Ejup Maqedonci në Pentagon: Hapet kapitull i ri i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me SHBA-në

Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është pritur në Pentagon nga Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan për NATO dhe Evropë, David Baker, dhe delegacioni i tij. Takimi u zhvillua në selinë e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes dhe u cilësua nga Maqedonci si një moment kyç në avancimin e marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. “Në këtë periudhë sfiduese për paqen dhe sigurinë rajonale e ndërkombëtare, me miqtë tanë diskutuam për prioritetet e bashkëpunimit dypalësh për periudhën në vijim”, deklaroi Maqedonci në një postim publik. Ai vlerësoi takimin si hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet Kosovë–SHBA në fushën e mbrojtjes. Ministri ishte i shoqëruar nga Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe delegacioni i Kosovës theksoi angazhimin për përmbylljen e fazës së tretë të Planit Gjithpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së. Në fokus të diskutimeve ishte edhe zhvillimi i industrisë së mbrojtjes në Kosovë. Sipas Maqedoncit, është arritur dakordim mbi parimet e bashkëpunimit për këtë sektor me potencial strategjik për vendin. “Republika e Kosovës i vlerëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partnerin kryesor strategjik në ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit tonë,” përfundoi ai.

 

Kontrolloni gjithashtu

Luftëtarët e lirisë zënë Grykën e Carralevës më 14 qershor 1998, forcat serbe djegin shtëpitë gjatë tërheqjes

Më 14 qershor të vitit 1998, në një ndër betejat më të rëndësishme të Luftës …