila fatkeqësisht është shumë e dëmtuar. Ruhen ende disa nga muret rrethuese dhe shumë grumbuj gurësh brenda tyre, si dhe një portë në formë harku, por pothuajse asgjë nga lavdia e dikurshme.

 

Për herë të parë kam lexuar për Novo Bërdon në veprën “Çeta e profetëve“ të arkipeshkvit Pjetër Bogdani. Këtu, kur flet për ujin si element pa ngjyrë, ai shpjegon se nëse në Janjevë, Shkup e Novobërdë duket si i verdhë, kjo vjen ngaqë dheu ku rrjedh ka damarë ari, argjendi ose metalesh të tjera (Pjesa I, fq. 36, paragrafi 15. Në origjinal: ndè duketè kund ſe ujetè rjeƹ tè ngȢem, poſſi duketè mb’jagnevè, e Scup’, e Nouobardè, ku mbé diſſa viſſe rjeƹ verƹè, goditète dejſcit ſè ƹeut, chi janè tè Arit kahè ezen, ò rjeƹ, tue kjanè ƹeu plot zeha, Ari, Regiandi, e ſciumè duer s’jeter gianje.). Pasuritë e shumta minerale të këtij territori ai i përmend edhe në relacionin mbi Kosovën dërguar një vit e gjysmë më parë në Romë, më 1 janar 1684: Duke ecur prej Prizrenit drejt veriut, arrihet për një ditë udhëtim në Fushë-Kosovë. Është ky vend shumë i rrafshtë, i rrethuar me xeherore të arit, të argjendit dhe të metaleve të tjera, të ruajtura në qytetin e Novobërdës, që gjendet në malin mbretëror të Argjentinës. Sa është ky mal i varfër e i zhveshur nga jashtë, aq është i pasur përmbrenda me xehe (sipas Sedaj 1990: 20). Në kohën e tij Novobërda ishte një nga qytetet më të mëdha në Ballkan dhe shumë i lulëzuar në saje të minierave të pasura, të cilat vazhdonin të shfrytëzoheshin edhe në ish-Jugosllavi. Por koha dhe sidomos ndryshimet e mëdha pas viteve ’90 e kanë rrënuar. Sic transit gloria mundi.

 

Rikthehemi drejt Prishtinës për të vazhduar udhëtimin në një tjetër vend me histori të madhe, në Janjevë. Është gjithashtu një emër shumë i njohur për mua. Kalojmë para një restoranti luksoz të sapohapur me emrin “Anija” dhe para syve na del fshati i sotëm, qyteti i dikurshëm, i cili shtrihet mjaft thellë në luginën e ngushtë deri në shpatet e kodrave. Edhe sot Janjeva është mjaft e madhe për një fshat, me shumë shtëpi në të dyja anët e rrugës së ngushtë. Ngjitemi lart nëpër kalldrëm në vapën që tani është bërë gati e padurueshme deri në shtëpinë e restauruar të Shtjefën Gjeçovit në lagjen e Geçoviçëve. Shtëpia është e mbyllur dhe përmes xhamave të thyer duken dhomat bosh. Do të kisha dëshiruar diçka më shumë për këtë shtëpi: më shumë mirëmbajtje, tabela me shpjegime, lule, ndonjë bust apo basorelief të studiuesit të paharruar, mbledhësit të Kanunit zëmadh të Alpeve shqiptare.

 

Janjeva strehon prej shekujsh në gjirin e saj një komunitet të lashtë kroat, por që sot fatkeqësisht po braktiset prej tij. Mësojmë menjëherë se rreth 5000 vetë janë larguar drejt Dubrovnikut pas luftës së fundit në Kosovë dhe vetëm 200 pjesëtarë të këtij minoriteti kanë mbetur ende këtu. Një pasuri e madhe kulturore për vendin, megjithatë mungojnë siç duket përpjekjet e nevojshme për ta ndaluar braktisjen dhe për ta ruajtur këtë diversitet kulturor e gjuhësor që e pasuron Kosovën. Të ikurit janë zëvendësuar nga shqiptarë të ardhur prej zonave rreth e rrotull, dukuri kjo e përhapur që në mesjetë, kur Janjeva ishte e njohur për minierat e saj të arit dhe argjendit. Ndeshemi me dy kushërira të At Shtjefën Gjeçovit, të cilat nga ballkoni i shtëpisë së tyre flasin në kroatisht me Shkumbinin dhe i shpjegojnë se e kanë të vështirë të kujdesen vetë për shtëpinë e tij, prandaj edhe e kanë mbyllur. Një zyrë turistike që është përuruar para pak kohe ka qëndruar e hapur vetëm një javë! Përpjekja për turizëm fshatar këtu mund të quhet e dështuar. Në vështrim të parë asgjë nuk të kujton vendlindjen e atij që Faik Konica e cilëson si “një nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria” (Konica 1933: XXXXV) dhe as lavdinë e dikurshme të vendit që është shquar qysh në mesjetë për përparimin dhe kulturën e tij. Më shumë mësojmë gjatë vizitës në kishën kroate, mjaft e madhe kjo për një fshat, prej njërit prej banorëve. Ai e lidh vendosjen e këtij komuniteti kroat në gjirin e Kosovës me ndërtimin e Manastirit të Deçanit dhe pohon se paraardhësit e tij ishin ndërtuesit e këtij Manastiri, të cilët më pas u vendosën këtu për të vazhduar jetën e tyre duke formuar kështu një vendbanim të përzier, ku etnitë e ndryshme ishin shkrirë me njëra-tjetrën. E ata nuk ishin të vetmit të huaj, sepse atëherë kishte edhe të tjerë, si p. sh. saksë që punonin gjithashtu si minatorë.

