leoni

Dr: Rexhep QOSJA: Ringjallja kërcënuese

1. Duhet të brengosemi! Duhet të brengosemi pse është ringjallur zyrtari i lartë i regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Ringjalljen e tij e kanë ndihmuar disa anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. E kuptueshme: kanë obligime të vjetra të ndërsjella! E kuptueshme: kanë leverdi të tashme dhe të ardhshme të përbashkëta! Kjo ringjallje, dhe këto obligime të ndërsjella, dhe këto leverdi të tashme dhe të ardhshme të këtij të ringjalluri me ata që e kanë ndihmuar të ringjallet duhet të na brengosin shumë. Duhet të na brengosin shumë dhe duhet të merremi me to! Nuk do të flas me këtë rast për brengat tona tona, siç janë gjendja në Veriun e Kosovës, as për papunësinë e madhe, as për bashkëqytetarët tanë që jetojnë në varfëri të skajshme, as për numrin e pa zvogëluar të të rinjve që të ardhmen e kërkojnë në botën e huaj, as për mjerimin social,


nënçmues të pensionistëve, as për pasurimin e shpejtuar të disa njerëzve, as për korrupsionin. Për të gjitha këto po flasin shumë të tjerë: disa po flasin sa për të folur e disa po flasin edhe të brengosur pse nuk mund t’u gjenden lehtë zgjidhjet. Do të flas për ringjalljen fatale të ish zyrtarit të lartë të regjimit të Millosheviqit në Kosovë dhe për disa brenga në shikim të parë më të vogla, por me domethënie të madhe e me pasoja afatgjata që i sjell kjo ringjallje në bashkëpunim me ringjallësit e tij akademikë. Do të flas për politikën tribaliste staliniste të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe për gjendjen plotësisht të partisuar në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që bashkërisht tregojnë sesa e cenueshme dhe e cenuar është demokracia në jetën tonë. Sulmet e tyre ndaj meje, partiakisht të bashkërenditura, flasin për një gjendje në jetën tonë politike e


intelektuale, që nuk duam ta shohim, por që do të duhej të na brengoste shumë. Kjo gjendje më brengos dhe më brengos jo pse ato, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me sulmet e tyre mbitokësore e nëntokësore mund të më dëmtojnë mua si vetje a si krijues. Jo! Vepra ime mendore dhe vepra ime politike, i duron ato siç duron çdo bjeshkë një frymë të ligshtë e të përkohshme. Më në fund sulmet e tyre, në të cilat, përpos partiakëve, po marrin pjesë edhe disa shkrimtarë më të partisuar se vetë partia, vetëm sa më gëzojnë dhe më gëzojnë sepse e pasurojnë jetëshkrimin tim, i cili një ditë gjerë e gjatë do të shkruhet. Pse jo? Unë e di, dhe këtë që di përpiqem e punoj ta bëj njëmendësi, sesa më i përndjekur të jetë një shkrimtar në kohën e tij, aq më i çmuar do të jetë për brezat e ardhshëm. Dhe, më tej: unë e di se për një shkrimtar, i cili


jetën ia ka kushtuar letërsisë dhe ia ka kushtuar jo për t’u ushqyer prej saj, por për të ushqyer vlerat estetike, etike, kombëtare dhe shoqërore, të jesh i përndjekur prej Pinarëve të kohës sonë, si Bodleri prej Pinarit francez në kohën e tij, është lëndë për trajtim të veçantë historik. Ato sulme tregojnë sesa thellë ka depërtuar prishësia politike e LDK-së në jetën tonë dhe sesa  fort   rrezikohen  prej saj ideja e demokracisë dhe liria e mendimit dhe e shprehjes. Unë nuk do ta quaja mendjen e tyre të errësuar siç e quajnë ata timen; jo; të errësuar, madje të prishur, madje të çartur unë quaj vetëdijen e tyre, ndërgjegjen e tyre, etikën e tyre të paqenë intelektuale dhe politike!


 


     2. Duhet të brengosemi pse në shoqërinë tonë kemi një parti siç është LDK-ja, në politikën, në taktikën dhe në strategjinë e së cilës janë salduar jo vetëm banaliteti dhe agresiviteti i sojit të mendjes së cilës i mungon kultura elementare, por edhe inxhinieringu politik pushtetar, për përmbysjen e të cilit Evropës i është dashur luftë e gjatë politike dhe, madje, ushtarake, për fat të keq jo përgjithmonë e fituar: inxhinieringu politik pushtetar stalinist – fashist. Nuk mund të quhet ndryshe, përpos inxhiniering stalinist-fashist dhuna politike, gjithmonë paralajmëruese e dhunës fizike, e asaj partie që ushtron ndaj një intelektuali të pavarur vetëm e vetëm pse kritikon të kaluarën e saj, korrupsionin e saj, uzurpimet e saj, mashtrimet e saj. Gjashtë sulmet e kryetarit, nënkryetarit, sekretarit, prapë kryetarit, Kryesisë dhe prapë Kryesisë së LDK-së ndaj meje, së bashku me ushtruesit e


tjerë të punëve të ndyta të saj, të paguar mirë, do të mbesin shembull i patologjisë politike të një partie në jetën politike kosovare. Do të kujdesem që ky shembull të mbetet në hollësi i shpjeguar. Një patologji të tillë partiake nuk mund ta komprometojë dhe ta frenojë vetëm Rexhep Qosja: një patologji të tillë partiake mund ta komprometojmë dhe ta frenojmë vetëm në qoftë se ajo i brengos edhe shumë të tjerë – intelektualë dhe jo vetëm intelektualë.


 


     3. Duhet të brengosemi pse mediat tona, në pjesën më të madhe të tyre, janë të uzurpuara siç ka ndodhur vetëm edhe në kohën e komunizmit. Institucionet ndërkombëtare më shumë herë janë marrë me kontrollin, domethënë me uzurpimin e mediave në shoqërinë tonë, por personalisht e provova se ky kontroll, ky uzurpim i tyre është shumë më i fortë se ç’e theksojnë ato institucione. Nuk mund ta di sesi krejt, me çfarë mjetesh krejt, janë vënë nën kontroll, janë uzurpuar këto media në shoqërinë tonë. Mund të supozoj se disa prej tyre janë vënë nën kontroll me paratë e partive që kanë para si LDK-ja ose janë shantazhuar me mjetet e mënyrat me të cilat parti si LDK-ja dinë dhe mund t’i shantazhojnë drejtorët, kryeredaktorët, redaktorët e gazetarët e disa mediave jetëshkrimet politike të të cilëve janë lehtë të shantazhueshme, siç është, fjala vjen, kryeredaktori i Botës sot, ish


anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë në vitin 1989, i cili, në vend se kryeredaktor i një gazete fashiste, do të duhej të vuante burg si pjesëmarrës i organit kryesor politik të Serbisë në të cilin merreshin vendimet për dhunë e terror shtetëror ndaj shqiptarëve në Kosovë. Duhet të brengosemi pse edhe institucioni informues më i rëndësishëm në Kosovë, televizioni publik RTK-ja, aq lehtë u kthye në televizion privat, përpos të tjerash edhe duke na e vënë aq shpesh para sysh e para veshësh të atin e drejtorit dhe duke e kthyer ashtu kulturën e informimit të qytetarëve të Kosovës në epokën e patriarkatit. Pse jo? Përbërja e Bordit të këtij televizioni, në të cilin mbizotërojnë jo vetje me merita për të qenë në të po vetje me lidhje patriarkale me ata që kanë vendosur për përbërjen e tij, e lejon kthimin e epokës së patriarkatit në këtë televizion!


 


     4. Duhet të brengosemi, fort, pse Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ashtu lehtë dhe ashtu gjithanshëm është kthyer bash në shtëpi private, të një partie – të LDK-së, e banuar dhe e nikoqiruar prej 11 titullarëve të saj të lartë dhe e një ujari të tyre! Duhet të brengosemi shumë pse këta titullarë të lartë të LDK-së pranojnë ashtu lehtë, ashtu pa skrupuj ta pushtojnë ASHAK-un dhe, pa kurrfarë konsideratash, si të ishte ajo pikërisht shtëpi private e tyre, të bëjnë në të çka duan ata, të sjellin në të kë duan ata, ta drejtojnë e çdrejtojnë vetëm si duan ata, të botojnë, ribotojnë, çbotojnë çka duan vetëm ata! Duhet të brengosemi, shumë të brengosemi, pse pushtimi i tillë partiak, uzurpimi i tillë partiak i ASHAK-ut prej LDK-së ka ndodhur tani e sa vite, por asnjë gazetë, asnjë televizion nuk e ka quajtur të domosdoshme të hulumtojë gjendjen në këtë institucion të


lartë. Si dhe pse ka mundur të ndodhë ky pushtim, ky uzurpim, ky shpërdorim politik i këtij institucioni më të lartë të shkencës e të arteve në Kosovë plotësisht në heshtje? Në emrin e kujt, për interes të kujt është heshtur e gjithë kjo? Në interes të Kosovës, të shkencës, të arteve, të kulturës së saj, tashmë jemi bindur plotësisht – jo, dhe jo.


 


     5. Duhet të brengosemi pse deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë nënshkruar nismën për ndryshime në ligjin për ASHAK-un, të miratuar në vitin 2004 kur Kosova ende nuk ishte shtet, i kanë tërhequr nënshkrimet mbasi është hapur debati për gjendjen në këtë institucion. Nuk e befason kënd dorëheqja e nënshkrimeve të anëtarëve të LDK-së, natyrisht: ata do të donin që Akademia të mbetej pronë e tyre private gjithmonë, siç është sot. E befason shumë kënd dorëheqja e dorëshkrimeve të deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët, kontributi i madh që i kanë dhënë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës me luftën e tyre në UÇK-në, i obligon të brengosen për çdo institucion në të cilin kanë pësuar shfytyrim (degjenerim) të rëndë interesat e përgjithshme të Kosovës siç kanë pësuar në Akademi. Arsyetimi për dorëheqjen e nënshkrimeve është fare i


palogjikshëm: i kanë dorëhequr nënshkrimet, thonë, pse kështu, me ndryshim të ligjit, po u politizuaka çështja! Ç’do të thotë kjo? Si mund të politizohet çështja e një institucioni në mënyrë aq tragjikomike të politizuar, por njëpartiakisht të politizuar? Ndryshimi i ligjit ekzistues, në të vërtetë miratimi i ligjit pothuaj të ri, bëhet kusht, i pashmangshëm, mos sot nesër, për shërimin e ASHAK-ut prej politizimit, në të vërtetë prej partisimit të saj. Dhe, miratimi i këtij ligji bëhet kusht për reformimin e pashmangshëm rrënjësor të Akademisë. Kosova ka ndryshuar plotësisht, me çdo gjë. Prej një vendi të pushtuar prej Serbisë ajo është bërë shtet i lirë e i pavarur. Ka ndryshuar rendi politik shoqëror dhe kushtetutar juridik; rendi socialist është zëvendësuar prej rendit kapitalist. Ka ndryshuar organizimi dhe ka ndryshuar përbërja e të gjitha institucioneve të Kosovës. Ka mbetur pa


ndryshuar, ka mbetur siç ishte në kohën e socializmit vetëqeverisës, siç ishte në kohën e Vllashkaliqit, Markoviqit, Stamboliqit, Millosheviqit vetëm ASHAK-u! Absurd.


 


     6. Duhet të brengosemi pse ndaj gjendjes së tillë në Akademi dhe ndaj horror fushatës së LDK-së kundër një intelektuali të pavarur nuk ka reaguar dhe nuk po reagon Lëvizja Vetëvendosje. Si është e mundshme ta shikojë në heshtje një gjendje aq të stërkequr, aq të uzurpuar, aq cenuese në ASHAK për interesat e Kosovës organizata më vepruese dhe më e çmuar e të rinjve të saj? E pakuptueshme! Dhe e palejueshme! Duhet të brengosemi pse Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka ngritur aq lart flamurin kundër korrupsionit, nuk e fton avokatin e popullit që të bëjë çka do të duhej të bënte, apo nuk bën edhe vetë çka do të duhej të bënte për fillimin e procedurës gjyqësore që do të sillte nacionalizimin e shtëpisë së familjes së kryetarit të parë të LDK-së, të blerë me paratë e taksapaguesve të Kosovës, domethënë të blerë në mënyrë korruptive!


 


     7. Duhet të brengosemi pse Kuvendi i Kosovës, si themelues i ASHAK-ut, edhe pse nuk mund të jetë dhe s’guxon të jetë i painformuar për gjendjen e ASHAK-ut, vazhdon të heshtë për atë gjendje, vazhdon të heshtë pas dorëheqjes së nënshkrimeve të deputetëve të LDK-së dhe të AAK-së në nismën për ndryshimin e ligjit për Akademinë, vazhdon të heshtë pas gjithë atyre që u shkruan, u folën e u dëgjuan për gjendjen e Akademisë! Kuvendi i Kosovës është themelues i ASHAK-ut dhe Kuvendi i Kosovës e ka për obligim ligjor të sigurojë mbrojtjen e interesave shkencore, kulturore, shoqërore tash të cenuara shumë të Kosovës në këtë institucion. Duhet të brengosemi pse edhe Ministria për Arsim, Shkencë e Teknologji vazhdon ta shikojë e ta dëgjojë e heshtur gjendjen në ASHAK. Kjo Ministri është financuese e Akademisë dhe si financuese ajo duhet të dijë se çka punohet, si punohet dhe për çka


shpenzohen mjetet e taksapaguesve të Kosovës në këtë institucion. Si Kuvendi i Kosovës edhe kjo Ministri duhet të mbrojë, në të vërtetë të sigurojë ligjshmërinë dhe realizimin e interesave të Kosovës në këtë institucion dhe ato sot mund të sigurohen vetëm në qoftë se ndryshohet gjendja në këtë Akademi, në qoftë se kjo Akademi nxirret prej kthetrave të një klani partiak, në qoftë se kjo Akademi reformohet siç është reformuar, dhe po reformohet më në fund, e gjithë Kosova me përjashtim të asaj shtëpie private lëdëkëiste që quhet ASHAK!


 


     8. Duhet të brengosemi pse Lidhja Demokratike e Kosovës, madje një klan i saj lokalist ka uzurpuar, përdorur dhe shpërdorur për nevojat e veta planprogramet e letërsisë shqipe për shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë dhe me to ka ndikuar, madje, që kjo gjendje e shpërdorur e letërsisë shqipe, të krijuar në Kosovë, të paraqitet edhe në planprogramet e letërsisë shqipe në Shqipërinë Shtetërore! Një tubim shkencor për këtë shpërdorim, për këtë uzurpim partiak, madje, klanor partiak të planprogramit të letërsisë në shkollat fillore dhe në shkollat e mesme, për këtë rrëgjim të letërsisë shqipe në letërsi mëhalle është mbajtur në vitin 2007 dhe kumtesat e paraqitura në atë tubim shkencor janë botuar në libër të veçantë. Prej këtij libri mund të shihet se me çfarë gabimesh, me çfarë shkarjesh, me çfarë shfytyrimesh, me çfarë naivitetet shkencore, me çfarë nënçmimesh të


kërkesave pedagogjike dhe psikologjike që i nënkuptojnë planprogramet e letërsisë në krejt botën e qytetëruar, shpjegohet letërsia në shkollat tona. Prej këtij libri mund të shihet sesi letërsia shqipe në Kosovë, në atë planprogram, është kthyer në letërsi të një mëhalle! Le të theksohet se ky libër i është dërguar me kohë Ministrisë për Arsim, Shkencë e Teknologji, Qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, por, sa dihet, asgjë nuk është ndërmarrë për ndryshimin e gjendjes. Dhe, kjo do të duhej të na shqetësonte. Shumë. Letërsia në shkolla është lëndë me rëndësinë më të madhe për formimin atdhetar, estetik, kulturor, madje, edhe moral të nxënësve; për këtë arsye asnjë shoqëri bashkëkohore, asnjë shtet bashkëkohor nuk lejon që ajo, letërsia, në planprogramet e shkollave të bëhet letërsi mëhalle!


 


     9. Duhet të brengosemi, paskajshëm shumë të brengosemi sesi bashkëqytetari ynë, i ashtuquajturi Isa Mustafa, është bërë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke shkelur ligjin që ndalon konfliktin e interesave në politikën dhe në shoqërinë kosovare dhe duhet të brengosemi pse pranimi i tij kaloi në heshtje në institucionet shtetërore të Kosovës edhe pse më parë u shkrua për të. Duhet të shqetësohemi pse anëtar Akademie, prej bashkëpartiakëve të tij në Akademi, pranohet njeriu pothuaj i pa vepër shkencore, i cili me shkencat ekonomike nuk merret shumë kohë, i cili me shkencat ekonomike nuk ka aspak kohë që të merret, i cili, duke pranuar të bëhet anëtar i Akademisë ua zuri vendin ekonomistëve të shquar më të rinj, a më të vjetër, shkencërisht shumë të merituar për t’u bërë anëtarë të Akademisë.


     Duhet të brengosemi pse, përpos kryetar i Prishtinës, përpos anëtar i ASHAK-ut, ky Isa Mustafa u bë edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe u bë ashtu siç e pamë se u bë: përpos me marifete të tjera edhe me trysni rrugësh! Me vonesë e mësuan, edhe pse e kemi ditur por e kishim harruar, prej shkrimit në vazhdim në Epokën e Re të publicistit, Sheradin Berisha, se Isa Mustafa na e kishte filluar karrierën politike si udhëheqës i Lidhjes së Rinisë Socialiste, mandej, pas demonstratave të 11 marsit të vitit 1981, na ishte bërë anëtar i komisionit për diferencimin e studentëve, në Universitetin e Prishtinës, mbajeni mend, pra, anëtar i komisionit famëkeq për diferencimin e studentëve e në sajë të diferencimeve që zbatonte ai komision mbusheshin burgjet me studentë shqiptarë; mandej, në sajë të meritave që kishte fituar si anëtar i këtij Komisioni, me 1984 Isa Mustafa na ishte zgjedhur


kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës; mandej, në vitin 1986, na ishte rizgjedhur edhe për dy vjet të tjera kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës! Mandej, si e thotë publicisti i cituar gjerësisht në këtë ftesë për brengosje, Sheradin Berisha, në dhjetor të vitit 1989, kur konstituohen organet e reja të Krahinës, në Këshillin e ri Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës Isa Mustafa zgjidhet sekretar Krahinor për Zhvillim… Ky Këshill Ekzekutiv, në të cilin Isa Mustafa na ishte njëri prej sekretarëve, domethënë njëri prej ministrave të tij, më 21 shkurt 1990 shpall gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë, që vlente prej orës 21 të mbrëmjes deri në orën 4 të mëngjesit. Në të njëjtën kohë, me një urdhëresë, të miratuar më shumë se një vit më parë, por tani, më 1990, të rimiratuar ndalohet edhe “lëvizja e personave në numër më të madh”, domethënë ndalohen protestat dhe


demonstratat.


      Kush  nuk di se në gjendje të jashtëzakonshme policia serbe mund të vriste shqiptarë pa i ftuar të ndalen dhe mund të vriste protestues e demonstrues pa u thënë: shpërndahuni! Domethënë: Isa Mustafa na ishte njëri prej ekzekutuesve të shqiptarëve që mund të çoheshin në protesta a në demonstrata dhe njëri prej ekzekutuesve të shqiptarëve që mund të dilnin prej shtëpive të veta prej orës 21 të mbrëmjes deri në orën 4 të mëngjesit! Për çka krejt ka votuar ky njeri në atë kohë dhe çka krejt ka deklaruar në mbledhje forumesh e në gazeta ky njeri në atë kohë është çështje për trajtimin e së cilës duhen më shumë faqe të shkruara. Të gjithë zyrtarët e këtij Këshilli Ekzekutiv të Kosovës të asaj kohe sot nuk përmenden më: ndonjëri ka vdekur, ndonjëri jeton duke ushtruar profesionin për të cilin ishte aftësuar në fakultet, kurse ndonjëri mund të jetë shpërngulur. Vetëm Isa


Mustafa është ringjallur, më i plotëfuqishëm se në organet e regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë, sado që tani nuk mund të votojë për marrjen e vendimeve në sajë të të cilëve do të vriteshin shqiptarë që do të dilnin natën në rrugë, dhe shqiptarë që do të protestonin a demonstronin kundër dhunës e terrorit të regjimit të Serbisë në Kosovë, por mund të organizojë fushata staliniste fashiste, duke inkuadruar në to shkrimtarë qerberë të tij dhe gazetarë e gazetaresha qerberesha të tij.


     Mbas pjesëmarrjes në ato organe të larta të regjimit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit në Kosovë, Isa Mustafa na u bë ministër i financave në qeverinë e LDK-së në ekzil, kur Kryesia e LDK-së vetëm brenda një muaji harxhonte 100.000 marka për telefona, kur vetura luksoze kishin të gjitha udhëheqjet komunale të LDK-së, kur rrogat e udhëheqjes qendrore e udhëheqjeve komunale të LDK-së ishin sa “rrogat” e të gjithë arsimtarëve të Kosovës dhe e të gjithë profesorëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët pa rroga mbanin mësim në shtëpi private, kur vetëm për “zgjedhjet e lira e demokratike” nën dhunën e terrorin e regjimit të Millosheviqit shpenzoheshin qindra mija marka të mbledhura si 3 për qind në Kosovë e në diasporë. E të tjera.


     Si ndodhi që prej të gjithë zyrtarëve të regjimit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, në Këshillin Ekzekutiv të Prishtinës e në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës, i cili mori edhe vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, vetëm Isa Mustafa na u ringjall duke u bërë edhe kryetar i Prishtinës, edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, madje edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës? Si u bë e mundshme kjo çudi që fyen  fort   kujtesën  e Kosovës liridashëse?  Kush  qëndron pas këtij njeriu?  Kush  e bëri të mundshme këtë vampirosje për të zezën e Kosovës dhe për turpin tonë të të gjithëve? Kush  dhe pse e bëri që të harrohen krimet politike të këtij ish funksionari të përzgjedhur të Millosheviqit – të harrohen në Kosovën e lirë e të pavarur? Kush bëri që asnjë çast mos të vihet gishti as në atë vrimën e


zezë të kronikës së jetës së tij prej vitit 1991 deri në vitin 2000 kur ai u bë pasanik, që mund të blejë sot anëtarë, ithtarë, akademikë, çerekshkrimtarë e shkrimtarë, protestues e demonstrues, gazetarë e gazetare, media publike e private, me të cilët përmbys ish kuadro të LDK-së e të Kosovës, me të cilët organizon horror fushata kundër një intelektuali, me të cilët na premton se po bëhet gati të marrë pushtetin në Kosovë, me të cilët disave si unë do t’ua fusë arkivin në thasët e hamajve duke mos përzgjedhur mjet e poshtërsi që t’ua bëjë jetën e pamundshme në Kosovë!


 


     10. Duhet të shqetësohemi pse shpesh, sot, të dhënat, faktet nuk u bëjnë përshtypje, nuk u lënë shenjë, shumë njerëzve, organizatave politike dhe institucioneve shtetërore! Duhet të shqetësohemi pse të dhënat, faktet që po i paraqiten Kosovës për politikën, financimet, sjelljet, veprimet, të bërat e udhëheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës prej themelimit të saj e, sidomos, në prag të luftës, kur paraqitet UÇK-ja dhe gjatë luftës, kur kryetari i saj nderon me dhurata shfarosësit e popullit të vet, Millosheviq e Millutinoviq dhe bën marrëveshje me ta për formimin e qeverisë kuislinge nuk nxisin reagimet përkatëse të shumë njerëzve e, sidomos, nuk nxisin reagimet përkatëse të partive të tjera dhe të institucioneve shtetërore! Historia kulturore evropiane dëshmon se në kohë të tilla kur faktet nuk u bëjnë përshtypje njerëzve e institucioneve dhe nuk nxisin reagimet e tyre përkatëse


shëndeti moral i shoqërisë është i sëmurë, kurse jeta e ndotur dhe e rrezikuar.


 


     11. Duhet të shqetësohemi pse gënjeshtra është bërë mjet i shpeshtë për ushtrim dhune në jetën tonë qoftë prej individëve, qoftë prej medieve, qoftë prej partive a institucioneve të tjera. Organizata që ka përhapur më së shumti gënjeshtra në jetën tonë, që na ka helmuar e mashtruar me gënjeshtra e me mashtrime prej se është formuar, është Lidhja Demokratike e Kosovës, në të vërtetë kryesia e saj. Sot si gjatë njëzet vjetëve të kaluara shihet bindshëm së gënjeshtra dhe mashtrimi janë politika dhe ideologjia e saj, poetika dhe etika e saj. Antropologë, filozofë dhe sociologë bashkëkohorë thonë se njerëzimi është ngritur në epokë të re të qytetërimit atë ditë kur ka filluar të ndëshkojë si krim gënjeshtrën dhe mashtrimin. A mund të pretendojmë se jemi ngritur në këtë epokë të re qytetërimi në qoftë së nuk vendosim të ndëshkojmë si krime gënjeshtrat, mashtrimet, uzurpimet, korrupsionet politike dhe materiale para së gjithash të udhëheqësve të LDK-së, natyrisht duke mos harruar gënjeshtrat, mashtrimet, korrupsionin, uzurpimet në sajë të të cilave ish-zyrtari i lartë i regjimit të Millosheviqit në Kosovë, Isa Mustafa, ka arritur të pushtojë njëkohshëm tri karrige të larta politike, pushtetore e shkencore: si kryetar i kryeqytetit të Kosovës, si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës? Çfarë mashtruesi dhe çfarë dhunëtari!


 


Kuku për ne! Kuku për kulturën, për demokracinë, për burrërinë dhe për lirinë tonë!


Çka krejt nuk po na ndodhë!

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …