Dr. Skënder Demaliaj: Studiuesi i njohur, i talentuar dhe i apasionuar i sociologjisë, Prof. Lekë Sokoli

Dr. Skënder Demaliaj: Studiuesi i njohur, i talentuar dhe i apasionuar i sociologjisë, Prof. Lekë Sokoli

Emri i Prof. Lekë Sokolit është i lidhur pazgjidhshmërisht me zhvillimet dinamike të sociologjisë shqiptare pas viteve `90. Sado të mendosh, po nuk veprove nuk mund të largosh edhe një gur nga rruga. Prof. Lekë Sokoli i hyri me kurajo fushës së sociologjisë, duke arritur maja të larta. Kurajoja nuk është një akt i izoluar, një impuls i momentit. Është një aksion komplet dhe kompleks, i cili duhet ndjekur deri në qëllimin final. Kurajoja nuk është vetëm virtyt i të filluarit të një pune, por i të vazhduarit më tej, i të kompletuarit dhe i të parit të gjërave larg. Ky tipar është konstant gjatë gjithë veprimtarisë kërkimore shkencore të tij. Profesor Leka mbaroi studimet e larta për inxhinieri mekanike, pastaj si fakultet të dytë degën filozofi në Universitetin e Tiranës. Punoi në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, ku filloi të interesohej për aspektet sociale të zhvillimit të industrisë, sidomos me ato që lidhen me punën dhe profesionin. Që nga viti 1986 është marrë me studime, botime dhe mësimdhënie në fushën e sociologjisë. Në vitin 1991 fitoi gradën Kandidat i Shkencave Sociologjike, në vitin 1993 Doktor i Shkencave Sociologjike, në vitin 2013 Prof. Asc, kurse në vitin 2016 Profesor.

Biografia e Prof. Lekë Sokolit është në veprat e tij.

Librat e tij janë libra që u kanë munguar studiuesve dhe lexuesve, të plota nga pikëpamja e informacionit shkencor që sjellin, të konceptuara saktë e me një strukturë të qartë tematike. Janë të shumëllojshme për nga problematika dhe struktura e ndërtimit:

Themeluesit e sociologjisë.

Dovorci: vrojtime dhe refleksione (bashkëautor).

Droga: historia, përkufizime, klasifikime, përhapja, efektet, terapia.

Interesat dhe harmonizimi i tyre.

Mendimi sociologjik, shqiptar (1986-2006): bibliografi (bashkëautor).

Sociologjia dhe jeta e përditshme.

Analiza sociologjike.

Trafikimi: rasti i Shqipërisë (bashkëautor).

Përfaqësimi dhe cilësia e demokracisë në Shqipëri, një perspektivë gjinore (grup autorësh)

Prostitucioni si profesion (vështrim sociologjik).

Hyrje në sociologji 1.

Refleksione sociologjike.

Metodat e kërkimit në shkencat sociale.

Varfëria dhe fëmijët në Shqipëri (sondazh kombëtar), me bashkëautor.

Probleme sociale bashkëkohore (me bashkëautor).

Metodat e kërkimit në shkencat sociale (ribotim).

Sociologjia dhe problemet sociale.

Droga (ribotim).

Shoqëria e mirë.

Shoqëria e mirë është trajtuar në një këndvështrim të ri: si një përqasje multidimensionale. Tema si varfëria e fëmijëve, ligji dhe vlerat në shoqërinë bashkëkohore, kultura e respektimit të ligjit, raportet ligj dhe vlerë në kontekste të ndryshme, raporti ligj i shkruar dhe i pashkruar, trafikimi, droga, prostitucioni, divorci, interesat dhe harmonizimi i tyre janë fushat e tij më të preferuara.

Studimi i tij shkencor: “Leçitja ose “vrasja morale” në Kanunin e Lekë Dukagjinit” është një analizë shumëdimensionale, një trajtim i ri, origjinal, serioz i të drejtës zakonore shqiptare. Është një kritik i pamëshirshëm i studiuesve dashakeqës që shpesh Kanunin e kanë njëjtësuar me gjakmarrjen, e cila nuk është veçse një pjesë e neneve të tij ndëshkuese.

Sipas tij në Kanun gjenden tema ende të patrajtuara apo cektësisht të trajtuara. Kështu ai merr përsipër të prekë një pjesë të tyre. Këtë e bën me guxim, me argumenta, pa marrë parasysh qejfmbetjet e ndonjërit: shok, mik a bashkëpunëtor. Arrin në përfundimin e rëndësishëm se e drejta zakonore shqiptare, me të cilën janë institucionalizuar tiparet apo karakteristikat më identifikuese të saj, nuk ka të bëjë vetëm me të shkuarën, por edhe me të sotmen. E në vazhdim të kësaj ideje evidenton dy karakteristika themelore:

Ka qenë thellësisht vendor.

