Dr. Zymer Ujkan Neziri: Ndihmesë me rëndësi për etnokulturën e Malësisë së Madhe

Dr. Zymer Ujkan Neziri: Ndihmesë me rëndësi për etnokulturën e Malësisë së Madhe

 (Doli nga shtypi libri Shoqëria kulturore-artistike “Rapsha”, Drume, Hot, Malësi e Madhe, dyzet vjet të veprimtarisë, Tuz, 2018, 438 f.)

Këtij libri për dyzetvjetorin e veprimtarisë së shoqërisë kulturore-artistike “Rapsha” e Drumes së Hotit të Malësisë së Madhe i prin “Parathënia” e hartuar me shumë kujdes dhe me të dhëna të shumta nga Prëlë N. Junçaj, me titull “Dyzet vjet të veprimtarisë së shoqërisë kulturore-artistike “Rapsha” e Drumes së Hotit të Malësisë së Madhe”. Në vijim është ‘’Hyrja: Dëshmi për dyzet vjet të veprimtarisë së shoqërisë kulturore-artistike “Rapsha” e Drumes së Hotit të Malësisë së Madhe’’.

Pasojnë punimet studimore dhe nga fusha e gjuhësisë prin akad. i asoc. prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, me punimin shumë me interes “E folmja e Hotit dhe vlerat e saj dialektologjike e etnolinguistike”, ku konstaton se të dhënat nxjerrin në pah afrinë shumë të madhe që kanë të folmet e Malësisë së Madhe njëra me tjetrën, sa mund të flitet si për një të folme të vetme, me disa dallime e luhatje. Të folmet e Malësisë së Madhe, sipas tij, dallohen prerazi nga të folmet e tjera të grupit veriperëndimor dhe të mbarë gegërishtes edhe për arsye të ruajtjes së togjeve uo dhe ua, për fjalëformim e leksik dhe për raste të rralla të rotacizmit, kurse në të folmen e Hotit dallohen edhe formimet e emrave farefisnorë të shkallës së tretë zanafillore, togfjalësha të qëndrueshëm e frazeologjizma.

Nga fusha e folkloristikës, prof. dr. Zymer Ujkan Neziri paraqitet me punimin studimor “Eposi i Kreshnikëve në fillim të shekullit XXI: Malësia e Madhe me qendër në Tuz”, ku, në kuadër të projektit ballkanik E5, për UNESCO (15 vëllime), trajton vëllimin me këngë nga kjo ane, të hulumtuara, të shënuara dhe të incizuara në vitet 2012-2014. Lahuta (lavda), këtu ende përdoret, si në kohën e mbledhësit të parë, Nikollë Ivanaj (1905), ku kreshnikët vazhdojnë së jetuari edhe në shek. XXI. Legjendariteti, fantastikja, mitikja, rrëfimi i gjatë epik, Ora e Zana ende e mbajnë themelin e këtyre këngëve. Shquhen edhe formulat, figuracioni poetik, pamjet poetike, portretet e heronjve, dialogu, dyluftimet, tiparet etike e morale, kodeksi i nderit, leksiku vendor etj.

Nga fusha e folkloristikës edhe dr. sc. Ismail Doda paraqitet me punimin studimor “Këngët kreshnike dhe baladat e rinjohjes në Hot, Malësi Madhe”. Gjatë hulumtimeve më 1988, në Drume të Epërme, ka mblodhur dhe ka incizuar edhe dy këngë për Mujon e Halilin dhe dy balada. që trajtohen në këtë punim: realizimi i dëshirave dhe i planeve të personazheve, bëmat e tyre, mbajtja e besës, fuqia shprehëse gjuhësore, folklorike dhe estetike e vargjeve, interpretimi, roli i kalit e martesat me rrëmbim, Aga Imeri e rinjohja me gruan e parë pas kthimit nga Spanja në Ulqin etj. Autori vë në pah edhe risitë, elementet e veçanta dhe të përgjithshme të këngëve në kuadrin gjithëkombëtar dhe më gjerë.

Studiuesja prof. dr. Afërdita Onuzi, nga fusha e etnologjisë, trajton punimin “Xhubleta shqiptare nëpër shekuj”. Që në fillim konstaton se ndoshta asnjë veshje shqiptare nuk është konsideruar aq simbolike sa ajo me xhubletë, e përdorur nga gratë e zonës alpine të Shqipërisë Veriore. Veçoritë e kësaj veshjeje kanë tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve. E veçanta qëndron kryesisht në prerjen e saj. Mbi të gjitha, veshja me xhubletë ka një sistem dekorativ shumë të rrallë, ashtu si edhe repertori i motiveve, por simbolika e tyre fatkeqësisht ende nuk është trans-kriptuar, pohon ajo dhe përfundon se veshjet në terakota janë me pamje fundi në formë këmbane (si e xhubletës së malësive shqiptare), të njohura që në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit.

Dr. sc. Rovena Vata paraqitet me punimin studimor “Frymimi shqip i kulteve, i dokeve, i zakoneve dhe i simboleve kombëtare në Hot”. Krahina e Hotit të Malësisë së Madhe është dalluar për traditë kombëtare dhe kjo traditë vazhdon edhe sot e kësaj dite, në ruajtjen dhe në kultivimin e saj, në ceremonitë e lindjes, të dasmës apo të vdekjes, thotë ajo. Kultet, doket e zakonet edhe në këtë krahinë ruhen si shtresëzime kulturore përgjatë shekujve, përfundon ajo, duke shtuar se tradita është tregues i karakteristikave sociale dhe individuale të njeriut, të shijeve të tij estetike, të karakterit, të moshës, të gjinisë dhe të etnisë edhe në Hot dhe në Malësinë e Madhe.

Nga etnomuzikologjia kemi punimin e ma. sc. Esat Ruka, “Vështrim etnomuzikor i repertorit në festivalet folklorike të SHKA-së“Rapsha” -Hot, Malësi e Madhe: Disa mendime rreth organizimit të festivaleve folklorike kombëtare”, ku flet për organizimin e festivaleve folklorike dhe konstaton se në rreth 80% të programeve të tyre të performuara në skenë tingëllojnë jonet muzikore. Por, nga përvoja jonë organizative dhe skenike, thotë ai, analizat dhe vlerësimet etnomuzikologjike dhe etnoorganologjike janë të pakta. Në këto veprimtari të dimensioneve të mëdha është e nevojshme prania e specialistëve, e ekspertëve folkloristë, etnologë, etnomuzikologë e koreologë dhe kontributi i tyre analitik, përfundon autori.

Dr. Zymer Ujkan Neziri: Ndihmesë me rëndësi për etnokulturën e Malësisë së Madhe

Nga etnokoreografia, ma. sc. Dilaver Kryeziu, paraqet punimin “SHKA “Rapsha” e Hotit të Malësisë së Madhe, organizuese e festivalit të madh folklorik në Vitojë: këngët dhe vallet -epika dhe lirika”. Krahina e Malësisë së Madhe ndryshon nga të gjitha krahinat shqiptare, sepse mbizotëron epika, thotë ai. Ndër pasuritë më të mëdha të kësaj zone konsiderohen të jenë këngët dhe vallet malësorçe me epikën dhe me lirikën e tyre, sidomos vallet njëshe dhe dyshe. Interpretimi, larushia kostumografike unike (xhubleta), indentifikojnë folklorin e Malësisë së Madhe. SHKA “Rapsha” është organizuese e festivalit të madh folklorik në Vitojë, ku këto vlera të mëdha etnolkuture pasqyrohet që dyzet vjet.

Haziz Hodaj, kryetar i SHKA “Malësori”, shkruan artikullin “Binjakëzimi / Vëllazërimi: U bashkuam për t’mos u ndarë kurrë”, duke theksuar që në fillim se nga viti 2002 SHKA-së “Malësori” Gjonaj, Has, ka një motër në Malësinë e Madhe – SHKA “Rapsha” e Drumes së Hotit. Sot, gati dy dekada pas asaj kohe, thotë ai, është i freskët momenti i paraqitjes në skenën e festivalit “Hasi jehon 2001” të SHKA – së “Rapsha” nga Drumja e Hotit. Ishte vëllazëror jetësimi i kësaj aspirate për binjakëzimin. Propozimi u bë në Gjonaj, ndërsa u konkretizua në Vitojë, në gusht të vitit 2002, atëherë kur “Rapsha” organizoi festivalin e parë me SHKA-të shqiptare aktive të Malit të Zi.

