Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar lidhur me përplasjet e fundit politike mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti. Përmes një reagimi publik, Tahiri ka vlerësuar se këto përplasje politike po e dëmtojnë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se zhvillimet e fundit janë bërë edhe pjesë e raportimeve në mediat botërore. Sipas saj, situata e krijuar nuk i shërben interesit të vendit dhe rrezikon të ndikojë negativisht në perceptimin ndërkombëtar për Kosovën. Tahiri u ka bërë thirrje liderëve institucionalë që të reflektojnë dhe të vendosin interesin e shtetit para interesave personale apo politike. “Kosova në titujt e mediave botërore për përplasjet Osmani–Kurti. Kjo ia dëmton imazhin Kosovës në botë, të mendojnë për Kosovën, jo për veten”, ka shkruar Edita Tahiri.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
