Të gjithë e thërrisnin dhe e kujtojnë edhe sot me emrin “Drejtori”. Se ishte drejtori i parë i gjimnazit të Bajram Currit, u rikthye edhe në vitin 1968. Se ishte i sukseshëm dhe fitoi zemrat e nxënësve që studiuan në këtë gjimnaz. Tërë jetën ishte drejtor: në Bajram Curr, në Fierzë, në Kabinetin Pedagogjik të rrethit.
Idriz Logu lindi në Markaj të Tropojës, më 12 maj 1937. U nda nga jeta në Bajram Curr, më 1 korrik 2001. Shkollën fillore e mbaroi në Bujan, në një nga shkollat e para të rrethit të Tropojës. Shkollën 7-vjeçare e kreu në Bajram Curr, kurse shkollën e mesme pedagogjike në Shkodër, me rezultate të shkëlqyera. Mbaroi edhe kursin pasuniversitar për drejtues shkolle në Tiranë. U diplomua në Universitetin e Tiranës, dega Histori. Mbante Medaljen “Naim Frashëri të Argjendtë”.
Idriz Logu pati si model Mësuesin e Popullit, Rexhep Shpendi, motrën e tij, Aishe Shpendi nga vendlindja dhe mësuesin Sali Kolgeci. Tropoja është e shquar për mësues të talentuar e të përkushtuar si: Zenun Margjeka, Elez Gashi, Mehmet Margjeka, Niman Zalli etj. Familja e Idriz Logut është një familje mësuesish në tre breza: Idrizi, Lumja, bashkëshortja, Lulzimi bashkë me bashkëshorten e tij, Hedijen dhe djali i Lulzimit, Klajdi pedagog në Tiranë. Lulzimi punon prej vitesh në Zyrën Arsimore të Tropojës, është shkrimtar, studiues dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Tropojës. Një familje intelektuale, atdhetare, e nderuar dhe e respektuar, jo vetëm në Tropojë, por edhe në Kosovë.
- Idriz Logu, drejtues me vizion dhe i suksesshëm në arsim
Drejtori Idriz Logu karakterizohej nga shpirti sulmues dhe aftësia për të zgjidhur në kohë e me sukses problemet. Përqendrohej tërësisht për të kërkuar e gjetur mjetet e rrugët që sigurojnë suksesin. Ishte i motivuar dhe i karikuar në çdo moment. Vetëanaliza javore, mujore dhe vjetore e ndihmonin atë për të ndjekur në vazhdimësi punën dhe për të realizuar vizionin personal. Dallohej për administrimin efektiv të kohës. Atë që ai e bënte për pak kohë, drejtuesit e tjerë harxhonin shumë kohë. Sepse ndërhynte si drejtues në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe bënte ata që ishte e duhura. Përcaktonte qartë qëllimet dhe prioritetet, merrej me gjërat kryesore, u delegonte detyra të tjerëve, nuk i shtynte për më vonë ato që duheshin bërë në kohë, hartonte listën e veprimtarive, i ndante qëllimet e mëdha në detyra të vogla.
Drejtuesin me vizion e karakterizon veprimi gjithnjë në rritje dhe i pandërprerë. I tillë ishte Drejtori Idriz Logu. Edhe kur drejtoi arsimin në rrethin e Tropojës, edhe kur punoi në Kabinetin Pedagogjik. Motoja e punës së tij ishte: Të mendojmë e të punojmë së bashku për të kapërcyer vështirësitë! Gjimnazi i Bajram Currit ishte qendra më e rëndësishme arsimore e rrethit, nga bankat e të cilit dolën kuadro që shkëlqyen në të gjitha fushat, jo vetëm në Tropojë, por edhe në shkallë kombëtare. Janë me dhjetëra me tituj Doktor dhe Profesor. Aty emëroheshin mësuesit më të mirë. Merita e tij është se ai i nxiti, i inkurajoi, i mbështeti dhe i kualifikoi, duke arritur rezultate të larta në procesin mësimor. Mësuesit: Fahri Doçi, Ndoc Papleka, Mehmet Hyka, Ahmet Osja, Kadë Mulosmani, Ibrahim Shabani, Dan Doçi janë krenaria, jo vetëm e Tropojës, por edhe më tej. Kombinimi i vizionit personal me atë me bazë shkolle i ndihmon mësuesit në transformimin e shkollës tradicionale në një institucion modern. Guximi ka aftësi gjeniale, fuqi dhe magji. Kjo e karakterizoi gjatë gjithë jetës Drejtorin Idriz Logu. Duke marrë pjesë në zhvillimin e vizioneve formohet bindja se njeriu me vullnet të fortë e gjen rrugën për të ecur përpara. Drejtuesi i shkollës ka si masë të vetme për vlerësimin e punë së tij dhe të kolegëve progresin që bëjnë nxënësit. Për drejtuesin vizionar në arsim, transformimi i shkollës në një institucion vizionar është një detyrë urgjente. Këtë e realizojnë forcat e saj të brendshme, të ndihmuara edhe nga ato që veprojnë jashtë saj. Rezultatet e larta në procesin mësimor gjatë kohës, kur Idriz Logu ishte drejtor janë meritë e tij dhe e gjithë stafit pedagogjik. Gjimnazi “Asim Vokshi” është fidanishtja e kuadrove të Tropojës. 80% e nxënësve që mbaronin atë shkonin në shkolla të larta. Kjo bëri që në vitet `80, Tropoja t’i plotësonte nevojat e saj me kuadro vendas në të gjithë sektorët.
Është e njohur aksioma: “Çfarë bëhet brenda klasës, pasqyrohet në nivelin e formimit të nxënësve”. Aktivizimi maksimal i punëve të pavarura të nxënësve brenda dhe jashtë orës së mësimit është punë krijuese, art, është një punë njëzetfish më e vështirë sesa ajo e mësuesit, i cili i ka përvetësuar përmendësh tekstet dhe ka një dekadë ose më shumë që i shpjegon dhe i rishpjegon në detaje gjërat si megafon monoton, duke i mërzitur nxënësit, por edhe veten e tij. Pra, përsosja dhe përpunimi i metodave të të mësuarit aktiv është i pandarë nga punët e pavarura të të gjithë nxënësve. Në këto punë, mësuesi ka parasysh këta elementë didaktikë: përgatitjen psikologjike të nxënësve, aftësimin e tyre për të arsyetuar dhe vepruar në mënyrë të pavarur e për të punuar vetë me burimet e njohurive, të teksteve, të detyrave e për të zbuluar njohuri të reja nën drejtimin e mësuesit dhe për t’i zbatuar njohuritë teorike në praktikë në mënyrë të pavarur. Shembullin për këtë e dha i pari Drejtori Idriz Logu, pastaj mësuesit e tjerë. Në lëndën e kimisë, mësuesi Fahri Doçi jepte elementë të rëndësishëm nga Kimia e Glinës, si plotësim për punët e pavarura, i zhvillonte në një nivel të lartë punët laboratorike, jepte ushtrime dhe problema që përforconin njohuritë e fituara. Mësuesi i matematikës, Mehmet Hyka punonte brenda dhe jashtë orës së mësimit, me ushtrime dhe problema jashtë tekstit mësimor. Kuptimin e hollë të detajeve artistike, aftësia për të krahasuar, për të vënë përballë njëra-tjetrës figurat artistike, personazhet, për të kuptuar thellë nëntekstin poetik e realizonte me sukses në lëndën e letërsisë mësuesi Ndoc Papleka. Punët e pavarura krijuese u bënë sistem pune në procesin mësimor, i aftësuan nxënësit të zgjidhin detyra njohëse sistematikisht, të zbulojnë njohuri në mënyrë origjinale në forma të punëve praktike. Kjo i parapërgatiti ata për vijimin me sukses të studimeve në shkollat e larta. Paraqitja e thatë përshkrimore e materialit mësimor, si nga mësuesi, ashtu edhe nga nxënësi është antipodi i punës së pavarur krijuese të nxënësve dhe e papranueshme në didaktikën moderne. Sa më shumë të mësojë mësuesi për vete, të mendojë për çdo orë mësimi dhe ta masë atë me fuqitë e nxënësve, aq më të lehtë do ta ketë nxënësi. Është kjo arsyeja që nxënësit shkonin me kënaqësi në orët e mësimit në këto lëndë. Kur mësuesi Ndoc Papleka ishte me leje krijimtarie, na erdhi një mësues tjetër, i cili nuk dinte të komunikonte me nxënësit, bënte vlerësime subjektive, i vështirësonte gjërat, nuk pranonte vërejtjet dhe kritikat e nxënësve. Ne i kërkuam Drejtorit që ky mësues të mos na jepte mësim. Drejtori e mori parasysh kërkesën tonë. Na erdhi përsëri mësues Ndoci edhe pse me leje krijimtarie, sepse ishim në prag të provimeve të maturës. Edhe në një rast tjetër ne patëm vërejtje në vitin e dytë për mësuesin e fizikës, i cili ishte i paaftë si nga ana shkencore, por edhe ajo metodike dhe me mangësi në komunikimin me nxënësit. I kërkuam përsëri drejtorit të na e hiqte dhe ai e kaloi në shkollën 8-vjeçare. Si vizionar që ishte Idriz Logu, kishte në qendër nxënxsit dhe vetëm nxënësit, me të cilët vazhdimisht bashkëbisedonte dhe organizonte anketime. I vlerësonte mendimet e tyre. Mendimet e mia si sekretar i Komitetit të Rinisë të shkollës në mbledhjet e kësillit pedagogjik i merrte në konsideratë dhe ishin pjesë e diskutimeve dhe e vendimeve që merreshin.
Drejtori Idriz Logu ishte modeli i organizimit të kontrollit të gjithanshëm, të thellë, konstruktiv, i cili përfshinte në tërësi punën e kolektivit pedagogjik, por edhe të çdo mësuesi. Nuk merrej me vogëlsira dhe kjo metodë pune i siguroi suksesin. Të gjitha problemet e tematikat që i dilnin gjatë kontrolleve shtroheshin për debat e ballafaqim në këshillin pedagogjik, përcaktoheshin detyrat. Mbi të gjitha ai ndiqte në vazhdimësi zbatimin e tyre. Ky është edhe çelësi i suksesit të tij. Përfundimet që dilnin gjatë kontrollit nuk liheshin në harresë, por bëheshin objekt për diskutimin e mëtejshëm të tyre dhe për përhapjen e përvojës pozitive. Përfundimi i një kontrolli shënonte fillimin e kontrolleve te tjera, që lidheshin drejtpërdrejt me realizimin me cilësi të detyrave që ishin bërë objekt vëzhgimi më parë.
Diversiteti i ideve, që vijon nga një diversitet njerëzish është një nga mënyrat më të mira për të krijuar kushte të favorshme për mësimnxënien. Drejtori vizionar, duke i vënë në lëvizje të gjithë që të mendojnë, të reflektojnë, të debatojnë rreth vlerave të reja që gjejnë, godet stilin: “E di drejtori”. Kjo pengon suksesin. Idriz Logu për disa vite ishte drejtor i shkollës 8-vjeçare dhe i gjimnazit, të cilat ishin bashkë deri në vitin 1971. Një shkollë me mbi 1000 nxënës. Ia doli si askush tjetër të mënjanonte shkaqet që sillnin konflikte, të menaxhonte situatën dhe të ruante ekuilibrin social në shkollë.
- Drejtues i Kabinetit Pedagogjik të rrethit të Tropojës për një dekadë
I dha një pamje të re kualifikimit të mësuesve. Zgjodhi si bashkëpunëtorë specialistët më të mirë sipas lëndëve. Përcaktoi prioritetet kryesorë dhe objektivat, ndoqi nga afër e në vazhdimësi çdo shkollë, çdo komision ndërlëndor dhe përgatitjen e mësuesve në gruplëndët psikologji-pedagogji. Njihte kapacitetet dhe vlerat e çdo mësuesi dhe drejtuesi. Solli një ndryshim rrënjësor, një dimension të gjerë në kuptimin konceptual – funksional dhe përmbajtësor – struktural të arsimit. Puna e mirë në kualifikimin e mësuesve solli rezultate pozitive në përvetësimin e programit mësimor. Kjo u evidentua edhe nga kontrollet e Ministrisë së Arsimit të asaj kohe dhe nga arritjet që patën studentët e Tropojës në shkollat e larta të vendit.
Drejtues shkollash si në atë kohë nuk vijnë më.
Vetëm një kualifikim me cilësi profesionale do të jetë në gjendje të rritë në njërën anë efektivitetin e bashkë me të edhe vlerësimin e rezultateve dhe pjesëmarrjen në kualifikim.
Idriz Logu e ndërtoi kualifikimin e mësuesve duke patur parasysh kërkesat dhe nevojat e reja:
- Duke pyetur vazhdimisht për çfarë kanë nevojë të kualifikohen, veçanërisht të rinjtë e duke treguar kujdes për plotësimin e tyre.
- Duke bashkëpunuar me drejtoritë e shkollave dhe sektorin e kontrollit e të kuadrit në Seksionin e Arsimit.
- Duke mbledhur fakte, duke i analizuar ato e duke përcaktuar detyra.
- Duke qenë racional në punën e kërkesat e tij.
- Duke zgjedhur metodën e përshtatshme të komunikimit për të përcjellë mesazhet.
- Duke ndjekur problemet edhe pas seancave trajnuese dhe kualifikuese.
- Duke rritur përvetësimin e njohurive të reja dhe aftësitë për t’i përçuar ato te të tjerët.
Epilogu:
Idriz Logu ishte një drejtues i suksesshëm në arsim në të gjitha detyrat që iu ngarkuan, bashkëautor i librit: “Historiku u arsimit në Tropojë”, një kontribues i madh në zhvillimin e arsimit.
Rritja sasiore dhe cilësore e arsimit në Tropojë, solli edhe rritjen e personalitetit të tij si lider në arsim. Ai pati aftësinë për të dalë nga zona e rehatisë dhe për të qenë në ballë të punëve. Atje, ku ishte dhe iu besua detyra bëri më të mirën. Të bësh më të mirën do të thotë të jesh vetëvetja, të riformulosh mënyrën sesi e percepton detyrën për ta bërë atë pjesë të një vizioni më të madh e më emocionues. Vitet `60-`90, në të cilat ai ishte protagonisti dhe drejtuesi real i arsimit në rrethin e Tropojës për pjesën më të madhe të kohës, sollën një progres të paparë. Meriton një vlerësim më dinjitoz në panteonin e arsimit në Tropojë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
