Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të mos mbrohet nga imuniteti, duke theksuar se askush, pavarësisht pozitës institucionale, nuk duhet të jetë mbi Kushtetutën. Ajo i bëri këto deklarata në tryezën e diskutimit për Nismën Legjislative Qytetare lidhur me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, me rastin e publikimit të analizës “Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”. Duke iu referuar nenit 75 të Kushtetutës, që përcakton imunitetin e deputetëve, Çitaku ka vlerësuar se kjo dispozitë nuk duhet të shndërrohet në mburojë për veprime të qëllimshme që cenojnë rendin kushtetues. “Personalisht mendoj se, pavarësisht nenit 75 për imunitetin në Kushtetutë, nuk besoj se duhet të ketë imunitet as nga gjykata dhe as nga ndonjë palë tjetër. Nuk duhet të kemi imunitet askush, as deputetët. Imunitet për shkelje të qëllimshme të Kushtetutës nuk duhet të ketë askush”, deklaroi Çitaku. “Me fol drejtpërdrejt, arsyeja pse kemi ardhur deri te kjo nismë është mungesa e vullnetit politik për të zbatuar vendime të papërshtatshme, qoftë nga institucionet e ndryshme apo nga vetë Qeveria e Kosovës”, theksoi ajo. Çitaku bëri të ditur gjithashtu se partitë opozitare po planifikojnë të kërkojnë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku do të diskutoheshin çështjet e ngritura në raportin e fundit të integrimit evropian.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
