Brickos

DR. Sabit Syla: Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë VI

Prof. assoc. dr. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, ka nxjerrë në dritë librin:

“Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”. Në këtë libër ai ka prezantuar materialet autentike të kohës, dokumente të arkivuara, të cilat dëshmojnë qartë e saktësisht të gjitha zhvillimet diplomatike të Shqipërisë në raport me ish-RSFJ dhe shtetet e tjera, lidhur me përkrahjen parimore mbi baza kombëtare, që Tirana zyrtare iu kishte dhënë kërkesave të drejta të shqiptarëve në Jugosllavi, veçmas pas shpërthimit të Demonstratave  e protestave të Marsit e Prillit të vitit 1981. Prezantimi i këtyre dokumenteve origjinale hedh dritë në një segment shumë të rëndësishëm të “Pranverës shqiptare të vitit 1981” kundruar nga regjimi i atëhershëm komunist i Tiranës, një qëndrim vëllazëror e parimor, pa ekuivoke pa stërhollime diplomatike e luhatje politike, te i cili mbante shpresa rinia atdhetare e revolucionare e Kosovës. Shqipëria ishte shteti i vetëm në botë që përkrahu kërkesat e drejta të shqiptarëve në Jugosllavi për formimin e Republikës së Kosovës. Ishte edhe mbështetja e vetme e patriotëve  e revolucionarëve të Kosovës, të cilët luftën e tyre për liri e pavarësi nuk e ndaluan për asnjë çast, deri në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe në qershor të vitit 1999 që rezultoi me pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

Nr. 12

Skedë. Mbi qëndrimin e Egjiptit për ngjarjet në Kosovë

23 maj 1981

Qëndrime zyrtare:

Qëndrimi zyrtar egjiptian na del nga biseda e sh. Murat me Drejtorinë e Vendeve të Lindjes në MPJ më datë 14.4.1981 dhe me datë 5/5/1981, si dhe nga takimi me zv/ministrin e jashtëm Shafer me 19/5/81.

Në fillim qëndrimi egjiptian ishte i paqartë dhe jo konkret, ndërsa më vonë është më i qartë dhe përkrahës ndaj nesh. Konkretisht:

  Drejtori i Vendeve të Lindjes në takimin e parë tha: “Nuk shikoj ndonjë ndërhyrje në punët e brendshme siç bëhet fjalë nga komentet e ndryshme”.

Ndërkohë pyeti: A nuk do të jetë më mirë për kosovarët që të gëzojnë të drejtat e tyre, të vijnë të banojnë në Shqipëri?

Pas shpjegimeve të Muratit, tha: se këto shpjegime e kishin bindur.

Në takimin e dytë drejtori në fjalë tha:

– Lexova dy artikujt e gazetës “Zëri i Popullit”.

– Qëndrimi i shqiptarëve në përkrahje të kërkesave të drejta ekonomike dhe politike të Kosovës është plotësisht i justifikueshëm dhe prandaj ne e përkrahim.

– Përshëndesim qëndrimin e matur dhe sigurimet e dhëna për mosndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë.

– Problemet nacionale në Jugosllavi janë shumë të ndjeshme dhe nuk do të shpërthejnë vetëm në rast se nga udhëheqja jugosllave do të ndiqet një politikë e drejtë.

– Ne ndjekim me kujdes gjendjen në atë vend, e sidomos marrëdhëniet midis kombësive, sepse mendojmë se shqetësimet në Jugosllavi mund të sjellin shqetësime të tjera në zonën e Mesdheut. Mund të krijohen kushte për ndërhyrjen e superfuqive, e sidomos të BS. Është pikërisht për këtë arsye që Egjipti priti me kënaqësi gatishmërinë tuaj për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tuaja shtetërore me Jugosllavinë, pavarësisht nga mosmarrëveshjet ideologjike e politike.

Zëvendësministri Shafer pasi pyeti për ngjarjet tha:

– Qeveria egjiptiane ka ndjekur dhe ndjek me kujdes ngjarjet në Kosovë dhe marrëdhëniet midis dy vendeve ballkanike.

– Tha se qëndrimi ynë është i matur dhe i arsyeshëm duke thënë: e simpatizojmë atë.

Shprehu shqetësimin se sovjetikët po hyjnë në Jugosllavi në mënyrë paqësore, duke shfrytëzuar situatën e turbullt në këtë vend.

Nga këto thënie të zyrtarëve egjiptian rezulton:

Egjipti nuk e shikon qëndrimin tonë si ndërhyrje në punët e brendshme në punët e brendshme të Jugosllavisë. Përshëndet atë si të matur e të arsyeshëm, deri në përkrahje dhe mbështetje. Shprehin shpresën se situata nuk do të influencojë në prishjen e marrëdhënieve shtetërore midis dy vendeve, duke theksuar se kjo mund të shfrytëzohet nga dy superfuqitë e sidomos nga Bashkimi Sovjetik.

Ky qëndrim i Egjiptit mund të shpjegohet si më poshtë:

  1. Qeveria egjiptiane ka pasur kontradikta me Jugosllavinë për kritikat që kjo i ka bërë qëndrimit egjiptian, sidomos nënshkrimit të Kemp Devidit dhe paqes së nënshkruar nga Sadati me Izraelin. Marrëdhëniet midis dy vendeve ranë fare, pavarësisht nga përpjekjet e kohëve të fundit për t’i nxjerrë ato nga rënia. Kështu që qëndrimi i Kajros mund të konsiderohet si një përgjigje për qëndrimet kritikuese e mos aprovuese të Beogradit, që ka një peshë në lëvizjen e të “paangazhuarve”.

  1. Qeveria egjiptiane nuk mund të mos marrë parasysh lidhjet tradicionale të miqësisë midis popullit egjiptian dhe popullit tonë. Populli egjiptian ka simpati për popullin tonë dhe në ketë kuadër edhe për popullin e Kosovës, për më tepër që bëhet fjalë për një popullsi myslimane. Prandaj nisur nga kjo ajo dënon veprimet jugosllave dhe përkrah qëndrimin tonë në mbrojtje të kosovarëve dhe shqiptarëve të tjerë në viset e Jugosllavisë.

  1. Qeveria egjiptiane merr në konsideratë qëndrimin tonë kundër Kemp Devidit dhe ndoshta shpreson se duke mbajtur një qëndrim të tillë mund të influencojë në këtë qëndrim, i cili nuk është pa peshë në botën arabe dhe opinionin publik botëror.

  1. Qeveria egjiptiane merr në konsideratë qëndrimet tona të vendosura kundër dy superfuqive, e sidomos kundër Bashkimit Sovjetik. Ajo ka frikë se ngjarjet mund t’i shfrytëzojë Moska për të dalë edhe një herë në Adriatik, gjë që do të përbënte rrezik edhe për vetë Egjiptin.

Sidoqoftë nuk mund të dilet që tani në konkluzionin se Egjipti është plotësisht në anën tonë. Duhet të presim fakte konkrete, sepse si vend me politikë konjukturale, për interesat e veta, Egjipti edhe mund të devijoje nga qëndrimi aktual.

Qëndrimi i diplomatëve jashtë në takimet me shokët tanë

Edhe diplomatët egjiptianë janë karakterizuar nga dy faza në qëndrimet e tyre: faza e parë, ku nuk kanë marrë ndonjë qëndrim konkret dhe faza e dytë, ku kanë shprehur pak a shumë pikëpamje në përkrahje të vendit e qëndrimit tonë.

Ambasadori i Egjiptit në Vjenë, në një takim me ambasadorin tonë në panairin e Gracit, tha se ngjarjet mund të jenë organizuar nga rusët për të dekompozuar federatën jugosllave. Por, ndërkohë tha se “fjala dhe qëndrimi i Shqipërisë zënë vend, sepse e gjithë bota e din qëndrimin e saj ndaj BS. Vlerësoi qëndrimet tuaja të drejta e të matura, gjë që duhet ta kuptojë Jugosllavia. Gazeta “Zëri i Popullit” vë në dukje se nga i vjen rreziku asaj”. Po ky ambasador i tha Muhsinit në një takim të mëvonshëm: Ne i kemi miq si popullin shqiptar ashtu edhe atë jugosllav, bile me Jugosllavinë kemi marrëdhënie të gjera shtetërore e për probleme ndërkombëtare. Mendoj se qëndrimi i juaj për ngjarjet në Kosovë është i drejtë dhe i matur dhe po t’u akuzojnë për ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë, këtë nuk e beson njeri. Më bën përshtypje se përse jugosllavët hedhin poshtë çdo gjë që thotë Shqipëria për Kosovën. Më ka bërë shumë përshtypje ajo që thuhet edhe në “Zërin e Popullit” se rreziku Jugosllavisë nuk i vjen nga Shqipëria, por nga rivaliteti i brendshëm për hegjemoni në Federate dhe nga pansllavizmi. Po nuk e kuptuan këtë këshillë tuajën, jugosllavët do t’i bëjnë shumë keq vendit të tyre që është zhytur në shumë kontradikta.

Edhe diplomatët egjiptianë në Pragë, Beograd dhe Sofje kanë mbajtur qëndrime pak a shumë të kësaj natyre. Sipas ministrit fuqiplotë të Egjiptit në Beograd dhe sekretarit të parë të ambasadës, Qeveria egjiptiane është e interesuar posaçërisht për ngjarjet në Kosovë. Egjiptianet mendojnë se çështjet ekonomike dhe niveli i jetesës materiale në Kosovë janë shkaku kryesor i demonstratave. Ambasadori në Pragë tha se megjithëse ambasada e tyre në Tiranë është vënë në dijeni me problemin e Kosovës dhe materialet tona për to kishte preferuar t’i a dërgonte edhe ai këto materiale MPJ së tyre, duke i konsideruar të një rëndësie të veçantë. Ndërsa, sekretari i parë i ambasadës po në Pragë tha: “Vlerësoj pozitivisht qëndrimin tuaj objektiv ndaj ngjarjeve në Kosovë, përkrahjen e drejtë që i jepni popullit të Kosovës e mbi të gjitha qëndrimin e vendosur të Shqipërisë ndaj udhëheqjes jugosllave. Me ketë artikull (fjala është për artikullin e 8 prillit) hidhen poshtë pikëpamjet e shtypit të huaj se Shqipëria ka frikë nga fqinjët. Përkundrazi, ajo nuk ka frikë. Shembujt dhe argumentet që jep për gjendjen ekonomike në Kosovë janë bindës”. Ndërsa këshilltari tregtar në Sofje tha se sipas tij “zgjidhja e problemit kosovar varet nga vetë populli i saj, nga përpjekjet dhe kërkesat e tij në të ardhmen. Qëndrimi i Shqipërisë, siç del nga artikujt e “Zërit të Popullit”, janë një përkrahje dhe ndihmë e madhe për popullsinë shqiptare në Jugosllavi, për zgjidhjen e problemeve. Egjiptianët janë për marrëdhënie normale midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë”.

Qëndrime të opinionit vendës egjiptian për ngjarjet në Kosovë

Takimet me vendës dhe bisedat me ta për ngjarjet në Kosovë

nuk kanë qenë në nivelin e kërkesave. Megjithatë nga kontaktet e para që janë bërë rezulton

– Vlerësohet stili dhe gjuha e artikujve të botuar nga Zëri i Popullit. Çmohet fakti që këto artikuj tregojnë se ku duhen kërkuar shkaqet e vërteta të ngjarjeve në Kosovë. Nuk lihet vend për ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë.

– Vazhdimi i politikës shtypëse jugosllave sot është vazhdim i politikës së serbomëdhenjve dhe drejtohet jo vetëm kundër Shqipërisë, por edhe kundër vendeve të tjera. Ndaj kosovarëve janë marrë masa të egra, sepse ata janë përkrahur nga qeveria e juaj, dhe se janë më luftarake e më të vendosur se të tjerët në kërkesat e tyre (kryeredaktori i gazetës Fos).

– Shprehet përkrahje për qëndrimin e vendit tonë (kryeredaktori i gazetës Al-Mese). Është e drejtë, tha ai, pikëpamja e juaj që kosovarëve tu përmirësohen kushtet e jetës, të paktën në atë gjendje në të cilën janë edhe popujt e tjerë të Jugosllavisë. Tërheq vëmendjen gjakftohtësia e juaj, që del nga artikulli (8 prillit), sepse çështjet nacionale janë shumë delikate e shpesh mund të çojnë në konflikte.

– Kryeredaktori i Mena-s tha se bota myslimane do të merrte në mbrojtje çështjen kosovare në rast se ajo ngrihej si çështje fetare myslimane. Jugosllavisë, sipas tij, i është vënë në dukje karakteri mysliman i popullsisë së Kosovës.

– Kryeredaktori i “Vidio Pres Agensi” tha se udhëheqja jugosllave duhet ta shohë ndryshe çështjen kosovare e jo si deri tani. Kësaj krahine i takon statusi i Republikës si dhe republikave të tjera më të vogla për nga popullsia.

– Kryeredaktori i “Le Zhurnel D’Ezhip” tha se udhëheqja jugosllave që deri tani është hequr si kampione e të “paangazhuarve” dhe që është shprehur për zgjidhjen e konflikteve me urtësi e mjete paqësore, nuk duhej të dërgonte tanket kundër popullsisë së krahinës që ka kërkesa të njohura e të drejta.

– Shefi i sektorit të jashtëm të qendrës së studimeve strategjike tha se ngjarjet në Kosovë do të ndizen më tepër nëse udhëheqja jugosllave do ta shohë popullsinë shqiptare me nënvleftësim si deri tani. Artikujt e “Zërit të Popullit” nxjerrin mirë në pah problemin. Ka teza të zgjuara, por disa duhen zgjeruar, siç është rasti i takimit dhe bisedës së zotit Hoxha me Titon, ose përse nuk ka nacionalizëm shqiptar.

– Kryetari i shoqatës se miqësisë, Abu Lejli, tha: Si mik i Shqipërisë dhe si historian kam lexuar për caktimin e kufijve të Shqipërisë dhe askush nuk mund të mohojë padrejtësitë që i janë bërë asaj nga fuqitë e mëdha. Artikujt i konsideroj mjaft të studiuar e thartuar mbi një bazë të shëndoshë shkencore.

Qëndrime të shtypit egjiptian

Shtypi egjiptian ka trajtuar, por jo gjerësisht, ngjarjet në Kosovë. Të dhënat në përgjithësi kanë qenë të burimeve të agjencive të ndryshme me burim nga Beogradi. Ka shkruar Al Ahrami një lajm ditët e para. Më vonë Al Mese, më 22 prill, boton një artikull të përgatitur nga kryeredaktori i saj, i cili thekson në përgjithësi situatën në Jugosllavi një vit pas Titos, duke u ndalur edhe në ngjarjet e fundit në Kosovë. Aty jepen të dhëna nga artikulli i “Zërit të Popullit” për gjendjen e rëndë ekonomike të Kosovës. Theksohet gjithashtu se Shqipëria është gati të përkrahë Jugosllavinë në rast se bëhet objekt i një agresioni të huaj. Në artikull citohet edhe Dollanci për rrezikun që do të përbente statusi i Republikës për Kosovën.

Me 5 maj boton një shkrim me titull: “Jugosllavia trajton jo drejte demonstratat ne Kosovë, gazeta “Egjiptian Mail”. Artikulli ve ne dukje se Shqipëria akuzon Jugosllavinë për trajtim jo te drejte te demonstratave ne Kosovë dhe për keqinterpretim te shkaqeve te vërteta te këtyre turbullirave. Artikulli i referohet artikullit te gazetës “Zëri i Popullit” te 8 prillit. Gazeta thekson se artikulli i botuar ne gazetën shqiptare i kërkon urtësi e gjakftohtësi qeverise jugosllave ne marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.

Gazeta “Egyptian Gazet” e 15 majit jep një njoftim te Rojterit për nxjerrjen para gjyqit te 100 vetave për pjesëmarrje në demonstrata.

Gazeta “Xhumhuria” e 19 majit në një lajm me titull: “Shqipëria akuzon Jugosllavinë për turbullirat në Kosovë”, citon artikullin e “Zërit te Popullit” të 17 majit. Vë ne dukje akuzat për gjakderdhjen ne Kosovë ndaj udhëheqjes jugosllave nga ana e jonë, kërkesën për statusin e republikës për Kosovën. Thekson se Jugosllavia ka bërë përgjegjëse për turbullirat Shqipërinë.

Në përgjithësi duket se shtypi i Kajros nuk ka marrë anën e asnjërës palë, duke u munduar të ruajë neutralitetin. Kjo del edhe nga një takim me kryeredaktorin e agjencisë “MENA”, i cili thotë se qeveria ka udhëzuar shtypin të mbaje qëndrim asnjanës ne lidhje me çështjen e Kosovës.

Kjo ndodh me sa duket sepse qeveria egjiptiane nuk donë të implikohet haptazi në anën e ndonjë pale ne këtë rast.

23 / 5 / 1981

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …