Institucionet komunale të Skenderajt, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë zhvilluar një aktivitet vetëdijesues në shkollën fillore “Rifat Mëziu”, me qëllim të informimit të nxënësve për rreziqet e trafikimit me qenie njerëzore, format e shfaqjes së kësaj dukurie dhe rëndësinë e raportimit me kohë. Aktiviteti është organizuar nga Njësia për të Drejtat e Njeriut dhe Zyra për Barazi Gjinore e Komunës së Skenderajt, në bashkëpunim me Stacionin Policor në Skenderaj dhe Njësinë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore. Në ligjëratë ka marrë pjesë edhe psikologu. Gjatë takimit, nxënësit janë informuar për rreziqet që paraqet trafikimi me njerëz, mënyrat e identifikimit të rasteve të mundshme dhe rëndësinë e reagimit dhe raportimit të menjëhershëm tek institucionet përgjegjëse. Sipas njoftimit të Komunës, aktiviteti synon ngritjen e vetëdijes dhe forcimin e mekanizmave parandalues përmes bashkëpunimit ndërmjet institucioneve komunale, Policisë dhe institucioneve arsimore. Ky aktivitet është pjesë e angazhimeve për parandalimin dhe luftimin e dukurive negative, me theks të veçantë në informimin dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
