Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se Forca e Sigurisë së Kosovës ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, për të cilën, sipas tij, janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe po bëhen përgatitjet për finalizim. Ai vlerësoi punën dhe angazhimin e Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në arritjen e objektivave pavarësisht sfidave të viteve të fundit. Komandanti Jashari dhe ministri Maqedonci po ndjekin nga afër demonstrimet finale të ushtrimit fushor “Ujku Shigjetë”, të përgatitura për DV-Day në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës, Komunë e Gjakovës. Me këtë rast, Komanda e Forcës Tokësore ka prezantuar rrjedhën dhe qëllimet e ushtrimit. Në Ditën e Vizitorëve po marrin pjesë udhëheqës të lartë shtetëror, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FSK-së. Ushtrimi “Ujku Shigjetë” zhvillohet nga Regjimenti i Tretë i Komandës së Forcave Tokësore, pas një cikli të gjatë trajnimesh në kuadër të procesit të validimit të regjimentit. Qëllimi është testimi i aftësive luftarake dhe vlerësimi i gatishmërisë operacionale sipas standardeve të kërkuara. Përmes këtij ushtrimi, FSK synon të thellojë profesionalizmin dhe të forcojë kapacitetet operacionale në linjë me standardet e forcave moderne të mbrojtjes.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
