Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka kritikuar ashpër qasjen e institucioneve dhe shoqërisë serbe ndaj krimeve të luftës në Kosovë dhe gjenocidit në Srebrenicë, duke akuzuar Serbinë për heshtje, mohim dhe shtrembërim të fakteve të vërtetuara nga gjykatat ndërkombëtare. Kandiq ka theksuar se vendimet gjyqësore dhe faktet e dokumentuara për krimet e luftës po zëvendësohen në diskursin publik serb me atë që ajo e cilëson si “e vërteta e popullit”, duke shmangur përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve 1990. Reagimi i saj lidhet me deklaratën e ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, i cili kishte paralajmëruar se glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte është në kundërshtim me vlerat evropiane. Kandiq ka vlerësuar se përfaqësuesi i BE-së duhej ta ngrinte edhe çështjen e heshtjes institucionale ndaj aktgjykimeve dhe fakteve të vërtetuara nga gjykatat ndërkombëtare, veçanërisht në rastin e Srebrenicës dhe viktimave të luftës në Kosovë. Ajo ka rikujtuar se Fondi për të Drejtën Humanitare posedon një bazë të gjerë të të dhënave për viktimat e luftës në Kosovë, ku dokumentohet fati individual i tyre, pa dallim të përkatësisë etnike. Dokumentacioni i organizatës përfshin aktgjykime dhe dokumente gjyqësore, dëshmi të familjarëve e dëshmitarëve, si dhe video-incizime të dëshmive të paraqitura para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. “Pavarësia e gjyqësorit, për të cilën insiston BE-ja, duhet të shtrihet edhe në ndjekjen penale të krimeve të luftës”, ka deklaruar Kandiq.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
