Deputetja Duda Balje ka shprehur skepticizëm lidhur me mundësinë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, t’ia ofrojë postin e kryetarit të Kuvendit liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Edhe pse shprehu shpresë për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve, Balje theksoi se qëndrimi i saj personal mbetet i pandryshuar. “Bash mirë, unë shpresoj që ata kanë me ba një marrëveshje mes veti,” u shpreh Balje, duke komentuar takimet ndërmjet Kurtit dhe Limajt, të cilat synojnë zgjidhjen e ngërçit politik që ka bllokuar konstituimin e institucioneve. Megjithatë, ajo tha se nuk pret që Lëvizja Vetëvendosje të lëshojë pe në lidhje me postin e kryeparlamentarit, të cilin aktualisht e mban Albulena Haxhiu si kandidate e propozuar nga VV. “Personalisht, mendimi im është që nuk ka me ndryshuar Albulena. Edhe nuk besoj që do të shkojë te votimi i hapur,” shtoi Balje. Deputetja nënvizoi se partia që ajo përfaqëson është ende në pritje të zhvillimeve dhe se vendimi përfundimtar do të merret në kuadër të strukturave të brendshme partiake.
