Dr. Jakup Krasniqi: “Mashtrimi i madh” një libër më se i duhur

Duke lexuar librin e veprimtarit dhe politikologut të shquar Bardhyl Mahmuti, “Mashtrimi i madh” (botues“Çabej”, Tetovë, 2015) që në fillim krijon bindjen se kemi të bëjmë me një libër përmasash enciklopedike të fushës përkatëse, historiografike, një apologji e mirëfilltë çështjes shqiptare, po aq edhe sociopsikologjike e rezistencës dhe qëndresës përballë mashtrimeve të mëdha nga autorë e instanca lidhur me fatin e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone. Libri i shkruar dhe i sajuar metodologjikisht për t’u lakmuar, ka 587 faqe dhe është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë përbëhet nga shtatë kapituj ndërsa pjesa e dytë gjithsej tre kapituj.


 


“Mashtrimi i madh” i Bardhyl Mahmutit është një polemikë e gjallë, polemikë e zhvilluar me autorë të ndryshëm të Perëndimit, historianë, filozofë, sociologë, psikologë, analistë, publicistë e gazetarë tekanjozë e të papërgjegjshëm, gjithsesi tendenciozë, të cilët, për shkak të ndjenjave e “bindjeve” të tyre antiamerikane e anti NATO,  shkruan libra në mbrojtje dhe arsyetim te politikës së gjenocidit serb të Millosheviqit, për ta “mbrojtur Evropën nga imperializmi amerikan”,siç ironizon autori me pandehmat e tyre (f. 194).


Nuk mund të anashkalohet pa u thënë, duke u mbështetur në empirinë krijuese e studiuese, vlerësuese e krahasuese, objektive dhe të faktuar, se vepra e Bardhyl Mahmutit, “Mashtrimi i madh”, që u botua këto ditë, nuk do të qe aspak e lehtë të shkruhej, sistemohej, kurorëzohej e publikohej as nga institutet e specializuara, të thirrura apo të krijuara për projekte të tilla, me interes sa kombëtar aq edhe shtetëror, jo më nga një njeri i vetëm. Kjo tregon, e them pa ekuivok e hezitim, se autori në ketë rast ka treguar dhe reflektuar energji pozitive e profesionale, njohje e iluminim përmbajtjesor të lëndës që parashtron, natyrisht me kapacitet a përmasë të lartë intelektual, një përkushtim të veçantë dhe emeritus në mbrojtjen me argumente të pakontestueshme të rolit dhe të rëndësisë së luftës çlirimtare të UÇK-së. Kam bindjen se kryeveprën e shqiptarëve për liri e pavarësi – Luftën Çlirimtare të UÇK-së – në një formë a tjetër do ta lartësonte e identifikonte aq qartë dhe argumentueshëm siç e ka bërë politikologu ynë, Mr. Bardhyl Mahmuti. Sepse, një vepër dhe një kurorë studimore, siç është “Mashtrimi i madh”,është dashur ta bëjnë kohë e kohë, veç e veç, por edhe së bashku akademitë tona,institutet tona shkencore: si ato të historisë apo të albanologjisë! Por, me keqardhje duhet të konstatoj se intelektualët, studiuesit dhe akademitë tona duket se janë më shumë se të përgjumura.


 


Ky libër, bashkëveprimtarit dhe mikut tim të ilegales, proceseve gjyqësore, burgjeve, rezistencës pasive e aktive, do t’i ketë marrë jo pak kohë, madje do thosha shumë energji, mund e përgjegjësi intelektuale, por ngushëllim i gjithë kësaj pune qëndron në faktin se i është çjerrë maska dhe e ka përmbysur me fakte e dëshmi të shumta “Mashtrimin e madh” të përgatitur në kuzhinat e neofashizmit serb të Millosheviqit, i cili (mashtrim) u përqafua “verbërisht” nga “negacionistët” e “recidivistët” e “rinj” të Perëndimit, që u ka ngecur ora në mbrojtje të të pambrojtshmes, të cilët u përkasin të gjitha ideologjive, por dominojnë ato të ekstremit të djathtë e të majtë. Sipas autorit: “Negacionizmi nënkupton tërësinë e qëndrimeve të miratuara dhe shpjegimeve të dhëna për të mohuar vërtetësinë e gjenocidit ose një krim kundër njerëzimit. Në ketë aspekt… mohimi i gjenocidit mund të konsiderohet si pjesë përbërëse e krimit, e ndërthurur me të, sepse përcakton strategjinë e shkatërrimit të së vërtetës dhe kujtesës”. (F. 264).


Kjo vepër është e domosdoshme që të përkthehet në sa më shumë gjuhë, natyrisht fillimisht në gjuhët kryesore me ndikim në rrjedhat botërore: angleze, frënge e gjermane dhe të shpërndahet gjithandej nëpër botë, të paktën në ambasadat dhe konsullatat tona, për çfarë edhe janë hapur dhe kanë mision, për të përhapur dhe dëshmuar të vërtetën e luftës sonë të drejtë. Rezistenca dhe lufta jonë çlirimtare duhet të mbrohen dhe të argumentohen, sot e gjithë ditën dhe, le ta themi ironikisht, më shumë se dje! Kjo çështje tani duhet të jetë përgjegjësi e institucioneve të shtetit tonë, por nuk është ndonjë mëkat po të themi edhe e shtetit shqiptar, apo edhe e kompanive te fuqishme që fitimin e kanë nga tatimpaguesit shqiptarë. Si një nga argumentet e shumta kundër atyre që e mohojnë gjenocidin në Kosovë, Bardhyl Mahmuti, në librin e tij “Mashtrimi i madh” sjell edhe përshkrimin e shumë aktorëve të pushtetit dhe establishmentit serb, por edhe të shumë gazetarëve, intelektualëve e humanistëve nga Serbia, por edhe ndërkombëtarëve të ndryshëm si Dominique Lecomte (Dominik Lëkont), udhëheqëses së Institutit Mjeko-Ligjor të Parisit, e cila qëndroi në Kosovë me mandat të Tribunalit Penal Ndërkombëtarë për Ish-Jugosllavinë. Dominique Lecomtesjell një rrëfim rrëqethës për krimet serbe të kryera në Kosovë. Ajo, në fund të raportit të saj, konstatoi: “Me të kthyer në Paris mendoj se një problem i ri do të më dalë: do të më duhet të pajtohem me qenien njerëzore!” (F. 306).


 


Duhet ta nënvizojmë edhe një fakt tjetër se në Francën e Volterit e të Robespierit, të Hygoit e të Rusoit i kishim dhe i kemi mbështetësit e luftës sonë të drejtë dhe, me këtë rast, do ta veçoja qëndrimin e Presidentit të Francës, Jacque Chirac (Zhak Shirak), i cili në mesazhin e tij televiziv për operacionin serb, pati thënë se “fjala është për një operacion te përbindshëm spastrimi etnik të planifikuar dhe të udhëhequr me cinizmin më të lartë dhe me mizoritë më të mëdha të regjimit serb (…) Këto mizori (…) janë turp për Evropën dhe për botën. (…) Barbaria nuk mund të ketë fjalën e fundit. Drejtësia duhet të ngadhënjejë dhe kriminelët do të japin llogari.” (F. 212-213).


 


Libri i Bardhyl Mahmutit është një polemikë e nivelit të lartë shkencor, intelektual e profesional dhe është shumë mirë i argumentuar. Argumentet kryesisht janë të proveniencës serbe apo edhe të autorëve të Perëndimit, ndaj ky fakt e bën edhe më të pranueshëm për lexuesit e huaj. Sepse, në fakt, ky libër pikërisht atyre edhe ju dedikohet. Duke lexuarin librin, herë-herë të krijohet përshtypja e përsëritjes, por duhet thënë se edhe përsëritja është në shërbim të argumentimit dhe të demaskimit të “Mashtrimit të madh”. Libri është një përballje e së vërtetës së hidhur, e cila ka ndodhur në Kosovë me gënjeshtrën e inskenuar në Beograd dhe të përqafuar edhe nga miqtë e tyre, të përqendruar kryesisht në Francë, por jo vetëm aty, ku janë shkruar shumë libra që demonizojnë luftën e popullit të Kosovës, sidomos UÇK-në. Kulmi i këtij demonizimi është raporti i Dick Martit, i miratuar në Këshillin e Evropës, mbi bazën e të cilit po ngrihet Gjykata Speciale mbi pretendimet e atij raporti, për gjoja krimet e UÇK-së! Është e dhimbshme, por është fakt, pikërisht mbi bazën e “mashtrimit të madh”, të gënjeshtrës së fabrikuar, të derivuare të stërpërsëritur nga kuzhina millosheviçiane dhe e miqve të asaj politike, pritet të ngrihet “Gjykata Speciale”! Përse? Për t’i dënuar “krimet” e pretenduara të UÇK-së! E pra, sot e gjithë ditën kjo gjykatë po ngrihet mbi pretendimet e “negacionistëve”, të cilët e mohojnë krimin dhe gjenocidin serb në Kosovë. Po ngrihet mbi pretendimet për trafikim të organeve në Kosovë, për të cilën gjë edhe kirurgu i njohur serb i kirurgjisë vaskulare, Goran Kronja,  i cili ka qenë shef i ekipit për transplantimin e organeve në Akademinë Spitalore Ushtarake në Beograd thotë:“Tregimet për trafikimin e organeve në Kosovë janë marrëzi. Ku janë provat materiale?”(F. 493). Pyet me të drejtë ai, për të vazhduar: “Truri që e ka menduar një gjë të tillë duke u bazuar në indikatorë të paverifikuar, të pabesueshëm është gjithashtu i përbindshëm.” (po aty). Nuk ka asnjë dyshim, se jo vetëm akuzat për trafikim organesh, por edhe për shumë vrasje të tjera, janë ngritur mbi gënjeshtra. Paul Leautaud thotë se “gënjeshtra çmohet më shumë se e vërteta: pothuajse të gjithë janë gati ta besojnë”.


 


Për të demaskuar gënjeshtrën e sajuar për trafikim organesh autori ka mundur t’iu referohet edhe kirurgëve të ndryshëm të shteteve të demokracive perëndimore. Por, qëndrimet e kirurgut serb, i cili kishte bërë mbi 200 transplantime organesh dhe i cili e njeh realitetin e mundësive teknike për kryerjen e këtyre operacioneve ka peshën e vet të madhe për lexuesin. Një ekspert serb zhvesh motivet politike të sajimeve  që kishin për qëllim ta njollosin luftën tonë çlirimtare dhe udhëheqësit e saj.


Për ne, nuk ka asnjë dyshim se si Raporti i Dick Martit dhe hetimet e Williamson-it janë ngritur mbi gënjeshtrën serbe. Kushdo që e lexon librin e Bardhyl Mahmutit, do të vijë në një përfundim të tillë. Prandaj duhet të gjenden të gjitha mundësitë për përhapjen e tij në opinionin e gjerë dhe me theks të veçantë në opinionin e botës demokratike, prej nga edhe po vijnë kërkesat dhe presionet për themelimin e Gjykatës Speciale. Tjetër gjë është nëse Gjykata Speciale ngritet për krimet politike e ekonomike të pas luftës, për shkak të mosfunksionimit apo edhe të kapjes së Sistemit të Drejtësisë nga krimi i organizuar. Kjo do të ishte çështje tjetër, për të cilën gjë autori nuk shkruan, duke qenë se libri ka tjetër objektiv.


 


Kjo propagandë çerdhen e fabrikimit pa dyshim që e ka në shtabin e Millosheviqit, i cili shtab kishte për qëllim “manipulimin e opinionit publik”. Autori sjell në kujtesë thënien e njohur të Ministrit të Edukimit të Popullit dhe të Propagandës së regjimit nazist, Joseph Goebbels, se “sa më e madhe është gënjeshtra, aq më e lehtë kalon! Sa më e shpesh të përsëritet, aq më shumë i beson populli!”  (F. 162). Pra, e ngjashme ose edhe më e sofistikuar sesa shkolla gebellsiane e propagandës, ishe propaganda serbe e Millosheviqit, e cila i kishte degët e saj edhe në disa qarqe evropiane, e sidomos aty ku mohohet gjenocidi serb (Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci e Kosovë).


 


Autori i librit, Bardhyl Mahmuti, një kapitull të veçantë ia kushton vrasjes së civilëve të pafajshëm në fshat Reçak, një tjetër inskenimit të “krematoriumit” të inskenuar serb në Kleçkë si dhe vrasjen e të rinjve serbë në kafen “Panda” në Pejë. Kur të lexohet me kujdes ky libër, lexuesi do të shohë se ç’fshihet prapa debateve dhe polemikave lidhur me cilësimin e kësaj tragjedie si “masakër” apo mohimi i këtij cilësimi. Duke u mbështetur në konventën ndërkombëtare për parandalimin dhe dënimin e gjenocidit, që përbën bazën juridike të së Drejtës Penale Ndërkombëtare, autori i vendosë edhe këto vrasje në kuadër të politikës së gjenocidit që pushteti i Beogradit e kishte përgatitur dhe zbatuar kundër shqiptarëve të Kosovës. Vetëm në kuadër të një analize të këtillë sqarohet përse spastrimi etnik, dhuna seksuale dhe vrasjet që kishin për qëllim shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm, fizik ose biologjik të shqiptarëve të Kosovës, përbëjnë gjenocid. Autori me profesionalizëm, duke përdorur argumente e kundërargumente dhe dëshmi të ndryshme serbe, dekonstrukton përpjekjet serbe për “krematoriumin” e Kleçkës dhe inskenimin e vrasjes së të rinjve serbë në kafe “Panda” në Pejë. Rastin “Panda” e demantoi edhe kryeministri i tashëm serb dhe shkrimtari e politikani serb, Drashkoviq.


Krahas ndriçimit të këtyre çështjeve thelbësore, në veprën e Bardhyl Mahmutit trajtohen në mënyrë shkencore dhe zhvishet në tërësi ajo që fshihet prapa cilësimit të shoqërisë shqiptare “si shoqëri klanore”? Përse togfjalëshi emëror “mafia shqiptare” është sajuar me qëllim të stigmatizimit të UÇK-së? Kush e sajoi këtë nocion dhe kush janë intelektualët që hynë në kumbarinë e përhapjes së kësaj sajese?Të gjitha këto i gjejmë të zbërthyera në librin “Mashtrimi i madh”.


 


Ngushtësisht e lidhur me këtë formë të stigmatizimit të shqiptarëve dhe UÇK-së, autori sqaron se kush e sajoi gënjeshtrën për “Trajtimin çnjerëzor të personave dhe trafikimin kundërligjor me organe njerëzish në Kosovë”. Në cilat burime informative u mbështetën Carla del Ponte, Dick Marty dhe dhjetëra personalitete të orientimit ideologjik të majtë apo të djathtë,të cilët shpërndanë këtë gënjeshtër? Kush qëndron prapa vrasjes së civilëve në Kosovë? Çka përmbajnë listat e krimeve që i vishen UÇK-së? Përse krijimi i Gjykatës Speciale për të hetuar akuzat e Dick Marty-t është diktat ideologjik i politikës mbi drejtësinë?


Këto dhe shumë pyetje të tjera të lidhura me “Mashtrimin e madh” dhe opinionin publik, do t’i gjejmë si një përgjigje shkencore dhe të mirë argumentuar në librin e politologut Bardhyl Mahmuti.


Pa dyshim se edhe lexuesi ynë, i etshëm për njohje e objektivitet shkencor, do ta ketë rastin e mirë të komunikojë me një vepër të munguar në historiografinë më të re shqiptare, studimet krahasimtare e metodologjike të pashmangshme për tema të caktuara, veçanërisht tema më e përfolur dhe aktuale sot për sot.


Përgëzimet e mia të sinqerta punës së palodhshme të veprimtarit e politikologut, mikut e iluministit të ditëve tona, Bardhyl Mahmuti, me kurorën e tij shkencore për t’i dhënë fund “Mashtrimit të madh”!

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …