Të nderuara familje dhe farefis të dëshmorëve, bashkëluftëtarë e pjesëmarrës të tjerë!
Me botimin serik shumëvëllimëshe në vazhdim të monografisë me përmasa historiagrafike kombëtare “Feniksët e lirisë”, i teti ky me radhë, Redaksia po e kryen një punë madhore e një pjesë të borxhit, një detyrë e një mision të rëndësishëm ndaj dëshmorëve të historisë më të re shqiptare, ndaj mbarë luftës çlirimtare për lirinë e trojeve të pushtuara. Vepra u ofrohet lexuesve për t’u njohur me heroizmat e dëshmorëve të kombit dhe të UÇK-së, para të cilës e kishin dhënë betimin.
Feniksët që po vazhdojnë të botohen në seri, të përjetësohen në histori e në vepra artistike, deri te dëshmori i fundit, po bëhet simbol i fuqishëm i figurave të përjetësuara në altarin e lirisë e tani edhe në histori, themel i historiografisë sonë kombëtare të kohës më të re që e qitën në dritë Kosovën, me efekte rrezatuese në mbarë trojet etnike, ndërsa vetë u shkrinë në rreze lirie për ditët tona të bardha. Është material bazë për motivimin, frymëzimin dhe ndërtimin e të ardhmes sonë të lumtur, si dhe për studimin e historiaografisë letraro-publicistike e shkencore. Pos kësaj, vepra është satisfakcion moral për dëshmorët, për familjet e tyre, farefisin e për mbarë kombin liridashës. Synohet të vetëkuptohet se pasioni i vetëflijimit për liri e atdhe shemb çdo force pushtuese, qoftë edhe e pabarabartë tiranike, terroriste e kriminale.
Me leximin e Feniksëve të Lirisë, krijohet përfytyrimi për heroizmin, atdhedashurinë, virtytet, idealin, trimëritë e figurave me përmasa kombëtare të UÇK-së në luftë të pabarabartë me një pushtues terrorist e kanibalist, me zot e drejtësi në gojë, me terror e krime në vepër, si dhe me urrejtje patologjike në shpirt.
Feniksët e lirisë, ky i sotmi, të mëparmit e të tjerat që do të botohen, si histori e dëshmorëve e një ushtrie çlirimtare të një populli stoik, e qitën në dritë vullnetin e pashoq, guximin e gatishmërinë e mijëra trimave e trimëreshave shqiptare (ndër ta edhe të huaj) në luftë vendimtare për jetë a vdekje, deri në çlirim, kundër një lubie të rrallë në historinë e njerëzimit, që kur s’patën ç’t’u bëjnë çlirimtarëve, e hapen frontin me fëmijë, gra e pleq të paarmarosur, duke dalur kështu jashtë të gjitha rregullave luftarake dhe jashtë çdo parimi njerëzor, për çka hodhën neveri për krimet e të ligat e bëra.
Ndërkaq, lufta shqiptaro-serbe qiti në shesh të ligat e pushtuesit me qëllime shfarosëse ndaj një populli të lindur e të rritur në trollin e vet, lakminë për hapësira të huaja, për krime, të shtytur nga urrejtja patologjike, çuditërisht e tërbuar, e shndërruar në terror të rrallë në historinë e njerëzimit.
Përballë kësaj lubie del një ushtri e vogël me numër, por e madhe me ideale për çlirim, e bardhë si bora në shpirt, por e rrebtë si tufani në luftë, të edukuar nga Skenderbeu, Mic Sokoli, Azem Galica, Adem Jashari, Fehmi Lladrovci etj, e fuqishme në qëllime fisnike njerëzore, me të cilat virtyte doli në fushë të mejdanit, e shfaqur në kohën e duhur të historiesë shqiptare. Si e tillë e zgjoi nga gjumi ndërgjegjen jo vetëm evropiane, dhe e përvetësoi t’i dalë në ndihmë e përkrahje në mënyrë diplomatike, mediale, ushtarake dhe e bashkoi për ndëshkimin e këtij agresori. Ishte një krizë politike kur, siç thanë Noli e Fishta në kohën e vet, “qante nëna për një djalë/ qante pushka për lufëtarë/ për t’i dalë pushtuesit për ballë”. Kjo epope madhështore, me dimensione jo vetëm kombëtare, e la zbrazët varrin e hapur, e ndali zhbërjen e Kosovës e serbizimin e dhunshëm të saj. Dhe më tepër, e zbuloi çerdhën e fatkeqësive evidente evropiane. Përfundoi një epokë kalendarike dymijëvjeçare e kësaj hapësire dikur dardane, bëri të përfundojë një epokë e errët e dhunës mbi një popull e troll të robëruar, për të filluar një tjetër e shëndritshme jo vetëm për shqiptarët. Përfundoi frika , nënshtrimi, qyqaria, durimi, për t’u kthyer dinjiteti i nëpërkëmbur e i humbur kombëtar. Pati zëra në bote se shqiptarët nuk mund të përkrahen as të ndihmohen, nëse nuk e ndihmojnë veten, dmth. nëse, pak a shumë, nuk përgjaken a vetëflijohen.. Para njëqind vjetësh, S. Frashëri pat thënë “se fati e fatkeqësia janë në duar të vetë shqiptarëve”.
Shpërtheu pezmi i grumbulluar i një gjendje të rëndë shpirtërore, fizike, morale, përgjithësisht kombëtare, i krijuar ndër shekuj kudo ndër shqiptarët e robëruar. Premtimet boshe, fjalët, argumenti e drejtësia u zëvendësuan me krisma. Kështu, përkundër luftërave të mëparme, po kaq të përgjakshme, kur të vrisnin e s’të lenin të vajtosh, këtë herë, gjaku i dëshmorëve u shpërblye me fitore, së paku me dëbimin e forcave policore ushtarake e shtetërore serbe nga Kosova e bashkë me të, arrogancës mesjetare, falë rrethanave të favorshme politike përgjithësisht kombëtare e ndërkombëtare, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare shqiptare e mbarë popullit me mjete të mundshme, sidomos me pushkë të marra gjithandej nga Malësia. Këto pushkë, sado të vjetra në model e përdorim, çlirimtarët i matën me top e tank të armikut, me pragë e kaçushë, me raketë e minahedhës, me aeroplan e helikopter. Kështu u formua një ushtri vullnetare, pa nevojë për thirrje zyrtare, pa urdhër e mobilizim të imponuar, por një ushtri kierarkike në mënyrën e mundshme, me moral të lartë patriotik, të lindur e të fituar nga edukata familjare, shoqërore e përgjithësisht kombëtare nëpër ndeja, gazmende, morte e dasma, në kuvende, në këngë e çifteli…Morali i lindur dhe edukata e fituar u bënë dy simbole të luftës për liri. Ndërkaq, trimëria është pjellë e moralit të lartë, që i ka rrënjët në gjak e forcën në zemër. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për parim bazë e pati vullnetarizmin, të pajisur me një disipline të lindur. Në fillim të luftës, kishte raste kur, për mungesë armësh, vullnetari kthehej në shtëpi të vet me lot në sy. Madhështia e një kombi varet nga madhështia e luftëtarëve të mbijetuar e dëshmorëve, e veprave heroike të tyre, të bashkuar në një ideal të vetëm për liri.