Në vijim, Agron Dizdari shkruan artikullin “Për miqtë e mi në SHKA “Rapsha”: Për brezat në vazhdimësi” dhe fillon me mendimin se vallet e bukura, epike dhe lirike, në “Rapshë” janë punuar me mjeshtëri, që të spikasë e bukura, e fuqishmja, delikatesa, harmonia, burrëria, dashuria, pra, shpirti i malësorit. “”Rapsha”, i ka kushtuar vëmendje edhe instrumentistëve, që shoqërojnë këngët e trimave dhe të burrëreshave me tematikë nga e kaluara e lavdishme dhe shqetësimet e sotme. Ideali dhe ndjenja kombëtare janë lajtmotivi kryesor i aktiviteteve të tyre. Kostumet popullore janë ruajtur me fanatizëm. Sa do të dëshiroja që punën e palodhur të kësaj shoqate të nderohej me titullin “Nderi i Kombit”, përfundon autori.

Ma. sc. Anton Lajçaj vjen me artikullin “Roli i mërgimtarëve me banim në SHBA, në përkrahje të SHKA-së “Rapsha”. Shumë shqiptarë nga Malësia e Madhe me qendër në Tuz morën rrugën e gurbetit, shkruan ai. Në mesin e tyre ishin edhe bashkëthemeluesit e shoqatës “Rapsha”, që asnjëherë nuk e harruan. Ajo,  për shumë rapshjanë ka qenë një ideal. Mërgata në SHBA ishte mbështetësja e saj kryesore financiare për 40 vjet. Mërgata rregulloi “Skenës verore” në Vitojë, më 2003. Më 2008, vazhdon ai, formuam “Fondin Humanitar Rapsha” në Detroit, kurse më 2010 u formua edhe SHKA “Rapsha” në mërgim, në kuadër të Fondit, me ish – anëtarë të “Rapshës” dhe me pasardhës rapshjanë të lindur dhe rritur në Amerikë.

Pjesa vijuese e librit, e përgatitur me shumë zell e vullnet të madh nga Prëlë Junçaj, ka të dhëna për aktivitetet e “Rapshës”: pjesëmarrja e saj në festivale të folklorit dhe organizimi i festivaleve të folklorit, pjesëmarrja në manifestime kulturore dhe organizimi i manifestimeve kulturore, kurse në fund të librit janë renditur mirënjohjet, çmimet dhe vlerësimet.

Libri mbyllet me “Pasthënie” dhe me regjistrin e emrave të njerëzve e të vendeve, punë me shumë vlerë nga Avdi Gashi, prof., dhe Valon Fetahu. Libri është realizuar nga autorët, e tekstet janë shqyrtuar nga Këshilli Botues, recensuesit e redaktorët dhe është përgatitur për shtyp me shumë përkushtim dhe sipas standardeve teknike-shkencore, nga Zymer U. Neziri: punimet studimore kanë shkurtore (abstrakt), fjalë çelësa, përfundim, rezyme në gjuhën angleze dhe bibliografi. Madje, edhe artikujt kanë rezyme në gjuhën angleze, për hir të lexuesve të shumtë në Evropë e në SHBA. Edhe fotografitë sjellin dëshmi me shumë rëndësi dhe e plotësojnë e e zbukurojnë librin Shoqata kulturoreartistike “Rapsha”, Drume, Hot, Malësi e Madhe, 40 vjet të veprimtarisë, (variant i ‘’Hyrjes’’ së librit), i cili u përurua në manifestimin e mbajtur në Tuz, më 24 gusht 2018.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani

Zymer Mehani: Ushtar Shabani dhe thirrja e atdheut

(Tregim për dëshmorin e kombit, Shaban B. Avdiu, në përvjetorin e rënies) Në një natë …