Komuna e Malishevës i është përgjigjur thirrjes së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), duke organizuar një aktivitet simbolik në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Aktiviteti është udhëhequr nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ndërsa pjesëmarrës ishte edhe kryetari i degës së OVL-UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu.
Sipas njoftimit të Komunës, aktiviteti është organizuar në përgjigje të thirrjes së OVL-UÇK-së drejtuar komunave të Kosovës, që në përvjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së të zhvillojnë aktivitete simbolike për të shprehur solidaritetin dhe qëndrimet e tyre lidhur me procesin gjyqësor në Hagë.
Me këtë rast, kryetari Ekrem Kastrati ka ritheksuar qëndrimin e tij dhe të institucionit komunal ndaj këtij procesi, të cilin e ka vlerësuar si të padrejtë, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë që Komuna e Malishevës të vazhdojë të mbështesë vlerat kombëtare dhe historinë e luftës çlirimtare.
Përmes këtij aktiviteti, Komuna e Malishevës ka rikonfirmuar qëndrimin e saj në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe të vlerave të luftës çlirimtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
