DR. Sabit Syla: Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë V

Prof. assoc. dr. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, ka nxjerrë në dritë librin:

“Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”. Në këtë libër ai ka prezantuar materialet autentike të kohës, dokumente të arkivuara, të cilat dëshmojnë qartë e saktësisht të gjitha zhvillimet diplomatike të Shqipërisë në raport me ish-RSFJ dhe shtetet e tjera, lidhur me përkrahjen parimore mbi baza kombëtare, që Tirana zyrtare iu kishte dhënë kërkesave të drejta të shqiptarëve në Jugosllavi, veçmas pas shpërthimit të Demonstratave  e protestave të Marsit e Prillit të vitit 1981. Prezantimi i këtyre dokumenteve origjinale hedh dritë në një segment shumë të rëndësishëm të “Pranverës shqiptare të vitit 1981” kundruar nga regjimi i atëhershëm komunist i Tiranës, një qëndrim vëllazëror e parimor, pa ekuivoke pa stërhollime diplomatike e luhatje politike, te i cili mbante shpresa rinia atdhetare e revolucionare e Kosovës. Shqipëria ishte shteti i vetëm në botë që përkrahu kërkesat e drejta të shqiptarëve në Jugosllavi për formimin e Republikës së Kosovës. Ishte edhe mbështetja e vetme e patriotëve  e revolucionarëve të Kosovës, të cilët luftën e tyre për liri e pavarësi nuk e ndaluan për asnjë çast, deri në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe në qershor të vitit 1999 që rezultoi me pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

Nr. 11

RSP e Jugosllavisë. Sekretariati Federativ për Punët e Jashtme

Promemorie

Beograd më 14. V. 1981

Duke marrë parasysh propagandën e ashpërsuar dhe aktivitetin tjetër antijugosllav të kohëve të fundit nga RPS e Shqipërisë dhe përfaqësitë e saja diplomatike kundër RSF të Jugosllavisë, si dhe pasojat që mund të rrjedhin nga kjo për zhvillimin e marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare, Sekretariati Federativ për Punët e Jashtme i RSF të Jugosllavisë e konsideron të nevojshme që t’i tërheqë vëmendjen Ministrisë së Punëve të Jashtme të RPS të Shqipërisë për sa vijon:

  1. Në pajtim me politikën e fqinjësisë së mirë dhe të paangazhuar si orientim të saj të përhershëm, Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë ka bërë përpjekje të përhershme për normalizimin e marrëdhënieve dhe për zhvillimin e bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Gjatë viteve të fundit, ka ardhur një përparim i marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve, sidomos në fushën e këmbimit të mallrave dhe të marrëdhënieve ekonomike. Sipas bindjes sonë të thellë, një zhvillim i këtillë i marrëdhënieve jugosllave-shqiptare është në interes të kombeve dhe kombësive të të dyja vendeve, për sigurinë e tyre, si dhe për stabilitetin dhe paqen në këtë pjesë të Evropës dhe botës.

  1. Pala jugosllave, në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është nisur duke iu përmbajtur ne mënyrë konsekuente parimeve themelore të Kartës se Kombeve të Bashkuara – pavarësisë dhe sovranitetit, integritetit tokësor, paprekshmërisë së kufijve, barazisë, respektit reciprok e mos ndërhyrjes në punët e brendshme. Andaj edhe Qeveria e RPS të Shqipërisë duhet gjithashtu në marrëdhëniet me RSP të Jugosllavisë t’u përmbahet parimeve të lartpërmendura.

  1. Qëndrimet që prej shumë kohe mbajnë faktorët përgjegjës në RPS të Shqipërisë dhe të cilat u shprehen posaçërisht në organin zyrtar të Partisë së Punës të Shqipërisë “Zëri i Popullit” më 8 e 23 prill 1981, si dhe përmbajtja e propagandës dhe aktiviteteve të tjera nga RPS e Shqipërisë dhe përfaqësitë e saj diplomatike në lidhje me ngjarjet e kohëve të fundit në Krahinën SA të Kosovës. Pala jugosllave i çmon si mbështetje direkte dhe publike e forcave irredentiste, antijugosllave dhe si intensifikim i hapet me metodat dhe qëllimet e forcave kundërrevolucionare, aksionet e të cilave drejtohen kundër integritetit dhe rendit kushtetues të RSF të Jugosllavisë. Një veprimtari e tillë e RPS të Shqipërisë përfaqëson akt armiqësor dhe ndërhyrje të palejueshme në punët e brendshme të RSF të Jugosllavisë.

