Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka vlerësuar se bllokada e zgjatur politike në Kosovë po ndikon negativisht në proceset reformuese, integrimin evropian dhe funksionimin e institucioneve. Biserko tha se vlerësimet e institucioneve evropiane për humbjen e një viti politik nga Kosova si pasojë e ngërçit institucional pasqyrojnë shqetësimin e Bashkimit Evropian për mungesën e funksionalitetit të institucioneve. Sipas saj, problemi nuk lidhet vetëm me raportet ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe opozitës, por edhe me dallimet e thella politike rreth qeverisjes, dialogut me Serbinë dhe marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Duke folur për procesin e dialogut Kosovë–Serbi, Biserko tha se autoritetet në Beograd nuk tregojnë gatishmëri të mjaftueshme për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Kosovën. Sipas saj, dialogu po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një mekanizëm për menaxhimin e krizave, ndërsa orientimi evropian i Kosovës është më i qartë sesa ai i Serbisë. Ajo komentoi edhe rastin e sulmit të armatosur në Banjska, duke thënë se mungesa e procedimit penal ndaj Milan Radoiçiq ngre pikëpyetje për përkushtimin e Serbisë ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve.cBiserko u ndal edhe te pozita e komunitetit serb në Kosovë, duke vlerësuar se Lista Serbe vazhdon të funksionojë nën ndikimin e Beogradit, ndërsa Nenad Rashiq paraqet një alternativë politike më të pavarur. Sipas saj, pa ndikimin dhe presionin politik të Beogradit, serbët e Kosovës do të kishin më shumë hapësirë për të përfaqësuar dhe artikuluar interesat e tyre politike në mënyrë të pavarur.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
