Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se në ditët në vijim priten zhvillime pozitive në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimi Evropian. Në episodin e radhës të podcastit të tij “Flasim”, Rama theksoi se, pavarësisht debatit të ashpër politik në vend, procesi i integrimit evropian po ecën përpara dhe nuk është i bllokuar, siç pretendohet nga kundërshtarët politikë. Ai kritikoi ashpër klimën politike në vend, duke akuzuar opozitën se po përpiqet të errësojë arritjet e Shqipërisë me, siç u shpreh, “luftë mizerabël politike” dhe narrativa negative. Sipas Ramës, negociatat me BE-në janë në vijë të qëndrueshme dhe puna për hapjen e kapitujve të rinj po vazhdon çdo ditë. Ai shtoi se shumë shpejt qytetarët do të informohen për lajme konkrete pozitive që lidhen me këtë proces historik. Deklaratat e tij vijnë në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, teksa procesi i integrimit në BE mbetet një nga prioritetet kryesore strategjike të shtetit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
