Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka deklaruar se zgjedhjet e 7 qershorit janë ndër momentet më të rëndësishme për vendin që nga paslufta, duke akuzuar qeverisjen aktuale për dëmtim të interesave të qytetarëve dhe të partneriteteve ndërkombëtare të Kosovës. Ismaili tha se shtyllat kryesore mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës – lufta çlirimtare, qytetarët dhe aleatët ndërkombëtarë – janë cenuar gjatë mandatit të fundit qeverisës. Ai kritikoi ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke pretenduar se vendi është përballur me varfëri, përçarje politike dhe tensione me partnerët strategjikë. Sipas Ismailit, zgjedhjet e 7 qershorit përfaqësojnë një mundësi për ndryshim politik dhe për rikthimin e fokusit tek nevojat e qytetarëve. Ai u bëri thirrje votuesve që të mbështesin PDK-në dhe kandidatin e saj për kryeministër, Bedri Hamza, duke e cilësuar atë si alternativën për stabilitet dhe zhvillim të vendit. “Bashkë e kemi ndërtuar Kosovën dhe bashkë mund ta ndryshojmë drejtimin e saj”, ka theksuar Ismaili në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
