Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Tiranës për mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se çdo qeveri shqiptare duhet të jetë plotësisht e përkushtuar ndaj sigurisë së saj. Nufi është pyetur për rreziqet e sigurisë me të cilat përballet Kosova, veçanërisht pas sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023, si dhe për gatishmërinë e Shqipërisë për të ofruar mbështetje në rast të një kërcënimi të ri. “Unë besoj 100 për qind. Unë besoj që jo vetëm kjo qeveri, por nuk ka qeveri në Tiranë që mund të qëndrojë në qoftë se nuk jepet njëqind për qind për mbrojtjen e Kosovës”, ka deklaruar ai. I pyetur nëse Shqipëria është e gatshme të veprojë së bashku me Kosovën si një forcë e vetme ushtarake, ministri ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë ka arritur një nivel që, sipas tij, nuk vihet në diskutim nga ndryshimet politike dhe qeveritë në pushtet. “Kushdo që ta provojë, ja këtu do të jemi dhe do ta shohim rezultatin”, ka thënë Nufi, duke iu referuar mundësisë së një sulmi ndaj Kosovës. Ai ka vlerësuar se rrethanat e sotme ndryshojnë dukshëm nga ato të vitit 1999, kur Shqipëria përballej me dobësi të mëdha ekonomike, ndërsa Kosova sot është shtet me institucionet e veta dhe me partneritet të rëndësishëm ndërkombëtar. Sipas tij, integriteti territorial dhe shtetësia e Kosovës nuk duhet të vihen në pikëpyetje, ndonëse shqetësimet e qytetarëve për sigurinë janë të kuptueshme përballë zhvillimeve në rajon.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
