Eksperti amerikan i çështjeve ndërkombëtare, Edward P. Joseph, ka propozuar një ide të guximshme gjeopolitike: përdorimin e “Modelit të Kosovës” për zgjidhjen e konfliktit në Donbas, si dhe anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në NATO, duke e cilësuar këtë si një mundësi për një “fitore historike” të ish-presidentit amerikan Donald Trump. Në analizën e tij të publikuar me titull “Një Përparim Ballkanik për Ukrainën: Anëtarësoni Serbinë në NATO dhe Zbatoni Modelin e Kosovës në Donbas”, Joseph argumenton se ShBA, mund të arrijnë armëpushim të qëndrueshëm në Ukrainë duke zhvendosur fokusin strategjik në Ballkan — një rajon ku ndikimi amerikan dhe i NATO-s mbetet i fortë. Sipas tij, “Modeli i Kosovës” mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje të përkohshme për Donbasin, të ngjashme me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila pas vitit 1999 vendosi administratë ndërkombëtare dhe status të përkohshëm për Kosovën. Ky model, sipas Josephit, do t’i lejonte Ukrainës të ruante pretendimin e saj sovran mbi territorin, ndërsa do t’i ofronte Rusisë një mënyrë “dinjitoze” për të pranuar armëpushimin pa kapitullim publik. Në aspektin ballkanik, Joseph thekson se anëtarësimi paralel i Serbisë dhe Kosovës në NATO do të përbënte një tronditje strategjike për Moskën, duke e izoluar më tej Rusinë nga Evropa Juglindore dhe duke e forcuar ndikimin e Perëndimit në rajon. Sipas tij, një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Trumpi, që do të përfshinte paqen dhe njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe angazhimin për reforma të mbrojtjes në kuadër të NATO-s, do të ishte një sukses diplomatik i pakrahasueshëm që “asnjë president amerikan që nga Bill Clinton nuk ka arritur ta realizojë”.
