Edi Rama: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është objektiv ambicioz, por i arritshëm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar vitin e ardhshëm vendimtar për përparimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke iu referuar udhërrëfyesit orientues të paraqitur për herë të parë nga Komisioni Evropian. Rama tha se ky dokument përcakton etapat dhe objektivat që Shqipëria duhet të përmbushë gjatë vitit sfidues që e pret, ndërsa vlerësimin e Komisionit Evropian se anëtarësimi është një objektiv ambicioz, por i arritshëm, e konsideroi tejet të rëndësishëm. Ai sqaroi se udhërrëfyesi nuk përcakton një datë konkrete të anëtarësimit dhe as nuk paragjykon rezultatin e negociatave, por sipas tij, paraqet në mënyrë të detajuar hapat që duhet të ndërmerren për përmbylljen e këtij procesi. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se koha po merr gjithnjë e më shumë rëndësi dhe se përgjegjësia për shfrytëzimin e kësaj mundësie historike bie para së gjithash mbi shumicën qeverisëse. Rama u zotua se do të bëjë gjithçka që Shqipëria të mos e humbasë këtë mundësi, duke paralajmëruar se ajo nuk është e garantuar përgjithmonë. “Historia nuk do të na e falte kurrë bjerrjen e kësaj mundësie për shkakun tonë”, deklaroi Rama, duke shtuar se do të angazhohet që vendi të mos përsërisë rastet e mëparshme kur, sipas tij, ka pasur mundësi për të ecur përpara, por nuk i ka shfrytëzuar ato.

Kontrolloni gjithashtu

OVL-UÇK: Gjashtë vjet padrejtësi, Serbia na masakroi popullin, Gjykata Speciale po na masakron të vërtetën

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar në gjashtëvjetorin e …