Lufta çlirimtare shqiptare e viteve 1998-9 e bindi botën se pa rrënimin e tiranisë pushtuese kanibaliste, nuk do të ketë qetësi as rend të ri botëror. Ishte luftë për lirinë e Kosovës, të shqiptarëve, të Ballkanit e të vetë serbëve, të ndrydhur nën peshën e rëndë të ngarkesës për urrejtje, shtypje e shfrytëzim të popujve të tjerë. Andaj, dëshmorët e luftëtarët e mbijetuar, e kanë ditur se po e kryejnë misionin e shenjtë për liri, por ata bënë punë më madhore se kombëtare, duke luftuar kundër krimit edhe ndaj njerëzimit. Si të tillë shkaktuan bashkimin e forcave progresive politike, diplomatike militariste e mediale ndërkombëtare në front të përbashkët për mbrojtjen e një populli që lufton për lirinë e vet, duke marrë hapa për përkrahjen e kësaj lufte të drejtë dhe për ndëshkimin e terrorit të ushtruar mbi të. Kështu, bashkësia ndërkombëtare iu bind popullit tonë heroik dhe u vu në lëvizje me mjetet që pati, në mbrojtje e përkrahje të çlirimtarëve e në ndëshkimin e terrorit, për herë të dytë në këtë shekull, pas luftës antifashiste me përmasa botërore të shekullit që e lamë. Kjo luftë shëroi sëmurjen e rëndë kanceroze të Evropës plakë dhe e bindi se në praktikën shekullore kishte gabuar ndaj shqiptarëve.
Me luftën shqiptaro-serbe në Kosovë u zhduk ëndërra serbomadhe e miti i tyre, grykësia e shfrenuar kanibaliste për gëlltitjen e trojeve të huaja, dëbimin e shfarosjen e popujve në trojet e veta, po jo edhe në kokën e tyre. Kjo dëshmohet edhe sot e kësaj dite, kur u hartua e u votua me referendum Kushtatuta serbe që e futi aty Kosovën si pjesë të vetën, duke hpur plagë e varre të reja mbi të tjerat, ende të freskëta, me të cilën Kushtetutë e referendum, u bë agresion i ri në integritetin kushtetues e sovran të Kosovës së martirizuar, aktualisht në përkujdesjen e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo njëherit është një sinjal i qartë se duhet të jemi suçelur, t’i përcjellim rrjedhat e t’i rirrjeshtojmë forcat. Edhe botës i mbetet që ta asgjësojë më tej këtë lubi të maskuar, me demokraci në gojë, që bashkë me mendimtarë të vet, në Evropë është si një virus i rrezikshëm jo vetëm për shqiptarë. Po shihet qartë se kreu i sotëm politik serb është vazhdim i politikës së deridjeshme. Përveç kësaj, mosndryshimi i filozofisë politike e fizike pushtuese serbe, po shihet përmes mosdorëzimit të kriminelëve të kërkuar nga Haga e mosndëshkimi i kriminelëve të tjerë më të vegjël, që po i mbajnë nën sjetull, me neglizhencën e shëndritjes së fatit të të rrëmbyerve shqiptarë, me moskërkimin e faljes për masakrat e krimet e bëra, përmes mosndryshimit të politikës agresive kushtetuese ndaj Kosovës, andaj, që të mos shkelet gjaku i dëshmorëve tanë, së pari lipset t’i hapim sytë e të përgatisim armën si për lepur si për ujk.
Për heroizmin, kthimin e dinjitetit, lirinë e krenarinë që e patëm pasur, ne do të përkulemi para dëshmorëve, si dhe para atyre që mbijetuan e sot janë në mes nesh, në radhë të parë, falë veprës heroike të shqiptarëve, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pastaj që nga kryengritja për çlirim më 1945 në Drenicën heroike e gjetiu në Kosovë, që nga Ohri deri në Pazar të Ri. Lufta e fundit e kurorëzuar me fitore, e shkroi historinë e lavdishme me shkronja të kuqe e të arta dhe e solli çështjen tonë në tryeza vendimmarrëse ndërkombëtare, ku çdo gjë tani është e qartë në Ballkan, nëse bota ka sy. Në çaste të liga, një popull mund ta shpëtojë vetëm heroizmi, tërësia e virtuteve, guximi, trimëria e ideali i pjesëtarëve të vendosur për luftë. Është fatkeq ai komb që s’ka heronj.
