Edi Rama propozon uljen e numrit të deputetëve në 101 dhe shpall zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, ka propozuar një ndryshim të rëndësishëm për Kuvendin e Shqipërisë, duke sugjeruar uljen e numrit të deputetëve nga 140 në 101. Propozimi u bë gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së, ku Rama theksoi se pas më shumë se tri dekadash, vendi ka nevojë për një cikël të ri reformash dhe riorganizimi të institucioneve, përfshirë Kuvendin. “Tepria e numrit të deputetëve është evidente. Zbritja e numrit të deputetëve të Kuvendit në të paktën 101, edhe më pak po të ketë bujrum, do të kishte vetëm impakt pozitiv. Ky ndryshim duhet të jetë objektiv i yni, sepse përkon edhe me vullnetin e zgjedhësve tanë”, tha Rama. Në të njëjtën mbledhje, kryeministri njoftoi edhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Ai kritikoi ashpër sistemin e drejtësisë, duke theksuar se çdo ndryshim ligjor në këtë fushë nuk do të bëhet pa miratimin e Komisionit Europian. “Ne kemi sot një kryetar bashkie të zgjedhur tre herë, të dënuar jo për detyrën si kryetar. I janë publikuar madje edhe biseda familjare nga burgu, gjë që nuk ndodh në asnjë vend demokratik. Kjo është shkelja më flagrante e ligjit nga ata që duhet të mbajnë nën kontroll hetimet”, deklaroi Rama. Duke folur për drejtimin e ardhshëm të Tiranës, ai falënderoi kryetaren e përkohshme për angazhimin e saj, por shtoi se kryeqyteti ka nevojë për një vizion të ri. “Mendoj se Ogerta Manastirliu është njeriu i duhur për drejtimin e Bashkisë së Tiranës”, tha Rama.

Kontrolloni gjithashtu

Specialja lehtëson masat për një vizitor të HashimThaçit, kufizimet mbeten për 10 të tjerë

Në gjykatën speciale në Hagë, është marrë vendim që vetëm njërit prej 11 personave t’i …