Prokuroria e Prizrenit ka kryer brenda 10 ditëve dy aksione të ndryshme lidhur me vjedhje dhe keqpërdorime nëpër institucione publike, njofton Gazeta Metro. Aksioni i parë ishte ndaj ish-zyrtarëve të Byros Kosovare të Sigurimit (BKS), ku u arrestuan 39 persona, përfshirë ish-drejtorin Sami Mazreku dhe ish-drejtorin e financave Veton Berisha, lidhur me dyshimet për keqpërdorime milionëshe brenda këtij institucioni. Kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu, tha se target kanë qenë 46 persona dhe 39 prej tyre janë arrestuar. Gjatë aksionit janë sekuestruar 23,700 euro, ari, orë dore, armë, pajisje elektronike dhe janë bllokuar gjithsej 1,300,886 euro. “Ne kemi identifikuar qindra transaksione të dyshimta. Janë siguruar 166 transaksione, përfshirë 25 transaksione që lidhen me 12 persona, të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtëgjyqësore në vitet 2022-2023, ndërsa të tjerët janë kompensuar në vitet 2016-2017. Gjithashtu janë aplikuar 141 transaksione pa asnjë dokument, me shuma që variojnë nga mbi 6,000 deri në 68,000 euro”, deklaroi Kryeziu. Prokuroria e Prizrenit vijon hetimet për të zbardhur plotësisht të gjitha rastet dhe për të siguruar përgjegjësinë ligjore të të përfshirëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
