Besëlidhja e Lezhës

Dr. Skënder Demaliaj: Mesazhet e Besëlidhjes së Lezhës

Kuvendi i Lezhës, ose siç është bërë zakon të quhet “Besëlidhja e Lezhës”,  është prologu i historisë së lavdishme të popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut. Populli thotë: “Bashkimi bën fuqinë”. Kështu ndodhi edhe me shqiptarët, më 1444. Të bashkuar nga Veriu në Jug, nga të gjitha principatat, me Kryeheroin, Gjergj Kastriot Skënderbeun në krye, shqiptarët luftuan dhe fituan me fuqinë më të madhe ushtarake të asaj kohe – Perandorinë Osmane.

Pse ka qenë i përçarë populli ynë, ai u pushtua, u copëtua dhe humbi shkëlqimin, krenarinë, dinjitetin e Epokës së Skënderbeut.

Situata politike në vendin tonë dhe në trevat, ku jetojnë shqiptarët kërkon “O sot, o kurrë!” bashkimin e shqiptarëve. Vetëm kështu do të forcohen e do të përparojnë. Besëlidhja e Lezhës është një thirrje, një kushtrim për të gjithë ne.

Figura e Skënderbeut na kujton fjalët e Viktor Hygoit: “Njerëzit e mëdhenj ia ndërtojnë vetes së vet piedestalin, ardhmëria kujdeset vetëm për shtatoren”.

Nga burra të mëdhenj, studiues e historianë vendas e të huaj, Skënderbeu është konsideruar si një nga më të mëdhenjtë e të mëdhenjve, në radhë me Lekën e Madh, Çezarin, Hanibalin etj. Por Heroi ynë Kombëtar ka një veçori shumë të rëndësishme që e dallon nga Leka i Madh dhe Çezari. Ai nuk ishte pushtues. Luftoi për vendin e vet, vdiq në vendin e vet, u varros pikërisht, atje ku i bashkoi shqiptarët për herë të parë – në Lissusin e Antikitetit.

Skënderbeu është tipi i udhëheqësit më të madh të shqiptarëve, ku janë bashkuar bukuria me virtytet më të larta njerëzore. Portreti i tij fizik (i gjatë, i hijshëm, me një trup si statujë e derdhur, me sytë e zgjuar që nxirrnin shkëndija, krahu i tij i bukur dhe i fortë prej burri) është në harmoni me portretin e tij moral (burrëria, nderi, besa, modestia, sinqeriteti, zemërgjerësia, përkushtimi, vetëmohimi e mbi të gjitha ndjenja liridashëse dhe atdhedashuria). Skënderbeu ishte orator, strateg e diplomat. Mënyra si ai komunikonte me vartësit e tij, me ushtarët e thjeshtë: fjalët e ëmbla, duke i prekur thellë në akordet e zemrës, shpërblimet e ndëshkimet kur duheshin, kujdesi për ushqimin e argëtimin, drejtësia, zgjedhja e komandantëve sipas aftësive e nga të gjitha krahinat – janë çelësi i suksesit dhe i fitoreve të njëpasnjëshme të tij. Asnjëherë nuk duhet menduar nga politikanët e intelektualët shqiptarë se e njohin historinë e Skënderbeut. Ta lexosh e ta studiosh është njëra anë. Më e rëndësishmja është të nxjerrësh mësime prej saj, t’i analizosh ngjarjet në kontekstin e së kaluarës e të sotmes, t’i përballosh situatat me guxim, me vetmohim, me diplomaci, me atdhetarizëm si Skënderbeu dikur. Besëlidhja e Lezhës i bën apel ndërgjegjes së politikanëve shqiptarë që të punojnë, të luftojnë e të sakrifikojnë për vendin e tyre. Gavril Dara i Ri duke evokuar të kaluarën u drejtohet luftëtarëve të Skenderbeut sikur të ishte mes tyre: “Ju o bij të Motit t’ Madh!” Sot jetojmë në një kohë ku shtrohet pyetja: “A thue do të vijë dita kur ne shqiptarët të jemi të bashkuar fort e me dinjitet si në Epokën e Lavdishme të Skënderbeut?!..”

Asdreni në poezitë e tij shkruan: “Sa rrojti ai / Shqipëria qe ndë dritë / Kur vdiq ai / U bë në këtë ditë”.

Sot më shumë se kurrë, ne shqiptarët jemi para detyrës historike që ta ngrejmë lavdinë e kombit tonë si në Epokën e Skënderbeut. Nga varri i Skënderbeut në këtë përvjetor sikur vjen një zë i përzier me lot (i shqetësuar dhe i mërzitur për fatin e Atdheut), drithërues, (i pakënaqur me ne), kumbues si atëherë kur jepte urdhërat e luftimit. Këtë zë duhet ta dëgjojmë të gjithë ne shqiptarët. Jemi të vonuar, por s’duhet të vonohemi më. Ka ardhur koha të tregojmë se jemi vërtet stërnipërit e Kryetrimit, Skënderbe.

( Dr. Skënder Demaliaj është  Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë)

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …