Tema të tjera...
Gjatë vizitës së tij në Londër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dha një intervistë për programin prestigjioz “The World Tonight” në BBC Radio 4, ku foli për marrëdhëniet me Britaninë e Madhe dhe qëndrimin e Tiranës ndaj politikave të emigracionit. Rama theksoi qartë se Shqipëria nuk do të pranojë kurrë ngritjen e qendrave të kthimit të emigrantëve në territorin e saj, duke theksuar se marrëveshja me Italinë është një rast i veçantë, që buron nga një partneritet i jashtëzakonshëm mes dy vendeve. “Me Italinë ishte një marrëveshje unike, për shkak të marrëdhënies sonë të veçantë. Ne i ofruam Italisë një copë toke tonën që të menaxhohej prej tyre, si juridiksion italian. Por ideja e qendrave të kthimit nuk është zgjidhja,” – u shpreh Rama. Kreu i qeverisë shqiptare tha se zhvendosja e azilkërkuesve në vende të treta mund të ketë efekt parandalues, por nuk trajton shkaqet e vërteta të emigracionit. Ai bëri thirrje që Europa dhe Britania të reflektojnë më thellë mbi rolin pozitiv të migracionit në shoqëritë e tyre që po plaken. “Në fund të ditës duhet të pyesim: a është imigracioni problem apo pjesë e zgjidhjes? Unë besoj se është pjesë e zgjidhjes, sepse dimri demografik i Evropës dhe Britanisë është shumë i pranishëm,” – tha Rama. Sipas tij, emigracioni i paligjshëm dhe rrjetet kriminale të trafikimit mund të luftohen vetëm përmes bashkëpunimit të ndershëm dhe marrëveshjeve të balancuara midis vendeve të origjinës dhe atyre të destinacionit. “Ana e errët e këtij fenomeni duhet trajtuar përmes marrëveshjeve ku të dyja palët fitojnë. Por, për fat të keq, jetojmë në një kohë kur zgjidhjet e dobëta mbizotërojnë për shkak të politikës që ushqehet nga përçarja dhe kërkon ‘gjak’, në kuptimin simbolik,” – deklaroi Rama. Në intervistën për BBC, Rama përsëriti vizionin e tij se emigracioni nuk duhet parë si rrezik, por si mundësi zhvillimi, duke theksuar se Shqipëria do të mbetet partnere, por jo strehë për politikat e dështimit të të tjerëve.