Jemi vonuar shumë. Shkumbini ka punë, duhet të shkojë në një dasmë. Gjë e zakonshme në këtë kohë. Arrijmë në stacionin e autobusave dhe megjithëse autobusi i firmës Beli është gati për nisje, preferoj të udhëtoj me autobusin tjetër që niset gjysmë ore më vonë. Për katër orë do të jem në Tiranë.

 

Epilog rreth çështjes së pazgjidhur ende të vendlindjes së Pjetër Bogdanit

Prej dy studiuesve të Universitetit të Zarës mësojmë se Republika e Dubrovnikut, duke u bazuar te privilegjet e dhëna nga sunduesit serbë të dinastisë Nemanjiç, gjatë shekujve XIII dhe XIV ngriti në Serbi disa koloni. Njëra prej më të fuqishmeve ishte Janjeva, e cila i përkiste rajonit minerar tradicional të Novo Bërdos dhe Kopaonikut, me depozita të rëndësishme të plumbit dhe argjendit, ku e kishte rezidencën edhe njëri prej konsujve të Republikës. Kjo pozitë gjeografike ndikoi në zhvillimin ekonomik të saj dhe Janjeva ishte krahas Novo Bërdos një qendër e njohur në Serbinë mesjetare. Janjevcit, sipas këtyre studiuesve një ndër grupet etnike kroate më të vjetra, kanë jetuar në Kosovë për shtatë shekuj midis shqiptarëve dhe serbëve, që përbënin shumicën. Ata i referohen relacionit të arkipeshkvit të Tivarit, Marin Bizzi, dërguar më 1610 Papa Palit V, sipas të cilit në këtë vit në Janjevë jetojnë 500 familje, prej të cilave 120 katolike, 180 myslimane dhe 200 ortodokse (Šiljković/Glamuzina: 2004: 89-91). Marin Bici shkruan: „… në mëngjes heret arritëm në Janjevë që asht e vendosun midis disa kodrave të zgavërrueme prej minierave t’argjantit që aty nxiret me sasi të madhe“ (Sipas Kamsit 1985: 106).

Gjatë mesjetës së hershme dhe më vonë Janjeva, në bashkëveprim me Novobërdon, u shqua jo vetëm si qytet i zhvilluar ekonomikisht, falë nxjerrjes dhe shfrytëzimit të metaleve të çmuara, por edhe si një ndër kështjellat e katolicizmit në dioqezën e Prizrenit dhe krejt Kosovën. Popullsia e përbërë kryesisht nga kroatë e shqiptarë jetonte në një bashkëjetesë të mirëfilltë, që e kishte bazën në besimin e përbashkët, pa u diferencuar etnikisht. Kjo duket në faktin që të dyja gjuhët përdoreshin dhe përdoren paralelisht, si dhe te emrat, të cilët ishin sa shqiptarë të sllavizuar, aq edhe sllavë të shqiptarizuar. Kjo shkrirje nxitej ndoshta edhe nga martesat e përziera. Janjeva ka nxjerrë gjatë historisë shumë klerikë të shquar. At Luigj Pali ose Paliqi Martir dhe Shtjefën Gjeçovi ishin dy prej fretërve të shumtë që ka nxjerrë ky komunitet.

Edhe familja e Bogdanajve, prej së cilës rrjedhin arkipeshkvët e mëdhenj Andrea e Pjetër Bogdani, duhet ta ketë pasur këtu shtëpinë stërgjyshërore dhe të ketë banuar këtu prej shekujsh. Këtë e vërtetojnë mjaft fakte. Kështu, sipas Fishtës (1939: 434), i cili mbështetet në veprën Illyricum Sacrum të J. Coletti-t,  Ndre Bogdani kishte lindur “në Paga Janania (=Janjevë), në dieçez të Pezrêndit kah vjeti 1595. Njëzet-e-kater vjett e para i kaloi në vend-lindje, ku edhe i bâni këndimet e para”. Sipas Kamsit (1985: 108) “Më 1671, kohën e vizitës së Shtjefën Gasparit, Ndré Bogdani, në vend që të rrinte në seli, në Shkup, kishte caktue për vendqendrim të vetin Janjevën dhe për kishë katedrale kishën e saj kushtue shën Nëkollit, tue qenë se kisha katedrale e Shkupit kishte qenë kthye në xhami”. Edhe deklarata që përfshihet në veprën “Çeta e profetëve” të të nipit, “i biri i tim vëllai”, mban datën “Në Janjevë të Shkupit në Serbi, më 10 tetor 1683”, rreth një muaj para vdekjes së tij. Nga kjo duket qartë që, pasi kishte dhënë dorëheqjen nga posti i arkipeshkvit, Ndre Bogdani ishte kthyer në vendlindje për të kaluar pleqërinë. Ai vdiq atje më 23 dhjetor 1683 dhe u varros në kishën e Shën Kollit (Marlekaj 2008: 168).

Gjoni dhe Luka, njëri nip dhe tjetri kushëri i arkipeshkvit Pjetër Bogdani, që i njohim edhe nga libri i tij, përkatësisht si lëshues të një deklarate dhe si poet, kishin lindur gjithashtu në Janjevë. Po kështu në letrën që vëllai i Gjonit, Gjergj Bogdani, dërgon në Romë nga Pulti më 20 dhjetor 1689, njofton jo vetëm për vdekjen e të ungjit, Pjetër Bogdanit, por edhe për masakrat e turqve, të cilët ia kishin djegur shtëpinë dhe gjithë pasurinë e të jatit në Janjevë (Sedaj 1990: 17). Pra, të gjithë të afërmit e Pjetër Bogdanit jetonin në Janjevë. Atëhere si ta kuptojmë thënien e tij se duke qenë nga Guri ndë Has nuk e njeh siç duhet shqipen letrare të kohës? Ky pohim duhet lidhur me faktin që ungji Andre e kishte marrë qysh të vogël me vete në Has, ku ushtronte misionin e tij, me qëllim që ta përgatiste për detyrën e ardhshme duke e vënë të shërbente gjatë meshës në kishën e Hasit (Marlekaj 2008: 16). Veç kësaj, e jëma e Pjetrit rridhte nga familja shqiptare Mazrreku prej Hasit, së cilës i përkitte edhe arkipeshkvi Pjetër Mazrreku (Marlekaj 2008: 11). Ka mundësi që këtu të kenë qendruar përkohësisht prindërit ose vetëm e jëma gjatë lindjes së tij. Por shtëpia atërore ishte sipas të gjitha gjasave në Janjevë. Kjo përputhet edhe me atë çka na thotë ai në fund të veprës së vet, kur na flet pë lashtësinë e familjes dhe dëshmon se parardhësve të tij iu dha prej perandorit Shtjefënë Nemanja toka që shtrihet nga Hekuri/Samokovo në lumin e Asit, sot Vardarit. Janjeva ndodhet mbi këtë fashë toke. Që këtej, dom Gjergj Bogdani i dërgon më 15 prill 1705 Kongregacionit në Romë edhe një kopje të testamentit të të ungjit duke shpallur se është trashëgimtar i ligjshëm i pasurive të tija (Marlekaj 2008: 771). Të gjitha këto, por edhe të tjera që nuk mund të rrjeshtohen këtu, më bëjnë të arrij në përfundimin se arkipeshkvi i ardhshëm, vërtet e ka kaluar fëmijërinë në krahinën e Hasit, prej nga trashëgoi edhe gjuhën e mirëfilltë amtare, por vendi ku banonte prej shekujsh familja Bogdani duhet të ketë qenë me siguri Janjeva. 

 

Literatura:

 

Fishta, Filip. 1934. Njohtime historike mbi argjipeshkvijt e Shkupit. Në: Hylli i Dritës, Shkodër, X/1934, Nr. 9-10, fq. 428-441.

Kamsi, Villi. Fillimet e arkeologjisë shqiptare dhe kontributi i Shtjefën K. – Gjeçov – Kryeziut. Në: Shtjefën Gjeçovi – Kryeziu, Vepra 4. Studime & Monografi. Përgatitjen për shtyp e bëri: Ramiz Kelmendi dhe Fahredin Gunga. Prishtinë 1985. Rilindja. Fq. 104-115.

Konica, Faik. 1933. Ca kujtime mbi At Gjeçovin. Në: Kanuni i Lekë Dukagjinit, 1933.

Marlekaj, Luigj. 2008. Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës së tij. Shkodër. Botime Françeskane. Sedaj, Engjëll. 1990. Pjetër Bogdani dhe vepra e tij. Në: Pjetër Bogdani Çeta e Profetëve (I) Cuneus Prophetarum. Botohet me rastin e 300 vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit. Prishtinë.

Šiljković, Željka/Glamuzina, Martin. 2004. Janjevo and Janjevci – from Kosovo to Zagreb. Në: http://hrcak.srce.hr/file/14787

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dhjetë alfabete të gjuhës shqipe, të cilat i ka prezantuar në një libër studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I

Me ardhjen e tij ne Shqiperi, pushteti Osman solli me vete kulturen e tij te …