Elife Luzha

Elife LUZHA: NËPËR RRJEDHAT E DEMOKRACISË

Demokracia si formë qeverisjeje është shfaqur herët (shek. V p. e. s.), dhe që nga antikiteti (filozofët antikë), e deri në ditët tona është temë hulumtimi për shumë studiues. Kjo dëshmon për vazhdimësinë e përpjekjeve njerëzore, në kërkim të gjetjes së një rendi për të krijuar rregull dhe harmoni midis njerëzve të organizuar në një shtet.

Sa herë flasim apo shkruajmë për demokracinë, tanimë me të drejtë është bërë shpjegimi i domethënies i fjalës, e cila si term dhe ide vjen nga Greqia e lashtë (shek. IV-V p. e. s.), dhe ka kuptimin e pushtetit që rrjedh nga populli, pra: pushtet (kratos), i popullit (demos)”. Gjithsesi, përkufizimi i demokracisë nuk është i thjeshtë, thotë Sartori (Giovani Sartori), sepse “demokracia është një fjalë që vlen për ligjërata të tëra”. Kurse Ylli Bufi, në librin e tij “Tempulli i demokracisë” thotë se “fjala “demokraci” për persona të ndryshëm ka kuptime të ndryshme”.

Megjithatë, pa u zgjatur rreth termit “demokraci”, me pak fjalë, duhet thënë se që para 2500 vitesh, në kohën më të artë të saj, Athina udhëhiqej nga demokracia me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të popullit në qeverisje. Pa dyshim, rrugëtimi i demokracisë deri në ditët tona ka evoluuar. Sot njohim disa forma të qeverisjes demokratike, me dominim të demokracisë së tërthortë apo përfaqësuese dhe, sipas statistikave, më shumë se gjysma e popullsisë botërore e praktikojnë atë. Kjo edhe për faktin se kjo formë e qeverisjes u mundëson votuesve që, nëpërmjet votës së lirë, të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. E se sa ky i zgjedhur e ndjek vullnetin e zgjedhësve të tij, mbetet temë diskutimi.

Është me rëndësi të përshkruajmë rrjedhën e demokracisë nëpër shekuj, me theks të veçantë vitin 1863, kur presidenti amerikan, Abraham Linkoln, demokracinë apo sistemin e qeverisjes demokratike e përcaktoi si “qeverisje e popullit, nga populli, për popullin”. Sot demokracia amerikane është ndër demokracitë më të suksesshme dhe model i të gjitha demokracive në botë. Kurse në preambulën e Kushtetutës amerikane të themeluar më 1787, shkruhet: “Ne, populli i Shteteve të Bashkuara, urdhërojmë dhe vendosim këtë kushtetutë”.

Natyrisht, për demokracinë është thënë shumë dhe mund të themi se ekzistojnë shkrime të panumërta rreth sistemit të qeverisjes demokratike, që sipas Palatinit (babai i mbretit të Polonisë, 1739-1780), “nuk është për njerëzit“, meqë “një qeveri kaq e përkryer është për zotat”. Ai kishte thënë gjithashtu se, “po të kishte një popull të zotave, do të qeverisej demokratikisht” (Ruso, “Mbi kontratën shoqërore”).

Njëri ndër autorët më të shquar të filozofisë antike, Aristoteli, në librin e tij “Politika”, duke shpjeguar për format e qeverisjes shtetërore thotë: “Demokracia ekziston vetëm atëherë kur pushteti suprem qëndron në duar të njerëzve të lirë”. Ai kritikon qeverisjen unitare, sipas të cilit “të gjitha format e rregullimit shtetëror që kujdesen vetëm për dobinë e tyre, janë pushtete të çoroditura”. Këtu ai në mendje kishte monarkinë apo tiranidën, si sistem që “ka interesa vetëm të monarkut despotik”.

“Kurse në oligarki pushtetin e zotërojnë të pasurit apo oligarkët. Nëse të pasurit do të ishin shumica e popullit dhe kjo shumicë (oligarkët) të udhëhiqte pushtetin, atëherë kjo do të ishte demokraci, sepse vetëm në demokraci udhëheq shumica”, thotë Aristoteli.

Është me rëndësi të shpjegojmë dilemën që shfaqte Aristoteli rreth asaj se çfarë do të ndodhte, “kur në pushtet hyjnë ata që nuk dallohen as për nga pasuria, e as për nga vyeshmëria personale?” Pa dyshim në këtë rast është rrezik, që kjo klasë pushtetarësh, për shkak të “mungesës së drejtësisë, të bëjnë padrejtësi, e për shkak të pasurisë të bëjnë gabime”. Madje, thoshte ai, “këta njerëz është rrezik edhe t’i largosh nga pushteti, sepse janë mjaft inteligjentë e të përzier me të mirët”.

Më tej, duke folur për monarkitë, tiranitë e oligarkitë, Aristoteli e vë theksin te demokracitë, të cilat në dallim nga sistemet e tjera qeverisëse, janë më të buta. Megjithatë, thotë ai, as ky sistem nuk është i përkryer, sidomos atëherë kur në pushtet janë ata që, “shumë gjëra i bëjnë në dëm të dikujt ose për dashurinë e dikujt”, kurse për të ruajtur pushtetin e tyre, përveç të tjerash, përdorin ostrakizmin si mjet për largimin nga politika të njerëzve të shquar, sidomos nga smira për kapacitetin e tyre intelektual.

Është për keqardhje ky fakt, sidomos po ta krahasojmë me qeverisjen e sotme në Kosovë, ku në një mënyrë apo në një tjetër, elitat politike, duke shkelur edhe parimet bazë të demokracisë, nëpërmjet formave të ndryshme (jodemokratike), gjithnjë në dëm të shtetit dhe të së mirës së përbashkët, i eliminojnë intelektualët nga skena politike, duke u dhënë shanse kështu jo të diturve, por të bindurve.

Duke shpjeguar demokracinë dhe format e qeverisjes së një shoqërie të organizuar në shtet, filozofi nga Gjeneva, Rusoi (Jean Jacques Rousseau), në librin e tij “Mbi kontratën shoqërore“ shkruan: “Shumë herët është diskutuar mbi formën më të mirë qeverisëse, pa menduar se cila prej tyre është më e mira në disa raste e më e keqja në raste të tjera”. Gjithsesi, thotë ai, “qeverisja demokratike u shkon mirë shteteve të vogla”. Por, një demokraci e vërtetë nuk ka ekzistuar, e as nuk do të ekzistoj kurrë, sepse është e panatyrshme që shumica të qeverisë dhe pakica të qeveriset.

Pavarësisht nga këto që u thanë, nuk ka dyshim se demokracia si sistem që shpreh vullnetin e popullit, është ndër sistemet më të përkryera të qeverisjes, dhe mbi dy të tretat e shteteve nëpër botë e praktikojnë atë. Kurse në dekadën e fundit, kjo formë e qeverisjes është përqafuar edhe nga shtete, si Egjipti, Tunizia dhe Libia.

 Gjithsesi nga kjo që thamë, mund të dalim në përfundime, se demokracia është një nga sistemet më të suksesshme qeverisëse për shoqëritë e organizuara në shtet. Këtë e dëshmon vetë shtrirja e demokracisë në pjesën më të madhe të shteteve të botës. Gjithsesi, duhen parë edhe këndet e errëta të sistemit të demokracisë, mirëpo në këtë rast nuk mund të flasim për sistemin si të tillë, por siç do të thoshte Aristoteli “kush sundon”? E për të zbuluar rregullat më të mira të shoqërisë, të cilat iu shkojnë për shtat kombeve, duhet zgjuarsi. “Do të duheshin zotat, për t’u dhënë ligje njerëzve”, thoshte Rusoi.

Bibliografi

Bufi, Ylli. Tempulli i demokracisë, OMBRA GVG, Tiranë, 2010.

Jean-Jacques Rousseau, Mbi kontratën shoqërore, ose Parimet e së Drejtës Politike, “Pema”, Prishtinë, 2018.

Aristoteli, “Politika”, Elta BS & Artini, Botimi i parë, “Rilindja”, Prishtinë, 1978

Sartori Giovani, Ç’është Demokracia, “Dituria”, botimi i katërt, 2010.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …