Iniciativa Qytetare për Veprim nesër do të organizojë një ekspozitë me fotografi para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Me anë të kësaj ekspozite, përfaqësuesit e kësaj organizate do të pasqyrojnë kolonizimin që po e bën Serbia në veri të Kosovës përmes ndërtimit të banesave kolektive dhe shtëpive. Në njoftimin për medie, Iniciativa Qytetare për Veprim thekson se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asgjë për kthimin e mbi 15 mijë shqiptarëve në veri dhe as nuk ka plan ta bëjë këtë. “Serbia po ushtron agresion mbi veriun e Kosovës, i ka vrarë dhe dëbuar shqiptarët, e ka kolonizuar veriun, ka vendosur barrikada për pengimin e lirisë së lëvizjes me qëllim ndarjen e Kosovës. Qëllimi i Iniciativës Qytetare për Veprim është që të sensibilizojë opinionin publik dhe t’i bëjë presion qeverisë për gjendjen në veri, për planet kolonizuese që Serbia po i zbaton papengueshëm atje, dhe sjelljen e qeverisë së Kosovës ndaj veriut sikur të ishte pjesë e Serbisë”, thuhet në njoftimin e Inciativës Qytetare për Veprim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