Lufta e fundit kundër pushtuesit serb e mposhti përbindshin e egër, ia grisi perdën e rrejshme, gjoja progresive, dhe e bëri të qartë se djepi i bërë nga dru-mali kosove, për të cilin vajton Serbia, e përkund shqiptarin, tash e tremijë vjet me radhë dhe, delet janë të bjeshkës që e kullosin, siç pat bërë përpjekje patriku Pavle ta shtrembërojë këtë metaforë, duke e krahasuar Kosovën me bjeshkë e kishat me dele. Dhe më tej, u pa qartë se shqiptaria e shpërndarë padrejtësisht nëpër shtete të Balkanit e më gjerë, deri në Turqi, Egjipt e Amerikën e largët, do të jetë gacë në barut, përderisa nuk do të bashkohet, qoftë si etni unike, e integruar në rrjedhat e rendit të ri botëror.
Dëshmorët e Feniksëve të lirisë 8, si edhe ata të librave të mëparshme e të pastajme, i përkasin kësaj kohe të lindur për mundime, heroizëm e mospërkulje. E patën fatin të përgjaken, sepse nuk e pranuan nënshtrimin, tjetërsimin, as asimilimin. “Jetojnë ata që bien për liri të popullit të vet”. Që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, luftërat e betejat çlirimtare, çlirimtarët e rënë e të mbijetuar, ia prishën planet sllavisë, si dhe e zbuluan lojën e përgjakshme për shfarosje të shqiptarëve, por edhe e penguan planin e zgjerimit sllav.
Në kundërshtim me të gjitha mundësitë e luftës së mirëfilltë, çlirimtarët i sfiduan forcat terroriste paramilitare e ushtarako-policore serbe që morën detyrën “e shenjtë”, sipas tyre, për formimin e një shteti në ato troje ku ka qoftë edhe dy e më shumë varre serbe, sipas ëndërrës së Car Dushanit, të elaborateve praktike e teorike garashaniane, cvijiçjane, andriçjane, çubrilloviçjane, rankoviçjane e së fundi, millosheviçjane.
Krismat e pushkëve të çlirimtarëve shqiptarë në Kosovë, me gjithë armatimin e dobët, me gjithë dëmet njerëzore e materiale të shkaktuara nga terrori serb, bënë të mundshme grisjen e perdës mashtruese të miopisë politike evropiane për serbët si “racë e qeveri e trashëguar humane”, zgjimin e ndërgjegjes njerëzore e aktivizimin e përkrahjes dhe të ndihmës së kësaj lufte të drejtë, që e stopoi krimin kundër njerëzimit.
Vepra ruan njësinë e vazhdimësinë e vëllimeve të mëparshme në mënyrë objektive e të paanshme, duke i mbetur besnik realitetit objektiv. Kursehet nga emocionet, euforia, folklorizimi, subjektivizmi, patetizmi e ngjyrimet politke, nga urrejtja ndaj armikut, nga shprehjet e fryra e frazat boshe. Si e tillë, ajo është hap vijues qëllimisht modest, pa gjuhë e frazeologji të fryer, që motivon më tej përjetësimin historiografik të dëshmorëve në gjerësi e thellësi, të skalitur me heroizma fillimisht individuale, pastaj me luftë guerilje e së fundi, të shkrirë në organizimin kierarkik militarist e kombëtar. “Thjeshtësia është madhështore”.
Nga biografitë e dëshmorëve, lexuesi shqiptar do të njohë biografinë e popullit të vet e lexuesi i huaj do të njohë heroizmin e një ushtrie e të një populli liridashës, trashëguar që nga koha ilire-dardane, duke ruajtur e mbrojtur, qoftë edhe me gjakderdhje qenien, gjuhën, gjakun, virtytet e farefisninë e vet ndër shekuj, qoftë edhe pranë germadhave, anipse pak a shumë të ndrydhur e të ngushtuar për shkak se përherë mbeti në kufijt e mbrojtjes së trollit të vet, në ligjet e drejtësisë njerëzore, si dhe në ndihmën e respektimin e tjetrit. Shkurt, nuk bënë ç’mundën e ç’u erdhi ndoresh. Shqiptarët, edhe ushtarët serbë të zënë rober i liruan, ndërsa armiku, fëmijët, gratë e pleqt, i i masakroi.
