Brickos

Lulzim Nika: Themelimi i Universitetit të Prishtinës, 51 vjetori

Dr.sc.Lulzim Nika: Demonstratat e vitit 1968 dhe çështja shqiptare e Kosovës I

Abstrakt

Tek populli shqiptar i Kosovës revolta kishte nisur qysh në aneksimin e dhunshëm të Kosovës më 1945 nga ana e Serbisë, që u shoqërua me dhunën e vazhdueshme dhe më të egër, me shtetrrethime ushtarake, me ekzekutime të intelektualeve e patriotëve të dëshmuar me gjyq e pa gjyq, Aksioni i mbledhjes së Armëve, shpërnguljet e shqiptarëve nga trojet e tyre dhe në përgjithësi gjendja e rëndë politike e ekonomike ndikuan në shpërthimin e revoltës, mu në kohën kur në Kosovë bëheshin diskutime publike për ndryshimet kushtetuese, Manifestimet me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut (1968), Lëvizjet studentore në Evropë (1968) etj., qenë faktorë shtytës në luftën për të drejta nacionale dhe për çlirim e bashkim kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Një nga format e kësaj rezistence padyshim ishte edhe organizimi i demonstratave dhe protestave gjithëpërfshirëse. Demonstrata e parë masive në Kosovë nisi në Prizren, më 6 tetor 1968, e cila filloi dhe përfundoi para ndërtesës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku për herë të parë në mënyrë publike u kërkua Kosova – Republikë. Demonstratë e ngjashme u organizua edhe në Suharekë, më 8 tetor dhe në Pejë, më 19 tetor 1968, për të vazhduar më 27 nëntor në Prishtinë, në Podujeve, në Gjilan dhe në Ferizaj. Demonstratat e nëntorit 1968, kishin rëndësi të vençat për popullin shqiptar të Kosovës, sepse ndërgjegjësuan popullatën mbarë kosovare për të ndërmarrë veprime konkrete me kërkesa të drejta kombëtare me qëllim që diplomacia evropiane e ndërkombëtare të kuptonte se populli shqiptar po shtypej nga ana e Serbisë si në rrafshin kombëtar ashtu edhe në shkeljen e të drejtave themelore të njeriut. Andaj këto demonstrata tronditen politiken jugosllave e cila mburrej para opinionit ndërkombëtar se Jugosllavia është shteti me një sistem komunist liberal të avancues sa i përket respektimit të drejtave të njeriut dhe barazisë kombëtare.  Por pikërisht rinia shqiptare e Kosovës të gjitha këto i demaskojë me Demonstratat e vitit 1968, në të cilat demonstrata u shpalosen kërkesat e natyrshme kombëtare siç ishin: Kushtetuta, Universiteti, Flamuri, Vetëvendosja, Republika etj., dhe hapen rrugën e realizimit të kërkesave nga ana e pushtetit serbo- komunist nën trysninë e faktorit ndërkombëtar.

Fjalët kyçe: Demonstratat e 1968, Republika e Kosovës, Kushtetutë, Universitet, Prizren, Prishtinë.

Çështja shqiptare dhe padrejtësitë evropiane

Shembja e sundimit turk në Ballkan do të bënte që fati i mëtejshëm i Shqipërisë të hynte në planet e reja të politikës së shteteve fqinje ballkanike. Aleatët ballkanikë i trajtonin krahinat shqiptare si trofe lufte. Ata treguan kështu se ishin të vendosur të vepronin sipas marrëveshjeve të fshehta që kishin lidhur më parë me njëri-tjetrin, se ishin kundër një Shqipërie më vete.

Po ashtu edhe Fuqitë e Mëdha evropiane kishin planet e tyre, e cila gjë më se miri u pa në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, e cila i filloi punimet më 17 dhjetor të 1912-s, duke i vazhduar deri në fund të korrikut të vitit 1913. Kjo konferencë u diktua pas shpërthimit të luftës së parë ballkanike. Morën pjesë fuqitë e mëdha të Evropës, përfaqësuesi i perandorisë osmane dhe përfaqësues të fuqive ballkanike, me përjashtim të Shqipërisë (që nuk njihej) dhe të Greqisë (që nuk e kishte nënshkruar armëpushimin). Nga kjo konferencë doli Traktati i Londrës, mbi ndarjen e territoreve që dolën jashtë perandorisë osmane prej fuqive të mëdha dhe aleatëve të tyre. Ky Traktat mbeti i fshehtë deri në Konferencën e Versajës. Të gjitha fuqitë e mëdha paraqitën versionin e tyre të hartës së Shqipërisë. Harta më e favorshme për shqiptarët ishte ajo e propozuar nga Austro-Hungaria. Në këtë konferencë Shqipëria u njoh si principatë, që do të thoshte se forma e qeverisjes do të ishte monarkike, pushteti i trashëgueshëm, ndërsa pavarësia e kushtëzuar, sepse principata nuk arrin deri tek e drejta e shtetësisë. Në këto kushte Ismail Qemali u detyrua të jepte dorëheqjen, qoftë për t’i hapur rrugën një princi të huaj, ksenokracisë; qoftë për t’u mbrojtur nga akuzat për t’u shpallur vetë sovran i vendit. Ky është quajtur dhe viti i mbrapshtë i Shqipërisë, nga filluan shumica e fatkeqësive të saj: paqëndrueshmëria e sistemit politik, varësia prej së jashtmi, forca e madhe e ndikimit të të huajve dhe mbi të gjitha ndarja për gjysmën e territoreve të saj.

Si rezultat i kompromisit të diplomacisë evropiane, e cila sheshazi i flijoi shqiptarët me shpresë se do ta parandalonte plasjen e Luftës së Parë Botërore. Mirëpo kjo vetëm sa i rriti apetitet e fqinjëve sllavë: politika arrogante serbe e organizoi atentatin e Sarajevës dhe ndezën Evropën flakë.

Edhe në Konferencën e Paqes në Versajës jo që s’e mori në shqyrtim drejt e me përgjegjësi serioze shqyrtimin e fatit të shqiptarëve të ndarë, po me ecurinë e saj po e rrezikonte edhe Shqipërinë londineze. Ishin hapur dosjet e Traktatit te Fshehtë të Londrës, por ndërhyrja energjike e presidentit Udro Wilson e mbylli këtë çështje.

Por për të gjitha këto, koha e tregoi se këto ishin llogari pa hanxhinë: ngase populli shqiptar as nuk u nënshtrua e nuk u asimilua me gjithë masat e egra të shtypjes e shpërnguljes gjysma e këndejme, as s’u përça e nuk u tret gjysma e andejme.

Kjo ndarje pati pasoja të mëdha tek populli shqiptar, e cila u bart nga brezi në brez dhe la gjurmë të pashlyeshme në të dyja anët, qe edhe mbeti një tragjedi historike kombëtare. Shqiptarët këndej kufirit iu nënshtruan okupimit të Jugosllavisë monarkiste, politikës së terrorit të egër shtetëror, të shtypjes nacionale, të mohimit të çdo të drejte, të asimilimit e të shpërnguljes me dhunë. Kësaj gjendjeje të padurueshme i dha fund kapitullimi i Mbretërisë Jugosllave dhe pushtimi gjerman i saj. Ku pushtuesi italianë e shfrytëzojë pakënaqësinë e shqiptarëve të ndarë dhe i bashkuan në një shtet. Pavarësisht nga të gjithat, e vërteta është se shqiptarët ishin të bashkuar në një shtet dhe, pjesa e tyre që deri dje ishin nën pushtimin jugosllav e grek po e shijonin kënaqësinë e lirisë, u organizua administrata shtetërore shqiptare, u hapën shkolla, u arrit një këndellje e përgjithshme kombëtare.

Por edhe përkundër asaj se sunduesit nazifashistë u paraqiten si çlirues e bashkues të shqiptarëve, shqiptarët u organizuan politikisht e ushtarakisht dhe morën pjesë në luftë në krahun e aleatëve kundër forcave të Boshtit.

Edhe pse çështja e Kosovës si një çështje e hapur ndëretnike e Ballkanit, udhëheqësit e lëvizjeve antifashiste të Shqipërisë dhe Jugosllavisë e kishin lënë që këtë çështje ta shqyrtonin dhe ta zgjidhnin pas luftës së përbashkët antifashiste.1

Kjo gjente shtytje dhe motivohej nga traktatet ndërkombëtare si “Karta/pakti i Atlatikut” e 14 gushtit të vitit 1941, ngase në pikën 2 thuhej: “Territoret duhet të jenë në përputhje me pretendimet e popujve që kanë probleme të ngatërruara nga padrejtësitë dhe sipas pikës nr. 3, parashihej e drejta e të gjithë popujve për vetëvendosje. Duke u nisur nga kjo se të gjithë ata popuj që do të merrnin pjesë në koalicionin antifashist, pas luftës, do ta siguronin të drejtën e vetëvendosjes, por edhe korrigjimin eventual të padrejtësive historike të së kaluarës, kosovarët  rrokën armët dhe luftuan krah për krah me shtetet tjera antifashiste, por koha dëshmojë se populli i Kosovës u mashtrua edhe kësaj herë nga komunistet serb por edhe ata shqiptar.

Për këtë flet dhe fakti se përfaqësuesit e Kosovës nuk u gjendën në Mbledhjen e Dytë të AVNOJ-it në Jajcë të Bosnjë e Hercegovinës, ku u hodhën themelet e para institucionale të Federatës Jugosllave, meqenëse pjesëmarrja e tyre do të konsiderohej si prejudikim i zgjidhjes së çështje së hapur të Kosovës midis formacioneve antifashiste të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë. Në mënyrën më të spikatur çështja e Kosovës, si çështje e strukturës së saj kombëtare dhe si çështje e vetëvendosjes kombëtare, gjeti shprehje në Rezolutën e Konferencës së Bujanit (31. XII. 1943 – 1.1.1944), në të cilën duke u mbështetur në parimin e vetëvendosjes, të afirmuar në dokumente ndërkombëtare gjatë luftës, flitet për Kosovën si territor me shumicë shqiptare dhe për vullnetin e kësaj shumice për bashkim kombëtar me Shqipërinë.2

Pas Konferencës së Bujanit dhe në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, me dominimin politik serb, çështja e Kosovës u tentua të mbyllet në mënyrë të panatyrshme dhe të kurdisur politikisht. Në Rezolutën e Dytë (Mbledhja e Dytë e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës (Prizren, gusht, 1945) u shpall se Kosova “me dëshirë të popullsisë së saj, i bashkohej Serbisë federale në kuadër të Federatës Jugosllave. Një “zgjidhje” e tillë e çështjes kundër logjikës së karakterit objektiv të strukturës kombëtare të Kosovës dhe të hapësirë së gjerë e me vazhdimësitë shumicës etnike shqiptare në Ballkan, jo vetëm që nuk e mbyllte historikisht problemin e Kosovës dhe atë shqiptar, por e rihapte këtë çështje në mënyrë virtuale në kontekst të ri historik, në mos gjeopolitik në Ballkan.3

Në shtator të vitit 1944 de fakto, dhe në shkurt të vitit 1945 de jure u shpërnda Shtabi i Përgjithshëm i Aradheve Partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe u shkarkua komandanti i saj, u dekretua gjendja e administrimit ushtarak në Kosovë, u shpall mobilizimi i dhunshëm ushtarak për zbrazjen e Kosovës nga potenciali i saj njerëzor, u pushkatuan me mijëra të rinj kosovarë në Tivar, u ndërmorën një varg ekspeditash ushtarake për të shtypur me gjak çdo përpjekje të kundërvënies së organizuar ndaj pushtetit të ri.

U rivendos kufiri dhe se zona shqiptare po përsëritej në një version të ri. U ngritën gjykata ushtarake dhe u likuiduan shumë personalitete të njohura. Për më shumë se dy dekada u burgosën e u dënuan grupe politike të spektrit të djathtë e të majtë që s’i shkonin për shtati pushtetit, ngase s’pajtoheshin me gjendjen aq të rëndë të popullsisë shqiptare. Në funksion të një presioni masiv e brutal mbi popullatën u organizua aksioni famëkeq i mbledhjes së armëve nga shqiptarët, edhe nga ndonjë serbo-malazez sa për sy e faqe. Me qindra njerëz vdiqën nga torturat në kushtet e një dimri siberian. Nga të drejtat e premtuara gjatë luftës u lejua vetëm arsimi në gjuhën amtare, kryesisht fillor, sepse atë e kishin hapur më parë edhe pushtuesit nazifashistë dhe s’kishte si të veprohej ndryshe.

Ngjarjet që shënuan vitin 1968 dhe ndikimi i tyre në Kosovë

Viti 1968, ishte shumë i veçantë edhe për disa ngjarje që ndodhën në mbarë botën, pra edhe në territorin e ish-Jugosllavisë, të cilat patën karakter të ndryshëm. Ky vit karakterizohet si vit i trazirave dhe i shqetësimeve si në rajonin tonë, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar4. Këto ngjarje kanë ndodhur për shkak të pakënaqësive nga gjendja e rëndë ekzistuese ekonomike e politike në vendet e ndryshme, si dhe për shkak të rrethanave të asaj kohe që mbretëronin në botë. Kështu, u shfaqën tensione në mes të dy blloqeve ushtarake që ekzistonin në atë kohë, që sinjalizonte fillimin e luftës së ftohtë në planin ndërkombëtar. Shqetësimet ishin të arsyeshme për shkak të rrezikut që paraqisnin këto dy blloqe për një luftë botërore shkatërruese. Gjatë vitit 1968, rinia e disa vendeve të zhvilluara që kishin një demokraci më të përparuar, filluan të organizojnë një lëvizje, e cila u quajt “Lëvizja e së majtës së re”. Në maj të vitit 1968, studentët e Universitetit të Sorbonës vërshuan rrugët për të shfaqur a demonstruar këtë pakënaqësi, me qëllim që kjo valë e pakënaqësive të zgjerohet në gjithë hapësirën e Evropës e kontinenteve të tjera, për të ndryshuar botën e ndërtuar “keq dhe padrejtësisht”. Protesta me motive të njëjta në këtë kohë u zhvilluan, në Francë, Angli, Gjermani, Itali dhe vende të tjera5. Ky vit u manifestua me protesta të mëdha të lëvizjeve studentore në mbarë botën që kërkonin ndryshime dhe trajtim më të mirë të rinisë në shoqëri. Demonstratat që u organizuan në Paris, ishin përcjellë me vëmendje edhe nga studentët e mbarë botës, pra edhe nga ata të Kosovës. Nga këto demonstrime ishin frymëzuar edhe organizatat politike që vepronin në ilegalitet dhe përpiqeshin për të zgjedhur problemet e interesat kombëtare. Ata zgjodhën ketë rrugë për mbrojtjen e interesave kombëtare6. Pikërisht i frymëzuar nga lëvizjet studentore që ndodhën në këtë kohë në mbarë botën, patrioti i shquar, Osman Dumoshi, për herë të parë në mbledhjen e grupit politik gjatë gushtit, jep idenë që kërkesat e drejta të shqiptarëve të mbrohen para pushtetarëve krahinorë dhe jugosllavë dhe duke demonstruar nëpër rrugë për mbrojtjen e kërkesave të drejta kombëtare. Në vitin 1968, u organizuan protesta nga studentët e Universitetit të Beogradit, të cilët kërkonin kushte më të mira të studimit. Megjithatë, në këto demonstrata filluan të hedhin parulla nacionaliste dhe hegjemoniste nga çetnikët. Në këtë kohë ishte duke u zhvilluar edhe lufta e përgjakshme në Vietnam që financohej dhe që ishin të implikuar në mënyrë direkete apo indirekte të dy superfuqitë e kohës. Kjo luftë kishte shkaktuar shume pakënaqësi në mbarë botën, por protesta kundër luftës ishte zhvilluar edhe në SHBA. Ngjarjet që janë shënuar në këtë kohë dhe cilësohen si të rëndësisë së veçantë, janë shfaqja e rrymave liberale që përfshinin reformat e komunistëve në Çekosllovaki për lirinë e shprehjes së mendimit që me heqjen e censurës nga shtypi dhe mediat etj. Madje, filluan të dëgjohen zëra për daljen e Çekosllovakisë nga Pakti i Varshavës. Me këto reforma që u bënë në Çekosllovaki, nuk ishte i kënaqur udhëheqësi komunist rus, Brezhnjev, i cili vendosi që më 21 gusht të vitit 1968, të vendosë tanket e Paktit të Varshavës dhe ato ruse në Çekosllovaki, duke pushtuar atë. Në këtë kohë shtypi amerikan i kishte kushtuar shumë rëndësi ngjarjeve që u zhvilluan në Evropë. Shtypi amerikan paralajmëronte se forcat e paktit të Varshavës do të vazhdonin me pushtimin edhe të disa vendeve Ballkanike. Në ketë kohë kishte reagime edhe nga zyrtarët e qeverisë amerikane që kundërshtonin dhe paralajmëronin se forcat e Traktatit të Varshavës kishin si cak të ardhshëm edhe Rumaninë dhe pushtimin e saj7. Sipas Mahmut Bakallit, në këtë kohë edhe në radhët e udhëheqjes politike jugosllave ishte krijuar një frikë nga pushtimi i mundshëm i Jugosllavisë. Kjo gjë do të ndikojë në afrimin e Titos me Serbinë sepse ekzistonte frika se forca që përfaqësonin Rankoviqin, mund të bënin ndonjë aleancë me sovjetikët për pushtimin e Jugosllavisë. Serbia ishte qysh në fillim e pakënaqur me largimin apo mënjanimin e tij nga politika. “Këto rrethana ndikuan edhe në debatet kushtetuese në Kosovë që të ndërpritet kërkesa e ligjshme për republikë në rrethanat e krijuara” – dëshmon Mahmut Bakalli8. Pakënaqësia e popullatës ishte shumë e madhe. Këtë më së miri e ilustron rasti i vetëflijimit (vetëdjegës) së studentit Jan Pallahut në Çekosllovaki. Ky akt i tij i vetëflijimit si shenjë e mospajtimit e revoltës, i nxiti protestat kundër okupimit sovjetik të Çekosllovakisë. Akti i tij luajti rol të madh edhe tek rinia studentore shqiptare në Kosovë. Në tokat e pushtuara ishte kuptuar si shembull i lartë i vetëflijimit për të luftuar pushtuesit. Largimi i shtetit shqiptar nga Traktati i Varshavës i ndryshoi marrëdhëniet me BRSS, pra u ndërprenë të gjitha bashkëpunimet dhe u prishën raportet e tyre midis tyre.

Në këtë kohë, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria filloi një bashkëpunim të ngushtë dhe më të afërt me Kinën. Në Tiranë filluan shfaqjet e artistëve kinezë gjatë këtij viti. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë filluan bashkëpunimet e ndryshme në mes të dy shteteve në të gjitha fushat: ekonomi, kulturë, arsim, shëndetësi, sport, në fushën ushtarake etj. Në vitin 1968 diktatori shqiptar në sheshin e Tiranës vendosi bustin e Stalinit. Ishte koha kur Shqipëria mund të rrezikohej nga pushtimi sovjetik. Në këtë kohë pas pushtimit të Çekosllovakisë u krijua bindja se Moska mund të zëvendësonte çdo regjim komunist në Lindje. Këto ishin disa nga ngjarjet më të rëndësishme që përcollën vitin 1968.

Këto ngjarje ndikuan pa mëdyshje edhe në rrjedhat e përgjithshme në Kosovë që në atë kohë përcilleshin me vëmendje të madhe edhe nga shqiptarët e Kosovës. Regjimi jugosllav bëri ç’është e mundur që këto lëvizje, të cilat vinin nga Evropa Perëndimore, t’i amortizojë dhe mos të lejojë shtrirjen e tyre në Jugosllavi, veçanërisht në Kosovë9. Megjithatë, ilegalja shqiptare e asaj kohe që vepronte në Kosovë, me tërë potencialin e vet u mundua që të përfitonte nga këto ngjarje që ndodhën në Evropë. Pa dyshim se në këtë vit në Kosovë ishte bërë një shpërthim i fuqishëm kulturor, arsimor dhe një ngritje e ndjenjës kombëtare.

Por ka edhe mendime se demonstratat e vitit 1968 në Kosovës nuk ishin të frymëzuara nga demonstratat e Evropës e të Beogradit, kështu sipas Murat Balkut, në një artikull botuar në gazetën e përditshme “Koha ditore” me titull “Demonstratat 1968-s u ideuan në “Universitet” dhe e bënë “Universitetin”, ai për këto demonstrata shkruante se: “demonstratat shqiptare të 27 nëntorit të vitit 1968 në Kosovë, s’kishin asnjë lidhje me demonstratat e Evropës e të Beogradit, as ideore e as konceptuale. Ato ishin krejt autoktone, origjinale dhe me karakter të theksuar kombëtar”. Por erdhën si rezultat i pakënaqësive të grumbulluara që po zienin në kokat e njerëzve dekada me radhë.

Demonstrata e vitit 1968 në Kosovë

Pas largimit të shkurtër të strukturave kriminele të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore që për një kohë të gjatë ushtruan dhunë ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë, të cilave u kishte prirë krimineli dhe ish-udhëheqësi i sigurimit shtetëror jugosllav, Aleksandeër Rankoviçi, pas vendimeve të Plenumit të Katërt të LKJ-së, kaloi më shumë se gjysmë viti pas Plenumit të Brioneve, që populli shqiptar të nisi të marrë frymë më lirshëm dhe të fillojë të fliste më hapur për veprimet kriminale të sigurimit shtetëror jugosllav në Kosovë. Në këtë kohë, edhe në Kosovë pjesërisht u ndje një frymë më liberale e pushtetit komunist jugosllav, ku në këtë kohë intelektualë dhe patriotë shqiptarë filluan t’i artikulojnë kërkesat e ligjshme dhe historike të tyre, që në mënyrë të padrejtë ishin mohuar për një kohë të gjatë duke kërkuare barazi me popujt e federatës jugosllave, me kërkesën për avancimin e statusit të Krahinës n Republikë. Viti 1968, për shqiptarët që jetonin në Jugosllavi, ishte një vit shumë i rëndësishëm dhe i veçantë, ngase viti kishte filluar me shënimin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeut. Ky hero i historisë sonë kombëtare, në të gjitha viset ku jetonin shqiptarët, pra edhe në Jugosllavi, ishte bërë simbol i unitetit kombëtar, i ringjalljes së krenarisë kombëtare shqiptare. Në këtë kohë u organizua për herë të parë në Prishtinë një simpozium në shenjë të nderimit të veprës madhore të heroit tonë kombëtar. Në këtë simpozium morën pjesë edhe historianë dhe gjuhëtarë nga Shqipëria, kurse në Tiranë u organizua Konferenca Shkencore kushtuar heroit tonë kombëtar, ku morën pjesë studiues të të gjitha fushave albanologjike, shqiptarë e të huaj10. Ky përvjetor kishte ngjallur në Kosovë një entuziazëm dhe romantizëm të paparë tek intelektualët, rinia studentore dhe te një pjesë e gjerë e qytetarëve shqiptarë. Po në këtë vit do të ndodhë një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe historinë tonë kombëtare, që do të vazhdojë me konsultën e Njësimit të Gjuhës Shqipe më 22 e 23 prill 1968, qe u mbajt në Prishtinë. Pra, në këtë kohë u paralajmërua Kongresi mi Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1972. Në këto ngjarje të rëndësishme historike për mbarë kombin shqiptar, e sidomos te pjesa e ndarë padrejtësisht e kombit u pa fillimi i realizimit te ëndrrave dhe të aspiratave shekullore për çlirim dhe bashkim kombëtar. Këto procese në këtë kohë filluan që të zgjerohen edhe me shumë në fushën kulturore e arsimore, kështu filloi një bashkëpunim me shtetin amë. Në këtë kohë filluan të vijnë libra të ndryshëm “tekste shkollore, vepra letrare e historike”. Në Kosovë (Prishtinë) filluan të vijnë profesorë dhe shkencëtarë të fushave të ndryshme nga Tirana. Për herë të parë filloi të zhbllokohet kufiri ndërshqiptar. Ai kalohej në mënyrë legale nga të dyja anët, ndonëse me një numër shumë të vogël. Këto rrethana filluan me kujdes t’i shfrytëzonte inteligjencia shqiptare e Kosovës, e cila ishte numerikisht e vogël dhe përbëhej kryesisht nga profesorët dhe arsimtarët që kishin sfiduar kohën kriminale të Rankoviqit. Inteligjenca shqiptare nisi të inkuadrohet më guximshëm në rrjedhat shoqërore dhe, si rezultat i kësaj, fillon artikulimi i kërkesave gjithë popullore për dënimin e krimeve rankoviqiane. Shtrohen kërkesa për përmirësimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, që popullit shqiptar në Jugosllavi t’i njihet statusi i kombit dhe e drejta për vetëvendosje deri në shkëputje11. U paraqitën kërkesa që Kosova të quhet vetëm Kosovë, pa shtesën kishtare Metohi. Në këtë kohë shtrohet edhe kërkesa që Kosovës t’i njihet statusi i Republikës, që nënkuptonte edhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në Jugosllavi me Republikën e Kosovës. Në këtë kohë filluan të botohen në shtypin ditor dhe në atë javor shkrime për heronjtë dhe shkrimtarët më eminentë të historisë sonë kombëtare, që ishte një evoluim kulturor i jashtëzakonshëm për shqiptarët që nga e njëjta parti dhe i njëjti shtet që ishin shtypur me metodat më kriminale të kohës12. Në këtë kohë në gazetën “Rilindja” qe një debat shumë i gjallë edhe rreth gjuhës shqipe që gjërat të shkruhen mirë dhe drejt shqip. Botimet që i sillte kjo gazetë në këtë kohë, krijuan një brez të ri të lexuesve dhe të intelektualëve të rinj, që më vonë do të marrin përgjegjësi të rëndësishme në zhvillimin e shkencës dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi. Në këto vite “Rilindja” filloi botimin e librave shumë të rëndësishëm të historisë dhe të letërsisë shqiptare të autorëve më të rëndësishëm, të Shqipërisë, si: “Historia e Skënderbeut” të Marin Barletit dhe shumë e shumë vepra të rëndësishme nga fusha letërsisë, folklorit, historisë kombëtare, të shkencave etj. Të gjitha këto ishin një risi për shqiptarët që jetonin në Kosovë. Kosova filloi për herë të parë që tek ne në teatër të luhen edhe disa drama të autorëve të njohur shqiptarë. Ardhja e disa ansambleve e këngëtarëve nga Shqipëria, formimi i grupeve të reja muzikore në Kosovë, zgjatja e programit të Radio-Prishtinës në gjuhën shqipe dhe shumë zhvillime të rëndësishme për shqiptarët e Kosovës, bënë kthesë të madhe në jetën e shqiptarëve, duke ndikuar në radhë të parë në rritjen e ndërgjegjes kombëtare e kulturore. Gjatë këtyre viteve shqiptarët përjetuan për herë të parë një ngritje pas afro tri dekadave shtypje nga politika zyrtare jugosllave dhe serbe. Në këtë kohë u rrit edhe buxhet i Kosovës, u bënë investime në ngritjen e objekteve të reja shkollore në shumë komuna të Kosovës. Ishte hera e parë gjatë këtyre viteve që disa shkolla nëpër Kosovë filluan të pagëzohen me emrat e personaliteteve më eminente të historisë dhe të kulturës shqiptare. Të gjitha këto zhvillime ndikuan që të ngrihet vetëdija kombëtare dhe të përqafohet në gjithë popullsinë ndjenja dhe dashuria për letërsinë, kulturën dhe historinë e popullit shqiptar. Kjo periudhë me të drejtë mund të quhet si koha e evoluimit kulturor në Kosovë.

Vijon

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një informatë e Radios Kosova e Lirë, drejtuar Shon Bërnsit në Shkup (E enjte 13 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një informatë e Radios Kosova e Lirë, drejtuar Shon Bërnsit në Shkup (E enjte 13 maj, 1999)

Në mëngjes në tendën tonë erdhi eprori, Muharrem Sylejmani. Ai tregon se ka një defekt …