Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut, janë krijuar rrethana që në disa zona paraqesin rrezik potencial. Megjithatë, ekipet e emergjencës së Komunës së Deçanit kanë qenë vazhdimisht në terren, me fokus të veçantë në Carrabreg të Ulët, Prilep, Baballoq, Ratishë të Ulët, Dubovik dhe në zonën urbane të qytetit.
Aktualisht, situata është stabile dhe nuk paraqet shqetësim serioz, por po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Kompania e kontraktuar për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, “Lika Trade”, ka ndërhyrë në pikat problematike, ndërsa NPL “Higjiena”, Njësia Profesionale e Zjarrfikësve dhe kompania “Hidrodrini” janë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë eventuale.
Sipas parashikimeve meteorologjike, priten reshje të reja shiu, të cilat mund të ndikojnë në përkeqësimin e situatës, veçanërisht në zonat e ndjeshme ndaj vërshimeve dhe rrëshqitjeve të dheut.
Apelojmë tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin zonat e rrezikuara dhe të raportojnë çdo problem apo rrezik të mundshëm pranë shërbimeve komunale.
Komuna e Deçanit mbetet e angazhuar dhe pranë qytetarëve në çdo kohë.