Thellësisht moralo-psikologjike.

Ajo çfarë nuk duhet harruar asnjëherë: E drejta zakonore lidhet me vetë identitetin “shqiptar”, të shqiptarëve, pra me identitetin e tyre “vendor”. Më pas edhe me identitetin e tyre europian. Në disa prej librave të tij është me bashkëautor. Dihet tashmë se studimet dhe projektet me grupe ofrojnë cilësi.

 

Ai që kujdeset për shpëtimin e të rinjve, bën punën e hyjnive

Plutarku

 

Ne kemi nevojë për më shumë lidhje ndërmjet politikave sociale dhe arsimore. Si do të mund të lidhim politikën sociale ose politikëbërësit me atë çfarë ndodh sot realisht në shkolla. Ky është një nga shqetësimet e Profesor Lekës. Arsimimi i fëmijëve duhet të jetë shqetësim për të gjithë. Analistët e politikave duhet të kenë të qartë se shqetësimet e tyre nuk janë të ndryshme nga ato të mësuesve. Politikat arsimore kryesore duhet të vihen në zbatim pasi të jetë dëgjuar zëri i atyre që u është besuar e ngarkuar një punë e tillë. Në librat e tij gjejmë përkufizime të sakta, shkencore, bashkëkohore për trafikimin, prostitucionin, drogën, duhanin, alkoolin, përdorimin abuziv të tyre nga të rinjtë, varësia fiziologjike dhe psikologjike prej tyre, shkaqet, strategjitë për t’u luftuar, terapia si t’i shpëtojmë të rinjtë, lidhjet e këtyre dukurive me dukuri të tjera sociale. Në mënyrë të veçantë i kthehet disa herë drogës, me ribotime, duke sjellë përditësim të të dhënave, analiza për grupet e rrezikuara, përhapja gjeografike dhe moshat. Këshillat e tij si duhet kuptuar që një i ri apo e re merr drogë, si të sillemi me ta, si të mos sillemi me një të droguar – janë shumë të dobishme për shkollën, familjen, komunitetin. Botimet e tij për drogën, siç e kanë përcaktuar edhe studiuesit janë “një enciklopedi mbi drogën”, janë shterruese.

Shkrimtari i madh amerikan Xhek London thoshte se fjalët janë si thumbat, ku çdonjëri mund të varë idetë e veta. Edhe Prof. Lekë Sokoli ka shpalosur idetë e tij që lidhen me punën e kujdesin ndaj të rinjve për t’i shpëtuar nga këto dukuri negative, të cilat rritin koston e shpenzimeve të shtetit, kriminalitetin, ulin nivelin e dijeve, përkeqësojnë marrëdhëniet dhe komunikimet mësues-nxënës, prindër-fëmijë, komunitet-nxënës, nxënës-nxënës.

Beteja e madhe e e përditshme e mësuesit, e prindërit, e komunitetit është ajo kundër mungesës së vëmendjes dhe e shkujdesjes ndaj të rinjve. Prof. Lekë Sokoli ka meritën e trajtimit të dimensionit njerëzor, duke nënvizuar se ka një faktor që e bën mësuesin, prindin në profesionin dhe misionin e tyre dhe ky është dimensioni njerëzor. Nga këta kërkohet një vëmendje e veëantë: të vendosin një raport personal, ku lind një përmasë autenticiteti, sinqeriteti dhe respekti, të kapin me intuitë cilësitë dhe dhuntitë e tyre e t’i zhvillojnë më tej, të kuptojnë personalitetin e tyre, të rrokin brishtësinë, problematikat, duke i ndihmuar në momentet e krizave, të jenë për ta pikë referimi, një model i mirë sjelljeje.

Nismëtar, organizator dhe drejtues i Institutit Shqiptar të Sociologjisë.

Profesor Lekë Sokoli është bashkëthemelues i Shoqatës Sociologjike Shqiptrare (dhjetor 1990), bashkëdrejtues i Qëndrës së Re të Studimeve Sociologjike (1993-1998), drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike e Sociale (1999), drejtor i Institutit Shqiptar të Sociologjisë (2006), president i Forumit Sociologjik të Ballkanit ( 2011-2013), sekretar i Përgjithshëm i Institutit Shqiptar që nga viti 2015 e në vazhdim.

Ka qenë bashkëthemelues dhe bashkëbotues i revistës shkencore sociologjike në anglisht dhe shqip “Sociological Analysis (Analiza sociologjike )”, botuar në Karolinën e Veriut, SHBA (1998-1999), drejtor i revistës shkencore “Politika dhe shoqëria” dhe “Studime sociale”, revista që merren mirëfilli me kërkimin shkencor sociologjik.

