Në një vjetorin e ndarjes nga jeta
Sulejman Madani lindi, më 25.01.1940 në fshatin Babinë të rrethit Tropojë. U nda nga jeta, më 13.04.2025 në Durrës.
Mbaroi arsimin e lartë për matematikë – fizikë. U specializua për filozofi. Punoi mësues e drejtor i shkollës në Babinë, në Kabinetin e Edukimit në Komitetin e Partisë të rrethit Tropojë, pedagog në Shkollën e Lartë të Partisë, sekretar i Komitetit të Partisë të rrethit Tropojë.
Ka qenë i zgjedhur kryetar i Këshillit Popullor dhe kryetar i Frontit Demokratik i rrethit Tropojë. Ka patur një përgatitje të lartë teorike, njeri praktik dhe me vizion. Ka botuar këto libra me kujtime, reflektime dhe analiza politiko – sociale:
- Abaz Salihi, kujtime për babain, janar 2010.
- Shënime për tranzicionin tonë, janar 2011.
- Kronikë me ngjarje dhe mbresa, nëntor 2014.
- Album “Histori familjare në foto”, shtator 2016.
- Tranzicioni politik në Tropojë, shkurt 2018.
- Abaz Salihi, kujtime për babain (ribotim), janar 2020.
- “Publicistikë” me shkrime të zgjedhura, nëntor 2022.
- Abaz Salihi “Burrë i Mirë” në Malësinë e Gjakovës.
- Një jetë të tërë në shërbim të komunitetit
Komunitarizmi lidhet me organizimin vendor dhe vetëqeverisjen vendore, me virtytin dhe moralin, me rolin e familjes, të farefisnisë, të fqinjësisë, me vullnetarizmin, me respektimin e tjetrit e të pasurisë së tij etj.
Sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë për këto vlera…
Fshati Ahmataj, ku lindi, u rrit dhe u formua Sulejmani ishte fshati model në organizimin e realizimin e punëve së bashku si komunitet. Në vitin 1967 ndërtuan centralin elektrik, i cili i jepte dritë lagjes, ndërkohë që në zonat e tjera mungonte drita elektrike. Traditën e organizimit komunitar e çoi me tej Sulejman Madani, kudo ku punoi e jetoi. Për shqiptarët, bashkësia ka qenë bazë e rregullimit shoqëror. Tek ne, shtëpia (familja si bashkësi individësh) ka qenë shkalla e parë e bashkësisë dhe institucioni bazë i shoqërisë. Sulejmani u rrit në një familje bujare, punëtore dhe fisnike. Shkalla e dytë e bashkësisë ka qenë fshati, i marrë si bashkëjetesë familjesh, për të arritur shkallë-shkallë në forma më të larta organizimi, siç janë krahinat, trevat etj. Margaret Thecher, më 1986 deklaronte: “Politika jonë nis nga familja, liria dhe mirëqenia e saj.” Për Sulejmanin familja dhe liria kanë qenë të shenjta. Shqiptarët kanë mbijetuar se kanë qenë të organizuar. Historikisht kanë qenë të “dënuar” të ishin së bashku.
Sulejman Madani ishte shembulli i reflektimit për mënyrën se si puna që bëjmë mund të sjellë një kontribut pozitiv për komunitetin, është frymëzimi nga modeli, i cili ka pasur sukses në jetë, për shkak se ka ndjekur dhe zbatuar një qëllim, nga i cili nuk ka hequr dorë asnjëherë, një bindje e tij e brendshme, jo në dëm të të tjerëve, por në dobi të tyre. Librat që ai ka shkruar e dëshmojnë më së miri këtë. Kombet, si dhe individët mbijetojnë përmes kulturës, pjesë e rëndësishme e së cilës është libri. Sulejmani lexoi shumë dhe për asnjë çast derisa mbylli sytë nuk u nda nga libri, nga mbajtja e shënimeve për to. Dritëroi i Madh shkruan: “Kur të jesh i mërzitur shumë / Në raft të librave kërkomë / Atje i fshehur do të jem unë / Dhe unë do të zbres / Do të vij pas teje, do të vij.” Sipas tij kritika duhet të jetë rezultante e vëzhgimeve, e ballafaqimit me faktet, me programet dhe premtimet e duhet të përshkrohet nga dashamirësia, sepse kështu njeriu ndreq vetvehten, arrin të njohë edhe vehten përmes tjetrit. Rëndësi ka të dallohet “llafollogjia kritike” nga kritika si veprimtari, si “forcë lëvizëse” që ndryshon , ndreq dhe transformon. Nuk e duronte dot gjuhën e përdorur të politikanëve në Parlament, në mitingje, në studio televizive. Siç thoshte një filozof polak: “Politikanët e vendeve në tranzicion kanë mundur të ndërtojnë fjalorin e gjuhës së tyre, por jo dhe gramatikën”. Kritika është pjesë e rëndësishme e kulturës demokratike dhe e funksionimit të një bashkësie politike, jopolitike, kulturore dhe shkencore. Kapërcimi i një situate jonormale në një shoqëri demokratike, kërkon domosdoshmërisht një nivel të caktuar të “kulturës morale”. Politika vendos midis të drejtës dhe moralit. Manipulimi me moralin nuk të çon askund tjetër vetëm se krijon kriza dhe rrit rolin e demagogut social. Sa shumë të tillë kemi sot!…
Lavdia fitohet, nderi ruhet. Sulejman Madani punoi me ndershmëri, i repektoi dhe i vlerësoi njerëzit e ndershëm, iku me nder. Sipas Artur Shopenhauerit: “Kush dhunon mirëbesimin e të tjerëve, humbet përgjithmonë, çfarëdo që të bëjë edhe kushdo qoftë ai”. Mirëbesimi, mirënjohja, thjeshtësia, sinqeriteti, mbrojtja e së vërtetës – janë pjesë e karakterit të tij. Kush i ka këto është njeri me karakter të fortë. I tillë ishte dhe mbeti deri në fund Sulejman Madani.
