Ministri i dorëhequr i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci e ka vlerësuar lart marrëveshjen e nënshkruar në Shtetet e Bashkuara nga gjenerali amerikan, John Philips dhe komandanti i FSK-së, Gjeneral Bashkim Jashari. Ai ka theksuar se marrëveshje e nënshkruar mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka informacione të ndjeshme. “Është një produkt i një marrëveshje të mëparshme të nënshkruar nga Albin Kurti dhe ish-ambasadori amerikan në Prishtinë Hovenier në vitin 2023. Por marrëveshja e tanishme e nënshkruar nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës dhe Departamenti i Mbrojtjes së ShBA-ve, ka rëndësi të madhe për thellimin e bashkëpunimit me Amerikën sidomos në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë sepse adreson disa çështje që kanë të bëjnë me sigurinë e informacionit. Informacionet janë sensitive, siç janë sistemet amerikane që do përdoren në forcën e sigurisë së Kosovës sepse dihet që Kosova partnerin e saj kryesor për blerjet ushtarake e ka ShBA-në” ka theksuar Ministri i dorëhequr i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.