  1. Qëndrime dhe veprime te tjera, që u shfaqen në RPS të Shqipërisë, janë në kundërshtim me interesat e qëndrueshme dhe vitale te kombeve dhe të kombësive të të dy vendeve dhe të fqinjësisë së mirë të tyre dhe kërcënojnë bashkëpunimin e mëtejshëm jugosllavo-shqiptar. Ato shpien në destabilizimin e kushteve, forcojnë pasigurinë dhe ashpërsojnë marrëdhëniet në këtë pjesë të Evropës, gjë që i hap portat ndërhyrjes së faktorëve jo Ballkanik dhe kërcënon pavarësinë dhe sigurinë e vendeve tona.

  1. Në anën shqiptare gjithnjë e më hapur manifestohen qëndrime që çojnë në konkluzionin për ekzistencën e dy politikave ndaj RSF të Jugosllavisë: nga njëra anë, shfaqja e gatishmërisë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira, dhe nga ana tjetër veprime armiqësore dhe ndërhyrje të palejueshme në punët e brendshme, me pretendime të manifestuara kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të RSF të Jugosllavisë. Kjo është në kundërshtim të hapur me deklaratat zyrtare të udhëheqësve kryesorë shqiptarë mbi interesin dhe gatishmërinë e tyre për zhvillimin e marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare, mbi interesat e përbashkëta për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në ketë zonë dhe për mosndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë.

  1. Në mjetet e informimit shqiptar dhe publicistike, edhe gjatë viteve të fundit, sistematikisht ka pasur artikuj, fjalime etj., e plotë sulme brutale dhe fyese për pozitën ndërkombëtare dhe aktivitetin e Jugosllavisë se paangazhuar, për zhvillimin e saj të brendshëm ekonomiko-shoqëror, për sistemin socialist vetadministrues dhe veçanërisht për pozitën, jetën dhe zhvillimin e KSA të Kosovës dhe kombësisë shqiptare në Jugosllavi. Kjo shfaqet sidomos në sa vijon: a) Zhvillimi i vazhdueshëm dhe thellimi i barazisë të të gjitha kombeve dhe kombësive në RSF të Jugosllavisë, gjë që paraqitet edhe në pozitën kushtetuese të KSA të Kosovës, në sigurimin e barazisë së plotë të kombësisë shqiptare dhe përparimi i shpejtë ekonomik dhe kulturor i krahinave të RSF të Jugosllavisë në të cilat jeton kombësia shqiptare-në RPS të Shqipërisë nuk janë vlerësuar, po përkundrazi, me qëllim të keq, janë minimizuar, kurse problemet e zhvillimit janë shtrembëruar, gjë që vërtetohet edhe nga artikujt e fundit të “Zërit të Popullit”. b) Në RPS të Shqipërisë nuk pushohet se pretenduari se kombësia shqiptare në Jugosllavi politikisht dhe ekonomikisht është e “diskriminuar”, kurse për njerëzit udhëheqës të kombësisë shqiptare në KSA të Kosovës dhe në RSF të Jugosllavisë se janë “tradhtare” të popullit shqiptar. Në propagandën shqiptare nxitet vazhdimisht mosbesimi dhe intoleranca e kombësisë shqiptare ndaj serbeve, malazezve, maqedonasve dhe kombeve e kombësive tjera të RSF të Jugosllavisë. Tani posaçërisht dilet me pohime sikur gjoja kombësia shqiptare në Jugosllavi është e shpërndarë, natyrisht “për manipulim më të lehtë” në dy republika dhe në një krahinë, etj., duke ndërhyrë në mënyrë brutale dhe bëhen kërkesa që u referohen ndryshimit të rendit kushtetues në RSF të Jugosllavisë, gjë që përfaqëson të drejtën ekskluzive dhe të pacenueshme të RSF të Jugosllavisë si shtet sovran. c) Njëkohësisht “Zëri i Popullit” si dhe udhëheqësit shqiptarë në përgjithësi, nuk thonë asgjë për kombësitë maqedonase, malazeze e të tjera në Shqipëri, gjendja dhe të drejtat e tyre, për politiken e asimilimit dhe të mosrespektimit të të drejtave njerëzore të pakicave nacionale, që zbatohet në Shqipëri. Ç) Në shumë shkrime, si dhe në fjalimet e udhëheqësve kryesorë shqiptarë flitet haptazi për “ndarjen” e territoreve shqiptare midis shteteve fqinje dhe për “betimin e qëllimet” e krijimit të Shqipërisë se Madhe, unike me të gjitha territoret në të cilat jetojnë shqiptarët. Kjo u manifestua sidomos në lidhje me RSF të Jugosllavisë me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të Lidhjes se Prizrenit në vitin 1978. Qëndrime të tilla janë haptazi të frymëzuara me pretendime territoriale ndaj RSF të Jugosllavisë.