Përvoja botërore ka treguar se të vërtetat që fshihen transformohen në katastrofa. Edhe në Shqipërinë komuniste, edhe në Shqipërinë e pas viteve `90 mbisunduan gënjeshtrat. Një shoqëri është e pushtuar prej krizës, kur gënjeshtrave u lejohet të sundojnë jetën dhe shoqëria nuk ndjen nevojë për të vërtetën. Kurajo në mbrojtje të së vërtetës dhe të njerëzve kurajozë – është linja konstante e qendrimeve dhe e veprimtarisë së Sulejman Madanit, është mesazhi i librave të tij, të cilat janë rrëfime prekëse dhe të sinqerta, të shkruara thjesht, por me kulturë.
- Intelektual i përgjegjshëm në shërbim të komunitetit
Analiza intelektuale, përgjegjësia intelektuale, guximi intelektual, parashikimi intelektual – janë ADN-ja e punës së tij. Është një intelektual i vërtetë, në dallim me pseudointelektualët, të cilët në sajë të asaj që janë të guximshëm dhe të pacipë kanë fituar terren. Pseudointelektualët janë të gatshëm të mbrojnë gjërat që dikur i kanë urryer dhe të urrejnë gjërat që dikur i kanë besuar. Pseudointelektualët mendojnë se lirinë mund ta blejnë me para. Në të vërtetë atyre u merren paratë dhe nuk u jepet liria. Se liria është vlerë, e cila nuk mund të paguhet me kurrfarë parash. Pseudointelektualët kanë qenë dhe mbeten rrezik real për demokracinë në vendin tonë. Hiqen si të ditur, por e kanë kokën bosh. Hiqen si të emancipuar dhe të reformuar, por janë konservatorë dhe të etur për pushtet. Hiqen parimorë, realistë, por janë nihilistë, mashtrues dhe demagogë. Hiqen sikur sakrifikojnë për demokracinë, por qëllimi i vetëm i tyre është të fitojnë sa më shumë privilegje për vehte dhe për familjen. Hiqen sikur kanë diplomë të marrë me mund e përpjekje, por atë e kanë marrë me ryshfet ose fallco. Hiqen sikur janë të persekutuar, kur në të vërtetë kanë qenë të privilegjuar.
Intelektuali ndërton me sukses ura komunikimi me publikun, organizon anketa dhe sondazhe për të kuptuar më mirë kërkesat dhe sensibilitetet e tij. Pseudointelektuali komunikom vetëm më shefin e tij, përpiqet të shfrytëzojë publikun për interesat e tij, të klanit të tij. Injoron kërkesat dhe sensibilitetet e publikut, zvarritet, zvarritet si kërmilli gjithnjë pas shefit të tij. I thur këngë e himne atij, thërret dhe brohoret për të në takime e mitingje, në konferenca e gëzime familjare. Sulejman Madani i urrente pseudointelektualët dhe nuk ishte pjesë e klaneve, të cilat janë mbështetja kryesore dhe frymëzimi i pseudointelektualëve. Komunikimi i tij me njerëzit ishte i sinqertë, pa nënkuptime, pa nëntekste dhe ironi, i çliruar nga vulgariteti. Njohuritë psikologjike dhe pedagogjike që mori në shkollë, puna e tij si mësues e pedagog, përvoja e fituar në drejtim e ndihmuan të shprehte ngrohtësi në marrëdhëniet me njerëzit, ku çdonjëri ndihej i vlerësuar prej tij. E ndihmoi t’i kuptonte kërkesat e tyre dhe të reflektonte në kohë për t’i përmbushur ato.
Komunikimet efikase e në kohë me njerëzit na ndihmojnë të përdorim stile të tilla komunikimi që na mundësojnë vetëshprehjen dhe na aftësojnë për të dialoguar – kërkesa këto të domosdoshme në atmosferën e sotme sociale.
Forca më e rëndësishme që një shoqëri mund të ketë është një elitë e angazhuar dhe reformuese. Idetë e ndryshojnë shoqërinë, i ndryshojnë njerëzit. Idetë dhe intelektualët janë binom i pandarë. Disa nga ata që duhet të flasin heshtin (intelektualët). Disa nga ata që duhet të heshtin vazhdojnë të flasin (pseudointelektualët). U janë krijuar mundësi dhe hapësira se qeverisemi nga njerëz mediokër. Janë aktuale vargjet e poetit gjerman Bertold Brehti: “Nga tigrat munda të shpëtoj / Me gjakun tim ushqeva çimkat / Por kokën ma hëngrën mediokrit” Nuk është koha e heshtjes, përkundrazi është koha e fjalës, është koha të ndihmojnë të gjithë, në mënyrë të veçantë intelektualët, për të vënë mendjen në shërbim të popullit, të kombit e te fateve të tij.
Sulejman Madani nuk pushoi së punuari. Pushimi është vetëm për të vdekurit. Në fund të fundit gjithë zotësia e njerëzve nuk është gjë tjetër, veçse një përzjerje durimi dhe kohe. Një njeri nuk është më shumë se një tjetër, në qoftë se nuk punon më shumë se një tjetër. Ai na dha kulturën e vendosmërisë për t’i çuar gjërat deri në fund.
Epilogu
Në Ahmataj kulla trikatëshe e Abaz Salihit dallonte nga të tjerat: prej murit me gurë të gdhendur, prej punimeve me dru, prej hapësirës, prej pastërtisë, prej luleve, pemëve dhe rrethimit të saj. Kur kalova afër saj, mu kujtuan vargjet e poetit Ali Podrimja:
“E një kullë është ngritur në një mijë vjet,
Mbi një asht, mbi një emër ajo flet,
Për shkak të dashurisë, për shkak të urrejtjes.
Në majë të botës e ka ngritur,
Deri në tokë e kanë rrënuar zotërat.”
Pranë kullës së vjetër, Sulejmani me djemtë e tij, Artanin dhe Arlindin ndërtuan një kullë tjetër më të thjeshtë, por më moderne. Ai shkonte vazhdimisht atje, bashkë me bashkëshorten, Lirien, relaksohej dhe lumturohej. Vendlindja s’duhet harruar për asnjë çast. Kullat janë pjesë e mureve të atdheut, e jetës dhe e kujtesës njerëzore. Populli thotë: “Për këtë kullë! Për këtë besë! T’u mbushtë kulla me fëmijë! T’u lumnoftë kulla! Të nderoftë kulla! Qofshi të lumtur në kullën tuaj! T’u gëzoftë kulla! Mos t’u rrëzoftë kurrë kulla! Ta kam dhënë shpirtin, djersën, gjakun, oj kullë! Qoftë e papushtueshme, si mali!” Sulejmani me pasion dhe krenari më fliste për kullën e tij. Ndërkohë më vijnë ndër mend vargjet: “Vendosa të ndërtoj një kullë / I dhashë formën e zemrës sime / Vargje vendosa mbi gurë / Shpirtin vendosa në themele / Për hekur vendosa dashurinë.” Kulla edhe duke dhënë shpirt lë amanetet. Janë përmbledhur në dy fjalë: “Kujtomëni dhe më nderoni!” Fjalët amanet janë kujtesë edhe për ata që shkruajnë dhe besojnë historinë. “Nuk do ta harrojmë kurrë kullën tonë!” -thotë djali i madh i Sulejmanit, Artan Madani. Edhe pse larg saj, është në zemrën dhe shpirtin tonë. Shkojnë vazhdimisht të dy djemtë, kujdesen për të, çmallen me të, punojnë e mbjellin pemë në oborrin e saj. Presin e gostisin miq, u tregojnë nipërve e mbesave histori të vjetra e të reja, nga më të bukurat e më interesantet. Kështu kujtohet e nderohet edhe Sulejman Madani… Jeta vazhdon… Një popull që ruan kujtesën, ruan vetvehten. Një popull që harron, ai zhduket pa zhurmë. Popujt nuk vdesin nga luftërat, por nga harresa.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