Për 30 vjet pandërprerje është dalluar si menaxher i këtyre organizatave. Sipas F. Luthanas “Menaxhimi është procesi i përcaktimit të objektivave dhe i koordinimit të përpjekjeve të punonjësve për t’i arritur ato.” Nga viti në vit është rritur numri i anëtarëve të Institutit Shqiptar të Sociologjisë, nga të gjitha trevat shqiptare: nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva. Nga vitit në vit është rritur performanca e tij. Punohet me plane afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Objektivat janë të matshëm dhe realizohen. Procesi i çdo anëtari monitorohet, vlerësohen përpjekjet e çdonjërit, stimulohet mendimi novator. Propozohen strategji të reja, ka një vizion të ri në drejtimin e tij. Vendimmarrjet kanë të bëjnë me konsultimin me të gjithë anëtarët. Drejtuesit rinovohen njëherë në dy vjet dhe zgjidhen me votim të fshehtë në mënyrë demokratike me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve. Çdo vit organizohet një Konferencë Shkencore Ndërkombëtare me pjesëmarrjen e gjerë të të gjithë anëtarëve. Botohen dy numra të revistës shkencore në vit.

Veprimtaritë që ai drejton janë: veprimtari që lidhen me detyrën dhe funksionimin e Institutit, veprimtari të lidhura me të gjithë anëtarët e Institutit, duke shfrytëzuar të gjitha burimet njerëzore dhe duke i motivuar ata, veprimtari që lidhen me ndryshimin. Me të gjithë anëtarët ka një raport të drejtpërdrejtë, të ngrohtë dhe interesant.

Në krye të punës kërkimore shkencore në Univesritetin  “Aleksandër Moisiu” të Durrësit

Njohës i shkëlqyer i teorisë mbi metodat e kërkimit shkencor (autor teksti për studimet universitare dhe pasuniversitare) nuk ka si të mos jetë në krye të punës kërkimore shkencore në Universitetin e Durrësit dhe i suksesshëm. Mban detyrën e zëvendësrektorit.

Udhëheq dhe drejton pedagogët, studentët, duke i trajnuar për elementët kryesorë të kërkimit shkencor: etapat e kërkimit shkencor, strategjitë e kërkimit shkencor, metodat bashkëkohore të kërkimit shkencor, përpunimi i të dhënave kërkimore, analiza e tyre, referencat në kërkimin shkencor. Që nga viti 2016, vit që është emëruar zëvendësrektor për punën kërkimore shkencore, në Universitetin e Durrësit ka rritje të dukshme. Veprimtaritë janë të shumta, cilësore. Pjesëmarrja e studentrëve dhe e pedagogëve në kërkimin shkencor është rritur nga viti në vit. Bashkëpunimi me institucionet e tjera kërkimore shkencore është zgjeruar. Kjo është reflektuar edhe në rritjen e cilësisë dhe të numrit të pedagogëve me grada shkencore.

E gjen në terren duke realizuar anketime dhe intervista në bashkëpunim me të tjerët. Lider në grup. Organizimi i punës në grup realizon më mirë shpërndarjen dhe menaxhimin e burimeve njerëzore. Përveç kësaj në aspektim psikologjik anëtarët e grupit ndjehen më të sigurtë, janë më bashkëpunues. Krijohet mundësia që secili të japë ndihmesën e tij në realizimin e detyrave, të përfitojnë nga njëri-tjetri. Po kështu kanë mundësinë të përvetësojnë stile të ndryshme komunikimi. Në organizime të tilla komunikimet janë të natyrshme dhe të lirshme, diversiteti i mendimeve vlerësohet si pasuri për komunikimin. Të gjithë, pavarësisht nga funksioni që kanë e konsiderojnë njëri-tjetrin si partner të barabartë. Një komunikim i tillë ka rritur iniciativën dhe përgjegjësinë e të gjithëve. Njerëzit nuk jetojnë së bashku thjesht për të qenë së bashku. Ata jetojnë së bashku për të bërë diçka së bashku. Kjo ka qenë edhe motoja e punës së Prof. Lekë Sokolit, çelësi i suksesit të tij si drejtues i Institutit.

Profesor Leka është krenar për çfarë ka arritur në këto vite në fushën e studimeve sociologjike. Por jo euforik, është modest. Ai përdor një shprehje të Ajshtajnit: “Ne e gjykojmë veten nga sa jemi të aftë të bëjmë, ndërsa ua lemë të tjerëve të na gjykojnë se çfarë kemi bërë.” Ka marrë me kurajo dhe në kohën e duhur përgjegjësinë për të zgjidhur dhe përcaktuar jetën e tij. Ecën i sigurt në vetvete, sepse i ka përmbushur ato që kanë pritur të tjerët prej tij. Ndihet i lumtur. A nuk thoshte Aristoteli se të jesh i lumtur do të thotë të jesh i mjaftueshëm në vetvete.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …