Elez Durmishi: Njëzet e shtatë vite Zëri i Lirisë, përvjetori i parë pa ty Ahmet Qeriqi!

Elez Durmishi: Njëzet e shtatë vite Zëri i Lirisë, përvjetori i parë pa ty Ahmet Qeriqi!

Sot po shënojmë përvjetorin e Radios Kosova e Lirë,  zërit të parë të lirë dhe lajmëtarit të lirisë. Ky zë ishte dritarja e vetme që në kushte të jashtëzakonshme arriti të informoj popullin dhe botën për realitetin e luftës çlirimtare në Kosovë dhe u bë burim frymëzimi për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën e tyre drejt fitores.

Radio Kosova e Lirë ishte zëri që ndriçonte ditët më të errëta të Kosovës. Çdo transmetim i saj vinte si një dritë shprese, duke i dhënë njerëzve guxim të përballonin vuajtjet. Mes fjalëve të saj ndjehej dhimbja për humbjet, por edhe forcë për të vazhduar. Radioja bashkonte zemrat e popullit dhe luftëtarëve, duke i bërë ata të ndiheshin se nuk ishin vetëm dhe se mbante gjallë ëndrrën për liri.

Tash e njëzet e shtatë vite, Radio Kosova e Lirë , vazhdon të jetë e gjallë, e nëpërkëmbur nga pushtete e pushtetarë që nga paslufta, duke mos ia dhënë asnjëherë vendin e merituar në gazetarinë kosovare, në shumë raste edhe duke e diskriminuar, madje kjo bëhet edhe më e dhimbshme, kur përbuzja vjen nga ata që do duhej ta bënin të kundërtën.

Jo, asnjëherë dhe asnjëri nuk mori mundin që të inicioj asnjë iniciativë shtetërore, në funksion të mbrojtjes ligjore të kësaj trashëgimie kombëtare, duke siguruar në të njëjtën kohë vazhdimin e punës së Radios dhe programeve të saja për dëshmorët e kombit dhe shume emisioneve tjera kombëtare, pa vështirësi financiare.

Sot, Radio Kosova e Lirë vazhdon të jetë i vetmi medium në Kosovë që transmeton program me përmbajtje kombëtare, me fokus emisionet dokumentare për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë dëshmorëve e martirëve ndër vite. Kjo vjen falë angazhimit të punonjësve të pakët të Radios që këtë punë e bëjnë me pasion pavarësisht kushteve financiare të rënda.

Kur përmendim emrin Radios Kosova e Lirë, aty është profesor Ahmet Qeriqi, aty është arkitekti, themeluesi dhe ideatori i Radios. Aty është vlera sublime dhe e pa përsëritshme kombëtare, aty është profesori, studiuesi, poeti komentatori politik, analizuesi i ngjarjeve historike, aty është veterani i UÇK-së, aty është shoku im i idealit.

Këtë përvjetorë po e shënojmë pa Ahmetin. Çdo 4 Janar prisnim e përcillnim dashamirë, përkrahës e bashkëluftëtarë që vinin për të uruar përvjetorin e Radios, e vinin për të parë Ahmetin, burrin e mençur e të urtë, idealistin e çështjes kombëtare, të pa lëkundurin e të pa thyeshmin, të pa lodhshmin e udhërrëfyesin.

Sot kur Ahmet Qeriqin nuk e kemi më në mesin tonë, na mungon shumë, ne shokëve të tij, i mungon familjes, por mbi të gjitha i mungon Kosovës për të cilën punoj gjithë jetën pa u ndalur asnjëherë. Ai nuk ndryshoi, i qëndroj besnik idealeve të tija kombëtare, duke qenë zëri i shtresës më të lavdishme të kombit, dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Iku në botën tjetër duke mos kërkuar asnjëherë asgjë si shpërblim, madje i urrente lëvdatat e dekorimet kurtuazie (edhe pse nuk iu dhanë kurrë).

Iku, duke lënë pas vetës një trashëgimi të pasur publicistike dhe shkencore, shume komente e analiza politike dhe historike, na la trashëgimi edhe veprën madhore për dëshmorët e kombit Feniksët e Lirisë, dëshminë më të madhe historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Faleminderit Ahmet Qeriqi që e mbajte gjallë Radion Kosova e Lirë, faleminderit për krejt ato shkronja që i ke thurur për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Kosova të ka borxh shumë, sepse ti gjithë jetën tënde ishe në shërbim të sajë.

Urimet më të përzemërta për përvjetorin e Radios Kosova e Lirë, ju uroj suksese dhe ju inkurajoj të vazhdoni punën në pasqyrimin e të vërtetës për Kosovën dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Ismet Sylejmani: Të vegjlit në kazermën “Adem Jashari”

Ismet Sylejmani: RADIO “KOSOVA E LIRË” RADIO E KOMBIT

Radio”Kosova e Lirë”, më 4 Janar 1999, jehoi e u dëgjua në çdo shtëpi atdhetare …