EESC përfshin Kosovën në nismën “Anëtarët Kandidatë të Zgjerimit” , një hap simbolik drejt afrimit me BE-në

Edhe pse Kosova ende nuk e ka statusin zyrtar të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, ajo ka marrë një mundësi të re për t’u përfshirë në proceset këshillimore të BE-së. Komiteti Ekonomik dhe Social Europian, një nga institucionet më të rëndësishme të BE-së për dialogun me shoqërinë civile – ka vendosur që, përmes nismës “Anëtarët Kandidatë të Zgjerimit” , të lejojë për herë të parë pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Kosova në punën e tij. Kjo nismë, e nisur në vitin 2023, synon të afrojë vendet kandidate dhe potencialisht kandidate me institucionet evropiane, duke i përfshirë në procesin e hartimit të politikave dhe opinioneve që ndikojnë në zhvillimet strategjike të BE-së. Sipas EESC-së, përfshirja e Kosovës ka karakter nderi dhe mbështetjeje – nuk nënkupton anëtarësim të plotë – por i jep organizatave të shoqërisë civile të vendit mundësinë që të marrin pjesë në diskutime dhe të japin kontribute në çështje si ekonomia, punësimi, mjedisi, të drejtat e njeriut dhe integrimi evropian. Sipas Sekretariatit të Komitetit, Kosova nuk ishte përfshirë në fazën pilot të projektit për shkak të statusit të saj të paqartë ndërkombëtar. Megjithatë, pas konsultimeve me Komisionin Evropian, është vendosur që faza e dytë e thirrjes – e hapur deri më 24 tetor 2025 – të përfshijë edhe Kosovën si “vend potencial kandidat”.  Kjo hapje konsiderohet një sinjal politik pozitiv për Kosovën, që ndonëse ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor 2022, ende nuk ka hyrë në fazën formale të shqyrtimit nga Këshilli Evropian. Përfshirja në EESC shihet si një mënyrë për të forcuar lidhjet institucionale me Brukselin dhe për të bërë që zëri i shoqërisë civile kosovare të dëgjohet më afër qendrave të vendimmarrjes evropiane.

Foto:EESC.

Kontrolloni gjithashtu

Qeveria Kurti, liberalizim apo iluzion vizash?

Tre vite pas Marrëveshjes së Ohrit, e cila u paraqit si akt historik për rrugëtimin …