Ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar pas vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Prishtinë, duke e interpretuar sjelljen e saj gjatë takimeve zyrtare si një sinjal politik kundrejt kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Tahiri ka thënë se mënyra se si Von der Leyen zhvilloi takimet në Kosovë tregon se ajo nuk e konsideron Kurtin si kryeministër legjitim, por vetëm si deputet. “Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i tregoi Kurtit se është kryeministër ilegal, e takoi si deputet – ndërsa Osmanin e bëri jo vetëm të flasë, por edhe të pranojë se vendi është dëmtuar gati një vit pa institucione qeverisëse,” ka shkruar Tahiri. Reagimi i saj vjen pas vizitës së Von der Leyen në Kosovë, ku ajo zhvilloi takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, në kuadër të turit rajonal përgatitor për Samitin BE–Ballkani Perëndimor. Sipas Tahirit, ky veprim diplomatik i presidentes së Komisionit Evropian është një mesazh i qartë për krizën institucionale që po kalon Kosova dhe për mungesën e legjitimitetit qeverisës në vend.
