leoni

Dr.sc.Lulzim Nika: Demonstratat e vitit 1968 dhe çështja shqiptare e Kosovës II

Dr.sc.Lulzim Nika: Demonstratat e vitit 1968 dhe çështja shqiptare e Kosovës II

Organizimi i demonstratave të vitit 1968 në Kosovë

 

Një ndër ngjarjet e shënuara të vitit 1968, është organizimi i demonstratave në Kosovë. Kur opsioni për Republikë të Kosovës filloi të shndërrohet në kërkesë gjithë popullore, u sos durimi i forcave antishqiptare shtetërore jugosllave, me Titon në krye. Pas urdhrave që morën udhëheqësit komunistë të Kosovës nga Tito, filluan të paraqesin arsyetime se gjoja ne jemi përcaktuar për të drejtat e të gjitha bashkësive në Kosovë dhe përcaktim i tyre thoshin që nga Lufta e Dytë Botërore ishte për autonomi. Kjo fushatë filloi sidomos më 2 shtator dhe fillimi i tetorit, ku mbledhjet e partisë filluan të organizoheshin të mbyllura dhe kërkesa për republikë filloi të quhet armiqësore edhe nga vetë komunistët e Kosovës, që nuk duhet mohuar se më herët nën presionin e intelektualëve dhe të diskutimeve popullore, kishte prej tyre që u bashkuan me kërkesën për republikë. Më së miri për këtë flet mbledhja e mbajtur në Gjakovë në gusht të po atij viti, ku haptas u kërkua avancimi i Kosovës në republikë nga disa komunistë duke arsyetuar bindshëm këtë kërkesë. Më 2 shtator të vitit 1968, në mbledhjen e Komiteti Komunal të LK të Prishtinës, mbajtur në Prishtinë, anëtarët e këtij komiteti, duke diskutuar për rrjedhat politike në Kosovë, kishin ardhur në përfundim se “strategjia demagogjike e fuqive reaksionare dhe nacionaliste është se vetëm republika mund t’i zgjidhte vështirësitë që tashmë në krahinë kishte (papunësinë)13 etj. Në këto rrethana rinia studentore filloi të shfaqë padurimin nga ikja e pushtetarëve ndaj kërkesës për të avancuar Kosovën në republikë. Kjo bëri që një grup i të rinjve, kryesisht studentë, të mendojnë për forma të ndryshme me qëllim që të mbrohen kërkesat e popullsisë shqiptare edhe me rrugë tjera, siç janë demonstratat që në këtë vit ishin organizuar në shumë vende të ndryshme të botës, por që rinia nuk u pajtua me statusin e tyre në shoqëri. Këto protesta kishin shtrirë ndikimin e tyre sidomos në vendet që nuk ishte zgjidhur drejt çështja kombëtare, por edhe në vendet ku në emër të demokracisë socialiste shtypeshin popujt dhe struktura të ndryshme të shoqërisë14. Rinia shqiptare i shihte me simpati të madhe protestat e rinisë evropiane. Ishte koha kur pas Plenumit të Brioneve, të gjitha republikat dhe krahinat dëshironin të arrinin atë që për shumë kohë ishte e ndaluar me masa administrative e policore. Viti 1968, ishte vit i ndryshimeve të mëdha në Kosovë, vit i cili solli një kthesë të madhe në qasjen e zgjidhjes së çështjes kombëtare. Organizimin e këtyre demonstratave e bëri një grup të rinjsh studentë nga të gjitha viset e ndryshme të Kosovës që formuan grupin politik15. Më vonë i organizuan edhe demonstratat e vitit 1968. Këtë grup e formuan kryesisht studentë të fakulteteve të Prishtinës, por të ndihmuar edhe disa intelektualë të guximshëm të kohës që përkrahnin kërkesat e grupit politik të demonstratave. Kërkesat e shtruara në demonstrata ishin aspiratat e popullit shqiptar të shprehura në forma të ndryshme e, më në fund, edhe me demonstrata. Bërthama e këtij grupi formohet më 1964, disa ditë pas arrestimit dhe zbulimit të organizatës atdhetare “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” me Adem Demaçin ne krye. Emri dhe veprimtaria e Adem Demaçit në këtë kohë me idetë e tij që kishte përhapur në rininë studentore dhe në popull, në përgjithësi, ishte bërë simbol i fuqishëm dhe i guximshëm për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve që jetonin nën administrimin e pushtuesve jugosllavë. Në këtë kohë emri i Adem Demaçit, i shërbente rinisë shqiptare si gjenerator për të marrë guximin që të kundërshtonte politikën pushtuese të Jugosllavisë. Valës së arrestimeve të kësaj organizate i kishte shpëtuar për një kohë një grup i të rinjve (Selatin Novosella, Ibrahim Gashi dhe Shemsi Hoxha), të cilin e udhëhoqi mësuesi patriot Hilmi Rakovica. Atyre do t’u bashkohen edhe tre të rinj të tjerë: Osman Dumoshi, Adil Pireva dhe Ilaz Pireva. Ky grup merr përgjegjësinë për të organizuar veprimtari të ndryshme atdhetare si shpërndarjen e flamujve kombëtar në mbarë Kosovën, me qëllim që t’u bëhet me dije pushtuesve se burgosja e Adem Demaçit nuk do ta ndalë lëvizjen për liri të shqiptarëve të robëruar nga Jugosllavia16. Ky grup, pas burgosjes së Adem Demaçit, vendosi që organeve të atëhershme t’u drejtohet me një letër, ku do të kërkonte lirimin e të burgosurve politikë në krye me Adem Demaçin. Letra iu dërgua organeve udhëheqëse të kohës përmes postës. Pas një kohe të shkurtër pasoi burgosja e përfaqësuesve e veprimtarëve të këtij grupi: Hilmi Rakovica, Shemsi Hoxha, Ibrahim Gashi, Selatin Novosella, Adil Pireva, Osman Dumoshi dhe Ilaz Pireva. Pas këtyre burgosjeve lëvizja ilegale kishte pësuar goditje të rëndë. Një pjesë e këtyre të rinjve, pas daljes nga burgu, filluan me intensitet të shtuar veprimtarinë atdhetare, duke punuar që lëvizja të ndërmerrte hapa më radikalë në mbrojtje të interesave kombëtare. Në gusht të viti 1967, në shtëpinë e Ibrahim Gashit në Prishtinë u mbajt mbledhja për organizimin e grupit dhe vendoset që të merret me veprimtari atdhetare në mënyrë më të organizuar. Në këtë mbledhje grupit iu bashkuan edhe Xheladin Rakaliu, Afrim Loxha dhe Skënder Muçolli. Në këtë mbledhje ky grup politik u betua se do të vazhdojë veprimtarinë atdhetare të LRBSH dhe pranon programin e kësaj lëvizjeje, por nuk u zgjodhën organet udhëheqëse, ngase grupi ishte i vogël për nga numri i anëtarëve. Anëtarët e këtij grupi u betuan në programin e LRBSH, se për këto qëllime anëtarët e grupit do të jenë në gjendje të japin jetën. Anëtarët e grupit kishin të drejta dhe obligime të barabarta dhe konsideroheshin të barabartë. (A. D. f. 38). Megjithatë, roli organizativ i Osman Dumoshit dallohej dhe po të vendosej të zgjidhej kryetar i grupit, me siguri ai do të zgjidhej njëzëri nga të gjithë anëtarët e grupit. Në mbledhjen e shtatorit u vendos për organizimin e demonstratave, dy anëtarët e grupit u larguan dhe në këtë kohë grupit iu bashkëngjitën Skënder Kastrari dhe Hasan Dermaku. Ky grup prej nëntë anëtarësh: Osman Dumoshi, Selatin Novosella, Adil Pireva, Xheladin Rakaliv, Afrim Loxha, Skënder Muçolli, Skënder Kastrati, Ilaz Pireva dh Hasan Dermaku, filluan dhe përfunduan organizimin e demonstratave të vitit 1968, që u mbajtën në Prishtinë17. Demonstratat u organizuan edhe në shumë qytete të Kosovës, por me më shumë jehonë dhe më masive ishin ato të organizuara në Prishtinë, më 27 nëntor të vitit 1968. Nëpërmjet demonstrimit shpërtheu vala e pakënaqësia e popullit shqiptar në Kosovë. Më vonë vala e demonstratave përfshiu edhe Tetovën. Kjo dëshmoi unitetin e popullit shqiptar në të gjitha viset e banuara me shqiptarë në Jugosllavi, dhe njëherësh pakënaqësinë me statusin e tyre në Jugosllavi18. Më 6 tetor, në qytetin historik të Kosovës, rinia studentore e përkrahur edhe nga qytetarë të shumtë, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore u organizua një demonstratë, të cilën me flamuj kombëtarë në dorë e drejtonin studentët e SHLP-së të këtij qyteti, nxënës dhe arsimtarë të gjimnazit: Isa Demaj, Pashk Laçi, Haxhi Maloki, Gjergj Camaj, Shpresa Elshani, Simon Kuzhnini, Rafet Rama, Pjetër Dreshaj, Isë Morina etj., të përkrahur nga qytetarët e Prizrenit dhe fshatrave përreth. Demonstruesit këndonin këngë atdhetare dhe brohoritën parullat, si: “Rroftë flamuri kuq e zi”, “Rroftë populli shqiptar”, “Kosova Republikë” etj. Demonstruesit vazhdonin rrugën në drejtim të kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për t’ju bërë nderim para shtatoreve të këtyre heronjve tanë kombëtarë, Abdyl Frashrit dhe Ymer Prizrenit. Këtu u lexua edhe një letër për synimet e popullit shqiptar që të jetojë i lirë me popujt e tjerë dhe me kërkesën që edhe shqiptarët të gëzojnë të gjitha të drejtat që i gëzojnë popujt e tjerë në federatën jugosllave, që të kenë të drejtën të flisnin lirshëm dhe kudo gjuhën e vet shqipe, të kenë të drejtën të përdorimit të simboleve kombëtare etj.19 Në Prishtinë në fund të muajit shtator – tetor të vitit 1968 në shtëpinë e Xheladin Rakaliut u zhvilluan biseda për organizimin e demonstratave në Prishtinë. Ky takim i grupit u zhvillua në biseda që i përkrahnin organizimin e demonstratave dhe që dominonte një përkrahje të këtij qëndrimi. Kishte anëtarë të grupit që mendonin se veprimtaria e tyre duhet të vazhdonte vetëm në mënyrë ilegale dhe jo hapur, me kërkesa kombëtare, ngase vetë grupi do të ndërronte formën e veprimtarisë së organizimit nëse bëhet organizator i demonstratave. Mirëpo, ishte më e fuqishme kërkesa e që dominonte te anëtarët e grupit ngase kishte ardhur koha që të ndryshohet veprimtaria e grupit, duke organizuar demonstrata paqësore me qëllim që të paraqiten kërkesat e ligjshme të shqiptarëve për barazi me të tjerët në federatën jugosllave.

 Ne këtë takim morën pjesë: Osman Dumoshi, Adil Pireva, Afrim Loxha, Selatin Novosella, Ilaz Pireva dhe i zoti i shtëpisë Xheladin Rakaliu. Një kontribut të rëndësishëm në organizimin e këtyre demonstratave kishte dhënë edhe Ismajl Dumoshi. Në takimin e 16 tetorit që u mbajt në shtëpinë e Osman Dumoshit, grupi politik kishte vazhduar bisedimet për mënyrën e organizimit të demonstratave për kërkesat që duhet shtruar para organeve krahinore, dhe për mënyrën e njoftimit të qytetarëve për të marrë pjesë sa më shumë qytetarë. Për këtë qëllim, vendimin përfundimtar për të dalë në demonstrata, grupi politik kishte marrë mbase kishte organizuar me disa qytetarë një hulumtim të opinionit se a do të përkrahen demonstratat dhe kërkesat e tyre, duke e ruajtur në këtë kohë të vështirë organizimin ilegal të grupit politik, që të mos hetohet nga agjentë dhe bashkëpunëtorë të sigurimit dhe pushtetit të kohës, që do të rrezikonte organizimin e demonstratave. Më 23 nëntor në shtëpinë e Selatin Novosellës u mbajt mbledhja e grupit politik, ku u dëgjuan diskutimet e anëtarëve të grupit rreth hulumtimit të opinionit të gjerë. Pas gjithë kësaj, erdhën në përfundim se demonstratat do të përkrahen nga e gjithë shoqëria përparimtare dhe kombëtare në Kosovë dhe në viset e banuara me shqiptarë në Jugosllavi20. Në këtë kohë politika jugosllave dhe ajo serbe ishte kundër çfarëdo ndryshimesh kushtetuese që do të definonin Kosovën si Republikë ne federatën jugosllave, dhe në të njëjtën kohë komunistët e Kosovës filluan të arsyetojnë autonominë si përcaktim të tyre qysh në Luftën e Dytë Botërore, dhe se, si siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe forcim të bashkim-vëllazërimit në Kosovë. Në këto rrethana, grupi politik në mbledhjen e 23 nëntorit në shtëpinë e Selatin Novosellës, ku pasi u dëgjuan diskutime të shumta, vendosi që demonstrata të mbahet më 27 nëntor në shumë qytete të Kosovës. Ky grup politik, që nga shtatori i vitit 1968 kishte filluar veprimet organizative për mbajtjen e demonstratave më 27 nëntor 1968, në Prishtinë, në Gjilan, në Podujevë dhe në Ferizaj. Derisa po përfundonte aktivitetet dhe përgatitjet e fundit për demonstratat e nëntorit të viti 1968, grupit i kishin arritur informata se edhe në shumë qendra komunale rinia dhe mësues patriotë po punonin në këtë drejtim. Më qëllim që të dilnin sa më të fuqishme dhe të bënin ndikim sa më të madh në rrjedhat politike në Kosovë, u vendos që demonstratat të zhvillohen në të njëjtën ditë. Për këtë qëllim grupi politik që vepronte në Prishtinë vendosi t’i dërgonte si ndërlidhje me terrenin Xheladin Rekaliun në Podujevë, Skënder Kastratin në Ferizaj dhe Asllan Kastratin në Gjilan21.

 Në mbledhjen e 23 nëntorit të vitit 1968, vendoset që të lexohet një referat me kërkesat e demonstruesve dhe u vendos për kërkesat e tjera që do të kërkojnë në demonstrata dhe koha e fillimit të tyre. Historiku i lëvizjeve kombëtare shqiptare që nga ndarja e tokave shqiptare, kishte si qëllim të bënte bashkimin e shqiptarëve në një shtet shqiptar. Kjo bëri që organizatorët të diskutojnë për kërkesat më të mundshme të kohës dhe erdhën në përfundim se pasi në të gjitha viset shqiptare në Kosovë është përkrahur kërkesa për republikë të shqiptarëve që jetonin të pushtuar nga Jugosllavia, do të thotë për Republikën e Kosovës. Ata morën vendim që të përkrahet kjo kërkesë si e mundshme për rrethanat e kohës, se, siç dihet, dëshirë e çdo shqiptari do të ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve në një shtet të përbashkët, që trojet e tyre kishin lidhshmëri historike e gjeografike në Ballkan22. Nga shumë të pranishëm u tha se kërkesa për republikë është e drejtë dhe zgjidhje e mirë për shqiptarët në Jugosllavi, duke i marrë parasysh rrethanat e politiko-shoqërore në Jugosllavi e më gjerë në botë23. Në atë kohë Osman Dumoshi kërkoi nga të gjithë të pranishmit që të deklarohen secili veç e veç për demonstrata f. nr. 68 a .p. (“Sa më përket mua, jam për organizimin e demonstratave dhe do të kryejë çdo detyrë që do të ma caktojë grupi. E kam për nder dhe e ndiej veten krenar që i takoj Grupit që do t’i organizojë demonstratat. Një herë e kam zgjedhur rrugën e lirisë së popullit dhe s’ka sakrificë që mund të më largojë nga kjo rrugë. E di se na pret një rrugë e vështirë dhe në këtë rrugë mund të na gjejë edhe vdekja, por vdekja për liri, për Kosovën, për Shqipëri, më duket lindje e vërtetë. Andaj, s’mund të më frikësojë asgjë. Me këto fjalë të gjithë anëtarët e grupit u deklaruan në përkrahje të organizimit të demonstratave, dhe se do t’i kryejnë çdo detyrë që i caktohet nga grupi, duke mos u frikësuar as nga vdekja dhe as nga burgu. Grupi arriti pajtimin në këtë kohë edhe për parullat që do të shkruheshin dhe do të brohoritshin nga demonstruesit. Referati që do të lexohej para demonstruesve u shkrua sipas vendimit të grupit të marrë në mbledhjen e bërë më 23 nëntor 1968, në role të rëndësishëm për të korrigjuar referatin e grupit kishte luajtur vëllai i Osmanit, Ismail Dumoshi, prefesor i gjuhës shqipe, intelektual dhe atdhetar i shquar i kohës që në shtëpinë e tij, falë besnikërisë së treguar, u mbajtën edhe shumë mbledhje të patriotëve shqiptarë24. Këtë referat e kishte shtypur me makinë të shkrimit Selatin Novosellën dhe ishte vendosur që ta lexonte Osman Dumoshi, por ishte caktuar edhe personi i dytë, në rast të vrasjes apo burgosjes së personit të parë, Skënder Kastrati. Pas demonstratave të organizuara më 6 tetor në Prizren, më 8 tetor në Suharekë dhe më 19 nëntor në Pejë, që kishin marrë përkrahje nga qytetarët, duke iu bashkëngjitur demonstruesve e sidomos në demonstratën e organizuar në Pejë. Grupi politik i të rinjve në Prishtinë i kishte përcjell me vëmendje këto zhvillime në të gjitha komunat e Kosovës. Më 27 nëntor 1968, demonstrata do të shpërthejë në Prishtinë, Gjilan, Podujevë e Ferizaj dhe më 22 e 23 dhjetor në Tetovë. Në mbrëmjen e 27 nëntorit të vitit 1968, aty rreth orës 16, 00, në oborrin e Fakultetit Filozofik ishin tubuar studentë nga vise të ndryshme të Kosovës dhe, të përkrahur nga shumë qytetarë që kishin ardhur në Prishtinë për këtë qellim. Organizatorët ia arritën që, me mjeshtërinë e Selatin Novesellës, t’ia arrijnë që parullat e shkruara si dhe flamujt kombëtarë t’i sjellin në vendin e duhur para Fakultetit Filozofik. Numri i demonstruesve fillon të rritet edhe pse në shumë vende ishin të vendosur policia, ndërsa Osman Dumoshi filloi bashke me shokët e tij të grupit të merrte rolin e udhëheqësit të demonstruesve25. Demonstruesit që kishin me vete flamuj dhe pankarta, filluan që organizatorët t’i qesin në ballë dhe së bashku t’u prijnë turmës duke shkuar drejt rrugës kryesore të qytetit, duke brohoritur parulla dhe duke thirrur masën për t’u bashkuar me ta. Demonstruesit brohoritën duke thirrur “Bashkohuni” dhe kështu një pjesë e qytetarëve iu bashkuan grupit të mbledhur. Kështu filloi numri i tyre të rritet në masë të madhe, duke vazhduar rrugën në drejtim të Teatrit Popullor Krahinor. Rruga ishte e bllokuar nga demonstruesit dhe pasi u ndal masa, organizatorët përdorën një dyqan për të hipur dhe për t’i lexuar kërkesat e tyre dhe demonstruesve që ishin përfshirë në referatin e grupit politik qe i organizoi demonstratat. Referatin, të cilin e lexoi Osman Dumoshi, kishte këtë përmbajtje:

“Vëllezër dhe motra shqiptarë,

Sot jemi mbledhur në vigjilje të festës sonë të madhe – Festës së Pavarësisë Kombëtare – 28 Nëntorit, ditën kur Ismail Qemali, në praninë e shumë patriotëve kombëtar e në mesin e tyre edhe të heronjve kosovarë, si Isa Boletini, në përcjellje të kryengritësve kosovarë e ka ngritur flamurin kombëtar, duke ia bërë me dije tërë botës që edhe një popull i vogël, por krenar dhe liridashës, i cili nën flamurin e Skënderbeut ka bërë çudira në mbrojtjen e lirisë, më në fund e ka hedhur nga qafa robërinë shekullore.

Jemi mbledhur me qëllim që të kremtojmë këtë ditë të madhe kombëtare dhe njëherësh t’i përkujtojmë luftërat e përgjakshme nacionalçlirimtare që i kanë bërë gjyshërit dhe baballarët tanë për liri dhe pavarësi.

Por idealet e tyre, vëllezër dhe motra, janë tradhtuar, sepse lirinë për të cilën kanë luftuar, barazinë për të cilën kanë luftuar, e drejta për vetëvendosje e popullit tonë, për zhdukjen e robërisë dhe prapambeturisë shekullore – praktika e mëvonshme e historisë së Kosovës na bind se nuk janë realizuar. Ne studentët dhe të tjerët është mirë që një herë t’u përkujtojmë “udhëheqësve tanë” për kushtet e vështira në të cilat jemi duke studiuar. Kushtet tona nuk janë as për së afërmi me kushtet e studentëve të qendrave të tjera universitare në Jugosllavi. Mungesa e kuadrove është e madhe, por edhe ngritja e tyre nga mesi ynë është shumë e vështirë dhe e ngadalshme. Do të sjellim një shembull që në mënyrë më të mirë të ilustrojmë gjendjen e tashme të kuadrove; në krahasim me krahinën tonë RS e Serbisë do të duhet të kishte vetëm 8 herë më tepër me përgatitje të lartë, por ajo ka rreth 330 herë! As në profilet e kuadrove të tjera, gjendja nuk është më e mirë26.

Struktura sociale e studentëve është shumë e pavolitshme. E dimë se shumica e popullsisë së Kosovës është fshatare. Megjithatë, numri i fëmijëve të fshatarëve i përfshirë në studime është shumë i vogël. Kjo vjen për faktin se kushtet e fshatarëve janë shumë të vështira. Fshatin e ka kapluar varfëria, analfabetizmi dhe konservatizmi. Bursat që i ndan shoqëria, kryesisht u ndahen fëmijëve të qytetarëve, gjegjësisht fëmijëve të nëpunësve dhe të atyre që qëndrojnë shumë mirë ekonomikisht. Janë ndërmarrë aksione për rregullimin e këtyre problemeve, por e tëra ka mbetur në letër. As gjendja e studentëve nga radhët e klasës punëtore nuk është më e mirë. Kosovën e ka kapluar papunësia. Askund në vend gjendja nuk është më e vështirë përkitazi me këtë çështje, pasi që këtu vetëm çdo i njëzeti është i punësuar. Vendimet e Plenumit X Krahinor po zbatohen shumë ngadalë ose fare nuk po zbatohen. Përmirësimi i strukturës kombëtare po zbatohet shumë ngadalë, elementë të ndryshëm që janë në vend, shpeshherë pengojnë përmirësimin. Struktura udhëheqëse nëpër ndërmarrje është shumë e pavolitshme për shqiptarët. Edhe nëse kemi krijuar sot relativisht një numër të konsiderueshëm të njerëzve me kualifikime të nevojshme, vendet e tyre i zënë kuadrot e pashkolluar të kombësive tjera, madje edhe shqiptarë, të cilat, për t’i ruajtur vendet udhëheqëse shumë lehtë bëhen vegla të përsosura të burokracisë, vegla që punojnë kundër klasës punëtore.

Organet shtetërore dhe partiake, sidomos ato të SPB – së, me veprimtarinë e tyre antisocialiste dhe antipopullore, para Plenumit IV të Brioneve e kanë humbur autoritetin para popullit dhe para masave të gjera popullore. Shumë prej tyre edhe sot e kësaj dite mbajnë funksione të rëndësishme. Kjo gjë po krijon pakënaqësi dhe revoltë në masën e gjerë punonjëse. Të gjitha këto janë të njohura për popullin, prandaj ne jemi gjithnjë të gatshëm t’i japim të dhëna të sakta për ta. Në organet e SPB-së, çka është fatkeqësia edhe më e madhe, i pengojnë kuadrot, të cilat punojnë në mbrojtjen e rendit dhe punë të tjera. Fatkeqësisht në SPB kanë gjetur strehim edhe disa njerëz, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të rregullt të atyre të cilëve vendimet e Plenumit IV i kanë gjykuar.

Shokë dhe shoqe,

Jemi dëshmitarë të shumë përpjekjeve kur dikush po përpiqet të krijojë gjoja njëfarë konflikti në mes të inteligjencës dhe klasës punëtore dhe fshatare. Inteligjenca jonë numerikisht e vogël në Krahinë, është krijuar në kushte shumë të vështira. Deri n Plenumin IV ajo gjithnjë ka qenë e ndjekur dhe e persekutuar prej të deformuarve, sepse asnjëherë nuk është pajtuar me sjelljen e organeve të ndjekjes së popullit. Inteligjenca jonë krahinore asnjëherë nuk është ndarë nga populli. Ajo interesat e veta gjithnjë ua ka nënshtruar interesave të klasës punëtore dhe fshatarëve. Për këtë arsye amputimet dhe inskenimet e tilla kundër inteligjencës janë plotësisht të pavërteta dhe qëllimkëqija. Askush nuk mund të na zërë për të madhe pse populli shqiptar ka qenë dhe është për vetëvendosje. Populli ynë gjithnjë ka ngritur zërin dhe kur ka qenë në pyetje liria e popujve të tjerë. Të gjitha luftërat tona kanë qenë nacionalçlirimtare. Asnjëherë flamuri ynë nuk ka valuar në vendet e huaja. Gjithnjë ka qenë simbol dhe do të mbetet simbol i lirisë, i barazisë dhe i internacionalizmit. Liria e plotë, barazia e plotë nacionale ka qene ideal i mijëra e mijëra luftëtarëve të popullit tonë të rënë për liri27.

Ne sot nuk guxojmë të lejojmë që idealet tona të mos realizohen. Për këtë arsye, shokë dhe shoqe, propozojmë që nga ky vend të dalim para shoqërisë me këto kërkesa;

  1. Realizimi i plotë i të drejtave kombëtare
  1. Populli ynë duhet t’i gëzojë të gjitha të drejtat që i gëzojnë popujt e tjerë.
  1. Kërkojmë përmirësimin sa më të shpejtë të kushteve ekonomike e sociale të punëtorëve dhe fshatarëve;
  1. Realizimi i vendimeve të Plenumit X Krahinor, gjegjësisht përmirësimi i strukturës së të punësuarve dhe në vendet udhëheqëse,
  1. Realizimi i vendimeve të plenumit IV largimi i të komprometuarve nga vendet udhëheqëse, si edhe nga SPB-ja
  1. Përmirësimi i kushteve të studimeve dhe të jetës së studentëve, si edhe përmirësimi i strukturës sociale dhe kombëtare të studentëve dhe
  1. Realizimi i synimeve për vendosjen e kontrollit shoqëror mbi pasurinë e disa të arritur nëpërmes spekulimeve dhe keqpërdorimeve të pasurisë shoqërore.

Shokë dhe shoqe,

Ne si gjeneratë e re, rinia kosovare, e cila gjithnjë ka qene dhe do të mbetet simbol i guximit, heroizmit, internacionalizmit proletar, simbol i antiburokracisë, simbol i progresit dhe i mirëqenies, duhet të luftojmë me guxim për realizimin e aspiratave të kombit!28

Rroftë vëllazëria shqiptare!

Përpara për vetëvendosje, barazi dhe liri!”

Prishtinë, 27 nëntor 1968. Komiteti i demonstratave

Demonstruesit i përkrahnin kërkesat e paraqitura nga lexuesi para masës së tubuar dhe filluan që të brohorisin parulla si:

“Duam Republikë!”

“Duam vetëvendosje!”

Rroftë Adem Demaçi!”

“Duam Universitet!”

“Duam Kushtetutë!”

“Askush të mos luajë me fatin tonë!”

“Poshtë tradhtarët!”

“Poshtë Veli Deva!”

“Lironi shokët!”

“Duam lirimin e të burgosurve politikë!” etj.

Pas ndalesës në qendër të Prishtinës, demonstruesit kërkuan që të takohen me udhëheqës të asaj kohe në mënyrë që të paraqesin kërkesat e tyre të ligjshme dhe të drejta. Këto përpjekje, pushtetarët komunistë të krahinës i injoruan dhe këtyre demonstratave u përgjigjen me mjete të dhunshme, duke urdhëruar policinë dhe organe të tjera për të shtypur në mënyrë të përgjakshme dhe të pamëshirshme demonstratën ndonëse ajo ishte paqësore dhe mirë e drejtë e organizuar nga rinia shqiptare.

Pas përdorimit të dhunës nga ana e policisë, demonstruesit filluan të gjuajnë me gurë në drejtim të policisë që vazhdimisht hidhnin gaz lotsjellës dhe më vonë duke përdorur edhe armët e zjarrit ndaj turmës së demonstruesve. Kështu, dëshmori i parë i këtyre demonstratave ra nxënësi i gjimnazit të Prishtinës, Murat Mehmeti, që ende nuk i kishte mbushur 17 vjet29. Policia kriminale e tregoi fytyrën e vërtetë të saj, duke vrare një nxënës që protestonte në mënyrë paqësore për të drejta të barabarta dhe vetëvendosje të popullit më të shtypur në federatën jugosllave që për një kohë të gjatë u ishin mohuar të drejtat më elementare, siç ishin përdorimi i gjuhës dhe simboleve kombëtare. Në orët e mbrëmjes demonstruesit u kthyen në oborrin e Fakultetit Filozofik dhe vazhduan me brohoritje të kërkesave të tyre, duke kërkuar të drejtën për vetëvendosje dhe lirimin e të burgosurve politikë. Kështu, nga një tribunë demonstruesve filluan që t’ju drejtohen me fjalime të ndryshme pjesëmarrësve nga vise të ndryshme duke përkrahur kërkesat e drejta të demonstratave në orët e vona. Sipas dëshmitarëve të kohës, aty nga ora nëntë demonstruesit filluan të shprëndahen. Atyre iu bë me dije se të nesërmen sërish do të tubohen në të njëjtin vend për t’i mbrojtur kërkesat e tyre dhe për të festuar 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë. Rol të rëndësishëm në shpërndarjen e demonstruesve kishte luajtur profesor Mark Krasniqi, i cili u ishte drejtuar demonstruesve me kërkesë që të shpërndahen, pasi që kishte shumë forca policore dhe është në interes të tyre që të largohen e mos të pësojnë dhunë e terror shtetëror. Mark Krasniqi kishte respekt të veçantë tek masa e demonstruesve. Ai u ishte drejtuar me këto fjalë: “Po ju luti jo vetëm si profesor i juaji, por edhe si shok i juaji më i vjetër që të shpërndaheni. Pra, të shpërndaheni në qetësi dhe pa shkaktuar konflikte më organet e rendit. Nesër do të mbahet prapë tubimi në këtë Fakultet para dite. Formoni këshillin e demonstratave dhe dërgoni përfaqësuesit që t’i paraqesin kërkesat e tuaja!” – përfundoi ai. Kishte edhe persona të tjerë që kishin folur para demonstruesve dhe që përfaqësonin organet e pushtetit të asaj kohe, por nuk kishin ndikuar tek demonstruesit që të shpërndahen. Demonstruesit pas orës 21,00 të mbrëmjes kishin filluar të shpërndahen, nëpër shtëpitë e tyre e në konvikte me qëllim që të tubohen të nesërmen në të njëjtin vend. Organet e sigurimit kishin kaluar menjëherë në ofensivë, duke burgosur demonstruesit nëpër të gjitha qytetet e Kosovës, si: në Prizren, në Pejë, në Suharekë, në Ferizaj, në Gjilan, në Pudujevë dhe në Prishtinë. Shumica e organizatorëve të demonstratave, studentë dhe patriotë të devotshëm, do të burgosen dhe do të vuajnë dënimet nëpër burgjet jugosllave. Dënime më të rënda dhe një trajtim më brutal të organeve të sigurimit do të pësojnë organizatorët e demonstratave në Tetovë. Një i burgosur politik kroat, i cili kishte vuajtur dënimin bashkë me shumë të burgosur shqiptarë, në shkrimin e tij “Stara Gradishta”, për ta është shprehur shumë saktë dhe bukur. “Asnjëri prej të burgosurve shqiptarë nuk i trembeshin burgut dhe keqtrajtimeve të vazhdueshme. Ata, njerëz, studentë dhe të rinj, janë të pathyeshëm, kanë mbetur me bindjen e plotë se nuk po sakrifikohen kot dhe se idealet e tyre do të realizohen, prandaj me krenari i përballojnë dënimet dhe vuajtjet”30. Mendoj se, në mungesë të informimit të duhur për zhvillimet e mëvonshme dhe pasojat e organizatorëve, autorja Monika Stafa, gabon kur konstaton se “në saje të rezistencës së masave të popullsisë shqiptare nuk u arrit qëllimi i shovinistëve serbë e maqedonas për të goditur në këtë rast pjesëmarrësit e demonstratave të vitit 1968, siç ndodhi ndonjë rast si në komunën e Vitisë”31.

Këtë konstatim e demantojnë dënimet e shumë pjesëmarrësve që këtë e vërtetojnë edhe aktvendimet e dënimeve që iu shqiptuan në këtë kohë organizatorëve të demonstratave.

Por, më keq e kishin pësuar organizatorët e demonstratave në Tetovë, të cilët u dënuan rëndë dhe u maltretuan në mënyrë çnjerëzore nga ana e organeve policore maqedonase. Është e vërtetë se vetë dëshmitarët e kohës (S. N.), tregojnë se gjatë vuajtjes së dënimit dhe gjatë hetimeve në vitin 1968, kundër të burgosurve politikë shqiptarë nuk ishte ushtruar dhunë si në vitin 1964, që një pjesë e tyre ishin burgosur në këtë vit. Më vonë edhe të burgosurit e vitit 1975, do të pësojnë më keq gjatë hetimeve, sepse organet e sigurimit shtetëror kanë përdorur dhunë brutale kundër të burgosurve shqiptarë, edhe pse në këtë kohë Kosova kishte një ngritje në sistemin Kushtetues. Shtypi botëror i kohës dhe agjencitë e huaja telegrafike, pra edhe Agjencia Telegrafike Shqiptare, i kushtuan rëndësi të madhe demonstratave të vitit 1968. Në një koment të Radio Tiranës, të datës 24 nëntor 1968, në mes tjerash, thuhej: “Pse nuk po gjykohet ky shovinizëm, por për shovinizëm po shpallen fakte pse shqiptarët po e përdorin flamurin e tyre kombëtar në tokën e tyre… Titoist dhe shovinistët serbë shprehen se shqiptarët e Kosovës, gjoja po e shembin miqësinë e shqiptarëve me popujt e tjerë të Jugosllavisë. Kjo është pikëpamje reaksionare prapa së cilës fshihej shovinizmi i fuqisë së madhe”. Për demonstratat e vitit 1968, opinionin e kishin informuar edhe shumë agjenci, radio dhe shtypi i kohës, siç ishin: Radio BBC e Londrës, Radio Kushut e Hungarisë, Agjencia Telegrafike Amerikane AP (Asoshitejd Press), si dhe shtypi i kohës, si Gazeta “Le Mond”, e 28 Nëntorit 1968, Gazeta “New York Times”, e shumë të tjera. Këto ishin të organizuara nga popullsia shqiptare me kërkesë që të përmirësonin pozitën kushtetuese të Krahinës në Republikë. Kishte edhe shkrime që i cilësonin këto demonstrata kundër sistemit politik të Jugosllavisë. Me përjashtime të shtypit jugosllav dhe atij sovjetik të kohës që i kishin dhënë ngjyrim ideologjike këtyre demonstratave, në shkrimet e shtypit botëror askund nuk thuhej se grupet dhe organizatorët e demonstratave shqiptare të ishin cilësuar me epitetin ideologjik “grupe marksiste-leniniste” siç preferohej nga shtypi jugosllav dhe strukturat e burokracisë politike në Kosovë. Pra, shtypi botëror demonstratat e vitit 1968 në Kosovë nuk i shihte në prizmin ideologjik, por i analizonte drejt si reflektim të një rruge historike të popullit shqiptar të Kosovës dhe viseve e tjera të Jugosllavisë, drejt pavarësisë dhe ribashkimit me shtetin shqiptar…

vijon

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë bombardimet e NATO-s kundër caqeve serbe. Lufime të ashpra po zhvillohen edhe në brezin kufitar sidomos në Koshare. (E premte 30 prill 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë bombardimet e NATO-s kundër caqeve serbe. Lufime të ashpra po zhvillohen edhe në brezin kufitar sidomos në Koshare. (E premte 30 prill 1999)

Moti ka filluar të përmirësohet dukshëm. Edhe gjelbërimi sa vjen e pi i vishet tërë …