Kombi ynë, me heroizëm të pashoq, të pasionuar për luftëra për mbrojtje e çlirim, për vete e për të tjerët ndër shekuj, shpesh i krijoi vetes tragjedi, por edhe krenari të lakmueshme. Ndërkaq, pushtuesve u krijoi pamundësi nënshtrimi, ndërsa te vëzhguesit e paanshëm, qofshin ato fuqi shtetërore, diplomatike e ushtarake, kultivoi simpati, e cila shpresohet të shndërrohet në shpërblim. Të shohim.
Hartuesit e Feniksëve të lirisë dhe këtij të fundit, të kësaj vepre madhështore, meritojnë respekt për punën e mundimshme e me vlerë të pakrahasueshme për mbledhjen, parashtrimin e hartimin e kësaj historie të re kranare. Po e kryejnë një detyrë vullnetare e një mision të shenjtë, një borxh e një satisfaksion moral për dëshmorët që i dolën haptas përballë armikut, me gjoksin mburojë, me zemrën çelik, me pushkë në faqe, me gishtin në këmbëz, me syrin flakë e me kokën në torbë, me Kosovën ideal, me vdekjen dasmë e lirinë shenjtëri, duke i thënë vdekjes “plaç” e pushtuesit “ik ose bëhu gati të shkrihesh bashkë me ne,nëse ke llogari! ”.. Kështu, të përjetësuar i hapen rrugë letërsisë, artit, shkencës, sidomos historisë.
Dëshmorët e luftëtarët e mbijetuar dhanë shërbim të çmueshëm jo vetëm për ne: e çliruan veten nga pritja e padurueshme për t’ia krisë pushkës, e çliruan Kosovën, Ballkanin e më gjerë nga krimi i rëndë ndaj njerëzimit, duke i çliruar kështu edhe vetë serbët e ndrydhur nën diktaturën e forces së hekurt të pushtimit të trojeve të huaja e popujve të tyre.
Libri hap dyert e heroizmit të 41 dëshmorëve të kombit, mesatarisht të moshës 20-25 vjeçare. Nga rënia heroike e tyre del madhështia e betejave, dhe prej andej, madhështia heroike e luftës dhe e dëshmorëve. Si të tillë, bashkë me të tjerët, mbetën nderi, virtyti, frymëzimi e mburrja e atdheut. Tani po i mbushin faqet e historisë me bëma e zulma krenare. Sikur u thane familjeve të veta, farefisit e shoqërisë përreth: “I takojmë brezit të flijimit, anda,j pa u çliruar nuk kemi kohë të jetojmë aq gjatë, as ta shijojmë jetën e shtrenjtë me kënaqësitë e veta, as të plakem. Ne shkuam të vetëflijohem për të ardhmen e atdheut. Mos paçim fat të kthehem, e gëzofshin të tjerët!”
Përgjithësisht, të gjithë dëshmorët kanë biografi të njëjtë: “ linden e u rritën në Kosovë më 1998. Iu përgigjën kushtrimit të atdheut e ranë heroikisht për t’u përjetësuar në altarin e lirisë më 1998-9. Na hoqën qafe robërinë e dhunën më 1999. Na dhuruan lirinë, krenarinë, mburrjen, historinë e bujshme, si dhe frymëzimin për vepra artistike. Na mësuan si të luftohet kur duhet, si të mposhtet terrori e krimi, si të mbrohet e të çlirohet atdheu, si të bashkohemi rreth një qëllimi, rreth një flamuri e një ideali. I dhanë shembuj botës e brezave të ardhshëm si duhet bërë luftë të drejtë çlirimtare”.
Kontrolloni gjithashtu
Djaloshi me shqiponjë në ballë
Shikoni këtë foto të Aziz Kelmendit. Është origjinale, nuk ka kurrfarë retushimi. Para se të …