  1. Dëshirojmë gjithashtu të tërheqim vëmendjen se përfaqësitë diplomatike-konsullore të RPS të Shqipërisë në vende të ndryshme kanë intensifikuar aktivitetin propagandistik kundër RSF të Jugosllavisë, duke bërë sulme brutale kundër rendit të saj kushtetues, duke paraqitur shtrembër dhe me qëllim të keq ngjarje të veçanta dhe duke përhapur në mënyrë qesharake dezinformacione pa skrupull në lidhje me ngjarjet e kohëve të fundit në Kosovë. Përveç kësaj, përfaqësitë diplomatike-konsullore të RPS të Shqipërisë zhvillojnë aktivitet midis pjesëtareve të kombësisë shqiptare-shtetas të RSF të Jugosllavisë në vende të ndryshme, duke i nxitur për veprimtari propagandistike subversive antijugosllave.

  1. Detyrohemi gjithashtu të konstatojmë se pala shqiptare formave të caktuara të bashkëpunimit, sidomos në fushën e kulturës, arsimit e turizmit, është përpjekur që jashtë kuadrit të arsyeshëm dhe të pranueshëm, t’i drejtojë nga kombësia shqiptare, me qëllim që të nxitë e të mbështesë tendencat nacionaliste e irredentiste, kundër barazisë, vëllazërimit e bashkimit dhe bashkësisë se kombeve dhe kombësive të RSF të Jugosllavisë, stabilitetit dhe integritetit të saj. Dëshirojmë të tërheqim vëmendjen se kjo është shpërdorim i palejuar i gatishmërisë së RSF të Jugosllavisë për zhvillimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dhe forcimin e klimës se besimit në marrëdhëniet tona reciproke.

  1. Politika parimore e RSF të Jugosllavisë, në çështjet nacionale është e njohur. Në kuadrin e jetës së përbashkët vëllazërore të të gjitha kombeve dhe kombësive të bashkësisë sonë socialiste, federative dhe vetadministruese, edhe kombësia shqiptare gëzon të gjitha të drejtat dhe realizon përparimin e vazhdueshëm në zhvillimin e saj ekonomik, shoqëror dhe kombëtar. Kjo përbën edhe zhvillimin e gjithanshëm të lidhjeve me kombin mëmë dhe rolin e kombësisë si urë të miqësisë dhe të mirëkuptimit, kjo përjashton ndërhyrjen në punët e brendshme ose shfaqjen e çfarëdo lloje pretendimesh ose patronazhi të palejuar në marrëdhëniet midis shteteve të pavarura e sovrane.

  1. E konsiderojmë të nevojshme t’i tërheqim vëmendjen Qeverisë Shqiptare se qëndrimet e lartpërmendura dhe aksionet e palës shqiptare shkaktojnë pakënaqësinë ekstreme në anën jugosllave dhe njëkohësisht preokupim për sa i takon qëllimeve që qëndrojnë prapa aktiviteteve të tilla dhe politikës së Qeverisë së RPS të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë. Pala jugosllave e konsideron të domosdoshme t’i vejë në dukje Qeverisë së RPS të Shqipërisë për rrezikun, si dhe për pasojat që mund të lindin për marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare dhe për paqen e stabilitetin në këtë pjesë të botës.

  1. Jugosllavia nga ana e saj është e gatshme që, duke u nisur nga respektimi i plotë i parimeve të lartpërmendura të bëjë si deri tani përpjekje të mëtejshme për përparimin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis RSF të Jugosllavisë dhe RPS të Shqipërisë. Pala jugosllave shpreh besimin se RPS e Shqipërisë do të shqyrtojë me vëmendjen e duhur këto argumente e paralajmërime dhe se nga ana e saj, mbi bazën e respektimit të plotë të parimit të pavarësisë dhe të sovranitetit, integritetit tokësor, paprekshmërisë së kufijve, barazisë, mosndërhyrjes dhe respektit reciprok, do të bëj çdo gjë të nevojshme që të mënjanohen pengesat e lartpërmendura dhe të sigurohet zhvillimi me sukses i marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, në interes të kombeve e kombësive të vendeve tona, duke kontribuar në forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan.

  1. V. 1981

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Herët në mëngjes jemi zgjuar në befasi nga breshëria tejet e akorduar dhe e gjith …