Dr. Skënder Demaliaj: Mesazhet e librit me kujtime “Si arrita deri këtu...” të Halit Zhgjotit

Dr. Skënder Demaliaj: Mesazhet e librit me kujtime “Si arrita deri këtu…” të Halit Zhgjotit

Për të kuptuar më mirë një libër me kujtime duhet të kemi parasysh kuptimin leksikor të fjalës “kujtim”: gjurmë a përshtypje që na lë në mendje diçka që e kemi parë, që e kemi dëgjuar dhe e kemi jetuar, riprodhim i kësaj gjurme a përshtypjeje, ringjallje e përfytyrimit për dikë a për diçka.

Kur shkruan kujtimet e tua duhet të kesh parasysh disa elementë të rëndësishëm, të udhëhiqesh prej tyre: të kesh kujtesë të fortë, të mbash ditar, të përzgjedhësh momentet më të rëndësishme, t’i përmbledhësh sa më shkurt, pa e bezdisur dhe lodhur lexuesin, të përcjellësh mesazhe. Haliti edhe ka kujtesë të shkëlqyer, edhe ka mbajtur ditar që nga viti 1978. Ka tetë vëllime, me 2700 faqe dorëshkrim, me 50 rubrika, të cilat lidhen me ngjarjet familjare, shoqërore, me qytetin e lindjes, Burrelin, me shkollën, punën, sportin, gjuetinë, marrëdhëniet shoqërore, ngjarjet e rëndësishme, të ndodhura në Shqipëri e në botë. E sqaron edhe vetë në libër: “T’i hedhësh në letër kujtimet që lidhen me periudhën e aktivitetit tënd nga fëmijëria e deri në ditët që jetojmë, është jo vetëm e pamundur, por edhe kujtesa duhet të punojë perfekt apo që detajet në momente të veçanta të saj, të kenë lënë vendin dhe gjurmën e tyre” (f, 289).

Në treg ka plot libra me kujtime. Dikush e përshkruan jetën e tij gjerë e gjatë, pa veçuar momentet kryesore, që kanë lënë gjurmë të thella në vetëdijen dhe nënvetëdijen e tij. Kështu libri del me shumë faqe. Lexuesi mërzitet kur ka të bëjë me modele të tilla. Të tjerë i bien shkurt, por nuk përcjellin mesazhe, nuk ke çfarë mëson prej tyre. Ne kemi plot shembuj pozitivë nga personalitete brenda dhe jashtë vendit sesi duhen shkruar librat me kujtime. Libri me kujtime në pesë vëllime i Wiston Churchill-it për Luftën e Dytë Botërore (fitoi çmimin Nobel në letërsi në vitin 1953) është libër manual sesi duhet të shkruhen kujtimet. Po kështu libri i Tolstoit: “Fëmijëria, adoleshenca dhe rinia”, kujtimet e Bill e Hillary Clinton, të Eleanor Roosevelt, të Bushit të Ri dhe bashkëshortes së tij, Laura Bush, të Eqerem bej Vlorës e të tjerë. Pse janë të tillë? Se është pasqyruar me realizëm, me objektivitet, me mjeshtëri epoka kur kanë punuar e jetuar, se përcjellin mesazhe të rëndësishme, se kanë gjuhë të thjeshtë, të qartë, detaje të zgjedhura me kujdes, stil lakonik. Këtë është përpjekur ta bëjë edhe Halit Zhgjoti. Sigurisht jo në nivelin e atyre që përmenda më lart, për shumë arsye…, por e them me bindje, me sinqeritet se është një libër nga më të mirët e këtij lloji, botuar kohët e fundit në vendin tonë. Nuk është një libër thjesht autobiografik. Është Burreli, vendlindja e autorit, ku është rritur, formuar dhe ka punuar për një çerek shekulli, janë zhvillimet politike, ekonomike, sociale, psikologjike, kulturore, arsimore dhe sportive aty. Është Tirana, ku u arsimua dhe prej 23 vitesh jeton. Është Shqipëria, ku ka shkelur vend më vend, qytet më qytet me ekipet sportive si sportist, trajner, fizioterapist.

Fëmijëria e tij, si e gjithë shqiptarëve ishte e vështirë, por e vrullshme, aktive. U poq para kohe… Kjo e ndihmoi, e kaliti në vitet e mëvonshme për të kapërcyer pengesat në rrugën e gjatë të jetës, për të arritur qëllimet e tij. Punëtor në moshë të re, në SMT, nxënës shembullor në shkollën e natës, student i shkëlqyer në IKF “Vojo Kushi” Tiranë, mësues i edukimit fizik në gjimnazin e Burrelit – kjo është rruga nëpër të cilën kaloi jeta e tij deri në vitet `90. E lexon librin me një frymë, ka jetë, gjallëri. Autori është i sinqertë në rrëfimet e tij, i drejtpërdrejtë, larg filozofimeve të thata, është me kurajo, i komunikueshëm, tepër njerëzor.Shpirti i tij nuk i duron padrejtësitë, manipulimet, hipokrizinë dhe servilët. Nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj ngjarjeve dhe ndodhive në qytetin e tij të largët. Veçoritë e personalitetit të tij janë: të qenit i pavarur, realist, i shoqërueshëm me të gjithë, modest, punon fort për të afirmuar identitetin e tij, është i përgjegjshëm për punën dhe misionin e tij si edukator. Këto si edhe dashuria për Burrelin, për njerëzit atje, për pjesëtarët e familjes së tij të dashur – janë lajtmotivi i librit të tij. Veçanërisht spikat dashuria e tij për Mamën, se ajo e rriti me mund e sakrifica. Mbeti jetim 4 vjeç. Babai, Mehmeti, ushtarak ra në krye të detyrës në hidrocentralin e Ulzës. Në hyrje të librit shkruan: “Këtë libër ia kushtoj kujtimit të Mamës time të shtrenjtë e të paharruar dhe profecisë së saj që parashikoi të ardhmen time”. Përveç mamës, Kijes vend të veçantë në libër kanë motra, Adivija, vëllai, Betimi, bashkëshortja, Liria, vajza, Blerina, djali, Leonardi, mbesat dhe nipi. Një djalë, vëlla, bashkëshort, prind e gjysh shembullor që asnjëherë nuk hoqi dorë nga ndihma, mbështetja, përkujdesi dhe edukimi i tyre. Ai pohon: “Jam i lumtur dhe krenar që gjithë jetës sime i kam dhënë më të mirën Mamës, familjes, fëmijëve të mij, nxënësve e pacientëve të çdo moshe” (f. 264).

Personazhet në libër janë të shumtë, të skalitur me dy-tre penelata, ku theksohen veçoritë thelbësore. Të mbeten në mendje për cilësitë, vlerat që mbartin dhe punën që bëjnë. Të tillë mund të përmendim: Hajredinin, shokun e fëmijërisë, inxhinierin Guido, mekanikët e talentuar Hamiti, Esati, Nazifi, të cilët e ndihmuan në SMT, shokët e tij studentë: Gëzimi, Ismaili, Fadili, Ylli Tomori, Ali Ohri, profesorët: Bujar Shehu, Qazim Bakalli, Sejfulla Shtepani, Thoma Miçalliu, Minella Kapo. Kujtimet më të mira ruhen për drejtorët e shkollës së gjimnazit të Burelit: Ahmetin dhe Ademin, mësuesit e fiskulturës: Lefteri, Zelija, Zyberi, Fatmiri, me të cilët ngriti këndin sportiv, palestrën dhe cilësinë sportive. Mbi 100 nxënës të gjimnazit “Haki Fejza” ishin pjesëtarë të ekipit “31 Korriku”. Për punë e tij është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri”. Një figurë shmëdimensionale (mësues, sportist, trajner, fizioterapist, ortoped, notar, peshkatar, gjuetar) Haliti krijoi fototekën e punëve të tij si mësues, trajner, ortoped. Punoi pareshtur, me pasion me gjimnazistët dhe banorët e Burrelit. Nxorri breza të tërë sportistësh, të talentuar, të cilët u aktivizuan me ekipet më të mira të vendit tonë. Trajner me ekipin e mundjes së Burrelit, ku arriti rezultate befasuese dhe impresionuese. Tek ai gjejmë punën e palodhur me Riseldën, gjimnasten kampione, e cila arriti të marrë në moshën 13 vjeçare 5 medalje të arta në turneun ndërkombëtar, në Manastir. Kur punohet zhvillohet talenti. Puna dhe vetëm puna është çelësi i suksesit. Ky është mesazhi që na përcjell me shembullin e Riseldës. Ja çfarë shkruan për të: “Tejet këmbëngulëse për të realizuar programin stërvitor, e palodhur, energjike dhe të bënte për vete. E kam lavdëruar shumë për çdo arritje” (f. 226).

Ortoped që ka shëruar me mijëra njerëz. Hapi ekspozitën e parë ortopedike në Burrel, ekspozitën e parë fotografike mjekësore në IKF “Vojo Kushi” në Tiranë. Në këtë veprimtari, pjesëmarrësit (ish-pedagogët e tij) njëzëri u shprehën: “Jemi të lumtur e po aq të befasuar që një ish-student i këtij Instituti paraqitet këtu me punime që pasqyrojnë shkallë të lartë profesionalizmi, të cilat kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale në kushte spitalore” (f. 163).

I pajisur me njohuri didaktike (ka dhënë mësim për dekada) në libër gjejmë porosi, udhëzime për fëmijët, të rriturit, prindërit dhe ata që punojnë me sportistët: cilat veprime ose mosveprime shkaktojnë dëmtime në gjymtyrët, në trupin e njeriut, muskujt, në gjunjët, “këputje mishi” në gjuhën popullore, si të mbajmë trupin në pozicione të përshtatshme që të mos kemi deformime e dëmtime. Më mirë këto ai i ka shpjeguar dhe dhënë të plota në librin e parë të tij “Ortopedi për të gjithë”. Haliti është modeli i njeriut që dijet e marra i zbaton në praktikë dhe ua transmeton edhe të tjerëve me dashuri e pasion, pa përtuar e pa u lodhur asnjëherë.

15 vjet të punës së tij ia kushtoi volejbollit si fizioterapisë dhe masazhit me ekipin “Studenti”. Suksesi i këtij ekipi, kampion për disa vite në Shqipëri është i lidhur edhe me punën e tij. Në rolin e tij pranë këtij ekipi, ai vizitoi Parisin, Zyrihun, Amsterdamin, Bakunë, Athinën, Podgoricën, Bukureshtin, Sofien, Peskarën e shumë vende të tjera. Përshkrimet që u bën janë të mrekullueshme dhe befasuese. Hobet e tij janë: shëtitjet në natyrë, alpinizmi, gjuetia, peshkimi, noti. Shëtiti me nxënësit luginat e lumenjtë nga Lura, Balgjai, Liqejtë e Kurdarisë, Llapushin, Qafë Shtamën, Martaneshin, Shkopetin, ngjiti me alpinistët e rinj majat më të larta në Mat e përreth tij. Ka gjujtur troftën e lumit të Matit, zogjtë, lepujt dhe derrat e maleve të Burrelit, fazanin dhe gjelin e egër të detit edhe në Amerikë. Asnjëherë s’u kthye duarbosh. E njohu pëllëmbë për pëllëmbë relievin e Matit.

Epilogu

Libri i tij është një tablo e plotë impresionante për gjysmë shekulli e jetës dhe e punës së tij. Gjithçka autentike, e jetuar. Haliti na përcjell mesazhin e rëndësishëm se edhe në qytetet e vogla si Burreli ka pasur jetë aktive, veprimtari të larmishme kulturore, sportive, artistike. Organizimi dhe realizimi me sukses i tyre, rritja e pjesëmarrjes në këto aktivitete kërkon vizion, dëshirë, pasion, përkushtim, vullnet, punë në grup. E ka dashur, e ka kërkuar dhe e ka realizuar suksesin.

E ka shoqëruar pritshmëria për suksesin që synonte. Motivi i suksesit e ka çuar drejt perfeksionit. Është kjo arsyeja që të gjithë në Burrel, bile edhe një pjesë e mirë në Tiranë e njohin, e respektojnë dhe e vlerësojnë. Në mbyllje të librit shkruan: “Kur rri e mendoj periudhat, nëpër të cilat ka kaluar jeta ime, lumturohem kur shoh se ku e nisa dhe ku kam arritur” (f. 287). Ky libër ndihmon studiuesit e historisë së Matit dhe vlen për ata që do të shkruajnë historinë e arsimit, sportit dhe enciklopedinë e Matit.

Kontrolloni gjithashtu

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe.

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në …